“Mësimi 10 Materiali i Mësuesit: Pendimi dhe Falja Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Mësimi 10 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Mësimi 10 Materiali i Mësuesit
Pendimi dhe Falja
Libri i Mormonit jep këndvështrime të pashoqe mbi doktrinën e pendimit dhe faljes. Përvojat e Enosit, popullit të mbretit Beniamin dhe Alma të Riut, ilustrojnë se Shpëtimtari është burimi përfundimtar për faljen tonë dhe paqen e ndërgjegjes. Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë të diskutojnë për pyetjet rreth procesit të pendimit dhe të mësojnë që t’i dallojnë më mirë rastet kur Shpëtimtari i ka falur ata. Studentët do të marrin parasysh edhe se si ata mund të vazhdojnë të pendohen dhe të bëhen më shumë si Jezu Krishti.
Sugjerime për Mësimdhënien
Alma shpjegon se si ai e mori faljen e Shpëtimtarit.
Paraqitini tri pyetjet vijuese në vende të ndryshme të klasës. Vini pak karrige në rreth pranë çdo pyetjeje. Vini në dukje se këto pyetje janë të ngjashme me pyetjet në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.
-
Çfarë do të thotë vërtet të pendohesh? Çfarë këshille do t’i jepnit dikujt që i ka kaluar hapat e pendimit, por nuk ndien ndonjë ndryshim?
-
Si mund ta gjejmë forcën për të ndryshuar vërtet? Çfarë do t’i thoshit dikujt që është i shkurajuar për shkak se është përpjekur vërtet fort për të vepruar më mirë, por thjesht vazhdon të bëjë të njëjtat gabime?
-
Po nëse dikush ndihet sikur është një kauzë e humbur? Si mund ta ndihmonit dikë që ndien se nuk duhet të shqetësohet për pendimin sepse mëkatet e tij/saj janë aq të këqija saqë nuk mund të falen kurrë?
Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur janë misionarë që po përgatiten t’i përgjigjen njërit prej grupeve të pyetjeve të lartpërmendura për kërkuesit e tyre ose sikur po përgatiten për të ndihmuar një njeri të dashur që po has vështirësi të pendohet. Më pas kërkojuni studentëve të ulen në një karrige pranë pyetjeve që do të dëshironin të diskutonin. Nxitini studentët që të mbështeten te rrëfimi i përvojës së Almës dhe fragmentet e tjera nga Libri i Mormonit që mund të ndihmojnë për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre.
Caktoni te secili grup një udhëheqës për diskutimin dhe jepini secilit udhëheqës një kopje të udhëzimeve që gjenden në fund të këtij materiali mësimor. Jepuni grupeve kohë të mjaftueshme për të bërë diskutime kuptimplota.
Pasi t’iu lini kohë studentëve për të diskutuar, ju mund të doni të ftoni një ose më shumë vullnetarë nga secili grup që të japin përmbledhje të shkurtra mbi atë që mësuan dhe ndien grupet gjatë diskutimeve të tyre.
Enosi, populli i mbretit Beniamin dhe Alma përjetuan gëzimin e faljes.
Kërkojuni studentëve që të marrin parasysh nëse ata, ose njerëzit që njohin, e kanë pyetur ndonjëherë veten se si ta dinë nëse Shpëtimtari i ka falur ata për mëkatet e tyre. Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet tek Enosi 1:4–8; Mosia 4:1–3 dhe Alma 36:19–21, duke kërkuar mënyra për të ditur që ne jemi falur.
-
Cilat fjalë ose fraza në këto vargje ju bënë përshtypje? Përse mendoni se ato fraza jua tërhoqën vëmendjen?
-
Përse është e rëndësishme që të besoni e të pranoni se Jezu Krishti është i gatshëm, i aftë dhe i etur që të na i falë mëkatet dhe të na e heqë fajin? (Merrni parasysh t’i ftoni studentët të shqyrtojnë pjesën 3 të materialit të përgatitjes.)
-
Si mund ta dimë që Shpëtimtari na ka falur për mëkatet tona? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim si ai që vijon: Kur ne pendohemi me sinqeritet dhe kemi besim te Jezu Krishti, Ai na fal dhe na bekon me gëzim dhe paqe të ndërgjegjes.)
-
Kur e keni përjetuar gëzimin dhe paqen e faljes nga Zoti dhe si ndikoi kjo përvojë në jetën tuaj? (Nxitini studentët të flasin rreth ndjenjave të tyre për faljen dhe jo për veçoritë e mëkateve të tyre.) Cilat janë mendimet dhe ndjenjat tuaja rreth aftësisë dhe dëshirës së Shpëtimtarit për t’ju falur?
Gjatë diskutimit tuaj, mund t’ju duket e dobishme që të tregoni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen:
“Për ata që janë vërtet të penduar, por duken jo në gjendje që të ndiejnë lehtësim: vazhdoni të zbatoni urdhërimet. Ju premtoj, lehtësimi do të vijë në kohën e duhur të Zotit. Shërimi po ashtu kërkon kohë.” (“Pendohuni … Që të Mund t’Ju Shëroj”, Liahona, nëntor 2009, f. 42)
Shënim: Për studentët që mund të ndihen të shkurajuar rreth procesit të pendimit ngaqë përpjekjet e tyre nuk kanë sjellë ende lehtësim si rezultat, shprehni fjalë inkurajimi dhe ftojini ata të vazhdojnë t’i drejtohen Zotit dhe ndoshta t’ua tregojnë shqetësimet e tyre të posaçme peshkopit të tyre.
Jepuni kohë studentëve që t’i bëjnë një vlerësim jetës së tyre dhe të përcaktojnë çfarëdo gjëje për të cilën kanë nevojë të pendohen. Ftojini studentët të shënojnë çfarëdo mbrese që marrin.
Jepni dëshminë tuaj për doktrinën e pendimit dhe faljes. Merrni parasysh t’i ftoni studentët që të japin dëshmitë e tyre gjithashtu.
Për Herën Tjetër
Pyetini studentët se si besëlidhja e tyre e pagëzimit dhe besëlidhje të tjera e kanë bekuar jetën e tyre. Ftojini ata, ndërsa e studiojnë materialin e përgatitjes për orën tjetër mësimore, që të mendojnë rreth shtegut të tyre të besëlidhjeve dhe se si nderimi i besëlidhjeve i lidh ata me Shpëtimtarin dhe fuqinë e Tij.