“Mësimi 20 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Bekimet prej Lirisë Fetare”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Mësimi 20 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Mësimi 20 Materiali i Përgatitjes së Klasës
Bekimet prej Lirisë Fetare
Sa e rëndësishme është për ju liria fetare? Siç shënohet në faqen e internetit të Redaksisë së Kishës: “Liria e fesë është një e drejtë themelore e njeriut që mbron ndërgjegjen e të gjithë njerëzve. Ajo na lejon të mendojmë, shprehim dhe veprojmë sipas asaj që besojmë thellësisht. … [Ajo] mbron të drejtat e të gjitha grupeve dhe individëve, duke përfshirë më të cenueshmit, qofshin fetarë ose jo” (“Religious Freedom”, newsroom.ChurchofJesusChrist.org).
Duke folur për kohën tonë, Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paralajmëroi: “[Satani] po minon ashpër, po kundërshton dhe po përhap pështjellim rreth lirisë fetare – çfarë ajo është dhe përse është thelbësore për jetën tonë shpirtërore dhe për vetë shpëtimin tonë” (“Ruajtja e Lirisë së Zgjedhjes, Mbrojtja e Lirisë Fetare”, Liahona, maj 2015, f. 112). Ndërsa studioni në përgatitje për orën mësimore, përsiatni se çfarë mund të na mësojë Libri i Mormonit rreth rëndësisë së lirisë fetare dhe merrni parasysh se çfarë mund të bëni që ta nxitni, ruani dhe mbroni atë.
Pjesa 1
Si i mbron liria fetare bindjet e mia dhe mënyrën se si unë zgjedh që t’i jetoj ato?
Shikoni materialin filmik “Preserving Religious Freedom” [“Ruajtja e Lirisë Fetare”] (03:59).
Përmbledhja vijuese thekson disa nga të drejtat bazë që përfshin liria fetare:
“Liria fetare përfshin jo vetëm të drejtën për të adhuruar lirisht, por edhe për të folur e vepruar bazuar në bindjet fetare të një individi. …
Liria fetare mbron të drejtën e të gjithë njerëzve që të kenë bindjet e tyre fetare dhe t’i shprehin ato hapur pa druajtje nga përndjekja apo mohimi i të drejtave të barabarta të qytetarisë. …
Liria e fesë mbron jo vetëm individët, por edhe organizatat fetare që bëjnë të mundshme komunitetet e besimit.” (“Religious Freedom: The Basics”, ChurchofJesusChrist.org)
Gjatë gjithë historisë, e drejta bazë e njeriut për të vepruar sipas bindjeve të veta, shpesh është sfiduar dhe madje është shkelur. Për shembull, gjatë mbretërimit të mbretit Mosia, përndjekjet e anëtarëve të Kishës nga jobesimtarët u bënë të ashpra (shih Mosia 27:1).
Liria fetare jo vetëm që mbron njerëzit fetarë që të shprehen, por përkrah edhe të drejtat e njerëzve që nuk janë fetarë ose atyre që kanë bindje të ndryshme. Një shembull për këtë është historia e Korihorit. Korihori jetoi gjatë mbretërimit të gjykatësve, një sistem qeverisës që ishte krijuar për të ruajtur dhe mbrojtur lirinë e popullit nga mbretërit e paudhë (shih Mosia 29). Korihori predikoi “se nuk do të kishte ndonjë Krisht” (Alma 30:12). Ai pretendonte se nuk kishte asnjë mëkat dhe se çdo njeri përparonte sipas inteligjencës së tij apo të saj. Mësimet e Korihorit i larguan shumë njerëz nga Zoti. (Shih Alma 30:6, 12–18.)
Tek Alma 30:29–58 ne lexojmë se Korihorin e sollën përpara profetit Alma dhe kryegjykatësit në Zarahemla dhe, Alma i kundërshtoi mësimet e Korihorit duke dhënë dëshmi për Krishtin. Ashtu si Korihori kishte të drejtën të shprehte mosbesimin tij në Perëndi, edhe Alma ishte i lirë të dëshmonte se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ekzistojnë. Duke zgjedhur që të mos ta besonte Almën, Korihori kërkoi një shenjë nga Perëndia dhe u bë memec. Pasi kjo ngjarje u bë e njohur, njerëzit që i kishin besuar Korihorit, u bindën që ai e kishte gabim dhe “u kthyen përsëri në besimin e tyre te Zoti” (vargu 58).
Duke folur për rëndësinë e mbrojtjes së lirisë fetare për të gjithë njerëzit, Profeti Jozef Smith tha:
“Jam po aq i gatshëm që të vdes në mbrojtje të të drejtave të një presbiteriani, baptisti, ose një njeriu të mirë të cilësdo feje tjetër [si edhe për të drejtat e një anëtari të Kishës]; sepse i njëjti parim që do të nëpërkëmbte të drejtat e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme do të nëpërkëmbte të drejtat e katolikëve romanë, ose të çfarëdo feje tjetër, që mund të jetë e panjohur dhe tepër e dobët për të mbrojtur veten.” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 368)
Jozef Smithi e theksoi gjithashtu lirinë fetare si një mësimdhënie themelore të Kishës: “Ne shpallim privilegjin e adhurimit të Perëndisë së Plotfuqishëm në përputhje me zërin e ndërgjegjes sonë dhe u lejojmë të gjithë njerëzve të njëjtin privilegj, që ata duhet të adhurojnë si, ku dhe çfarë të zgjedhin” (Nenet e Besimit 1:11).
