Instituti
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 27: Nxitja dhe Mbrojtja e Familjes si Njësia Themelore e Shoqërisë


“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 27: Nxitja dhe Mbrojtja e Familjes si Njësia Themelore e Shoqërisë”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 27”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

një familje duke ecur së bashku

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 27

Nxitja dhe Mbrojtja e Familjes si Njësia Themelore e Shoqërisë

Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Bota ka nevojë të dijë atë që jep mësim proklamata [për familjen], sepse familja është njësia bazë e shoqërisë, e ekonomisë, e kulturës sonë dhe e qeverisë sonë. Dhe siç e dinë shenjtorët e ditëve të mëvonshme, familja gjithashtu do të jetë njësia bazë në mbretërinë çelestiale” (“Ajo që Është më e Rëndësishme Është Ajo që Duron më Gjatë”, Liahona, nëntor 2005, f. 42). Teksa mendoni rreth rolit themelor që luan familja në shoqëri dhe përjetësi, merrni parasysh çfarë mund të bëni për ta nxitur dhe mbrojtur atë.

Pjesa 1

Çfarë ndikimesh po kontribuojnë në shpërbërjen e familjes?

Shumë faktorë po e dobësojnë familjen në shoqëritë bashkëkohore. Ngaqë Zoti do dhe dëshiron të na bekojë, Ai flet nëpërmjet profetëve për të na paralajmëruar për këto rreziqe si dhe të tjera. Profetët e ditëve të mëvonshme kanë paralajmëruar se “shpërbërja e familjes do të sjellë mbi individët, komunitetet dhe kombet fatkeqësitë e parashikuara nga profetët e lashtë dhe modernë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org).

Na rrethojnë prova të “shpërbërj[es së] familjes”. Për shembull, ne shohim:

  • rritjet në bashkëjetesë të njerëzve të pamartuar, në fëmijë të lindur jashtë martesës dhe në familjet me një prind të vetëm,

  • pakësimet në martesat dhe numrin e lindjeve,

  • përhapjen e abortit, shkurorëzimit, keqtrajtimit dhe mosfunksionimit në jetën familjare, dhe

  • politikat publike dhe mjetet shoqërore që e nënvlerësojnë familjen.

(Shih Bruce C. Hafen, “The Proclamation on the Family: Transcending the Cultural Confusion”, Ensign, gusht 2015, f. 54; Dallin H. Ouks, “Mbrojini Fëmijët”, Liahona, nëntor 2012, f. 43; “Divorci”, Liahona, maj 2007, f. 70; Julie B. Beck, “Teaching the Doctrine of the Family”, Ensign, mars 2011, f. 14.)

fotografi e grisur e një burri dhe një gruaje

Apostulli Pal paralajmëroi për rreziqe që do të ekzistonin në ditët e fundit.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te 2 Timoteut 3:1–6, 13 dhe përsiatni se si kushtet që përshkroi Pali, kontribuojnë në shpërbërjen e familjes. Gjithashtu merrni parasysh se si shpërbërja e familjes mund t’i përshpejtojë këto qëndrime në shoqëri. (Ju mund të doni të lexoni poshtëshënimet te shkrimi i shenjtë në anglisht ose t’i shihni në një fjalor fjalët e panjohura për ta thelluar të kuptuarit tuaj për këtë fragment.)

Plaku Brus D. Porter, që më parë ishte një I Shtatëdhjetë, diskutoi një arsye përse burrat dhe gratë janë bërë “egoistë” (2 Timoteut 3:2.):

Plaku Brus D. Porter

“Shpërbërja e miliona familjeve ka ndodhur pjesërisht ngaqë mjetet e shumëpërhapura të komunikimit dhe kultura e shumëpërhapur e kanë përlëvduar interesimin ndaj vetvetes: individin tërësisht të pavarur, të palidhur me detyrime shoqërore ose morale, i lirë për të ndjekur çfarëdo qëllimi që ai ose ajo zgjedh për aq kohë sa nuk shkakton dëmtim të drejtpërdrejtë fizik ndaj personave të tjerë të ngritur në madhështi.” (“Defending the Family in a Troubled World”, Ensign, qershor 2011, f. 15)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë efektesh mendoni se ka mbi shoqërinë shpërbërja e familjes? Çfarë shembujsh keni parë të këtyre efekteve?

