Instituti
Mësimi 9 Materiali i Mësuesit: Besimi te Jezu Krishti


“Mësimi 9 Materiali i Mësuesit: Besimi te Jezu Krishti”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 9 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 9 Materiali i Mësuesit

Besimi te Jezu Krishti

Doktrina e Krishtit na mundëson që të ndryshojmë, të bëhemi si Shpëtimtari ynë dhe të marrim të gjitha bekimet që Ai i ka bërë të mundura nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Në këtë mësim, studentët do të diskutojnë për elementin e parë të doktrinës së Zotit: besimin te Jezu Krishti. Ata do të kenë mundësinë që të përcaktojnë bekimet që vijnë nga besimi dhe të shpjegojnë se si ta zhvillojnë besimin te Jezu Krishti. Studentët do të përcaktojnë edhe atë që mund të bëjnë për ta forcuar besimin e tyre te Zoti.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma u mëson zoramitëve se si ta rritin besimin e tyre te Jezu Krishti.

Ju mund ta filloni mësimin duke paraqitur paragrafin hyrës te materiali i përgatitjes dhe duke i kërkuar një studenti/eje që ta lexojë atë me zë të lartë. Ju mund të dëshmoni se besimi, pendimi, pagëzimi, dhurata e Frymës së Shenjtë dhe durimi deri në fund mund të hapin derën që Jezu Krishti të na ndryshojë vërtet në njerëz më të shenjtë e më të lumtur. Gjatë këtij diskutimi si klasë, ftojini studentët të marrin parasysh se si ata mund ta rritin besimin e tyre te Jezu Krishti dhe fuqia e Tij për t’i ndryshuar, shëruar dhe ndihmuar.

Ftojeni një student/e që është i/e gatshëm/me, që të tregojë se si ai ose ajo do të shpjegonte se çfarë është besimi dhe përse besimi te Jezu Krishti është kaq i rëndësishëm.

Paraqiteni dhe lexojeni së bashku skenarin vijues:

Shoqja juaj e shkollës së lartë, Viktoria, u rrit në një shtëpi të krishterë. Ajo kurrë nuk e vuri në dyshim hyjninë e Jezu Krishtit derisa një nga profesorët e saj hodhi dyshim mbi realitetin e mrekullive, Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij. Viktoria u trondit nga ajo që dëgjoi. Për shkak se ajo e di që ju jeni fetarë dhe besoni te Jezu Krishti, ajo pyet se si ju e dini që Jezusi është me të vërtetë Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës. Ajo gjithashtu pyet se si mund të fitojë besim më të madh tek Ai.

  • Si do t’u përgjigjeshit pyetjeve të Viktorias?

Teksa studentët përgjigjen, merrni parasysh të përdorni fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë dhe pyetjet vijuese për të ndihmuar që ta thelloni diskutimin bazuar te nevojat e studentëve tuaj.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Vëzhgoni, dëgjoni dhe dalloni. Nuk ka dy studentë apo dy klasa që të jenë krejt njësoj. Teksa i vëzhgoni dhe i dëgjoni studentët tuaj, kërkoni të dalloni interesat dhe nevojat e tyre të vërteta shpirtërore. Bëni pyetje që janë në kohën e duhur dhe me vend dhe që çojnë në veprime të drejta. Pyetjet gjatë gjithë këtij mësimi mund t’ju nxitin, udhëzojnë dhe frymëzojnë teksa i drejtoni diskutimet në klasë. Disa nga pyetjet tuaja më thelbësore mund të jenë ato që ju vijnë në mendje ndërsa po jepni mësim. Por kujtoni gjithashtu se nga ju nuk pritet që t’i bëni të gjitha pyetjet. Studentët gjithashtu mund të bëjnë pyetje thelbësore që tregojnë pikëpamje të thella ndaj të vërtetave të ungjillit.

