“Mësimi 8 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Jeta pas Vdekjes”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Mësimi 8 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Mësimi 8 Materiali i Përgatitjes së Klasës
Jeta pas Vdekjes
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Ne nuk duhet ta shohim vdekjen si një armik. Me kuptueshmërinë dhe përgatitjen e plotë, besimi zë vendin e frikës. Shpresa zëvendëson dëshpërimin” (“Doors of Death”, Ensign, maj 1992, f. 74). Ndërsa e studioni këtë material të përgatitjes, merrni parasysh atë që Libri i Mormonit jep mësim rreth vdekjes dhe jetës pas vdekjes, që mund t’ju ndihmojë për t’u “përgatitur që të tako[ni] Perëndinë” (Alma 12:24).
Pjesa 1
Çfarë ndodh pasi vdesim?
Pasi Koriantoni, një bir i Alma të Riut, e kishte braktisur shërbesën dhe kishte kryer mëkat seksual, i ati i tij bisedoi me të rreth seriozitetit të veprimeve të tij. Alma kuptoi se Koriantoni shqetësohej për jetën pas vdekjes dhe ndëshkimin që e priste mëkatarin. Alma i mësoi të birit se ndërkohë që të gjithë njerëzit do të ringjallen, vetëm të drejtët do të jetojnë me Perëndinë (shih Alma 40:1, 9–10, 25–26). Ai gjithashtu shpjegoi se çfarë ndodh me shpirtrat tanë midis vdekjes dhe Ringjalljes.
Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim këtë rreth frazës, “çohen në shtëpi tek ai Perëndi që u dha atyre jetë”:
“[Kjo frazë] thjesht do të thotë se ekzistencës së tyre në vdekshmëri i ka ardhur fundi dhe ata janë kthyer në botën e shpirtrave, ku janë caktuar në një vend sipas veprave të tyre me të drejtët ose të padrejtët, për të pritur atje ringjalljen.” (Joseph Fielding Smith, Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr. [1958], 2:85)
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, tha gjithashtu sa vijon rreth botës së shpirtrave:
“Nga shkrimet e shenjta ne dimë se pasi trupat tanë vdesin, ne vazhdojmë të jetojmë si shpirtra në botën e shpirtrave. Shkrimet e shenjta gjithashtu japin mësim se kjo botë e shpirtrave ndahet midis atyre që kanë qenë ‘të drejtë’ ose ‘të vërtetë’ gjatë jetës dhe atyre që kanë qenë të ligj. Ato gjithashtu përshkruajnë mënyrën se si disa shpirtra besnikë ua mësojnë ungjillin atyre që kanë qenë të ligj apo rebelë (shih 1 Pjetër 3:19; Doktrina e Besëlidhje 138:19–20, 29, 32, 37). Më e rëndësishmja, zbulesa bashkëkohore zbulon se puna e shpëtimit shkon përpara në botën e shpirtrave (shih Doktrina e Besëlidhje 138:30–34, 58) dhe, megjithëse ne nxitemi të mos e shtyjmë pendimin tonë gjatë vdekshmërisë (shih Alma 13:27), neve na mësohet se njëfarë pendimi është i mundur atje (shih Doktrina e Besëlidhje 138:58).” (“Ki Besim tek Zoti”, Liahona, nëntor 2019, f. 26–27)
Pjesa 2
Në ç’mënyrë të besuarit në Ringjallje mund të më sjellë mua shpresë?
Kur Alma dhe Amuleku iu dhanë mësim njerëzve në Amoniha, një avokat që quhej Zizrom, u përpoq të shtrembëronte fjalët e Amulekut dhe t’i minonte mësimet e tij rreth Jezu Krishtit. Si përgjigje, Amuleku dëshmoi guximshëm se Ringjallja dhe shpëtimi nga mëkati mund të vijnë vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit.
Duke dëshmuar për rëndësinë e Ringjalljes, Presidentja Suzan W. Taner, ish-Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, dha mësim:
“Këta trupa të shenjtë, për të cilët jemi shumë mirënjohës, vuajnë nga kufizime të natyrshme. Disa njerëz lindin me aftësi të kufizuara dhe disa vuajnë dhembjet e sëmundjes gjatë gjithë jetës së tyre. Të gjithë ne, ndërsa plakemi, ndiejmë që trupat tanë fillojnë gradualisht të humbin aftësitë. Kur kjo gjë ndodh, ne e presim me padurim ditën kur trupat tanë do të shërohen e do të jenë të shëndetshëm. Ne e presim me padurim Ringjalljen që Jezu Krishti bëri të mundur. … E di që nëpërmjet Krishtit ne mund të përjetojmë një plotësi të gëzimit që jepet vetëm kur shpirti dhe elementet lidhen në mënyrë të pandashme (shih DeB 93:33).” (“The Sanctity of the Body”, Liahona, nëntor 2005, f. 15, [“Shenjtëria e Trupit”, Konferenca e Përgjithshme Tetor 2005, f. 21].)
Pjesa 3
Çfarë mund të bëj që të jem i/e përgatitur më mirë për ta takuar Perëndinë?
Disa vite pasi dhanë mësim në Amoniha, Alma dhe Amuleku shkuan në një mision tjetër, këtë herë te zoramitët që ishin në gjendje braktisjeje. Alma dhe Amuleku filluan të kishin sukses midis pjesës më të përulur të popullit. Pasi u dhanë mësim njerëzve që të shikonin te Jezu Krishti dhe të besonin në fuqinë e Shlyerjes së Tij, Amuleku i ftoi ata që të përgatiteshin për të takuar Perëndinë.
Duke trajtuar rëndësinë e përgatitjes sot për të takuar Perëndinë, Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Ka një rrezik në fjalët ndonjë ditë kur ajo që do të thotë është ‘jo sot’. ‘Ndonjë ditë do të pendohem.’ ‘Ndonjë ditë do ta fal.’ …
Shkrimet e shenjta e tregojnë qartë rrezikun e shtyrjes. … Kjo ditë është një dhuratë e çmuar nga Perëndia. Mendimi se ‘Ndonjë ditë unë do të’ mund të jetë një vjedhës i mundësive të kohës dhe bekimeve të përjetësisë.” (“This Day”, Liahona, maj 2007, f. 89, [“Sot”, Konferenca e Përgjithshme Prill 2007, f. 109].)
Kur Alma i Riu u dha shërbesë njerëzve në tokën e Zarahemlës, ai bëri shumë pyetje që nxitnin meditim, për t’i ndihmuar ata që të merrnin parasysh se çfarë duhet të bënin për t’u përgatitur që të qëndronin në praninë e Perëndisë (shih Alma 5).