Instituti
Mësimi 4 Materiali i Mësuesit: Shqyrtoni Shkrimet e Shenjta


“Mësimi 4 Materiali i Mësuesit: Shqyrtoni Shkrimet e Shenjta”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 4 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 4 Materiali i Mësuesit

Shqyrtoni Shkrimet e Shenjta

Profeti Mormoni tha: “Ai që ka shkrimet e shenjta, le t’i kërkojë ato” (3 Nefi 10:14). Ky mësim do t’u japë studentëve një mundësi që të përcaktojnë disa bekime të cilat mund t’u vijnë atyre që i shqyrtojnë me zell shkrimet e shenjta. Studentët do të përcaktojnë gjithashtu se çfarë mund të bëjnë për ta bërë studimin e shkrimit të shenjtë një pjesë më kuptimplotë të jetës së tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lehi dhe familja e tij mësojnë se shkrimet e shenjta janë me vlerë të madhe.

Merrni parasysh të tregoni skenarin vijues:

Tasha është një e re në moshë madhore e zënë me punë. Ajo ndjek shkollimin, ka një punë me kohë të pjesshme, shërben në Kishë, është aktive në mediat shoqërore dhe kalon kohë me miqtë e saj në fundjavë. Ajo dëshiron që të ketë një studim vetjak të shkrimeve të shenjta, por është e vështirë të gjejë kohën dhe energjinë.

  • Çfarë këshille do t’i jepnit Tashës?

Ftojini studentët ta ritregojnë historinë se çfarë kaluan bijtë e Lehit për të marrë fletët prej tunxhi. Më pas lexoni së bashku te 1 Nefi 5:20–21.

Shkruani në tabelë thënien e paplotë vijuese dhe gjatë diskutimit që do të vijojë, nxitini studentët të shënojnë mënyra të ndryshme se si mund të plotësohet thënia: Shkrimet e shenjta janë me vlerë të madhe sepse …

  • Si do ta kishin plotësuar thënien në tabelë Lehi dhe Nefi?

  • Nga përvoja juaj me shkrimet e shenjta, si do ta plotësonit këtë thënie?

Paraqitni fragmentet vijuese dhe shpjegoni se profetët gjatë gjithë Librit të Mormonit shpallën vlerën e shkrimit të shenjtë: 1 Nefi 15:23–24; Jakobi 2:8; Jakobi 4:4; Alma 31:5; Alma 37:8–10; Helamani 3:29–30.

Ndajeni klasën në grupe të vogla. Udhëzojeni secilin grup që t’i ndajë fragmentet ndërmjet pjesëtarëve, në mënyrë që çdo anëtar të ketë një ose dy shkrime të shenjta për të lexuar. Ftojini studentët t’i lexojnë në heshtje shkrimet e shenjta që u janë caktuar, dhe të përcaktojnë mënyra shtesë se përse shkrimet e shenjta janë me vlerë të madhe.

Nxitini anëtarët e grupit të tregojnë atë që mësuan dhe se çfarë mënyrash do t’i shtonin listës për ta plotësuar thënien në tabelë. Si pjesë të diskutimit të tyre, studentët mund të tregojnë raste kur e kanë parë dobinë e shkrimeve të shenjta siç përshkruhet në fragmentet që po diskutojnë.

Pas veprimtarisë në grup, ju mund t’i bëni klasës pyetjet vijuese:

  • Nga të gjitha arsyet se përse shkrimet e shenjta janë me vlerë të madhe, cila do të thoshit se është më e rëndësishmja?

  • Çfarë keni arritur të dini dhe të ndieni rreth Jezu Krishtit kur keni lexuar shkrimet e shenjta – veçanërisht Librin e Mormonit? Cilat fragmente të caktuara ju kanë sjellë më afër Tij?

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Jepuni studentëve mundësi të shënojnë mbresat. Kur studentët ushtrojnë shënimin e mbresave që marrin nga Fryma e Shenjtë, ata mund të bëhen më të harmonizuar me nxitjet shpirtërore. Ftojini studentët t’i shënojnë mbresa të tilla në një vend ku mund t’i shqyrtojnë dhe gjithashtu ku mund bëjnë plane e të vendosin synime. Mund t’i nxitni ata të përdorin programin kompjuterik Gospel Living [Të Jetuarit e Ungjillit] për ta bërë këtë. Nxitini studentët të veprojnë sipas mbresave të tyre.

Paraqitni pyetjet vijuese dhe jepuni studentëve kohë të përsiatin ose të shënojnë mbresat që mund të kenë marrë gjatë orës mësimore.

  • Bazuar tek ajo që keni mësuar rreth bekimeve nga studimi i shkrimeve të shenjta, çfarë bekimesh të caktuara do të dëshironit tʼi merrnit me bollëk më të madh?