Pjesa 2

Çfarë përgjegjësie kam për ta nxitur dhe mbrojtur familjen?

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve na kanë dhënë këtë porosi: “Ne u bëjmë thirrje qytetarëve dhe zyrtarëve të përgjegjshëm të qeverive kudo që janë të nxisin ato masa të krijuara për të ruajtur dhe forcuar familjen si njësia themelore e shoqërisë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”).

Ka shumë mënyra se si mund ta përmbushni këtë porosi profetike. Shqyrtojini disa nga idetë vijuese:

  • Punoni për ta forcuar vetë familjen tuaj.

  • Mësoni për problemet që e kërcënojnë familjen në vendin ku jetoni.

  • Përkrahni ose mbroni udhëheqës politikë, organizata dhe politika publike që nxitin familjen.

  • Përdorni mjetet shoqërore të komunikimit për të nxitur vlera pozitive për familjen.

  • Kërkoni mundësi për të përhapur mësimet e ungjillit dhe ndjenjat tuaja rreth familjes.

të rinj në moshë madhore duke biseduar

Rrethanat e familjes sonë nuk duhet të jenë të përsosura që ne të nxitim ose mbrojmë familjen. Zërat tanë janë të nevojshëm pavarësisht nga rrethanat tona familjare.

Ndërkohë që shërbente në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, Presidentja Boni L. Oskarson dha mësim:

Presidentja Boni L. Oskarson

“Ne duhet t’i mbrojmë me guxim doktrinat e zbuluara nga Zoti që përshkruajnë martesën, familjen, rolet hyjnore të burrave e grave dhe rëndësinë e shtëpive si vende të shenjta – madje edhe kur bota bërtet në veshët tanë se këto parime janë të vjetruara, kufizuese dhe nuk kanë më rëndësi. Çdonjëra, pavarësisht nga rrethana e saj martesore apo numri i fëmijëve, mund të jetë mbrojtëse e planit të Zotit të përshkruar në proklamatën mbi familjen.” (“Mbrojtëse të Proklamatës së Familjes”, Liahona, maj 2015, f. 15)

Mund të ketë raste kur ndieni frikë që ta nxitni ose mbroni familjen për shkak të kundërshtimit që mund të përjetoni. Merreni parasysh se si mund të merrni forcë nga veprimet e kapiten Moronit dhe nefitëve, të cilët plot guxim i bënë ballë agresionit lamanit “që të mbronin tokat e tyre dhe shtëpitë e tyre dhe bashkëshortet e tyre, dhe fëmijët e tyre” (Alma 43:9).

ikonë, veproni

Veproni

Bëni një plan të thjeshtë veprimesh që mund të ndërmerrni për ta nxitur ose mbrojtur më mirë familjen. Përgatituni që të tregoni të paktën një ide nga plani juaj në orën mësimore.

Pjesa 3

Si mund të kem më shumë besim te vetja kur u flas të tjerëve rreth mësimeve të Zotit për familjen?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, vuri në dukje se mësimet në proklamatën për familjen janë “qartësisht të ndryshme nga disa ligje, praktika dhe mbështetje të tanishme të botës në të cilën jetojmë” (“Plani dhe Proklamata”, Liahona, nëntor 2017, f. 29). Gjatë rrjedhës së jetës suaj, ju ndoshta do të diskutoni tema që lidhen me martesën dhe familjen me njerëz që kanë pikëpamje të ndryshme nga tuajat. Në raste të tilla, mos u bëni sherrxhinj (shih Doktrina e Besëlidhje 19:30). Përkundrazi, përpiquni fort të jeni mes “pasues[ve] paqësorë të Krishtit” (Moroni 7:3; shih edhe vargjet 4–5) dhe të “th[oni] të vërtetën me dashuri” (Efesianëve 4:15).

