Instituti
Mësimi 27 Materiali i Mësuesit: Besimi, Shpresa dhe Dashuria Hyjnore


“Mësimi 27 Materiali i Mësuesit: Besimi, Shpresa dhe Dashuria Hyjnore”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 27 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 27 – Materiali i Mësuesit

Besimi, Shpresa dhe Dashuria Hyjnore

Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë i Presidencës së Parë, na mësoi: “Besimi, shpresa dhe [dashuria hyjnore] plotësojnë njëra‑tjetrën dhe, ndërsa rritet njëra, të tjerat rriten gjithashtu” (“Forca e Pafundme e Shpresës”, Liahona, nëntor 2008, f. 23). Në këtë mësim, studentët do të jenë në gjendje të shpjegojnë mënyrën se si ta zhvillojnë dhe rritin besimin dhe shpresën e tyre te Shpëtimtari Jezu Krisht dhe tek ungjilli i Tij. Ata do të jenë në gjendje gjithashtu të përcaktojnë atë që mund të bëjnë për ta zhvilluar më plotësisht cilësinë e dashurisë hyjnore të Krishtit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Përdorni larminë e duhur. Për ta zgjeruar përvojën e të mësuarit të studentëve, përdorni një larmi metodash të mësimdhënies, të tilla si pyetje, diskutime si klasë, histori, ushtrime me shkrim, shembuj nga jeta reale, humor të përshtatshëm, objekte, fotografi/figura, citime, punë në grup, paraqitje nga mësuesi dhe paraqitje në tabelë ose në format zanor e pamor. Mbajeni mend gjithmonë se metodat e mësimdhënies janë një mjet për ta rritur të mësuarit dhe nuk duhet të bëhen qëllime në vetvete. (Shih Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], f. 66.)

Mormoni na mëson lidhjen midis besimit dhe shpresës.

Paraqiteni figurën shoqëruese të një litari shumëngjyrësh dhe pirgut të kubave. Shpjegoni se ngjyrat e ndryshme të këtyre objekteve përfaqësojnë besimin, shpresën dhe dashurinë hyjnore.

litari dhe kubat lodër
  • Në çfarë mënyrash besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore mund t’u ngjasojnë më shumë fijeve të ndërthurura të një litari sesa kubave të bërë pirg?

Paraqiteni thënien vijuese nga Plaku Çi Hong (Sem) Uong, i Të Shtatëdhjetëve:

Plaku Çi Hong (Sem) Uong

“Besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore … janë të gërshetuara me njëra-tjetrën. Ne nuk mbarojmë së ndërtuari besimin dhe më pas të kemi shpresë, ose pasi të kemi shpresë, më në fund të zhvillojmë dashurinë hyjnore. Ato veprojnë të gjithë së bashku. Dhe ndërsa ndërthuren, ato ndihmojnë bashkërisht për t’i dhënë formë karakterit dhe dëshmisë sonë.” (“Faith, Hope, and Charity: Interlacing Virtues”, Ensign, dhjetor 2016, f. 19.)

Ftojini studentët të shqyrtojnë kapitullin Moroni 7:33, 38, 40–43, duke kërkuar atë që na mësojnë këto vargje rreth lidhjes midis besimit dhe shpresës.

  • Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth lidhjes midis besimit dhe shpresës? (Studentët mund të shprehin disa të vërteta, përfshirë atë që vijon: Ndërsa zhvillojmë besim te Jezu Krishti, ne marrim shpresë se nëpërmjet Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij, ne mund të ngrihemi në jetën e përjetshme.)

  • Pse shpresa është e lidhur ngushtë me besimin dhe mirëbesimin te Shlyerja e Jezu Krishtit dhe Ringjallja e Tij?

Ftojini studentët të shqyrtojnë thënien nga Presidenti M. Rasëll Ballard në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.

  • A mund të sillni ndërmend shembuj që mund të keni parë në jetën e njerëzve, të cilët pasqyrojnë të vërtetat që dha mësim Presidenti Ballard?

Merreni parasysh të lexoni fragmentin e mëposhtëm të një letre që ia dërgoi Presidentit Rasëll M. Nelson një mik i cili po haste vështirësi me një problem vetjak:

“Faji dhe dështimi që ndiej, ma bëjnë gati të pamundur të pendohem. Po e humbas besimin tim. Mëkatet ishin të parat; dyshimet pasuan. …

Pavendosmëria ime e dhembshme, druajtja ime, mungesa e drejtimit, paralizimi i vullnetit tim, pamjaftueshmëria e sigurisë sime kanë shkaktuar vuajtje dhe depresion. Familja ime, e ardhmja ime dhe besimi im janë në rrezik. Po e humbas shpresën.” (“A More Excellent Hope”, Ensign, shkurt 1997, f. 60.)

Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet tek Ethëri 12:4, 32 dhe thënien nga Presidenti Uhtdorf në pjesën 2 të materialit të përgatitjes dhe të diskutojnë se çfarë mund të bënte autori i kësaj letre për të rikthyer shpresën.

  • Çfarë ju ka ndihmuar më së shumti për ta bërë shpresën një pjesë aktive të jetës suaj të përditshme?

