Instituti
Mësimi 25 Materiali i Mësuesit: Lutja dhe Zbulesa Vetjake


“Mësimi 25 Materiali i Mësuesit: Lutja dhe Zbulesa Vetjake”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 25 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 25 Materiali i Mësuesit

Lutja dhe Zbulesa Vetjake

Zoti, Jezu Krisht na urdhëroi: “Ju duhet t’i luteni gjithmonë Atit në emrin tim” (3 Nefi 18:19). Libri i Mormonit ilustron parime të rëndësishme në lidhje me lutjen dhe zbulesën vetjake. Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të vlerësojnë cilësinë e lutjeve të tyre dhe të përcaktojnë se çfarë mund të bëjnë për t’i përmirësuar lutjet e tyre. Studentët gjithashtu do të kenë mundësi të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë që ta rritin aftësinë e tyre për të marrë zbulesë vetjake.

Sugjerime për Mësimdhënien

Amuleku u mëson zoramitëve rëndësinë e lutjes.

Shënim: Ndërsa diskutoni për mënyra se si t’i përmirësoni lutjet vetjake gjatë këtij mësimi, u kujtoni studentëve se çdo përpjekje për t’u lutur është e lavdërueshme. Mund të doni të shpjegoni që vlerësimi i vetes në vijim ka për qëllim t’i fuqizojë studentët që të vijnë më pranë Perëndisë nëpërmjet lutjes, jo t’i shkurajojë ata në përpjekjet e tyre për t’u lutur. Vlerësimi i vetes do të ndihmojë për t’i përgatitur studentët që të diskutojnë atë që jep mësim Amuleku rreth lutjes tek Alma 34:17–28.

Paraqitini pohimet vijuese dhe ftojini studentët ta vlerësojnë veten duke përdorur një shkallë nga 1 te 5 (1=aspak dakord dhe 5=plotësisht dakord).

  1. Bëj lutje vetjake çdo ditë. 

  2. Lutjet e mia janë kuptimplota dhe të ndiera. 

  3. Lutem për nevojat e mia fizike dhe shpirtërore. 

  4. Kërkoj ndihmë për t’i mposhtur tundimet e djallit. 

  5. Lutem për njerëzit e tjerë. 

  6. Mundohem gjithnjë që të kem një lutje në zemër. 

Nxitini studentët të mendojnë rreth përgjigjeve të tyre teksa diskutoni për mësimet e Amulekut mbi lutjen.

Zgjidhni një nga mundësitë në vijim:

  1. Paraqiteni figurën vijuese të një burri duke u lutur mbi Rameumptom:

    zoramit duke u lutur në Rameumptom
  2. Shfaqni materialin filmik nga Libri i Mormonit “Alma and Amulek Teach about Faith in Jesus Christ (Alma 31–34)” [“Alma dhe Amuleku japin Mësim rreth Besimit në Jezu Krisht (Alma 31–34)”] deri në kodin kohor 04:15.

Ftojini studentët të përshkruajnë shkurtimisht qasjen e zoramitëve ndaj lutjes dhe të tregojnë se çfarë mendojnë për këtë qasje.

Kujtojuni studentëve se Amuleku më vonë i mësoi parime të rëndësishme rreth lutjes një grupi të përulur zoramitësh. Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet tek Alma 34:17–28 e të përcaktojnë të vërteta që mund të përshtaten me rrethanat tona të tanishme.

Si pjesë e këtij diskutimi, mund t’u kërkoni edhe studentëve të tregojnë se si mund t’i rishkruajnë disa nga këto vargje në gjuhë bashkëkohore që mund të ketë të bëjë me situatat e tyre (shih veprimtarinë “Shënojini Mendimet Tuaja” në pjesën 1 të materialit të përgatitjes).

