“Mësimi 28 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Ejani te Krishti”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Mësimi 28 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Mësimi 28 Materiali i Përgatitjes së Klasës
Ejani te Krishti
Presidenti Rasëll M. Nelson vërejti: “Studimi i Librit të Mormonit është tepër shpërblyes kur ai përqendrohet te qëllimi i tij kryesor – të dëshmojë për Jezu Krishtin. Krahasuar me këtë, të gjitha çështjet e tjera janë rastësore” (“A Testimony of the Book of Mormon”, Ensign, nëntor 1999, f. 69). Si ju ka ndihmuar studimi juaj i Librit të Mormonit që të vini më pranë Jezu Krishtit? Teksa studioni, pyeteni veten se çfarë mund të bëni për të ardhur më plotësisht tek Ai.
Pjesa 1
Çfarë fuqie kam të drejtë të kem po ta ndërtoj themelin tim mbi Jezu Krishtin?
Deri në vitin 30 pr.K. nefitët “kishin rënë në një gjendje mosbesimi dhe ligësie të tmerrshme” dhe qenë “gati për shkatërrim” (Helamani 4:25; 5:2). I lodhur për shkak të ligësisë së njerëzve, Nefi dha dorëheqjen nga froni i gjykimit dhe, me vëllanë e tij Lehin, ia përkushtoi pjesën e mbetur të jetës së vet predikimit të ungjillit (shih Helamani 5:4). Përpara se të niseshin në misionet e tyre, ata kujtuan një këshillë të rëndësishme që kishin marrë nga ati i tyre, Helamani.
Ndërsa shërbente në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, Motra Sheri L. Dju, dha mësim se përse Jezu Krishti është i vetmi themel i sigurt i yni:
“I lënë vetëm me mundësitë e tij, njeriu i natyrshëm i nënshtrohet në mënyrë të pashmangshme Satanit (shih Mosia 3:19), i cili e braktis prenë e tij pasi e josh duke e nxjerrë nga shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar. Por Shpëtimtari do t’i udhërrëfejë të gjithë ata që e ndjekin Atë gjatë gjithë rrugës për në shtëpi. …
Zoti e di udhën sepse Ai është udha dhe është mundësia jonë e vetme për tʼu orientuar me sukses në vdekshmëri. Shlyerja e Tij e mundëson të gjithë fuqinë, paqen, dritën dhe forcën që na nevojitet për t’u marrë me sfidat e jetës – ato që radhiten nga vetë gabimet dhe mëkatet tona deri te sprovat mbi të cilat nuk kemi asnjë kontroll por [në të cilat] prapëseprapë ndiejmë dhembje.
… Ai premtoi se nëse do ta ndërtojmë jetën tonë mbi shkëmbin e Tij, djalli nuk do të ketë asnjë fuqi mbi ne [shih Helamani 5:12]. Dhe Ai është betuar se nuk do të na lërë e as nuk do të na braktisë kurrë [shih Hebrenjve 13:5]. Thjesht nuk ka asnjë të vdekshëm të barasvlershëm me Të. Nuk ka asnjë të vdekshëm të barasvlershëm për nga zotimi, fuqia ose dashuria. Ai është mundësia jonë e vetme.” (“Our Only Chance”, Ensign, maj 1999, f. 66–67.)
Pjesa 2
Çfarë mund të bëj për të ardhur te Jezu Krishti?
Në kapitullin e fundit të Librit të Mormonit, Moroni i fton të gjithë njerëzit të vijnë te Jezu Krishti.
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se ç’do të thotë të “vini te Krishti” (Moroni 10:30, 32):
“Ardhja te Krishti është një shkurtim, një mënyrë për ta përshkruar me tri fjalë planin e shpëtimit. Do të thotë të marrim frytet e Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij – përfundimisht jetën e përjetshme. Jeta e përjetshme varet nga ushtrimi i lirisë sonë morale të zgjedhjes, por kjo është e mundur vetëm nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit. Të vijmë tek Ai do të thotë që të bëjmë atë çfarë kërkohet për t’u mbajtur tek ai hir – fuqia falëse, shenjtëruese, shndërruese, shëlbuese e sakrificës së Tij të pafundme shlyese.” (“Why We Share the Gospel”, Ensign, gusht 2014, f. 37.)
Presidenti Ted R. Kelister, i cili shërbeu si President i Përgjithshëm i Shkollës të së Dielës, e shpjegoi kështu hirin e Zotit:
“Për shkak të Shlyerjes së Tij, Shpëtimtari ka fuqi aftësuese, të cilat ndonjëherë përmenden si hiri[shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Hir”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org], që mund të na ndihmojnë t’i mposhtim dobësitë dhe papërsosuritë tona e në këtë mënyrë na ndihmojnë në synimin tonë për t’u bërë më shumë si Ai.
Moroni dha mësim kështu: ‛Po, ejani te Krishti dhe përsosuni në të … se me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht’ [Moroni 10:32]. Duket se ka të paktën dy metoda ose mënyra për të përfituar nga këto fuqi aftësuese që mund të na pastrojnë – madje të na përsosin.
Së pari, ordinancat shpëtuese. … Ndonjëherë, ne mund t’i shohim ordinancat si një listë kontrolli – të nevojshme për ekzaltim; por në të vërtetë secila [prej tyre] çliron një fuqi hyjnore që na ndihmon të bëhemi më shumë si Krishti. …
Një metodë e dytë për marrjen e këtyre fuqive aftësuese janë dhuratat e Shpirtit. Për shkak të Shlyerjes së Krishtit, ne kemi të drejtë të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe dhuratat e saj shoqëruese shpirtërore. Këto dhurata janë tipare të perëndishmërisë; prandaj, sa herë që marrim një dhuratë nga Shpirti, ne bëhemi më shumë si Perëndia.” (“Shlyerja e Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2019, f. 87.)
Pjesa 3
Si më ka sjellë Libri i Mormonit te Jezu Krishti dhe si më ka ndihmuar t’i qëndroj besnik Atij?
Kur Moroni e përmblodhi analin e jareditëve që tani është pjesë e Librit të Mormonit, ai shprehu shqetësimin se lexuesit e ardhshëm do “të talle[shi]n me këto gjëra, për shkak të dobësisë [së tyre] në të shkruar” (Ethëri 12:23). Zoti e ngushëlloi Moronin duke shpallur: “Hiri im është i mjaftueshëm për të përulurit, që ata të mos përfitojnë nga dobësia juaj” (Ethëri 12:26). Moroni më pas u lut për johebrenjtë, dëshmoi se kishte parë Jezusin dhe iu ofroi një ftesë të rëndësishme të gjithë atyre që përfundimisht do ta lexonin Librin e Mormonit (shih Ethëri 12:36–41).