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme publikoi thënien vijuese rreth bashkëveprimit në mënyrë paqësore për lirinë fetare:
“Aty ku ligji e ndalon lirinë fetare, shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë në bindjen ndaj ligjit ndërkohë që kërkojnë mbrojtje për të drejtat e tyre themelore nëpërmjet mjeteve të tilla ligjore, siç mund të jenë në dispozicion sipas secilit juridiksion apo vend.” (“Religious Freedom: The Basics”, ChurchofJesusChrist.org)
Pjesa 2
Çfarë mund të bëj për të ndihmuar në nxitjen ose ruajtjen e lirisë fetare?
Mund të jetë e dobishme të merren parasysh disa shembuj të asaj se si mund të jetë jeta pa lirinë e fesë. Përfytyroni sikur të hasni një ose më shumë prej skenarëve vijues në të cilin/ët kufizohet liria fetare:
“Ju mund të humbisni vendin tuaj të punës ose pozicione udhëheqëse ngaqë shprehët bindjet fetare – qoftë edhe jashtë punës. …
Mund t’ju kërkohet ta mbani të fshehtë fenë tuaj ose të kryeni detyra në punë që janë në kundërshtim me bindjet tuaja. …
Mund t’ju kërkohet të punoni ditën e Shabatit ose gjatë festave fetare edhe kur të tjerët janë të gatshëm ta ndërrojnë turnin me ju. …
Fëmijëve tuaj në shkollat publike mund t’u kërkohet të mësojnë rreth teorive seksuale dhe gjinore që bien ndesh me mësimet bazë të Kishës. …
Mund të mos jeni në gjendje të birësoni fëmijë ose të bëheni prind kujdestar për shkak të bindjeve ose pikëpamjeve tuaja fetare mbi familjen.
Si pronar biznesi ose profesionist, mund ta humbisni lejen e ushtrimit të profesionit ose të merrni gjobë nëse nuk pranoni të kryeni shërbime që bien në kundërshtim me bindjet tuaja fetare.” (“Religious Freedom Matters: What’s at Risk”, Ensign, korrik 2017, f. 37)
Libri i Mormonit shënon që, në vitin e 19-të të mbretërimit të gjykatësve, një njeri i lig i quajtur Amalikia, komplotoi për t’u bërë mbret i nefitëve. Me dinakëri, ai kërkoi të shkatërronte Kishën e Zotit dhe “themelin e lirisë që Perëndia u kishte dhënë atyre” (Alma 46:10). Amalikia i mori me lajka shumë nefitë dhe këta nefitë u larguan nga Kisha për ta ndjekur atë. (Shih Alma 46:1–10.)
Kur Moroni, kryekapiteni i ushtrive nefite, mësoi për planin e Amalikias, ai u zemërua dhe [u bëri thirrje] njerëzve të bashkonin forcat për të mbrojtur të drejtat e tyre, përfshirë lirinë e tyre të fesë (shih Alma 46:11–13, 19–20).
Njerëzit bashkuan forcat me Moronin dhe besëlidhën të bënin qëndresë kundër kërcënimeve ndaj lirive të tyre (shih Alma 46:21–22). Duke folur mbi detyrimin tonë për përkrahjen e lirisë fetare, Plaku Hejls dha mësim:
“Si dishepuj të Jezu Krishtit ne kemi përgjegjësinë të punojmë së bashku me besimtarë që kanë të njëjtat qëllime si tonat, të ngremë zërin tonë për atë që është e drejtë. …
… Ne jemi përgjegjës për ruajtjen e këtyre lirive dhe të drejtave të shenjta për veten tonë dhe pasardhësit tanë. Çfarë mund të bëjmë unë dhe ju?
Së pari, ne mund të vihemi në dijeni. Jini të vetëdijshëm për çështje në komunitetin tuaj që mund të kenë ndikim në lirinë fetare.
Së dyti, në cilësinë tuaj vetjake, bashkohuni me të tjerë që kanë të njëjtin zotim me ne për lirinë fetare. Punoni krah për krah për të mbrojtur lirinë fetare.
Së treti, jetojeni jetën tuaj që të jeni një shembull i mirë i asaj që besoni – në fjalë dhe në vepra. Mënyra se si e jetojmë fenë tonë është shumë më e rëndësishme sesa ajo që mund të themi rreth fesë sonë.
Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit po afrohet. Le të mos vonohemi në këtë kauzë të madhe. Mbani mend kapiten Moronin, i cili ngriti lart titullin e lirisë [shih Alma 46:12]. … Le të kujtojmë përgjigjen e popullit: duke ushtruar lirinë e tyre për të zgjedhur, ata ‘erdhën duke vrapuar së bashku’ me një besëlidhje për të vepruar [Alma 46:21].” (“Ruajtja e Lirisë së Zgjedhjes, Mbrojtja e Lirisë Fetare”, f. 112, 113)