Instituti
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 12: Kultivimi i Marrëdhënies Martesore


“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 12: Kultivimi i Marrëdhënies Martesore” Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 12”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

një bashkëshort dhe një bashkëshorte e lumtur

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 12

Kultivimi i Marrëdhënies Martesore

A keni parë ndonjëherë një çift me një martesë të fortë e të lumtur dhe të keni pyetur veten se cili është çelësi i suksesit të tyre? Presidenti Gordon B. Hinkli vërejti: “Një martesë e mirë do kohë. Do përpjekje. Duhet të punoni për të. Duhet ta kultivoni atë” (“Life’s Obligations”, Ensign, shkurt 1999, f. 4). Teksa e studioni doktrinën dhe parimet në këtë mësim, merreni parasysh atë që mund të bëni për ta përgatitur veten për një martesë të lumtur ose për ta kultivuar më mirë martesën që keni.

Pjesa 1

Si mund të ndërtoj unë dhe bashkëshorti/ja im/e një martesë të gëzueshme e të përjetshme?

Në një botë ku shumë martesa duket se janë në vështirësi ose mbarojnë me shkurorëzim, disa mund të pyetin veten a është vërtet e mundur lumturia martesore për ta. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ofroi mesazhin vijues të shpresës:

Plaku Xhefri R. Holland

“Më lejoni të deklaroj pa lënë vend për keqkuptime, absolutisht dhe vendosmërisht se, jo vetëm që ekziston diçka e tillë si martesa e lumtur, por martesat e lumtura janë rregulli, jo përjashtimi.

Motra Holland dhe unë jemi provë e gjallë që jo vetëm që mund të jeni të lumtur, por që mund të jeni të lumtur deri në mahnitje. …

Duhet të punoni për një martesë. Për çdo gjë të mirë që njoh në këtë botë, duhet të punosh.

Perëndia do t’ju ndihmojë. Mbi të gjitha gjërat në këtë botë për të cilat do t’ju ndihmojë, Ai do t’ju ndihmojë për martesat dhe familjet tuaja, sepse kjo është me rëndësi për Të po aq sa është për ju.” (“You Asked – They Answered: Marriage and Family”, New Era, gusht 2016, f. 3.)

një çift i kapur për dore në tempull

Lexojeni thënien vijuese nga Plaku L. Uitni Klejton, i cili shërbeu si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, rreth asaj që kontribuon në një martesë të lumtur dhe të përjetshme. Merreni parasysh t’i shenjoni parimet që gjeni.

Plaku L. Uitni Klejton

“Kam vërejtur se në martesat më të lumtura, si bashkëshorti edhe bashkëshortja e konsiderojnë marrëdhënien e tyre të jetë një margaritar me vlerë të madhe, një thesar me vlerë të pafundme. … Ata e dinë se asnjë marrëdhënie tjetër e çfarëdo lloji nuk mund të sjellë kaq shumë gëzim, të ofrojë kaq shumë të mira ose të prodhojë kaq shumë përmirësim vetjak. …

… Martesat e suksesshme [të përjetshme] ndërtohen mbi themelin e besimit në Zotin Jezu Krisht dhe bindjen ndaj mësimeve të Tij [shih “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). …

… Martesat e lumtura mbështeten te dhurata e pendimit. …

Përulësia është thelbi i pendimit. Përulësia është vetëmohuese, jo egoiste. … Përulësi do të thotë që si bashkëshortët edhe bashkëshortet kërkojnë ta bekojnë, ta ndihmojnë dhe ta lartësojnë njëri‑tjetrin, duke e vendosur tjetrin të parin në çdo vendim. …

… Martesat më të lumtura që unë kam parë, rrezatojnë bindje ndaj njërit prej urdhërimeve më të lumtura – që ne të ‘jeto[jmë] së bashku në dashuri’ [Doktrina e Besëlidhje 42:45].” (“Martesa: Shikoni dhe Mësoni”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 83, 84, 85.)

ikonë, diskutoni

Diskutoni në Përgatitje për Orën Mësimore

Mendoni për një çift që e njihni, që ka një martesë të lumtur. Komunikoni me ta dhe kërkojuni të tregojnë parimet që kanë qenë të rëndësishme në suksesin e tyre. Ndërsa flasin, mbajini shënim ato që mësoni dhe jini të përgatitur t’i tregoni gjatë orës mësimore. Nëse nuk mund të kontaktoni dikë, shihni materialin filmik “Expressions of Love” (3:26) dhe mbani vesh për të gjetur çelësat për një martesë të lumtur.

