Instituti
Mësimi 15 Materiali i Mësuesit: Përgatitja për Ardhjen e Jezu Krishtit


“Mësimi 15 Materiali i Mësuesit: Përgatitja për Ardhjen e Jezu Krishtit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 15 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 15 Materiali i Mësuesit

Përgatitja për Ardhjen e Jezu Krishtit

Në këtë njësi, studentët do të studiojnë ngjarje dhe mësime të rëndësishme që lidhen me shërbesën e Jezu Krishtit mes nefitëve dhe lamanitëve. Ndërsa përgatiteni që të diskutoni për materialin në këtë njësi, kërkoni mënyra për t’i ndihmuar studentët që ta thellojnë dëshminë e tyre për misionin e Tij hyjnor.

Në këtë mësim studentët do të kenë mundësinë të studiojnë se si Libri i Mormonit jep një model për përgatitjen për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Ata do të marrin parasysh atë që mund të bëjnë për t’i mposhtur ndjenjat e frikës dhe për t’iu kundërpërgjigjur mesazheve të cilat mund të shkaktojnë dyshime, që ata të mund të ndihen të përgatitur më mirë për kthimin e Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Samuel Lamaniti profetizon për shenjat që do tʼi paraprijnë lindjes së Jezu Krishtit.

Ardhja e Dytë, nga Harry Anderson

Paraqiteni figurën shoqëruese të Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit dhe bëni pyetjen:

  • Çfarë shenjash apo rrethanash të profetizuara që lidhen me ditët e fundit dhe Ardhjen e Dytë, mund të shkaktojnë te njerëzit ndjenja shqetësimi? (Nëse studentët e kanë të vështirë të përcaktojnë shenjat e kohërave, ju mund të doni t’i ftoni ata që të shqyrtojnë shkurtimisht temën “Shenj(a) të Kohërave” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta [shih scriptures.ChurchofJesusChrist.org].)

  • Çfarë mund të mësojmë nga fakti që Zoti i zbulon shenjat përpara se Ai të vijë te populli i Tij?

  • Si mund të na ndihmojë Libri i Mormonit të ndihemi më pak në ankth, të përgatitur më mirë dhe më të gëzueshëm rreth kthimit të Zotit në tokë? (Ju mund të doni të shqyrtoni thënien e Presidentit Benson te hyrja për materialin e përgatitjes.)

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Jepuni studentëve mundësi që ta forcojnë njëri‑tjetrin. Ne mblidhemi së bashku si dishepuj të Jezu Krishtit jo vetëm që të mësojmë për vete, por që ta ndihmojmë dhe forcojmë njëri‑tjetrin (shih Moroni 6:4–5). Gjatë orës mësimore, kërkoni mënyra për të krijuar mundësi që studentët të bëjnë bashkëbisedime me njëri‑tjetrin. Një kohë e shkëlqyer për këto bashkëbisedime mund të jetë kur studentët ftohen të flasin me një partner/e ose formojnë një grup të vogël për diskutim. Gjatë diskutimeve në klasë, jini të kujdesshëm që të mos kini epërsi gjatë bashkëbisedimit. Për shembull, përpara se t’i përgjigjeni pyetjes ose shqetësimit të një studenti/eje, merrni parasysh që të ftoni së pari bashkëstudentët e tij apo saj që të përgjigjen. Në vend që të tregoni përvojat tuaja të parapëlqyera vetjake, nxitini studentët që të tregojnë përvojat e tyre. Mos kërkoni thjesht mundësi që të jepni dëshminë tuaj, por u siguroni gjithashtu studentëve mundësi që të japin dëshmitë e tyre.

Paraqiteni pyetjen vijuese: Sipas vargjeve te Helamani 14:9–13, përse Samueli erdhi t’u predikonte dhe profetizonte nefitëve?

Merrni parasysh t’i ftoni studentët të punojnë në dyshe për të studiuar fragmentin e caktuar dhe për të diskutuar për mënyrën se si do t’i përgjigjeshin pyetjes. Ftoni disa studentë të tregojnë atë që mësuan. Bazuar në komentet e studentëve, merrni parasysh se cilën nga pyetjet vijuese mund të bëni për t’i ndihmuar studentët që të përgatiten ta vënë në zbatim atë që po mësojnë:

  • Në ç’mënyrë dijenia dhe besimi për shenjat dhe çuditë e ardhjes së Krishtit na e ndryshojnë jetën? (Jepuni studentëve kohë që ta diskutojnë këtë pyetje me njëri‑tjetrin dhe më pas ftojini t’ia tregojnë këndvështrimet e tyre pjesës tjetër të klasës. Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim të ngjashëm me atë që vijon: Dijenia dhe dallimi i shenjave të ardhjes së Krishtit mund të na ndihmojnë të besojmë tek Ai dhe të pendohemi për mëkatet tona.)

