“Mësimi 18 Materiali i Mësuesit: Të Bëhemi si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Mësimi 18 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Mësimi 18 Materiali i Mësuesit
Të Bëhemi si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti
Jezu Krishti u tha nefitëve dhe lamanitëve në vendin Begati se Ai e kishte përmbushur ligjin e Moisiut. Ndërsa u mësoi një ligj më të lartë, Ai i ftoi njerëzit të përsoseshin, madje ashtu siç janë të përsosur Ai dhe Ati Qiellor. (Shih 3 Nefi 12:17–48.) Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë të shpjegojnë mësimet e Zotit mbi përsosjen. Studentët gjithashtu do të studiojnë aspekte të ndryshme të ligjit më të lartë dhe të përcaktojnë diçka që ata mund të bëjnë për ta jetuar më mirë këtë ligj dhe për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti.
Sugjerime për Mësimdhënien
Shpëtimtari u jep mësim nefitëve dhe lamanitëve se si të bëhen të përsosur.
Paraqitini pyetjet vijuese dhe ftojini studentët t’i përsiatin ato:
-
Duke menduar rreth potencialit tuaj hyjnor, çfarë cilësish si të Krishtit shpresoni të zhvilloni vitin tjetër? Në 10 vitet e ardhshme?
-
Çfarë cilësish shpresoni të zhvilloni deri në fund të jetës suaj?
Nëse ndieni se është e përshtatshme, kërkojuni studentëve t’ia tregojnë përgjigjet e tyre një shoku apo shoqeje ose ftoni një apo dy studentë t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.
Shpjegoni se gjatë shërbesës së Tij mes nefitëve dhe lamanitëve, Jezusi dha mësim të vërteta të rëndësishme rreth potencialit tonë hyjnor. Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te 3 Nefi 12:19–20, 46–48, duke kërkuar atë çka Zoti dëshiron që ne të jemi.
-
Sipas këtyre vargjeve, çfarë potenciali sheh Zoti te ne?
-
Çfarë na mësojnë këto vargje rreth asaj se si mund të bëhemi të përsosur si Jezu Krishti dhe Ati Qiellor? (Studentët mund të përcaktojnë një parim të ngjashëm me atë që vijon: Kur vijmë te Jezu Krishti dhe i ndjekim ligjin dhe urdhërimet e Tij, ne mund të bëhemi të përsosur, ashtu siç janë të përsosur Ai dhe Ati.)
Vini në dukje se disa njerëz e kanë të vështirë ta kuptojnë urdhërimin për të qenë të përsosur. Ftojini studentët të hulumtojnë temën “përsosur (i)” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Ju mund t’u kërkoni studentëve gjithashtu të shqyrtojnë vargjet te Moroni 10:32–33 dhe thënien nga Plaku Xhefri R. Holland në pjesën 1 të materialit të përgatitjes. Merrni parasysh të bëni një ose më shumë nga pyetjet vijuese:
-
Përse është e dobishme të kuptohet se i/e përsosur do të thotë “i zhvilluar plotësisht, tërësisht dhe krejtësisht”? (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përsosur (I)”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Kur dhe si mund të arrihet përsosuria?
-
Si do ta përmblidhnit atë që dha mësim Moroni rreth të bërit i/e përsosur? Në ç’mënyrë kuptueshmëria e këtij mësimi ju sjell shpresë kur nuk ia dilni mbanë dhe bëni gabime? Kur e keni ndier Zotin t’ju japë ndihmë dhe forcë hyjnore?
-
Çfarë do të thotë për ju të dini se Jezu Krishti po jua ofron hirin e Tij dhe ka përgatitur një mënyrë që ju të bëheni si Ai dhe Ati i Tij?
Për t’i ndihmuar studentët ta vënë në zbatim atë që kanë mësuar, ju mund të doni të paraqitni skenarin vijues:
-
Duke menduar rreth asaj që keni mësuar sot, çfarë të vërtetash mund t’i tregonit Xhoanës që ta ndihmoni atë të ketë shpresë më të madhe ndaj ftesës së Zotit për të qenë e përsosur?
Jezu Krishti jep mësim ligjin më të lartë të ungjillit të Tij.
Kujtojuni studentëve se pasi Shpëtimtari shpjegoi se Ai e kishte përmbushur ligjin e Moisiut, Ai u dha mësim njerëzve ligjin më të lartë të ungjillit.
-
Si do ta përkufizonit ligjin më të lartë? Cili është qëllimi i këtij standardi më të lartë? (Nëse nevojitet, studentët mund t’i referohen pjesës 2 të materialit të përgatitjes.)
Ftojini studentët të shqyrtojnë fragmentet e shkrimeve të shenjta që i studiuan përpara orës mësimore në pjesën 2 të materialit të përgatitjes. (Nëse disa studentë nuk janë përgatitur paraprakisht, ftojini ata të përzgjedhin një fragment dhe ta studiojnë atë tani.) Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar, përzgjidhni një nga veprimtaritë vijuese ose krijoni një veprimtari tuajën që do t’u japë studentëve mundësinë më të mirë për të treguar dhe diskutuar mbi atë që kanë zbuluar:
-
Alternativa 1: Ndajini studentët në grupe të vogla. Ftojini studentët që me radhë t’u tregojnë grupeve të tyre atë që mësuan nga një fragment që studiuan. Pasi studentët të përfundojnë diskutimet në grupet e tyre, ftojini ata t’ia tregojnë klasës atë që kanë zbuluar.
-
Alternativa 2: Paraqitni pyetjet e përfshira në veprimtarinë “Shënojini Mendimet Tuaja” në pjesën 2 të materialit të përgatitjes. Ftojini studentët të marrin parasysh se si do t’u përgjigjeshin pyetjeve bazuar në fragmentin që studiuan. Ftojini studentët tʼia tregojnë një partneri/eje ose grupi të vogël mënyrën se si do t’u përgjigjeshin pyetjeve.
-
Alternativa 3: Ftojini studentët të mendojnë për një skenar në të cilin ata mund të vënë në zbatim një mësim nga fragmenti që përzgjodhën. Jepuni studentëve një mundësi që t’ia paraqesin skenarët e tyre ose grupeve të vogla ose klasës dhe të shpjegojnë se si do t’i vënë në zbatim mësimet që përzgjodhën.
Ftojini studentët të përzgjedhin një parim ose cilësi si të Krishtit që do t’u pëlqente ta jetonin më mirë. Nxitini studentët të hedhin në letër mënyrën se si mund të përmirësohen në të jetuarit e këtij parimi ose zhvillimin e kësaj cilësie. Merrni parasysh të ftoni një ose dy studentë të japin dëshmitë e tyre për mirësinë dhe hirin e Jezu Krishtit.
Për Herën Tjetër
Vini në dukje se Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, sugjeroi se të rinjtë e të rejat në kohën tonë po “rriten në territor armik” sepse ndikimi i kundërshtarit është kudo (“Si të Mbijetosh në Territor Armik”, Liahona, tetor 2012, f. 34). Ndërsa studentët fillojnë njësinë për rreziqet shpirtërore në kohën tonë dhe studiojnë materialin e përgatitjes për orën tjetër mësimore, ftojini të kërkojnë mënyrën se si Libri i Mormonit mund t’i ndihmojë ata të jetojnë me drejtësi në një botë të ligë.