Instituti
Mësimi 1 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit


“Mësimi 1 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 1 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 1 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit

vajzë e re duke lexuar Librin e Mormonit

Mirë se erdhët në materialin Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit. Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim: “Të vërtetat e Librit të Mormonit kanë fuqinë ta shërojnë, ngushëllojnë, rivendosin, ndihmojnë, forcojnë, përkrahin dhe gëzojnë shpirtin tonë” (“Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?Liahona, nëntor 2017, f. 62). Teksa i studioni dhe i jetoni të vërtetat e diskutuara në këtë kurs, ju do të përjetoni vërtetësinë e fjalëve të Presidentit Nelson. Dëshmia juaj për Librin e Mormonit dhe besimi juaj tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të rriten dhe ju do të bëheni më shumë si Ata.

Shënim: Ky material i përgatitjes do t’ju sigurojë njohuritë bazë për përvojën tuaj në klasë. Studimi përpara orës mësimore i materialit të përgatitjes së çdo mësimi, do t’ju ndihmojë të keni një përvojë të mësuari më të thellë, më domethënëse.

Pjesa 1

Si mund ta përmirësojë jetën time studimi i Librit të Mormonit?

Në fillim të Rivendosjes së ungjillit, Profeti Jozef Smith shpalli:

Profeti Jozef Smith

“Unë u thashë vëllezërve se Libri i Mormonit ishte më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”. (Parathënia për Librin e Mormonit, paragrafi 6).

Që nga koha e botimit të Librit të Mormonit, miliona njerëz kanë zbuluar të vërtetën e kësaj thënieje.

Plaku Piter M. Xhonson, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi një shembull të mënyrës se si Libri i Mormonit ia bekoi jetën kur ishte në moshë të re:

Plaku Piter M. Xhonson

“Kur fillova programin tim të doktoraturës, u ndjeva i shkurajuar. Programi pranonte vetëm katër studentë atë vit dhe studentët e tjerë ishin të shkëlqyer. Ata kishin rezultate provimi më të larta dhe përvojë më të madhe pune në poste kryesuese administrimi dhe ata demonstronin vetëbesim në aftësitë e tyre. Pas dy javëve të mia të para në program, ndjenjat e shkurajimit dhe dyshimit filluan të ndikonin, thuajse duke më pushtuar.

Vendosa që nëse do ta mbaroja këtë program katërvjeçar, duhej ta përfundoja leximin e Librit të Mormonit çdo semestër. Çdo ditë ndërsa lexoja, e dalloja deklaratën e Shpëtimtarit se Fryma e Shenjtë do të më mësonte çdo gjë dhe do të sillte në kujtesën time të gjitha gjërat [shih Gjoni 14:26]. Më siguroi përsëri se cili jam si bir i Perëndisë, më rikujtoi të mos e krahasoj veten me të tjerët dhe më dha vetëbesimin në rolin tim hyjnor për të pasur sukses. … Lexojeni dhe studiojeni Librin e Mormonit çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë.” (“Fuqi për të Mposhtur Kundërshtarin”, Liahona, nëntor 2019, f. 111).

Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim se “ne duhet ta bëjmë Librin e Mormonit një përqendrim madhor të studimit [sepse] ai u shkrua për kohën tonë” (“The Keystone of Our Religion”, Ensign, janar 1992, f. 5). Teksa e lexoni thënien vijuese nga Presidenti Nelson, merrni parasysh të shenjoni mënyrën se si Libri i Mormonit mund të na e bekojë jetën, veçanërisht në kohën tonë.

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë dëshmoj se Libri i Mormonit është vërtet fjala e Perëndisë. Ai përmban përgjigjet për pyetjet më të vështira të jetës. Ai na mëson doktrinën e Krishtit. Ai e zgjeron dhe e qartëson shumicën e të vërtetave të ‘qarta dhe të çmueshme’ [shih 1 Nefi 13:29–33] që humbën ndër shekujt e kohës dhe prej përkthimeve të shumta të Biblës.

Libri i Mormonit jep kuptueshmërinë më të plotë dhe më të besueshme për Shlyerjen e Jezu Krishtit që gjendet në ndonjë vend. … Fuqia e plotë e ungjillit të Jezu Krishtit përmbahet në Librin e Mormonit. Pa dyshim.

Libri i Mormonit u jep dritë mësimeve të Mësuesit sikurse dhe nxjerr në pah taktikat e kundërshtarit. Libri i Mormonit jep mësim doktrinën e vërtetë për të zhdukur traditat e rreme fetare – të tilla si praktika e gabuar e kryerjes së pagëzimit të foshnjave. Libri i Mormonit i jep qëllim jetës duke na nxitur që të meditojmë mundësinë e jetës së përjetshme dhe të ‘lumturi[së së] pafund’ [Mosia 2:41; shih edhe Alma 28:12]. Libri i Mormonit i shuan bindjet e rreme se lumturia mund të gjendet në ligësi dhe se mirësia e individit është gjithçka që kërkohet për t’u kthyer në praninë e Perëndisë. Ai i shpërbën përgjithmonë konceptet e rreme se zbulesa mbaroi me Biblën dhe se qiejt janë të vulosur sot.” (“Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?Liahona, nëntor 2017, f. 62).