Studentët mund të thonë të vërteta të ngjashme me sa vijon: Ati ynë në Qiell dëshiron që ne t’i bëjmë thirrje Atij në lutje në çdo kohë e në çdo vend. Ne duhet të lutemi edhe për shqetësimet tona materiale, edhe për ato shpirtërore. Lutja nevojitet të jetë e ndier dhe e sinqertë. Ne duhet të lutemi në privatësi. Duhet të lutemi për njerëzit e tjerë. Nuk duhet veçse të lutemi për të tjerët, por edhe të synojmë t’u shërbejmë atyre.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Dallojeni kur duhet ta ulni ritmin për të mësuar më thellësisht. Nuk mund të merret me ngut mënyra e të mësuarit thellësisht. Ndërsa i dëgjoni komentet e studentëve dhe ndiqni drejtimin e Frymës së Shenjtë, mund ta dalloni kur është e rëndësishme që ta ulni ritmin e t’u lejoni studentëve t’i shqyrtojnë më imtësisht mendimet, ndjenjat, pyetjet ose shqetësimet e tyre vetjake. Merrini parasysh shembujt që vijojnë:

  • Nëse një student/e pohon se lutja ka sjellë një ndryshim të ndjeshëm në jetën e vet, ju mund t’i bëni pyetjen: “A mund të japësh një shembull të asaj që do të thuash?”

  • Nëse një student/e shpreh shqetësimin se ai ose ajo ndihet i/e largët nga Ati Qiellor, mund të thoni: “Kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Le të kalojmë pak kohë si klasë për të treguar se çfarë na ka ndihmuar më së shumti që të vijmë më pranë Atit Qiellor.”

  • Nëse një student/e bën një koment që vë në dukje se ai ose ajo bezdiset nga diskutimi me klasën, mund të thoni: “Nuk jam i/e sigurt a e kuptoj shqetësimin tënd. A mund të tregosh pak më tepër rreth asaj që po mendon dhe ndien?”

(Shih Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], f. 64.)

Ndërsa studentët tregojnë parimet dhe vargjet e rishkruara për kohën e sotme tek Alma 34, merreni parasysh se cilën nga pyetjet vijuese mund të bëni për t’i ndihmuar më së miri studentët tuaj për të ndërmarrë veprime të efektshme e të drejta.

  • Pse është e rëndësishme që ta përfshijmë Atin Qiellor në të gjitha aspektet e jetës sonë? Çfarë ndryshimi mund të shihni në jetën tuaj kur përfshiheni në lutje të sinqertë e të shpeshtë?

  • Çfarë pengesash mund t’ju pengojnë të përfshiheni në lutje të sinqertë? Si mund t’i hiqni këto pengesa?

  • Kur i jeni “përgjër[uar]” ose ia keni “derdh[ur]” zemrën Perëndisë dhe çfarë efekti pati kjo gjë? Si mund t’i lëmë qëllimisht “të jenë zemrat t[ona] plot, të hapura në lutje tek ai vazhdimisht”? (Alma 34:27.)

  • Pse është lutja një forcë kaq e fuqishme për ta mposhtur fuqinë e djallit? (Mund të jetë e dobishme të lexoni te 2 Nefi 32:8 dhe 3 Nefi 18:15, 18.) Si ju ka ndihmuar lutja për t’i rezistuar tundimit?

  • Çfarë bekimesh kanë ardhur në jetën tuaj teksa jeni lutur për njerëzit e tjerë dhe u keni shërbyer atyre? Kur i keni ndier lutjet e të tjerëve për ju? Kë njihni që mund të ketë nevojë për besimin, lutjet dhe shërbimin tuaj?

Merreni parasysh të tregoni thënien në vijim nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Unë mendoj se të gjithë ne tashmë e dimë se lutja është thelbësore për përparimin dhe mbrojtjen tonë shpirtërore. Por ajo që ne dimë jo gjithnjë pasqyrohet në atë që ne bëjmë. Dhe megjithëse ne e dimë rëndësinë e lutjes, të gjithë ne mund të përmirësojmë qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e lutjeve tona personale dhe familjare.” (“Kërkoni me Besim”, Liahona, maj 2008, f. 94.)

