“Mësimi 20 Materiali i Mësuesit: Bekimet prej Lirisë Fetare”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Mësimi 20 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Mësimi 20 Materiali i Mësuesit
Bekimet prej Lirisë Fetare
Liria e fesë është një e drejtë themelore e njeriut. Libri i Mormoni përmban plot shembuj si të bekimeve prej lirisë fetare ashtu edhe të pasojave prej kufizimit të lirisë fetare. Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë të përcaktojnë bekimet prej lirisë fetare dhe të vlerësojnë atë që mund të bëjnë për të ndihmuar që ta ruajnë dhe mbrojnë atë në kohën tonë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Mbreti Mosia vendos një formë qeverisjeje që e mbron lirinë fetare.
Shënim: Statuti i lirisë fetare ndryshon gjerësisht në mbarë botën. Ndërsa diskutoni për lirinë fetare, jini të ndjeshëm ndaj rrethanave të veçanta të vendit ku jetoni. Nxitini studentët të flasin me respekt për qeveritë, kishat e tjera dhe të gjitha traditat fetare.
Kujtojuni studentëve se në përgatitje për orën mësimore, ata u ftuan të bënin një bashkëbisedim me një njeri ose më shumë njerëz të një besimi tjetër. Studentët u nxitën t’i pyetnin këta individë se përse feja e tyre është e rëndësishme për ta dhe nëse kanë përjetuar ndonjëherë përndjekje fetare. Ftojini disa studentë të tregojnë atë që mësuan nga bashkëbisedimet e tyre ose nga përvojat e kaluara me njerëz të besimeve të tjera.
Merrni parasysh të bëni një ose më shumë nga pyetjet vijuese:
-
Si do ta përkufizonit lirinë fetare? (Nëse nevojitet, ftojini studentët të shqyrtojnë hyrjen dhe pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)
-
Përse mendoni se është e rëndësishme që të gjithë njerëzit të kenë të drejtën t’i shprehin bindjet e tyre fetare dhe të veprojnë sipas tyre? (Mund të jetë e dobishme të shqyrtoni nenin e njëmbëdhjetë të besimit dhe thënien nga Jozef Smithi në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)
-
Si mund të ndikohej jeta jonë nëse nuk do të ishim të lirë të shprehnim bindjet tona bazë apo të vepronim sipas tyre, përfshirë edhe pikëpamjet tona fetare? Cilët janë disa shembuj se si kërcënohet liria fetare në kohën tonë?
Kujtojuni studentëve se mbreti Mosia krijoi një ligj për të mbrojtur popullin e mbretërisë së tij, të cilët po përndiqeshin për shkak të bindjeve të tyre. Ju mund të shqyrtoni me studentët vargjet te Mosia 27:1–4 dhe të bëni pyetjen:
-
Çfarë mund të mësojmë rreth lirisë fetare nga proklamata e mbretit Mosia?
Merrni parasysh të paraqitni figurën shoqëruese dhe ftojini studentët të përmbledhin disa nga idetë që po jepte mësim Korihori (shih pjesën 1 të materialit të përgatitjes). Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet tek Alma 30:7–9, 11 dhe të kërkojnë se çfarë na mësojnë këto vargje rreth lirisë fetare. Merrni parasysh se cilat nga pyetjet vijuese mund të bëni që do t’i ndihmojnë më së miri studentët tuaj të mësojnë më thellësisht:
-
Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje rreth vlerës që Ati Qiellor i jep lirisë fetare? (Studentët mund të përcaktojnë një parim të ngjashëm me atë që vijon: Perëndia dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të kenë të drejta dhe privilegje të barabarta, që të jenë të lirë të zgjedhin t’i shërbejnë Atij pa qenë të detyruar, si edhe të lirë të zgjedhin të mos i shërbejnë Atij.)
-
Përse është e rëndësishme në planin e Perëndisë që ne të mos detyrohemi të besojmë tek Ai ose ta ndjekim Atë?
-
Çfarë do të thotë për ju se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti nuk do t’ju detyrojnë kurrë të besoni tek Ata apo t’i ndiqni Ata? Çfarë ju mëson kjo gjë rreth karakterit të Tyre?
-
Çfarë dobie i sjell liria fetare gjithë pjesëtarëve të shoqërisë? Çfarë dobie ju sjell juve?
Kapiteni Moroni ngre titullin e lirisë dhe thërret njerëzit të bashkojnë forcat që të ruajnë lirinë.
Ftojini disa studentë të tregojnë shembuj se në ç’mënyrë mund të kërcënohet liria fetare. (Nëse nevojitet, ju mund t’u kërkoni atyre të shqyrtojnë pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)
Ftojini studentët të lexojnë tek Alma 46:4, 10 dhe më pas të shpjegojnë se si Amalikia i kërcënoi liritë e nefitëve, përfshirë lirinë e tyre fetare. Pyetini studentët se si kapiteni Moroni iu përgjigj këtij kërcënimi. (Nëse nevojitet, kërkojuni studentëve të shqyrtojnë vargjet tek Alma 46:12–13, 19–20.) Merrni parasysh të diskutoni pyetjet vijuese:
-
Çfarë parimesh të ungjillit rreth lirisë fetare mund të mësojmë nga përpjekjet e kapitenit Moroni dhe njerëzve të tij? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim të ngjashëm me atë që vijon: Kur i thërrasim Perëndisë dhe përgatitemi të veprojmë, Ai do të na forcojë që ne të mbrojmë familjet tona, fenë tonë dhe lirinë tonë.)
