Instituti
Mësimi 5 Materiali i Mësuesit: Rënia e Adamit dhe Evës dhe Dhurata e Lirisë së Zgjedhjes


“Mësimi 5 Materiali i Mësuesit: Rënia e Adamit dhe Evës dhe Dhurata e Lirisë së Zgjedhjes”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 5 Materiali i Mësuesit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 5 Materiali i Mësuesit

Rënia e Adamit dhe Evës dhe Dhurata e Lirisë së Zgjedhjes

Profeti Lehi dha mësim se Rënia e Adamit dhe Evës bëri që të ndodhin qëllimet e përjetshme të Perëndisë për fëmijët e Tij (shih 2 Nefi 2:15–25). Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë të shpjegojnë se si Rënia e Adamit dhe Evës, liria e zgjedhjes dhe Shlyerja e Jezu Krishtit janë thelbësore për planin e Atit Qiellor për shëlbimin. Studentët do të marrin gjithashtu parasysh atë që mund të bëjnë për ta përdorur më mirë lirinë e tyre të zgjedhjes që të bëhen më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Sugjerime për Mësimdhënien

Lehi i jep mësim birit të tij, Jakobit, rreth pasojave të Rënies.

Vini në dukje se klasa po fillon një njësi të re rreth planit të Atit Qiellor për shëlbimin. Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se nga shumë emra që i janë vënë planit të Atit Qiellor, një nga emrat më të zakonshëm që përdoret në Librin e Mormonit është “plani i shëlbimit” (shih, për shembull, Jakobi [LiM] 6:8; Alma 12:30, 32–33; 34:31).

Paraqitni thënien vijuese dhe ftojini studentët ta vlerësojnë atë bazuar te mësimet e Librit të Mormonit: Rënia e Adamit dhe Evës ishte një gabim tragjik ose diçka rastësore që ishte në kundërshtim me planin e Perëndisë.

Pasi studentët të tregojnë idetë e tyre, paraqitni të vërtetën vijuese: Rënia e Adamit dhe Evës është një pjesë thelbësore e planit të Atit Qiellor për fëmijët e Tij.

Për ta thelluar kuptueshmërinë e studentëve për këtë të vërtetë, shkruani në tabelë thëniet e paplota vijuese (lini hapësirë të mjaftueshme midis fjalive):

Nëse Adami dhe Eva nuk do ta kishin ngrënë frutën, …

Për shkak se ata e hëngrën frutën, …

Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te 2 Nefi 2:19–25 dhe të përcaktojnë rezultatet ose pasojat e Rënies që mund t’i përdorin për të plotësuar secilën thënie. Kërkojuni studentëve ta raportojnë atë që gjetën. Renditini përgjigjet e tyre në tabelë nën secilën frazë.

Paraqitni dhe lexoni thënien vijuese nga Plaku Orson F. Uitni, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Orson F. Uitni

“Rënia e Adamit ishte një hap prapa, por ishte edhe një hap përpara – një hap në marshimin e përjetshëm të përparimit njerëzor.” (Në Conference Report, prill 1908, f. 90)

  • Në ç’mënyrë ishte Rënia edhe “një hap prapa” edhe “një hap përpara” në përparimin tonë shpirtëror? (Si pjesë e diskutimit tuaj, ju mund t’i ftoni studentët të shqyrtojnë thëniet nga Plaku Brus C. Heifën dhe Plaku Xhefri R. Holland, në pjesën 1 të materialit të përgatitjes dhe të tregojnë atë që u bëri më shumë përshtypje.)

  • Në ç’mënyrë të kuptuarit e Rënies ju ndihmon të kuptoni se edhe sfidat në vdekshmëri janë pjesë e planit të Atit Qiellor?

  • Në ç’mënyrë kushtet që erdhën si pasojë e Rënies, na lejojnë neve mundësinë për të përparuar shpirtërisht dhe për të pasur gëzim? (Shih 2 Nefi 2:25.)

Si pjesë të diskutimit tuaj, merrni parasysh të paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe të ftoni një student që ta lexojë atë me zë të lartë:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Është e qartë, Lehi e njihte kundërshtimin, ankthin, pikëllimin, dhembjen, zhgënjimin dhe keqardhjen. Prapëseprapë, ai shpalli me guxim dhe pa mëdyshje një parim siç iu zbulua nga Zoti: ‘Njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim’ [2 Nefi 2:25]. Merreni me mend! Mes gjithë fjalëve që ai mund të kishte përdorur për të përshkruar natyrën dhe qëllimin e jetës sonë këtu në vdekshmëri, ai zgjodhi fjalën gëzim!

Jeta është e mbushur me rrugë dredharake dhe pa krye, sprova dhe sfida të çdo lloji. Secili prej nesh ka gjasa të ketë pasur periudha kur fatkeqësia, vuajtja dhe dëshpërimi pothuajse na mposhtën. Dhe ne jemi këtu për të pasur gëzim?

Po! Përgjigjja është një po kumbuese!” (“Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 82)

Ftojini studentët të përcaktojnë në heshtje një sfidë të posaçme që hasin. Paraqitni pyetjen vijuese dhe u kërkoni studentëve të përsiatin për përgjigjen e tyre lidhur me këtë pyetje dhe të shënojnë mendimet e tyre. (Si të jetë e nevojshme, ftoni një ose dy studentë të tregojnë atë që shkruan. Kujtojuni studentëve se ata nuk duhet të tregojnë përvoja që janë tepër vetjake apo private.)

