“Mësimi 28 Materiali i Mësuesit: Ejani te Krishti”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Mësimi 28 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Mësimi 28 Materiali i Mësuesit
Ejani te Krishti
Përpara se ta mbyllte analin e tij, profeti Moroni u bëri lexuesve këtë ftesë: “Ejani te Krishti dhe përsosuni në të” (Moroni 10:32). Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë të shpjegojnë arsyen pse është e rëndësishme ta ndërtojnë jetën e tyre mbi themelin e Jezu Krishtit dhe të marrin parasysh atë që mund të bëjnë për të ardhur më plotësisht tek Ai. Ata do të kenë gjithashtu mundësinë të tregojnë se si i ka ndihmuar studimi i Librit të Mormonit gjatë këtij kursi për të ardhur te Jezu Krishti.
Sugjerime për Mësimdhënien
Helamani u mëson bijve të tij që të ndërtojnë mbi themelin e Jezu Krishtit.
Shiheni materialin filmik “Spiritual Whirlwinds” [“Vorbullat e Erërave Shpirtërore”] (deri në kodin kohor 01:25), ose paraqiteni dhe lexojeni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen. Ftojini studentët të marrin parasysh se si lidhen mësimet e Plakut Andersen me rrethanat e tyre të pashoqe.
“Miqtë e mi të rinj [në moshë], bota nuk do të rrëshqasë me qetësi drejt Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Shkrimet e shenjta shpallin se ‛gjithë gjërat do të jenë në rrëmujë’ [Doktrina e Besëlidhje 88:91]. …
Më shqetësuese se tërmetet dhe luftërat e profetizuara [shih Dallin H. Oaks, “Preparation for the Second Coming”, Liahona, maj 2004, f. 7–10], janë vorbullat e erërave shpirtërore, të cilat mund t’ua shkulin nga rrënjët themelet tuaja shpirtërore dhe mund ta vendosin shpirtin tuaj në vende që asnjëherë nuk i përfytyruat të mundura, nganjëherë duke mos e vënë re fare se jeni lëvizur.
Vorbullat më të këqija janë tundimet e kundërshtarit. Mëkati gjithmonë ka qenë pjesë e botës, por kurrë nuk ka qenë kaq i arritshëm, i pangopshëm dhe i pranueshëm.” (“Vorbullat e Erërave Shpirtërore”, Liahona, maj 2014, f. 18.)
-
Cilat janë disa vorbulla erërash shpirtërore me të cilat përballen të rinjtë në moshë madhore sot? (Ju mund të doni t’i renditni në tabelë përgjigjet e studentëve.)
-
Si mund të përgatiteni më së miri për vorbullat e erërave shpirtërore me të cilat do të përballeni? (Mund të doni të vini në dukje se Plaku Andersen bëri një pyetje të ngjashme në bisedën e tij dhe më pas citoi referencën Helamani 5:12.)
Lexoni së bashku te Helamani 5:12 dhe ftojini studentët të përcaktojnë një parim që mund t’i ndihmojë ata t’u bëjnë ballë vorbullave të tyre të erërave shpirtërore. (Duke përdorur përgjigjet e studentëve, mund të shkruani në tabelë një parim si ky në vijim: Nëse e ndërtojmë themelin tonë mbi Jezu Krishtin, Satani nuk do të ketë fuqi të na shkatërrojë.)
-
Si mund të ndikohen nga vorbullat e erërave shpirtërore njerëzit që e kanë ndërtuar jetën mbi vlerat ose filozofitë e botës?
-
Çfarë e bën Jezu Krishtin të vetmin themel të sigurt mbi të cilin ta ndërtojmë jetën tonë? (Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shqyrtojnë thënien nga Motra Sheri L. Dju në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)
-
Çfarë mund të na pengojë për ta ndërtuar ose mbajtur themelin tonë mbi Jezu Krishtin? Si mund t’i kapërcejmë këto sfida?
Ftojini studentët të tregojnë disa veprime specifike që kanë ndërmarrë për ta ndërtuar jetën mbi Jezu Krishtin. (Ju mund të doni t’i renditni përgjigjet e tyre në tabelë.) Pasi studentët të kenë treguar përvojat e tyre, jepuni atyre kohë që të shënojnë një veprim që mund të ndërmarrin për ta ndërtuar më plotësisht jetën e tyre mbi Zotin.
Moroni e mbyll Librin e Mormonit duke i ftuar të gjithë të vijnë te Jezu Krishti.
Merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “Come unto Christ” [“Ejani te Krishti”] (03:54), në të cilin Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregon se si disa njerëz në Bolivi ndryshuan kur erdhën te Jezu Krishti. Ose ju mund të tregoni një përvojë të ndryshme mbi mënyrën se si ndryshoi jeta e dikujt kur ai ose ajo zgjodhi të vijë te Krishti. Ftojini studentët të diskutojnë për atë që mund të mësojnë nga kjo përvojë.
Lexoni së bashku te Moroni 10:32–33 dhe ftojini studentët të diskutojnë arsyen pse kjo ftesë është e përshtatshme për kapitullin e fundit të Librit të Mormonit. Ndihmojini studentët të përcaktojnë nga këto vargje një parim të ngjashëm me atë që vijon: Teksa vijmë te Jezu Krishti, ne mund të pastrohemi dhe përsosemi nëpërmjet hirit të Tij.
-
Si do t’ia shpjegonit se çfarë do të thotë të “vini te Krishti”, dikujt që po e dëgjon këtë ftesë për herë të parë? (Mund të jetë e dobishme t’u kërkoni studentëve të shqyrtojnë thënien e Plaku D. Tod Kristoferson në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)
-
Çfarë do të thotë t’i “moho[jmë] vetes çdo ligësi”? (Moroni 10:32.)
-
Përse na nevojitet hiri i Jezu Krishtit për t’u bërë të përsosur? Çfarë mund të bëjmë që ta ftojmë fuqinë aftësuese ose hirin e Zotit në jetën tonë? (Nxitini studentët të shqyrtojnë thënien e Presidentit Ted R. Kelister në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)
Nxitini disa studentë që të tregojnë se si i ka ndihmuar ata hiri i Zotit për të ardhur te Jezu Krishti.
Lexojeni së bashku ftesën e Moronit tek Ethëri 12:41 dhe kujtojuni studentëve se ata morën ftesë për të përsiatur se si do t’i ishin përgjigjur kësaj ftese. Ftojini studentët të hapin pjesën 3 të materialit të përgatitjes dhe të shqyrtojnë tri alternativat nën kreun “Shënojini Mendimet Tuaja”. Jepuni studentëve kohë të rishikojnë atë që shkruan, ose, nëse nuk kanë pasur kohë për t’u përgatitur, nxitini ata të përzgjedhin njërën nga alternativat dhe të përgatitin disa mendime për të dhënë.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët që të tregojnë atë që kanë shkruar. (Nëse keni një klasë me numër të madh studentësh, mund t’i ndani studentët në grupe nëse dëshironi, që kushdo të ketë një mundësi për t’u shprehur.)
Ndërsa e mbyllni këtë mësim dhe këtë kurs, merrni parasysh të dëshmoni për mënyrën se si ju ka ndihmuar Libri i Mormonit të vini te Krishti. Nxitini studentët të vazhdojnë të vijnë te Krishti duke e studiuar çdo ditë Librin e Mormonit.