“Mësimi 21 Materiali i Mësuesit: Mposhtja e Krenarisë”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Mësimi 21 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Mësimi 21 Materiali i Mësuesit
Mposhtja e Krenarisë
Mëkati i krenarisë është një temë kryesore në Librin e Mormonit. Periudhat e drejtësisë dhe përparimit shpesh pasohen nga periudha krenarie dhe ligësie. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të përcaktojnë shenjat e krenarisë në jetën e tyre. Studentët gjithashtu do të kenë parasysh se çfarë mund të bëjnë për ta mposhtur krenarinë e për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari.
Sugjerime për Mësimdhënien
Jakobi dhe Moroni japin mësim rreth mëkatit të krenarisë.
Për ta filluar orën mësimore, ju mund të doni të paraqitni thënien vijuese nga Plaku J. Devn Kornish, i Të Shtatëdhjetëve: “Ne duhet të reshtim së krahasuari veten tonë me të tjerët” (“A Jam Mjaftueshëm i Mirë? A do t’ia Dal?” Liahona, nëntor 2016, f. 33). Pyetini studentët se përse kjo është një këshillë e mirë.
Tregojuni skenarin vijues dhe pyetini studentët nëse ata ose dikush tjetër që e njohin, është ndier ndonjëherë në këtë mënyrë.
Xhillit nuk i pëlqen t’i frekuentojë mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës. Ndërsa ajo sheh rrotull dhomës, gjithçka që i bie në sy janë gra që duken më të bukura, më shpirtërore dhe më të talentuara se ajo. Ajo i ka zët ato për shkak të këtyre cilësive dhe zakonisht largohet nga Shoqata e Ndihmës me zemërim dhe xhelozi.
Paraqiteni thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i cili foli për krenarinë ndërkohë që shërbente si anëtar i Presidencës së Parë: “Në thelbin e vet, krenaria është një mëkat krahasimi” (“Krenaria dhe Priftëria”, Liahona, nëntor 2010, f. 56). Shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Krenaria është një mëkat krahasimi.
-
Në çfarë mënyrash mund të çojë në krenari krahasimi i vetes sonë me të tjerët?
Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë
Përshtatni për të plotësuar nevojat e studentëve. Ndonëse në programin mësimor jepen të vërteta të rëndësishme, burime dhe udhëzime të dobishme, në të nuk mund të parashikohen të gjitha nevojat e studentëve tuaj. Ndërsa jepni mësim, dëgjojini me kujdes komentet, pyetjet dhe shqetësimet e studentëve në mënyrë që Fryma e Shenjtë të mund t’ju ndihmojë të dini se ku të përqendroheni dhe ku ta vini përparësinë gjatë një diskutimi.
Kujtojuni studentëve që ata mësuan nga pjesa 1 e materialit të përgatitjes se Jakobi i paralajmëroi njerëzit e tij rreth krenarisë së tyre, Moroni e parashikoi krenarinë në ditët e fundit dhe Presidenti Ezra Taft Benson foli për krenarinë në Kishën e rivendosur të Zotit. Ftojeni secilin student të zgjedhë një nga këta profetë dhe të shqyrtojë mesazhin e tij mbi krenarinë, duke kërkuar mënyra se si “krenaria është një mëkat krahasimi” (“Krenaria dhe Priftëria”, f. 56).
Pasi studentët të kenë pasur kohë për të kërkuar në këto fragmente, ftojini ata ta tregojnë atë që kanë mësuar. Ndërsa studentët tregojnë këndvështrimet e tyre, merrni parasysh se në cilat nga pyetjet vijuese të përqendroheni dhe cilave t’u vini përparësi:
-
Çfarë mendoni se do të thotë të “ngri[heni] në kryelartësinë e zemrave tuaja”? (Jakobi [LiM] 2:13.) Nga e kuptoni ju se kur po ngriheni në kryelartësinë e zemrave tuaja?
-
Çfarë mëkatesh të tjera mund të na shfaqen në jetë kur i shohim të tjerët nga lart poshtë me mendjemadhësi ose kur i shohim të tjerët nga poshtë lart me mëri? Sipas përvojës suaj, si ndikojnë këto dy lloje krahasimesh te marrëdhëniet me miqtë, pjesëtarët e familjes, shokët/shoqet e dhomës, kolegët dhe me Atin Qiellor?
-
Në çfarë mënyrash mediat shoqërore nxitin krahasime që mund të çojnë në mëkatin e krenarisë? Çfarë keni bërë për t’i rezistuar tundimit të krahasimit të vetes me të tjerët?