  • Në ç’mënyrë të kuptuarit e qëllimeve të Rënies më ndihmon mua ta shoh këtë përvojë si një mundësi për përparim shpirtëror dhe gëzim?

Lehi jep mësim se ne jemi të lirë të zgjedhim lirinë dhe jetën e përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit.

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “[Rënia] vuri në veprim dy dhurata të tjera nga Perëndia, të lidhura ngushtë, pothuajse po aq të çmuara sa vetë jeta – lirinë e zgjedhjes dhe përgjegjshmërinë” (“Constancy amid Change”, Ensign, nëntor 1993, f. 34).

  • Cilat janë disa nga kushtet që përcaktoi Lehi, të cilat e bëjnë të mundur lirinë e zgjedhjes dhe përgjegjshmërinë? (Nëse nevojitet, ftojini studentët të shqyrtojnë pjesën 2 të materialit të përgatitjes. Ju mund t’u kërkoni studentëve të shpjegojnë shkurtimisht arsyen se përse secili nga këto kushte është i nevojshëm që të ekzistojë liria e zgjedhjes.)

Lexoni së bashku te 2 Nefi 2:26–29, duke kërkuar mënyra të tjera se si liria jonë e zgjedhjes ndikohet nga Shlyerja e Shpëtimtarit dhe shëlbimi ynë prej Tij nga pasojat e Rënies. Parimet që mund të përcaktojnë studentët nga ky fragment, mund të përfshijnë atë që vijon: Flijimi shëlbues i Shpëtimtarit na lejon që të kemi lirinë për të zgjedhur jetën e përjetshme. Plani i Atit Qiellor mundëson kushtet e domosdoshme që ne të zgjedhim lirinë dhe jetën e përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit ose të zgjedhim robërinë dhe vdekjen nëpërmjet djallit.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Nxitini studentët që të ndërmarrin veprime të drejta. Plaku Dejvid A Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Besimi i vërtetë përqendrohet [në] dhe [te] Zoti Jezu Krisht dhe gjithnjë çon në veprim të drejtë” (“Kërkoni me Besim”, Liahona, maj 2008, f. 95). Ndërsa jepni mësim, jepuni studentëve mundësi kuptimplota për të përsiatur se si mund të veprojnë me besim dhe të vënë në zbatim atë që po mësojnë. Ndërsa i nxitni vazhdimisht studentët që të përsiatin dhe ta vënë në zbatim atë që po mësojnë, ju mund t’i ndihmoni ata që ta rritin aftësinë e tyre për të ndërmarrë veprime të drejta.

Merrni parasysh se cilat nga pyetjet vijuese mund t’i ndihmojnë studentët tuaj që ta kuptojnë më së miri lirinë e zgjedhjes dhe të vendosin vetë se çfarë veprimesh të drejta duhet të ndërmarrin në jetën e tyre. (Ju mund të zgjidhni një nga çiftet vijuese të pyetjeve dhe nxitini studentët t’i shënojnë mendimet dhe mbresat e tyre.)

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë që ne u bëmë “të lirë përgjithmonë … [që] të veproj[m]ë për veten … [tonë] dhe të mos detyrohe[mi] të veproj[m]ë me përjashtim të ndëshkimit nga ligji, në ditën e madhe dhe të fundit”? (2 Nefi 2:26.) Çfarë gjëje ndiheni të frymëzuar të bëni që të mund të ndërmerrni veprime të drejta sot?

  • Cilët janë disa shembuj të zgjedhjeve të thjeshta që i bëni çdo ditë, të cilat mund të kenë një ndikim afatgjatë? Çfarë lloj zgjedhjesh të përditshme do t’ju ndihmojnë të vini më afër Jezu Krishtit dhe jetës së përjetshme? Cilat janë disa nga zgjedhjet e tanishme që po bëni, të cilat mund të jenë duke jua penguar ose duke jua zvogëluar rritjen tuaj shpirtërore apo mundësitë tuaja?

  • Si ju ka lejuar Shlyerja e Jezu Krishtit që të mësoni nga gabimet tuaja? (Shqyrtoni thënien e Plakut Brus C. Heifën, në pjesën 3 të materialit të përgatitjes nëse nevojitet.) Çfarë është diçka që mund të mësoni nga një mëkat që keni kryer ose nga një gabim që keni bërë?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojeni cilindo student që do të dojë të japë mendimet ose dëshminë e vet, të veprojë në këtë mënyrë. Shpjegojuni studentëve se ata nuk duhet të tregojnë ndonjë gjë tepër vetjake ose të flasin për mëkate të posaçme që mund të kenë kryer. Nxitini studentët që të veprojnë sipas asaj që kanë shkruar dhe përsiatur sot. Dëshmoni për parimet që gjenden në mësim, dhe për dëshirën e Zotit që t’i ndihmojë studentët se si të orientohen për zgjedhjet e tyre në jetë.

Për Herën Tjetër

Vini në dukje se gjatë orës tjetër mësimore ne do të diskutojmë për Shlyerjen e Jezu Krishtit. Nxitini studentët ta studiojnë me kujdes materialin e përgatitjes dhe të përsiatin për arsyen përse Libri i Mormonit e përshkruan Shlyerjen e Jezu Krishtit si të pafundme dhe të përjetshme (shih 2 Nefi 9:7; Alma 34:10).