Shpëtimtari i flet një shkruesi

Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi rreth ndjekjes së shembullit të Jezu Krishtit në mënyrën se si ne u përgjigjemi individëve që mund t’i kundërshtojnë bindjet tona:

Plaku Robert D. Hejls

“Të reagosh në një mënyrë si e Krishtit, nuk mund të shkruhet apo bazohet te një formulë. Shpëtimtari reagoi ndryshe në çdo situatë. Kur Ai u përball nga i ligu mbreti Herod, Ai qëndroi i heshtur. Kur Ai qëndroi përpara Pilatit, Ai dha një dëshmi të thjeshtë dhe të fuqishme të hyjnisë dhe qëllimit të Tij. Kur u përball me këmbyesit e parave që po e ndotnin tempullin, Ai ushtroi përgjegjësinë e Tij hyjnore për ta ruajtur dhe mbrojtur atë që ishte e shenjtë. I ngritur në kryq, Ai shqiptoi përgjigjen e pakrahasueshme të krishterë: ‘Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë’ (Lluka 23:34).

Disa njerëz gabimisht mendojnë se përgjigje të tilla si heshtja, urtësia, falja dhe dhënia e një dëshmie të përulur janë të nënshtruara ose të dobëta. Por, të ‘[duam] armiqtë [tanë], [të bekojmë] ata që [na] mallkojnë, [t’u bëjmë] mirë atyre që [na] urrejnë dhe [të lutemi] për ata që [na] keqtrajtojnë dhe [na] përndjekin’ (Mateu 5:44) kërkon besim, forcë dhe mbi të gjitha kurajë të krishterë.” (“Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Liahona, nëntor 2008, f. 72)

e re në moshë madhore që po dëgjon

Merrni parasysh se si parimet vijuese mund t’ju ndihmojnë të flisni me të tjerët rreth martesës dhe familjes:

  • Ndiqeni Shpirtin. Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se çfarë të thoni dhe çfarë të mos thoni (shih Doktrina e Besëlidhje 100:5–6). Ndikimi i Tij gjithashtu mund t’ju ndihmojë të kontrolloni emocionet tuaja (shih Galatasve 5:22–23).

  • Përfshihuni në dëgjimin me vëmendje. Kushtojuni vëmendje të plotë të tjerëve kur ata po flasin. Përmbahuni që të mos i ndërpritni apo që të gjeni përgjigje në mendjen tuaj teksa flasin. Për t’u siguruar që e kuptoni atë që kanë thënë, ju mund të bëni pyetje qartësuese ose të përmblidhni atë që i keni dëgjuar të thonë.

  • Përpiquni të ndërtoni ura mirëkuptimi. Mos i lejoni ndryshimet tuaja që të hedhin hije mbi gjërat që i keni të përbashkëta. Teksa flisni, kërkoni terren të përbashkët dhe ndërtoni mbi të.

  • Përhapini mësimet e Zotit në një gjuhë të thjeshtë, të qartë dhe jodebatuese. Shmangini zhargonet që janë unike për anëtarët e Kishës (shih David A. Edwards, “Communication Breakdown”, New Era, tetor 2012, f. 32–33). Përkundrazi përdorni fjalë dhe fraza që janë të sakta, ushqejnë kuptueshmëri dhe nxitin vullnet të mirë. Mbajini përgjigjet të shkurtra. Lejojeni dashurinë të mbushë zemrën tuaj në mënyrë që toni juaj të jetë një ton dashamirësie.

  • Jepni një dëshmi të çiltër dhe të thjeshtë. Dëshmia juaj nuk ka nevojë të fillohet duke thënë: “Unë dëshmoj …”. Përkundrazi, ju mund të thoni gjëra si: “Jeta ime është bekuar ngaqë … ”, “Kam ndier … ” ose “Kjo është e rëndësishme për mua, sepse …”.

  • Kur nuk bini dakord, zgjidhni të mos bëheni të papajtueshëm. Qëndroni të qetë dhe plot respekt që të mund të ushqeni miqësi dhe të mos krijoni armiqësi. Ju mund ta shprehni që e respektoni këndvështrimin e personit tjetër, ndërkohë që gjithashtu e pranoni se ju të dy mund të mos bini dakord për një temë të caktuar. Mbajeni mend se çdo shpirt grindjeje do ta bëjë Frymën e Shenjtë të largohet (shih 3 Nefi 11:29).

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Cila është një mënyrë se si mund ta përmirësoni aftësinë tuaj për të pasur me njerëz të tjerë bashkëbisedime si të Krishtit rreth martesës dhe familjes?