Instituti
Mësimi 8 Materiali i Mësuesit: Jeta pas Vdekjes


“Mësimi 8 Materiali i Mësuesit: Jeta pas Vdekjes”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 8 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 8 Materiali i Mësuesit

Jeta pas Vdekjes

Ndërsa studentët e mbyllin njësinë 2, “Plani i Madh i Shëlbimit”, ata do të kenë mundësinë të shpjegojnë se si një kuptueshmëri e saktë për jetën tjetër, mund t’u japë atyre ngushëllim dhe shpresë të shtuar në këtë jetë. Ata gjithashtu do të përcaktojnë veprimet që mund të ndërmarrin për ta përgatitur më mirë veten për të takuar Perëndinë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma dhe Amuleku japin mësim rreth botës së shpirtrave dhe Ringjalljes.

Fillojeni orën mësimore duke treguar skenarin vijues dhe duke i ftuar studentët të diskutojnë për atë se çfarë do të thonë ose se si do të përgjigjen:

Përfytyroni sikur po shkoni të vizitoni familjen e një mikeshe të ngushtë, Anës, e cila sapo ka ndërruar jetë. Ana u bashkua me Kishën disa muaj më parë. Familja e saj nuk është fetare. Ndërsa i shprehni ngushëllimin tuaj nënës së Anës, ajo jua kap dorën dhe ju sheh në sy e thotë: “A mund të më thuash se çfarë ndodh pasi vdesim?”

Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet tek Alma 11:43–44 dhe tek Alma 40:11–14, duke kërkuar për të vërtetat rreth jetës tjetër, që mund t’i sjellin nënës së Anës ngushëllim dhe shpresë. (Studentët mund të përcaktojnë parime si ato që vijojnë: Për shkak të Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të ringjallen dhe do të sillen përpara Perëndisë për t’u gjykuar. Në Ringjallje trupat tanë do të përsosen. Nëse jemi të drejtë, ne do të prehemi nga të gjitha shqetësimet dhe brengat tona në botën e shpirtrave.)

Ftojini studentët të shqyrtojnë në heshtje se kush mund të ketë nevojë ta dëgjojë dëshminë e tyre për jetën tjetër dhe se si ata mund t’u japin dëshmi atyre që kanë nevojë ta dëgjojnë atë. (Jepuni studentëve kohë që të përsiatin përgjigjen e tyre.)

Shënim: Studentët mund të kenë dëgjuar ide të ndryshme rreth jetës tjetër. Kujtojini ata se ne duhet të përdorim burime të caktuara në mënyrë hyjnore, të tilla si shkrimet e shenjta dhe mësimet e udhëheqësve të Kishës, për t’i vlerësuar këto ide. Juve mund t’ju duket e dobishme që të tregoni dhe të diskutoni për këshillën vijuese nga Presidenti Dallin H. Ouks:

Presidenti Dallin H. Ouks

“Pra, ç’gjë tjetër dimë [përveç asaj që mësojmë nga kanuni ynë i shkrimit të shenjtë] për botën e shpirtrave? Shumë anëtarë të Kishës kanë pasur vegime ose frymëzime të tjera për t’i informuar ata se si funksionojnë ose janë të organizuara gjërat në botën e shpirtrave, por këto përvoja vetjake shpirtërore nuk duhet të kuptohen ose jepen mësim si doktrinë zyrtare e Kishës. Dhe, natyrisht, ka shumë spekulime nga anëtarë dhe njerëz të tjerë në burime të botuara si për shembull libra që flasin mbi përvojat e njerëzve që kanë qenë në prag të vdekjes.” (“Ki Besim tek Zoti”, Liahona, nëntor 2019, f. 27–28)

Alma dhe Amuleku japin mësim se ne duhet të përgatitemi për të takuar Perëndinë.

Paraqitni thëniet vijuese:

  • Unë njoh njerëz që i thyejnë urdhërimet dhe thonë: “Nuk është ndonjë gjë e madhe, sepse gjithmonë mund të pendohem më vonë”.

  • Perëndia është i dashur. Ai nuk do të më pengojë të hyj në mbretërinë çelestiale vetëm sepse e shtyj për më vonë pendimin për disa mëkate.

  • Pavarësisht se sa shumë përpiqem unë, asnjëherë nuk ia arrij dhe nuk do të jem kurrë i/e përgatitur për ta takuar Perëndinë.

Merrni parasysh që të formoni grupe të vogla me studentë dhe t’i kërkoni secilit grup që të përzgjedhë një nga thëniet vijuese që do të donin të diskutonin. Ftojeni secilin grup që të lexojë tek Alma 34:32–34 dhe të përdorë mësimet në këtë fragment për të vlerësuar thënien që përzgjodhën. Ju mund të doni t’i jepni secilit grup pyetjet vijuese për t’i ndihmuar që ta thellojnë diskutimin e tyre:

  • Cilat pjesë të kësaj thënieje janë të vërteta dhe cilat pjesë mund të jenë të rreme ose çorientuese?