3:27

Pjesa 2

Si mund të më ndihmojë ndjekja e shembullit të Jezu Krishtit për ta kultivuar martesën time?

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim rreth rëndësisë së kultivimit të martesës:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Martesa sjell mundësi më të mëdha për lumturi sesa sjell çdo marrëdhënie tjetër njerëzore. Prapëseprapë, disa çifte të martuara nuk e arrijnë potencialin e tyre të plotë. Ata e lënë romancën e tyre të ndryshket, e marrin si të mirëqenë njëri‑tjetrin, i lejojnë interesat e tjera ose retë e shpërfilljes ta errësojnë pamjen e asaj çka martesa e tyre mund të jetë me të vërtetë. Martesat do të ishin më të lumtura nëse do të kultivoheshin me më shumë kujdes.” (“Nurturing Marriage”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 36.)

Mes udhëzimeve që Apostulli Pal u dha anëtarëve të Kishës në Efes ishin këshillat në lidhje me martesën.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni tek Efesianëve 5:25, 28–31 dhe mendoni rreth mënyrës se si ndjekja e shembullit të Jezu Krishtit mund ta ndihmojë një bashkëshort dhe bashkëshorte për ta kultivuar martesën e tyre.

Jezusi Duke u Larë Këmbët Apostujve, nga Del Parson

Ndjekja e shembullit të Shpëtimtarit mund ta ndihmojë një bashkëshort dhe një bashkëshorte të përmbushin “përgjegjësi[në] solemne të duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). Disa përpjekje për ta kultivuar një martesë mund të jenë të mëdha, por disa nga gjestet më të efektshme dhe kuptimplote janë “të vogla dhe të thjeshta” (Alma 37:6). Sikurse dha mësim Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë në Presidencën e Parë: “Martesa të mrekullueshme ndërtohen gur pas guri, ditë pas dite, përgjatë një jete të tërë” (“Në Lavdërim të Atyre që Shpëtojnë”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 78).

Presidentja Linda K. Barton, ish‑Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha disa pyetje të thjeshta që mund t’i përdorim për të vlerësuar përpjekjet tona se si t’i kultivojmë martesat tona:

Presidentja Linda K. Barton

“Me pak përshtatje, këto pyetje mund të gjejnë zbatim për shumë prej nesh, qoftë nëse jemi të martuar ose beqarë, sido që mund të jetë situata jonë familjare.

  1. Kur ishte hera e fundit që unë e lavdërova me sinqeritet shokun/shoqen tim/e, qoftë vetëm ose në prani të fëmijëve tanë?

  2. Kur ishte hera e fundit që e falënderova, i shpreha dashuri ose u përgjërova zellshëm me besim për të në lutje?

  3. Kur ishte hera e fundit që e ndalova veten nga të thënit e diçkaje që e dija se mund të ishte lënduese?

  4. Kur ishte hera e fundit që u shfajësova dhe kërkova falje me përulësi – pa shtuar fjalët ‘por vetëm sikur të kishe’ ose ‘por vetëm sikur të mos kishe’?

  5. Kur ishte hera e fundit që zgjodha të jem i/e lumtur në vend që të kërkoja të kisha ‘të drejtë’? …

A do të bashkoheni me mua për të kërkuar ndihmën e Frymës së Shenjtë që të na mësojë se si mund ta ngremë më mirë njëri-tjetrin në rolet tona plotësuese si bijë dhe bija të besëlidhjes të prindërve tanë të dashur qiellorë?” (“Ne do të Lartësohemi së Bashku”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 31–32.)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Mendoni për një shembull ose mësim specifik nga jeta e Shpëtimtarit që mund ta ndihmojë dikë të përgatitet për martesën ose për të kultivuar martesën e vet.

Pjesa 3

Si të kapem pas bashkëshortit tim ose bashkëshortes sime?

Në një zbulesë të dhënë në vitin 1831, Zoti dha disa ligje të përgjithshme sjelljeje për anëtarët e Kishës. Përfshirë në këtë ishte urdhri: “Duaje bashkëshorten tënde me gjithë zemër dhe do të kapesh pas saj e pas askujt tjetër” (Doktrina e Besëlidhje 42:22; shih edhe Zanafilla 2:24; Mateu 19:5).