  • Mendoni për atë se sa shpesh dhe sa me efektshmëri i studioni shkrimet e shenjta. Çfarë po ju pengon për studim të efektshëm të shkrimeve të shenjta, nëse ka diçka të tillë? Çfarë mund të bënit ndryshe për ta përmirësuar përvojën tuaj me shkrimet e shenjta?

Alma i krahason fjalët e Krishtit me Liahonën.

Paraqiteni figurën shoqëruese dhe kërkojuni studentëve të përshkruajnë se çfarë shqetësimesh hasi familja e Lehit ndërkohë që udhëtonte përmes vendit të shkretë. Në çfarë mënyrash jeta jonë është si një udhëtim përmes vendit të shkretë?

Lehi dhe familja e tij udhëtojnë në vendin e shkretë

Paraqiteni figurën shoqëruese të Liahonës dhe ftojini studentët të shpjegojnë se si funksiononte ajo. (Nëse nevojitet, kërkojuni studentëve t’i referohen pjesës 3 të materialit të përgatitjes.)

Liahona
  • Çfarë mësimesh shpirtërore mund të ketë marrë familja e Lehit duke përdorur Liahonën?

Paraqiteni figurën shoqëruese që tregon një të ri duke lexuar shkrimet e shenjta në një telefon inteligjent dhe ftojini studentët të lexojnë ose të shqyrtojnë vargjet tek Alma 37:43–46.

i ri duke lexuar shkrimet e shenjta në një telefon inteligjent
  • Ku mund t’i gjejmë fjalët e Krishtit? Si mund të shërbejnë fjalët e Krishtit si vetë Liahona juaj vetjake?

Paraqiteni parimin vijues: Kur ua vëmë veshin fjalëve të Krishtit, ato do të na udhërrëfejnë përmes sfidave të kësaj jete drejt gëzimit të përjetshëm.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë se si fjalët e Krishtit shpesh na udhërrëfejnë, paraqiteni skenarin vijues dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

Luisit i kanë thënë se shkrimet e shenjta kanë përgjigje për çdo pyetje. Ai është shkurajuar sepse nuk mund të gjejë në shkrimet e shenjta një përgjigje të caktuar për një pyetje të rëndësishme vetjake. Sa më shumë që kërkon, aq më shumë shqetësohet.

  • Çfarë këshille do t’i jepnit Luisit?

Paraqiteni dhe lexojeni me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë.

Presidenti Dallin H. Ouks

“Ne themi se shkrimet e shenjta përmbajnë përgjigjet për çdo pyetje ngaqë shkrimet e shenjta mund të na çojnë te çdo përgjigje. …

… Edhe pse shkrimet e shenjta [mund] të mos përmbajnë asnjë fjalë për t’iu përgjigjur pyetjes sonë vetjake të caktuar, një studim plot lutje i shkrimeve të shenjta do të na ndihmojë të marrim përgjigje të tilla. Kjo ndodh sepse studimi i shkrimeve të shenjta do të na bëjë të ndjeshëm ndaj frymëzimit të Frymës së Shenjtë. …

… Shkrimet e shenjta do të na ndihmojnë t’i zgjidhim të gjitha pyetjet tona vetjake sepse duke i lexuar ato ne e ftojmë Frymën e Shenjtë dhe e kualifikojmë veten për frymëzimin e Frymës së Shenjtë, që do të na udhërrëfejë drejt së vërtetës.” (“Studying the Scriptures” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang” – Havai, 14 mars 1986], f. 18–21, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti).

  • Çfarë të vërtete na mësoi Presidenti Ouks rreth mënyrës se si Zoti na udhërrëfen nëpërmjet fjalës së Tij? (Studentët mund të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me atë që vijon: Studimi i shkrimeve të shenjta fton zbulesën vetjake.)

  • Kur ia kanë hapur derën zbulesës vetjake në jetën tuaj shkrimet e shenjta apo fjalët e profetëve bashkëkohorë?

Jepni dëshmi për vlerën e studimit të rregullt vetjak të shkrimeve të shenjta dhe nxitini studentët të veprojnë sipas nxitjeve nga Fryma e Shenjtë, që i kanë marrë gjatë studimit të tyre dhe në klasë.

Për Herën Tjetër

Vini në dukje se gjatë orës tjetër mësimore do të fillojmë një njësi të re që quhet “Plani i Madh i Shëlbimit”. Teksa studentët e studiojnë materialin e përgatitjes për mësimin 5, ftojini ata të marrin parasysh atë që dinë rreth Rënies së Adamit dhe Evës dhe zgjedhjeve që mundësoi për secilin prej nesh.