Instituti
Mësimi 11 Materiali i Mësuesit: Të Vazhdojmë Përpara në Shtegun e Besëlidhjeve


“Mësimi 11 Materiali i Mësuesit: Të Vazhdojmë Përpara në Shtegun e Besëlidhjeve”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 11 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 11 Materiali i Mësuesit

Të Vazhdojmë Përpara në Shtegun e Besëlidhjeve

Besimi te Jezu Krishti dhe pendesa për mëkatet tona janë hapat e parë përgjatë shtegut të besëlidhjeve drejt jetës së përjetshme. Nëpërmjet ordinancës së pagëzimit, ne hyjmë në një marrëdhënie besëlidhjeje me Atin tonë Qiellor dhe me Jezu Krishtin. Gjatë këtij mësimi, studentët do të jenë në gjendje të tregojnë shembuj për mënyrën se si t’i mbajnë besëlidhjet e tyre të pagëzimit në jetën e përditshme, të dëshmojnë për ndikimin shenjtërues të Frymës së Shenjtë dhe të përcaktojnë se çfarë mund të bëjnë për të duruar deri në fund me shpresë dhe gëzim më të madh.

Sugjerime për Mësimdhënien

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Nxitja e një fryme kërkimi. Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, vërejti: “Bërja e pyetjeve dhe dhënia e përgjigjeve për to është në thelb të gjithë të mësuarit dhe të gjithë mësimdhënies” (“The Lord Will Multiply the Harvest” [fjalim i mbajtur në një transmetim satelitor për mësuesit e fesë në Sistemin Arsimor të Kishës, 6 shkurt 1998, f. 5–6]). Zakonisht ne e vëmë në zbatim këtë parim me mësuesit që bëjnë pyetje, dhe studentët të cilët u përgjigjen atyre. Ndërkohë që pyetjet e efektshme nga mësuesit mund t’ua lehtësojnë studentëve të mësuarit, pyetjet nga studentët gjithashtu mund të luajnë një rol të fuqishëm në përvojën e të mësuarit. Kërkoni të krijoni një mjedis mësimi ku pyetjet e studentëve përkrahen, respektohen dhe trajtohen me kujdes. Një mësues i mençur nuk u përgjigjet automatikisht ose menjëherë çdo pyetjeje që i bëjnë studentët. Ata mund të ftojnë studentë të tjerë të përgjigjen, t’i drejtojnë ata te një burim i frymëzuar ose t’i ftojnë të gjejnë kohë jashtë klase që të përfshihen në studim të mëtejshëm dhe më pas t’u kërkojnë ta raportojnë atë që kanë mësuar.

Alma dhe Nefi japin mësim mbi rëndësinë e besëlidhjes sonë të pagëzimit dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë.

Paraqiteni thënien vijuese nga Plaku Benxhamin M. Z. Tai, i Të Shtatëdhjetëve:

Plaku Benxhamin M. Z. Tai

“Plani i veprimit i Zotit për ne – doktrina e Krishtit – jepet mësim më qartësisht në Librin e Mormonit. Ai përfshin … bërj[en] dhe mbajtj[en] e besëlidhjeve me Perëndinë nëpërmjet ordinancave të tilla si pagëzimi. Kjo do të na mbajë në shtegun e besëlidhjes që të çon tek Ai.” (“Fuqia e Librit të Mormonit në Kthimin në Besim”, Liahona, maj 2020, f. 46)

  • Në çfarë mënyrash ka ndikuar pagëzimi juaj në aftësinë tuaj për t’u bërë më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?

Paraqiteni këtë thënie të paplotë: Kur pagëzohemi ne besëlidhim që të …

Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Mosia 18:8–10, duke kërkuar disa nga gjërat që ne besëlidhim të bëjmë dhe se cili/a bëhemi kur pagëzohemi. (Përgjigjet e studentëve mund të përfshijnë sa vijon: Kur pagëzohemi ne besëlidhim që të mbajmë barrët e njëri-tjetrit; të vajtojmë me ata që vajtojnë; të ngushëllojmë ata që kanë nevojë për ngushëllim; të qëndrojmë si dëshmitarë të Perëndisë; t’i shërbejmë Atij; t’i zbatojmë urdhërimet e Tij.)

Kujtojuni studentëve se ata u ftuan të mendonin për shembuj që kanë parë nga njerëz të cilët i nderojnë besëlidhjet e tyre të pagëzimit. Jepuni studentëve disa minuta që t’i kujtojnë shembujt e tyre dhe më pas t’ua tregojnë idetë e tyre një shoku/shoqeje ose grupeve të vogla. Pasi t’ia tregojnë shembujt e tyre njëri-tjetrit, merreni parasysh t’u bëni studentëve pyetjet vijuese:

  • Cilat janë disa shembuj që tregojnë se Jezu Krishti jetoi sipas besëlidhjes së Tij të pagëzimit duke i ngushëlluar, forcuar të tjerët e duke vajtuar me ta?