Kërkojuni studentëve të reflektojnë mbi përgjigjet e tyre ndaj vlerësimit të vetes në fillim të mësimit. Nxitini ata t’i vlerësojnë përpjekjet e tyre vetjake dhe të mbajnë shënim atë që mund të bëjnë për ta përmirësuar komunikimin e tyre me Perëndinë.

Nefi kërkon dhe merr zbulesë vetjake.

Paraqitini thëniet vijuese nga Presidentja Xhuli B. Bek, ish-Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dhe nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe kërkojuni studentëve të shpjegojnë sipas mendimit të tyre se përse këto mesazhe rreth zbulesës, mund të jenë veçanërisht me rëndësi për të rinjtë në moshë madhore sot.

Presidentja Xhuli B. Bek

“Aftësia për t’u cilësuar, për të marrë dhe vepruar sipas zbulesës vetjake është zotësia e vetme më e rëndësishme që mund të fitohet në këtë jetë.” (“Në Ato Ditë do të Përhap Frymën Time Mbi Shërbëtoret”, Liahona, maj 2010, f. 11.)

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Asnjëherë nuk ka qenë më e domosdoshme ta dini se si ju flet Shpirti sesa është pikërisht tani. …

E përsërit përgjërimin tim ndaj jush që të bëni çfarëdo që të duhet që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë vetjake.” (“Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 90.)

Shkruajini në tabelë thëniet dhe fragmentet e paplota të shkrimeve të shenjta në vijim:

Ftojini studentët të punojnë në dyshe ose grupe të vogla e t’i studiojnë fragmentet e shkrimeve të shenjta rreth Nefit ose Lamanit dhe Lemuelit dhe më pas të plotësojnë njërën nga thëniet në tabelë. Përgjigjet e studentëve mund të përfshijnë sa vijon:

Nefi e rriti aftësinë e tij për të marrë zbulesë nëpërmjet dëshirës për ta ditur të vërtetën, mirëbesimit tek ajo që dinte rreth Perëndisë, ushtrimit të besimit në Jezu Krisht, pendimit dhe kërkimit me zell të përgjigjeve nga Perëndia.

Lamani dhe Lemueli e zvogëluan aftësinë e tyre për të marrë zbulesë duke i ngurtësuar zemrat e tyre, mosbesimit që Zoti do t’u përgjigjej, grindjes me njëri-tjetrin dhe mosarritjes për t’ia bërë Zotit pyetjet e tyre.

  • Si ndikoi te jeta e Nefit, Lamanit dhe Lemuelit aftësia e tyre për të marrë zbulesë? Si mund të ndikojë në jetën tuaj rritja e aftësisë suaj për të marrë zbulesë? (Mund t’i ftoni studentët të shqyrtojnë vargjet tek Alma 12:9–10.)

Jepuni studentëve kohë që të përsiatin e t’i shkruajnë mendimet e tyre rreth pyetjeve vijuese. Teksa përsiatin, mund të paraqitni thënien e Presidentit Nelson nga pjesa 2 e materialit të përgatitjes.

  • Çfarë keni mësuar në këtë mësim nga shembujt e Nefit, Lamanit dhe Lemuelit rreth marrjes së zbulesës? Çfarë duhet ta ndaloni së bëri ose të filloni ta bëni që ta rritni aftësinë tuaj për të marrë zbulesë?

Merreni parasysh ta mbyllni mësimin duke nxitur një ose dy studentë që të tregojnë se si ia/ua ka bekuar jetën marrja e zbulesës.

Për Herën Tjetër

Kërkojuni studentëve të mbajnë parasysh një sprovë të tanishme me të cilën po përballen ata ose dikush që e njohin. Teksa përgatiten për orën tjetër mësimore, nxitini ata të përcaktojnë të vërteta që mund të na ndihmojnë të përballemi me sprovat tona me besim, guxim dhe shpresë.