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë bekimesh keni marrë ju apo dikush që e njihni, nëpërmjet studimit të Librit të Mormonit? Çfarë lloj bekimesh shpresoni se do të sjellë në jetën tuaj studimi i Librit të Mormonit në muajt e ardhshëm?

Pjesa 2

Si mund ta forcojë dëshminë time për Jezu Krishtin studimi i Librit të Mormonit?

Në një vegim, profeti Nefi mësoi se qëllimi qendror i Librit të Mormonit (dhe shkrimit tjetër të shenjtë të ditëve të mëvonshme) është të japë dëshmi se Jezu Krishti “është Biri i Atit të Amshuar dhe Shpëtimtari i botës; dhe se të gjithë njerëzit duhet të vijnë tek ai ose ata nuk mund të shpëtohen” (1 Nefi 13:40).

Figurë e Krishtit, nga Heinrich Hofmann

Gjatë gjithë jetës së tij, Nefi punoi me zell “të bind[te] fëmijët [e tij] dhe gjithashtu vëllezërit [e tij] të beso[nin] në Krisht” (2 Nefi 25:23). Në fund të analit të tij, ai dha një dëshmi të fundit për fuqinë që ka Libri i Mormonit për t’i sjellë të gjithë njerëzit te Krishti.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te 2 Nefi 33:6–10, duke kërkuar se si shpresoi Nefi që fjalët e tij do të ndikonin tek ju.

Presidenti Benson vuri në dukje se shumë njerëz anembanë botës nuk e pranojnë hyjninë e Jezu Krishtit. Ai shpjegoi:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Ata e vënë në pikëpyetje lindjen e Tij të mrekullueshme, jetën e Tij të përsosur dhe vërtetësinë e ringjalljes së Tij të lavdishme. Libri i Mormonit na mëson me terma të qarta dhe të pagabueshme rreth të vërtetës së këtyre të gjithave. Ai gjithashtu na jep shpjegimin më të plotë të doktrinës së Shlyerjes. Më të vërtetë, ky libër i frymëzuar në mënyrë hyjnore është gurthemel për t’i dhënë dëshmi botës se Jezusi është Krishti. … [Në Librin e Mormonit], dëshmia … për Mësuesin është e qartë, e padobësuar dhe plot me fuqi.” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 137).

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Shpenzoni disa minuta për të përsiatur atë që keni mësuar dhe ndier rreth Jezu Krishtit nëpërmjet studimit tuaj të Librit të Mormonit. Çfarë mund të bëni për ta bërë studimin tuaj të Librit të Mormonit një përvojë më të përqendruar te Krishti?

Pjesa 3

Si mund ta përdor me efektshmëri këtë material të përgatitjes për ta përmirësuar përvojën time në këtë orë mësimore?

Kur Jezu Krishti iu shfaq nefitëve në tokën Begati, Ai i dha çdo personi mundësinë për të ndier plagët në duart dhe këmbët e Tij dhe më pas ia mësoi turmës doktrinën e Tij. Ai shpalli se ata që besonin tek Ai dhe i jetonin mësimet e Tij do të merrnin bekime të mëdha në këtë jetë dhe do të ngriheshin në ditën e fundit (shih 3 Nefi 11:29–40; 15:1).

Krishti në Vendin Begati, nga Simon Dewey

Kur Shpëtimtari u përgatit të largohej në fund të ditës, Ai e vështroi turmën dhe i dha një këshillë të rëndësishme mbi mënyrën se si të përgatiteshin për atë që Ai do t’u mësonte të nesërmen.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te 3 Nefi 17:2–3, duke kërkuar atë që dha mësim Shpëtimtari mbi mënyrën se si të përgatitemi për ta mësuar ungjillin.

ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Ju mund të doni të përcaktoni dhe të shënoni një synim me të cilin të mund të punoni gjatë këtij kursi për t’u bërë një student më i zellshëm i ungjillit të Zotit. Merrni parasysh të bëni një plan që përfshin kohën se kur do ta studioni materialin e përgatitjes për secilën orë mësimore.

ikonë, diskutoni

Tregojani Mësuesit/es Tuaj

Nëse është e mundur, dërgojini mësuesit/es tuaj një pjesë nga informacioni vijues ose të gjithë atë, në mënyrë elektronike. Ose mund të shkruani një shënim për ta dorëzuar më vonë.

  1. Si ndiheni rreth Librit të Mormonit?

  2. Në çfarë mënyrash shpresoni që të rriteni teksa e ndiqni këtë kurs?

  3. Çfarë pyetjesh do të donit të trajtonit ndonjëherë gjatë këtij kursi?