  • Çfarë keni mësuar në jetën tuaj rreth vajtimit me ata që vajtojnë ose ngushëllimit të atyre që kanë nevojë për ngushëllim? (Ju mund të doni të shqyrtoni citimin e Plakut Dejll G. Renland në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.) Çfarë ndryshimi ka sjellë kur jeni përpjekur që t’i shihni të tjerët sipas mënyrës që i sheh Ati Qiellor?

Vini në dukje se ndërsa e mbajmë besëlidhjen tonë të pagëzimit, Zoti na premton shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te 2 Nefi 31:13, 17 dhe të kërkojnë mënyrën se si ne bekohemi kur marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë.

  • Si do t’ia shpjegonit dikujt që po përgatitet për pagëzim, kuptimin e pagëzimit me zjarr dhe të folurit me gjuhën e engjëjve? (Merrni parasysh të shqyrtoni thëniet nga Presidenti Bojd K. Paker dhe Plaku Dejvid A. Bednar në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.) Në çfarë mënyrash i keni përjetuar ju këto bekime?

Ju mund t’u jepni studentëve kohë që të përsiatin pyetjet vijuese:

  • Çfarë po bëj unë që t’i ftoj bekimet e Frymës së Shenjtë në jetën time? Çfarë duhet të vazhdoj të bëj, të filloj të bëj ose të ndaloj së bëri, që të mund ta shijoj më plotësisht fuqinë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë?

Nefi jep mësim mbi rëndësinë e të duruarit deri në fund.

Merrni parasysh që të përdorni historinë vijuese të treguar nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ose një histori tuajën që ilustron rëndësinë që ka të durosh rrethanat e vështira:

Plaku Robert D. Hejls

“Në vitin 1968, një vrapues maratone që quhej Xhon Stiven Akuari, përfaqësoi Tanzaninë në një konkurrim ndërkombëtar. ՙPak më shumë se një orë pasi [fituesi] kishte kaluar vijën e përfundimit, Xhon Stiven Akuari … iu afrua stadiumit, njeriu i fundit që përfundoi rrugëtimin. [Ndonëse po vuante nga lodhja, ngërçet në këmbë, dehidratimi dhe mungesa e ekuilibrit,] një zë i foli brenda vetes që të vazhdonte dhe kështu që ai vazhdoi. … Kur e pyetën se përse do ta përfundonte një garë që nuk do ta fitonte kurrë, Akuari u përgjigj: “Vendi im nuk më dërgoi 5 000 milje që unë të filloj garën; vendi im më dërgoi që ta përfundoja garën”.ʼ” (“Behold, We Count Them Happy Which Endure”, Ensign, maj 1998, f. 76)

  • Cilat janë disa nga arsyet se përse Xhon Stiven Akuari mund të zgjidhte që të mos e përfundonte garën?

  • Në ç’mënyrë përvoja e Xhonit mund të krahasohet me sfidat që mund të hasim kur përpiqemi fort që t’i mbajmë besëlidhjet tona?

  • Cilat janë disa nga arsyet që dikush mund të zgjedhë për të mos i qëndruar besnik besëlidhjeve të veta?

Për të nxitur diskutimin, ju mund të doni t’i ftoni studentët të formojnë grupe të vogla dhe të lexojnë te 2 Nefi 31:15–16, 19–21, duke kërkuar se çfarë do të thotë të durosh deri në fund. (Ju gjithashtu mund t’i ftoni ata që të lexojnë disa nga shkrimet e shenjta të renditura tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, nën temën “Durim”.)

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë atë që mësuan. (Studentët mund të përcaktojnë të vërteta të ngjashme me sa vijon: Kur shkojmë përpara me vendosmëri në Krisht, në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar dhe durojmë deri në fund, Ati Qiellor do të na bekojë me jetë të përjetshme.) Merrni parasysh se cila nga pyetjet në vijim mund t’i ndihmojë më së miri studentët tuaj që ta kuptojnë këtë parim më thellësisht:

  • Çfarë do të thotë për ju që të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht? me një ndriçim të shpresës?

  • Cilët janë disa shembuj nga jeta e Shpëtimtarit, nga një person në Librin e Mormonit ose nga dikush që njihni, që mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë se çfarë do të thotë të durosh deri në fund? (Studentët mund t’i kenë shënuar përgjigjet për këtë pyetje ndërsa studiuan pjesën 3 të materialit të përgatitjes.)

  • Në çfarë mënyrash do të vazhdoni që të shkoni përpara me vendosmëri në Krisht? Cila është ajo gjë që mund të bëni për të duruar deri në fund me shpresë dhe gëzim më të madh?

Ju mund të doni që ta mbyllni duke dhënë dëshminë tuaj ose duke ftuar një student/e që të japë dëshminë e tij ose të saj për të vërtetat e përcaktuara në këtë mësim.

Për Herën Tjetër

Pyetini studentët se çfarë do t’i thonin dikujt që do t’i bënte pyetjen nëse ata kanë lindur përsëri. Ftojini studentët të lexojnë materialin e përgatitjes për orën tjetër mësimore dhe të përsiatin se çfarë do të thotë të rilindësh shpirtërisht dhe të kthehesh vërtet në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit.