“Mësimi 25 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Lutja dhe Zbulesa Vetjake”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Mësimi 25 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Mësimi 25 Materiali i Përgatitjes së Klasës
Lutja dhe Zbulesa Vetjake
Jezu Krishti premtoi: “Kushdo që të lypë, merr; dhe ai që kërkon, gjen; dhe atij që do të trokasë, do t’i hapet” (3 Nefi 14:8). Presidenti Rasëll M. Nelson tha për këtë premtim: “Kjo ofertë e përjetshme për të marrë zbulesë personale [u] drejtohet të gjithë fëmijëve të Tij. Pothuaj tingëllon tepër e bukur për të qenë e vërtetë. Por është e vërtetë!” (“Lypni, Kërkoni, Trokisni”, Liahona, nëntor 2009, f. 81.) Ndërsa e studioni këtë material, merreni parasysh efektshmërinë e lutjeve tuaja dhe atë që mund të bëni për ta rritur aftësinë tuaj për të marrë zbulesë vetjake.
Pjesa 1
Çfarë mund të bëj që lutja të jetë një pjesë më kuptimplotë e jetës sime?
Kur Alma dhe Amuleku udhëhoqën një grup misionarësh për të rikthyer në besim zoramitët që braktisën fenë, ata u çuditën kur dëshmuan mënyrën se si adhuronin dhe luteshin zoramitët në sinagogat e tyre. Duke qëndruar në majën e një platforme që ata e quanin Rameumptom, individët recitonin me radhë një lutje të përcaktuar, duke shpallur se nuk do të kishte Krisht dhe se Perëndia i kishte zgjedhur ata që të shpëtoheshin. Pasi mbaronte shërbesa e adhurimit, zoramitët shkonin në shtëpi “pa folur më për Perëndinë e tyre” derisa ktheheshin javën e ardhshme. (Shih Alma 31:12–24.) Më vonë, Alma dhe Amuleku patën mundësi t’ia mësonin ungjillin, duke përfshirë kuptimin e vërtetë dhe qëllimin e lutjes, një grupi të përulur zoramitësh (shih Alma 32–34).
Pjesa 2
Çfarë mund të bëj që të marr zbulesë vetjake?
Nga fillimi i Librit të Mormonit, Nefi e mbajti shënim dëshirën e tij për ta kuptuar e për të pasur një dëshmi vetjake për ëndrrën e të atit rreth pemës së jetës dhe mësimeve të tjera të tij (shih 1 Nefi 10:17).
Teksa Nefi po përsiaste mësimet e Lehit, ai “u rrëmb[ye] në Shpirtin e Zotit” dhe pati një vegim të vetin (1 Nefi 11:1). Në këtë vegim, Nefi mori njohuri shtesë për ëndrrën e atit të tij rreth pemës së jetës, shërbesës së Shpëtimtarit në vdekshmëri, të ardhmes së pasardhësve të tij dhe Rivendosjes së ungjillit në ditët e fundit (shih 1 Nefi 11–14).
Pas kësaj përvoje zbulese, Nefi u kthye te çadra e atit të tij dhe i gjeti vëllezërit tek “po haheshin njëri me tjetrin në lidhje me gjërat që [Lehi] u kishte thënë atyre” (1 Nefi 15:2).
Më vonë në Librin e Mormonit, ne lexojmë rreth një avokati me emrin Zizrom i cili u përpoq t’i zhvleftësonte mësimet e Almës dhe Amulekut. Pasi Amuleku e kapi Zizromin në gënjeshtër, Zizromi u përul dhe filloi t’i bënte Almës pyetje të sinqerta rreth ungjillit. Alma i mësoi Zizromit që misteret e Perëndisë, ose zbulesa, mund t’i jepen vetëm atyre që janë të përulur dhe besnikë. (Shih tek Alma 11:21–13:31.)
Duke trajtuar atë që mund të bëjmë për ta rritur aftësinë tonë për të marrë zbulesë, Presidenti Nelson dha mësim:
“Gjeni një vend të qetë ku mund të shkoni rregullisht. Përuleni veten përpara Perëndisë. Hapjani zemrën Atit tuaj Qiellor. Drejtojuni Atij për përgjigje e ngushëllim.
Lutuni në emrin e Jezu Krishtit për shqetësimet tuaja, frikën tuaj, dobësitë tuaja – po, pikërisht dëshirat e zemrës suaj. Dhe më pas dëgjoni! Shkruajini mendimet që ju vijnë në mendje. Shënojini ndjenjat dhe pasojini me veprimet që nxiteni t’i bëni. Kur e përsëritni këtë proces ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti, ju do të ʻrriteni drejt parimit të zbulesësʼ [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 136]. …
Asgjë nuk i hap qiejt ashtu si ndërthurja e pastërtisë më të madhe, bindjes së përpiktë, kërkimit të zellshëm, ushqimit me bollëk me fjalët e Krishtit në Librin e Mormonit [shih 2 Nefi 32:3] dhe kohës së vazhdueshme, të zotuar për punën në tempull dhe punën e historisë familjare. …
… Ju lutem që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë.” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 95, 96.)