Nëse nevojitet, kujtojuni studentëve se Alma i dha mësim një grupi zoramitësh të varfër, se si veprimi me besim në fjalën e Perëndisë mund të ndihmojë që të na e forcojë besimin. Ju mund t’i ftoni studentët të shqyrtojnë vargjet tek Alma 32:21, 27–30, 41–43, duke kërkuar parime që mund ta ndihmojnë Viktorian. Ndërsa studentët tregojnë parimet e dhëna mësim nga Alma, merrni parasysh të bëni disa nga pyetjet vijuese:

  • Si do ta shpjegonit domethënien e përkufizimit të Almës për besimin në një mënyrë që edhe një fëmijë të mund ta kuptojë? (Shih Alma 32:21.)

  • Sipas vargjeve tek Alma 32:27–30, në ç’mënyrë ushtrimi i besimit çon në një shtim të besimit? (Studentët mund të përcaktojnë një parim të ngjashëm me atë që vijon: Kur ushtrojmë besim dhe eksperimentojmë me fjalën e Perëndisë, ne do të marrim një pohim shpirtëror dhe besimi ynë do të forcohet. Merrni parasysh ta shkruani në tabelë këtë parim ose një parim të ngjashëm duke përdorur fjalët e studentëve.) Kur e keni vënë në zbatim këtë parim dhe keni ndier se besimi juaj është forcuar? Çfarë këshille mund t’i jepnit dikujt që është i/e shkurajuar për shkak se ai ose ajo ka vepruar me besim por ndien se nuk i ka përjetuar ende frytet e besimit? (Mund të jetë e dobishme të shqyrtoni thënien e Presidentit Diter F. Uhtdorf në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)

  • Sipas vargut tek Alma 32:28, si mund ta dimë nëse fjala është e mirë sipas eksperimentit të besimit tonë? (Studentët mund të përcaktojnë fraza të tilla si “lëvizje të fryrjes”, “të zmadhojë shpirtin tim”, “të ndriçojë kuptimin tim” dhe “e këndshme për mua”.) Nëse keni përjetuar ndonjërin nga këto efekte, si do t’ia shpjegonit përvojën tuaj dikujt tjetër?

  • Çfarë dha mësim Plaku Xhefri R. Holland rreth Jezu Krishtit dhe lidhjes së Tij me farën, frutën dhe pemën? (Shih pjesën 2 të materialit të përgatitjes.) Në ç’mënyrë veprimi me besim dhe mbjellja e Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij në zemrën tuaj ka ndikuar në dëshminë dhe kthimin tuaj në besim? Çfarë mund të bëni që ta ushqeni pemën me përkujdesje më të madhe në mënyrë që ajo të hedhë rrënjë më thellë në zemrën tuaj?

  • Çfarë keni arritur të dini rreth Shpëtimtarit që e rrit sigurinë dhe mirëbesimin tuaj tek Ai?

Mormoni jep mësim rreth fuqisë dhe bekimeve që vijnë nga ushtrimi i besimit te Jezu Krishti.

Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Moroni 7:25–26, 33 dhe dëshmoni se kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne do të kemi fuqinë për të bërë atë që Krishti e sheh të përshtatshme. (Ju mund të doni të shpjegoni se në këtë kontekst fjala [e] përshtatshme përshkruan diçka që do të na bekojë, e cila përputhet me vullnetin e Perëndisë.) Kujtojuni studentëve se ata u ftuan në materialin e përgatitjes që të dallojnë njerëz në Librin e Mormonit, të cilët morën bekime apo përjetuan mrekulli kur ushtruan besim te Jezu Krishti (shih pjesën 3). Ftojini studentët si klasë ose në grupe të vogla diskutimi që të tregojnë shembujt e tyre. Pyetjet vijuese mund të ndihmojnë për ta thelluar diskutimin e tyre:

Jepuni studentëve kohë të përsiatin për besimin e tyre te Jezu Krishti dhe të marrin parasysh se çfarë duhet të bëjnë që ta forcojnë dhe ushtrojnë besimin tek Ai.

Për Herën Tjetër

Shpjegoni se besimi ynë te Jezu Krishti na çon natyrshëm drejt pendimit, parimit të dytë thelbësor të doktrinës së Krishtit (shih Helamani 14:13). Ftojini studentët të studiojnë materialin e përgatitjes dhe të përsiatin se përse pendimi duhet të shihet si një dhuratë hyjnore për t’u përqafuar dhe jo si një barrë e tmerrshme për t’u shmangur.