  • Përse shenjat dhe çuditë e lidhura me Ardhjen e Dytë të Zotit duhet të na shtojnë shpresën dhe jo të na shtojnë frikën? Në çfarë mënyrash shenjat dhe çuditë që lidhen me Ardhjen e Dytë tregojnë dashurinë dhe shqetësimin e Perëndisë për fëmijët e Tij?

  • Cili mësim apo cila shenjë profetike për Ardhjen e Dytë ju ka frymëzuar që të përgatiteni më mirë për kthimin e Zotit? (Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë se si po tregohet dashuria e Perëndisë në kohën tonë, ju mund t’i ftoni ata të tregojnë ose të kërkojnë atë që kanë dhënë mësim kohët e fundit profetët dhe apostujt e gjallë rreth përgatitjes për kthimin e Zotit.)

Paraqiteni thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Së pari, dhe vendimtare për kthimin e Zotit, është prania në tokë e një populli të përgatitur për ta pritur Atë në ardhjen e Tij.” (“Duke u Përgatitur për Kthimin e Zotit”, Liahona, maj 2019, f. 82)

Jepuni studentëve disa minuta që të përsiatin dhe t’i shënojnë mendimet e tyre rreth pyetjes vijuese:

  • Çfarë keni nevojë që të filloni të bëni ose të ndaloni së bëri, në mënyrë që të mund të ndiheni të përgatitur më mirë për ta pritur Jezu Krishtin në ardhjen e Tij?

Besimi i besimtarëve vihet në provë ndërsa presin të paepur që të përmbushen shenjat e profetizuara.

Merrni parasysh ta ndani klasën në grupe të vogla për diskutim. Ftojeni secilin grup që të shqyrtojë së bashku vargjet te Helamani 16:13–22 dhe 3 Nefi 1:4–15, 22, duke kërkuar mënyrën se si Satani nxiti dyshim për lindjen e Shpëtimtarit dhe se si u përgjigjën njerëzit besnikë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni një person nga secili grup që të tregojë atë që zbuloi ai apo ajo. Ndërsa studentët tregojnë këndvështrimet e tyre, merrni parasysh të bëni disa nga pyetjet në vijim ose të gjitha ato, që t’ju ndihmojnë ta thelloni diskutimin tuaj në klasë:

  • Si përdoren në kohën tonë këto taktika të njëjta për përhapjen e dyshimit?

  • Çfarë bënë disa nefitë dhe lamanitë për të qëndruar besnikë kur u përballën me dyshime dhe kundërshtime nga jobesimtarët? (Ju mund të paraqitni një parim si ai që vijon: Mbështetja te Zoti dhe pritja të paepur për ardhjen e Tij, mund të na ndihmojnë që t’u përgjigjemi me besim skepticizmit dhe dyshimit.)

  • Çfarë mund të bëjmë për t’u siguruar që të qëndrojmë të vendosur dhe të paepur ndërsa presim me padurim Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit? (Merrni parasysh të shqyrtoni thëniet nga Presidentja Boni L. Oskarson dhe Plaku D. Tod Kristoferson, në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)

  • Si ju ka ndihmuar mbështetja te Zoti kur jeni përballur me njerëz skeptikë dhe mesazhe që mund t’ju shkaktojnë dyshime? Si mund ta ndihmojmë njëri‑tjetrin që të qëndrojmë të paepur ndërsa përgatitemi për kthimin e Zotit?

Ftojini studentët të reflektojnë në heshtje për atë që kanë mësuar dhe ndier rreth Jezu Krishtit dhe Ardhjes së Dytë, ndërkohë që përgatiteshin për këtë orë mësimore dhe morën pjesë në të. Më pas jepuni studentëve kohë për të dhënë dëshmitë e tyre për Zotin dhe shpresën që kanë duke e ditur se Ai do të kthehet.

Për Herën Tjetër

Shpjegoni se gjatë orës tjetër mësimore, studentët do të kenë mundësinë të marrin parasysh se si do të ishte të jesh në praninë e Shpëtimtarit dhe të ndërveprosh me Të. Ndërsa studentët e studiojnë materialin e përgatitjes së klasës, ftojini të kërkojnë atë që mund të mësojnë rreth natyrës dhe karakterit të Jezu Krishtit nga shërbesa e Tij mes njerëzve në kontinentin amerikan.