  • Çfarë parimesh të dhëna mësim tek Alma 34:32–34 janë më të përshtatshme për këtë thënie? Si do t’ia shpjegonit këto parime dikujt që ka bërë këtë thënie? (Studentët mund të përcaktojnë dhe shpjegojnë disa nga parimet vijuese: Kjo jetë është koha për t’u përgatitur që të takojmë Perëndinë dhe për të kryer punët tona. Ne përgatitemi që ta takojmë Perëndinë duke u penduar dhe duke u përmirësuar çdo ditë. Nëse e shtyjmë pendimin tonë, ne do të jemi të papërgatitur për ta takuar Perëndinë.)

Pasi studentët të kenë pasur kohë për t’i diskutuar këto pyetje, ftojini disa grupe që t’ia tregojnë klasës atë që mësuan.

  • Cilat janë disa gjëra të tjera që i pengojnë njerëzit të përgatiten për ta takuar Perëndinë? (Renditini përgjigjet e studentëve në tabelë.)

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Jepuni studentëve kohë për të përsiatur. Një mënyrë se si mund t’i ndihmojmë studentët që të punojnë më shumë me gjithë zemër për të kuptuar, është t’u japim atyre “kohë në orën mësimore për të përsiatur, medituar ose shkruar rreth asaj që kanë kuptuar e ndier, dhe për të marrë parasysh se çfarë veprimesh të veçanta duhet të ndërmarrin për ta zbatuar atë në jetën e tyre” (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], 2.5.4). Merrni parasysh të shikoni materialin filmik “2.5.4 The Importance and Power of Pondering” [“Rëndësia dhe Fuqia e Përsiatjes”] (00:31) për të marrë më shumë ide mbi këtë temë.

Kujtojuni studentëve se Alma i bëri popullit të Zarahemlës disa pyetje që nxitin kërkim të thellë shpirtëror. (Studentët i shqyrtuan këto pyetje ndërsa studiuan tek Alma 5:15–17, 19, 27, 33pjesën 3 të materialit të përgatitjes.) Ftojini studentët të gjejnë disa minuta për të studiuar më thellësisht, duke rilexuar dhe përsiatur më shumë mbi pyetjet e Almës dhe mësimet që gjenden tek Alma 5:14–35. Ju mund të doni t’i ndihmoni ata të dinë se ajo që ata përsiatin, është më e rëndësishme sesa sasia e vargjeve që lexojnë.

Pas një kohe të mjaftueshme, ju mund të doni t’ua bëni njërën ose të dyja pyetjet vijuese studentëve për t’i përsiatur:

  • Në çfarë mënyrash do t’ju ndihmojë ju Shpëtimtari teksa përpiqeni fort për t’u përgatitur që të takoni Perëndinë?

  • Çfarë ndryshimi ose ndryshimesh keni nevojë të bëni sot për të qenë më të përgatitur për ta takuar Perëndinë?

Merrni parasysh të tregoni thënien vijuese nga Presidenti Ouks:

Presidenti Dallin H. Ouks

“Gjykimi i Fundit nuk është vetëm një vlerësim i një shume totale veprash të mira dhe të liga – të asaj që kemi bërë. Ai është një njohje e pasojave përfundimtare të veprave dhe mendimeve tona – të asaj që jemi bërë.” (“The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 32)

Ju mund t’u kërkoni studentëve të mendojnë rreth asaj se cili/cila dëshirojnë të bëhen. Merrni parasysh t’u jepni studentëve dëshminë tuaj se Ati Qiellor dhe Shpëtimtari kanë dëshirën dhe aftësinë për t’i ndihmuar ata që të bëhen ai lloj njeriu që është në paqe në praninë e Tyre.

Nxitini studentët që të përsiatin, planifikojnë ose shkruajnë se çfarë veprimi të posaçëm do të ndërmarrin sot për të treguar dëshirën e tyre të sinqertë për t’u bërë më të përgatitur që të takojnë Perëndinë. (Mund të jetë gjithashtu e dobishme që të shqyrtoni thënien nga Presidenti Henri B. Ajring në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.)

Ju mund ta mbyllni orën mësimore duke i ftuar studentët që të tregojnë atë që kanë mësuar nga përvoja e tyre së bashku gjatë studimit të njësisë 2, “Plani i Madh i Shëlbimit”. Ju gjithashtu mund t’i ftoni studentët që të dëshmojnë për mënyrën se si kjo njohuri ndikon te vlerësimi i tyre për Shpëtimtarin dhe dëshirat e tyre për t’u bërë më shumë si Ai.

Për Herën Tjetër

Jepni dëshmi se Zoti e ka përgatitur udhën për secilin prej nesh, që të kthehemi në praninë e Perëndisë. Kjo udhë për ne që të kthehemi tek Ai quhet doktrina e Krishtit dhe ajo temë është objektivi i njësisë tjetër për ne. Ndërsa studentët përgatiten për orën tjetër mësimore, ftojini ata të marrin parasysh se si pasja e besimit te Jezu Krishti i përgatit për të takuar Perëndinë.