Në shkrimet e shenjta, fjala kapuni do të thotë të puqesh, të rrokesh, të ngjitesh, të lidhesh ose të bashkohesh. “Sipas përkufizimit në shkrimet e shenjta, atëherë, ne zbulojmë se Perëndia pret që ne të ‘puqemi’ pas bashkëshortit/es ose të ‘ngjitemi’ pas tij ose saj” (Matthew O. Richardson, “Three Principles of Marriage”, Ensign, prill 2005, f. 22).

Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim sa vijon rreth frazës “askujt tjetër” (Doktrina e Besëlidhje 42:22):

Presidenti Spenser W. Kimball

“Fjalët askujt tjetër përjashtojnë gjithkënd dhe gjithçka. Bashkëshorti/ja atëherë bëhet i/e spikatur në jetën e bashkëshortes apo bashkëshortit dhe as jeta shoqërore, as jeta profesionale, as jeta politike dhe as ndonjë interes, njeri apo gjë tjetër nuk do të marrë asnjëherë përparësi ndaj bashkëshortit/es shoqërues/e.” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 250.)

Plaku Klejton shpjegoi se si gjen zbatim kapja pas bashkëshortit/es ndërsa përdorim mediat shoqërore:

Plaku L. Uitni Klejton

“Profetët japin mësim se partnerët e suksesshëm në martesë janë ‘fortësisht besnikë’ ndaj njëri-tjetrit [shih Tomas S. Monson, “Fuqia e Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2011 f. 68; Gordon B. Hinckley, “Life’s Obligations”, f. 4]. Ata sigurohen që të qëndrojnë të denjë në çfarëdo mënyre ndërsa përdorin mediat sociale. Nuk i lejojnë vetes asnjë përvojë të fshehtë interneti. Ndajnë lirisht me njëri-tjetrin fjalëkalimet e rrjeteve të tyre sociale. Nuk shohin profilet virtuale të ndokujt në ndonjë mënyrë që mund të tradhtojë mirëbesimin e shenjtë të bashkëshortit apo bashkëshortes së tyre. Kurrë nuk bëjnë ose thonë ndonjë gjë që i afrohet dukjes së sjelljes së pahijshme, gojarisht ose fizikisht.” (“Martesa: Shikoni dhe Mësoni”, f. 84.)

një çift i ri duke ecur së bashku

Në lidhje me rëndësinë që ka ta bëni bashkëshortin/en tuaj përparësinë tuaj më të lartë, Presidenti Nelson dha mësim sa vijon te një sesion priftërie në konferencën e përgjithshme. Ndonëse kjo këshillë iu drejtua bashkëshortëve, ajo gjen zbatim në mënyrë të barasvlershme për të dy, bashkëshortin dhe bashkëshorten.

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Ta doni dhe të kujdeseni për bashkëshorten tuaj. Bëhuni një me të. Bëhuni partneri i saj. … Asnjë interes tjetër në jetë nuk duhet të ketë përparësi më të madhe se ndërtimi i një marrëdhënieje të përjetshme me të. Asgjë në televizor, në celular apo kompjuter nuk është më e rëndësishme sesa mirëqenia e saj. Bëni një inventar të mënyrës se si e shpenzoni kohën tuaj dhe cilave gjëra ua përkushtoni energjinë tuaj. Ajo do t’ju tregojë se ku është zemra juaj. Lutuni që zemra juaj të jetë në harmoni me zemrën e bashkëshortes suaj. Përpiquni t’i sillni asaj gëzim.” (“Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 68.)

ikonë, veproni

Veproni

Ndiqeni ftesën e Presidentit Nelson për të “bë[rë] një inventar të mënyrës se si e shpenzoni kohën tuaj dhe cilave gjëra ua përkushtoni energjinë tuaj” (“Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, f. 68). Çfarë përshtatjesh nevojitet të bëni tani që të jeni të përgatitur më mirë për t’u kapur pas bashkëshortit ose bashkëshortes tuaj të ardhshme, apo për t’u kapur më plotësisht pas bashkëshortit/es tuaj/suaj nëse jeni të martuar? Shënoni një plan ose synim për të cilin mund të punoni këtë javë.