  • Në bazë të asaj që keni menduar dhe ndier gjatë këtij mësimi, çfarë ndryshimesh frymëzoheni të bëni që ta rritni aftësinë tuaj për të përjetuar shpresë? (Mund t’u jepni kohë studentëve që të mbajnë shënim mendimet dhe ndjenjat e tyre.)

Mormoni jep mësim rëndësinë e kërkimit të dhuratës së dashurisë hyjnore.

Bëjuni studentëve pyetjen që vijon:

  • Nga studimi juaj dhe përvoja juaj, si do ta shpjegonit se çfarë është dashuria hyjnore?

Ftoni një student të lexojë te Moroni 7:43–44, 48 dhe pyetni:

  • Sipas mendimit tuaj, si janë të lidhura besimi dhe shpresa te Jezu Krishti me dhuratën e dashurisë hyjnore?

  • Çfarë na këshilloi Mormoni të bëjmë nëse e dëshirojmë vërtet dhuratën e dashurisë hyjnore? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim të ngjashëm me atë që vijon: Nëse lutemi me gjithë fuqinë e zemrës dhe e ndjekim Jezu Krishtin, ne mund të mbushemi me dashuri hyjnore.)

Merreni parasysh t’u jepni studentëve nja dy minuta për të përsiatur rastet kur janë lutur për ndihmë që të kenë dashuri hyjnore dhe atë që ndodhi si rrjedhojë.

Ftojini studentët të formojnë grupe të vogla dhe jepini secilit grup fletushkën vijuese.

Shembuj të Dashurisë Hyjnore në Jetën e Përditshme

Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit – Mësimi 27

Si grup, synoni ta thelloni kuptueshmërinë tuaj për dashurinë hyjnore duke plotësuar njërën ose dy nga veprimtaritë vijuese:

  1. Shqyrtoni vargjet te Moroni 7:45–47 dhe përcaktoni fjalë ose fraza që e përshkruajnë dashurinë hyjnore. Më pas plotësojeni pyetjen vijuese me radhë: “Si tregohet dashuria hyjnore kur …” (Për shembull: “Si tregohet dashuria hyjnore kur nuk bini dakord me dikë?” “Kur dikush ju ka lënduar?”) Duke përdorur mësimet te Moroni 7:45–47, jepni përgjigje për pyetjet që krijoni.

  2. Shqyrtoni thënien nga Presidentja Xhin B. Bingham, në pjesën 3 të materialit të përgatitjes dhe jepni shembuj të mënyrës se si Jezu Krishti është “mishërimi i përsosur i dashurisë hyjnore” (“Unë do ta Sjell Dritën e Ungjillit në Shtëpinë Time”, Liahona, nëntor 2016, f. 6). Ndërsa diskutoni për shembuj të ndryshëm, merreni parasysh t’i bëni njëri-tjetrit pyetje që mund t’ju ndihmojnë ta vini në zbatim atë që po mësoni nga shembulli i Shpëtimtarit.

  3. Shqyrtojeni thënien nga Presidenti Tomas S. Monson në pjesën 3 të materialit të përgatitjes dhe jepni shembuj të dashurisë hyjnore që keni dëshmuar në jetën e njerëzve që njihni. Diskutoni se çfarë na mësojnë këta shembuj rreth dashurisë hyjnore dhe mënyrës se si këta shembuj mund të na ndihmojnë të jemi më shumë si Krishti në jetën tonë të përditshme.

Shembuj të Dashurisë Hyjnore në Jetën e Përditshme

fletushka e mësuesit

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë të tregojnë atë që mësuan në grupet e tyre.

Paraqitini pyetjet vijuese dhe ftojini studentët të përzgjedhin njërën që ndiejnë se është më e përshtatshme me rrethanat e tyre të tanishme. Nxitini studentët ta mbajnë shënim çfarëdo ndjenje që kanë ose përshtypje që marrin.

  • Kush ka nevojë që ta ndiejë dashurinë e Shpëtimtarit nëpërmjet meje? Çfarë mund të bëj për ta ndihmuar këtë person që ta ndiejë dashurinë e Tij?

  • Si jam bekuar nga fjalët ose veprimet e dikujt tjetër të cilat i përngjasojnë Krishtit?

  • Kur më ka sjellë më pranë Jezu Krishtit dhe Atit Qiellor demonstrimi i dashurisë si të Krishtit?

  • Çfarë po bëj aktualisht (ose nuk po bëj) që po më ndalon ta kërkoj (ose marr) dhuratën e dashurisë hyjnore?

Nxitini studentët të vendosin një synim për mënyrën se si mund të punojnë për të marrë cilësitë e besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore si të Krishtit në mënyrë që të mund të bëhen më shumë si Jezu Krishti.

Për Herën Tjetër

Kërkojuni studentëve të vijnë të përgatitur në orën tjetër mësimore për të folur rreth mënyrës se si Libri i Mormonit i udhëheq njerëzit për te Jezu Krishti. Nxitini studentët të mendojnë rreth përvojave që kanë pasur me Librin e Mormonit gjatë këtij kursi, të cilat e kanë forcuar dëshminë dhe marrëdhënien e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.