-
Çfarë ndikimi patën kapiteni Moroni dhe titulli i lirisë te njerëzit? Përse kemi nevojë për ndihmën e Atit Qiellor në përpjekjet tona për ta mbrojtur lirinë fetare?
-
Në çfarë mënyre mbrojtja e lirisë fetare nga kapiteni Moroni është e ngjashme me mënyrën se si Jezu Krishti e ka mbrojtur lirinë tonë për të zgjedhur?
Për t’i ndihmuar studentët të marrin parasysh se si të tregojnë qytetari kur mbrojnë lirinë fetare, ju mund të paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë:
“Ne duhet t’i duam të gjithë njerëzit, të jemi dëgjues të mirë dhe të tregojmë shqetësim për bindjet e sinqerta të të tjerëve. Ne duhet të jemi të mençur në shpjegimin dhe ndjekjen e pikëpamjeve tona dhe në ushtrimin e ndikimit tonë. Ne duhet të synojmë mirëkuptimin dhe përkrahjen e jobesimtarëve. Ne gjithashtu duhet t’u japim përkrahje veprimeve zyrtare të qeverive dhe organizatave të përshtatshme shumëkombëshe. E gjitha kjo është e nevojshme për të ruajtur të mirën e madhe që organizatat fetare dhe besimtarët mund të arrijnë për dobinë e gjithë njerëzimit.” (“Challenges to Religious Freedom” [fjalim në Këshillin e Argjentinës për Marrëdhëniet me Jashtë (KAMJ), 23 prill 2015], newsroom.ChurchofJesusChrist.org)
Për t’i ndihmuar studentët që të ushtrohen për ta mbrojtur lirinë fetare, ftojini ata të punojnë me një partner/e dhe të diskutojnë për mënyrën se si do t’i përgjigjeshin skenarit vijues:
Keni një shok mysliman në punë që gjen një vend privat për t’u lutur gjatë periudhave të pushimit të tij. Disa kolegë fillojnë ta përqeshin këtë praktikë. Një kolege si përfundim thotë: “Ai duhet ta mbajë për vete fenë e tij dhe jo ta praktikojë në punë”. Më pas ajo kthehet drejt jush dhe thotë: “Si mendon ti?”
Pasi studentët të kenë pasur kohë të diskutojnë për përgjigjen e tyre me partnerët e vet, ftojini disa studentë të tregojnë se si iu përgjigjën skenarit.
Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë
Ftojini studentët të vendosin synime. Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, vërejti: “Unë jam plotësisht i bindur se në qoftë se nuk vendosim synime në jetën tonë dhe nuk mësojmë si t’i përvetësojmë teknikat e të jetuarit për të arritur synimet tona, mund të arrijmë në një moshë të vjetër dhe të hedhim vështrimin pas në jetën tonë vetëm për të parë se kemi arritur vetëm një pjesë të vogël të potencialit tonë të plotë” (“Do Things That Make a Difference”, Ensign, qershor 1983, f. 69–70). Jepuni studentëve mundësi të mendojnë për synime të posaçme dhe t’i krijojnë ato, të cilat mund t’i ndihmojnë të ndërmarrin veprime të efektshme e të drejta. Përveç rastit kur synimet e tyre janë tepër vetjake për t’u treguar, ftojini studentët t’jua tregojnë synimet dhe merrni parasysh mënyrën se si mund ta ndiqni ecurinë e studentëve në lidhje me to.
Ftojini studentët të vendosin një synim të posaçëm rreth asaj që mund të bëjnë për të qenë të përgatitur më mirë që ta mbrojnë të drejtën e shenjtë të lirisë fetare. (Mund të jetë e dobishme të paraqitni dhe të shqyrtoni thënien nga Plaku Robert D. Hejls në pjesën 2 të materialit të prëgatitjes.) Merrni parasysh t’i ftoni studentët të shkruajnë një plan të thjeshtë veprimi për të arritur synimin e tyre. Merrni parasysh të jepni dëshminë tuaj mbi rëndësinë e lirisë fetare për ta përfunduar mësimin.
Për Herën Tjetër
Kërkojuni studentëve të marrin parasysh se përse krenaria është një temë kaq e zakonshme në Librin e Mormonit. Vini në dukje se Presidenti Ezra Taft Benson vërejti: “Krenaria është një mëkat që mund të shihet menjëherë tek të tjerët, por rrallëherë pranohet te vetja” (“Ruhuni nga Krenaria”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson, 2014, f. 249). Ftojini studentët ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për mësimet mbi krenarinë në Librin e Mormonit dhe se si krenaria mund të ndikojë në jetën e tyre.