Shënim: Nëse studentët shprehin shqetësim rreth sfidave që paraqiten në mediat shoqërore, ju mund të doni të tregoni dhe të diskutoni për thënien vijuese nga Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Shumë (në mos shumica) prej fotografive të vendosura në mediat shoqërore priren që ta portretizojnë jetën në më të mirën e saj – shpesh në mënyrë jorealiste. …
Krahasimi i ekzistencës sonë që në dukje është e nivelit mesatar, me atë të të tjerëve të ndryshuar me mjeshtëri të përsosur për t’u dukur e bukur, siç paraqitet në mediat shoqërore, mund të na lërë me ndjenja shkurajimi, zilie dhe madje dështimi. …
Sikurse na e kujtoi Motra Boni L. Oscarson këtë mëngjes, suksesi në jetë nuk vjen nga sasia e pëlqimeve që marrim apo sasia e miqve apo ndjekësve që kemi në rrjetet e mediave shoqërore. Sidoqoftë, kjo vërtet ka të bëjë disi me lidhjen në mënyrë domethënëse me të tjerët dhe shtimin e dritës në jetën e tyre.” (“Eklipsi Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2017, f. 46)
Kërkojuni studentëve të shkojnë te pyetjet në fund të pjesës 1 të materialit të përgatitjes. Ftojini ata të rishikojnë përgjigjet që i shënuan gjatë studimit të tyre vetjak, dhe të shtojnë çfarëdo mendimesh apo ndjenjash të tjera që kanë pasur qëkurse shënuan përgjigjet e tyre.
Nefitët e mposhtin krenarinë nëpërmjet përulësisë.
Kërkojini një studenti të shpjegojë qëllimin e një kundërhelmi. (Nëse nevojitet, shpjegoni se një kundërhelm është ilaçi që merret për të kundërvepruar ndaj një helmi të veçantë.) Paraqiteni thënien vijuese nga Presidenti Benson: “Kundërhelmi për krenarinë është përulësia – urtësia, nënshtrimi. (Shih Alma 7:23.)” (“Ruhuni nga Krenaria”, Mësime: Ezra Taft Benson, 2014, f. 252.) Shkruajeni në tabelë të vërtetën vijuese: Përulësia është kundërhelmi për krenarinë.
-
Në çfarë mënyrash mund të jetë krenaria si helmi?
-
Përse mendoni se Presidenti Benson e përshkroi përulësinë si kundërhelmin për krenarinë?
Kujtojuni studentëve se te Jakobi [LiM] 2:17–21, Jakobi u tha njerëzve të tij se si t’i bënin ballë tundimit të krenarisë ndërsa u shtohej pasuria. Gjithashtu, kujtojuni studentëve se ata mësuan nga përgatitja e tyre për orën mësimore se 3 Nefi 6:12–14 përshkruan njerëz të përulur që nuk pranuan të vepronin me krenari. Ftojini studentët të shqyrtojnë një nga këto fragmente, duke kërkuar atë që mund të bëjmë për ta mposhtur krenarinë.
-
Sipas këtyre vargjeve, çfarë mund të bëjmë që ta mposhtim krenarinë? (Ju mund të doni t’i renditni në tabelë përgjigjet e studentëve. Disa përgjigje me gjasë mund të përfshijnë sa vijon: të jemi zemërgjerë me atë që kemi, të kërkojmë së pari mbretërinë e Perëndisë, të fitojmë një shpresë në Krisht, të kujdesemi për të varfrit, ta shohim çdo njeri si të çmuar, të mos debatojmë me të tjerët, të jemi të përulur dhe të penduar përpara Perëndisë dhe të zbatojmë urdhërimet.)
-
Si e tregojnë përulësinë këto qëndrime dhe veprime?
-
Çfarë keni mësuar rreth përulësisë nga jeta e Shpëtimtarit? Si mund ta zbatojmë shembullin e Tij të përulësisë në jetën tonë?
Jepuni studentëve disa minuta për të shqyrtuar thënien nga Presidenti Benson në pjesën 2 të materialit të përgatitjes. Nxitini ata të përcaktojnë një mënyrë të posaçme se si mund të zhvillojnë më shumë përulësi në jetën e tyre dhe të vendosin mënyra se si ta bëjnë atë.
Merrni parasysh të jepni dëshmi se me ndihmën e Zotit, ne mund ta dallojmë dhe mposhtim krenarinë vazhdimisht dhe të bëhemi më shumë si Shpëtimtari.
Për Herën Tjetër
Pyetini studentët nëse kanë lexuar ose dëgjuar gjëra që kanë hedhur dyshim mbi mësimet e Jezu Krishtit dhe profetëve të Tij të gjallë apo i kanë vënë në diskutim ato. Ndërsa studentët studiojnë materialin e përgatitjes për orën tjetër mësimore, ftojini ata të kërkojnë mësime që mund t’i ndihmojnë ta mbrojnë veten kundrejt atyre që kërkojnë t’ua shkatërrojnë besimin.