“Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore për Mësimin 5: Përvoja Jonë në Vdekshmëri dhe Dhurata e një Trupi Fizik”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore për Mësimin 5”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore për Mësimin 5
Përvoja Jonë në Vdekshmëri dhe Dhurata e një Trupi Fizik
A jeni mahnitur ndonjëherë nga mrekullia e trupit tuaj fizik dhe gjithçka që mund të bëjë ai? Nga ana tjetër, a ka pasur raste kur jeni ndier të acaruar nga sfidat që përjetoni për shkak të trupit tuaj? Teksa studioni, merreni parasysh mënyrën se si trupat tanë fizikë janë të lidhur me qëllimin e përvojës sonë në vdekshmëri në planin e Perëndisë për lumturinë.
Pjesa 1
Në ç’mënyrë trupi im fizik është thelbësor për përparimin tim të përjetshëm?
Trupat tanë fizikë janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë (shih Zanafilla 1:26–27). Presidenti Dallin H. Ouks i Presidencës së Parë shpjegoi: “Qëllimi i jetës në vdekshmëri dhe i rritjes në jetën pas vdekshmërisë që mund ta pasojë atë, është që pasardhësit e Perëndisë të bëhen siç është Ai” (“Plani i Madh”, Liahona, maj 2020, f. 94).
Pra, çfarë kemi nevojë të përjetojmë në jetën në vdekshmëri për t’u bërë si Perëndia? Dy elemente të rëndësishme përmenden në thënien vijuese nga proklamata mbi familjen: “Në mbretërinë paratokësore, [ne] … e pranua[m] planin e Tij, me anë të të cilit fëmijët e Tij mund të merrnin një trup fizik, mund të fitonin përvojë tokësore për të përparuar drejt përsosjes” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org).
Shiheni materialin filmik “God’s Greatest Creation” (2:51) dhe merreni parasysh mrekullinë që është trupi juaj fizik dhe disa nga qëllimet e tij të shenjta.
Në një zbulesë rreth jetës paratokësore, Abrahamit iu tregua Këshilli në Qiell (shih Abraham 3:22–28). Në atë kohë, ai mësoi një të vërtetë të rëndësishme rreth jetës sonë në vdekshmëri.
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth mënyrës se si pasja e një trupi fizik është pjesë e të provuarit ose vënies sonë në provë, në vdekshmëri:
Nëse, atëherë, në udhën e ekzistencës sonë tokësore, ne zgjidhnim të “bënim të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia ynë, do të na urdhëronte” [Abraham 3:25], ne do ta kishim ruajtur “gjendjen tonë të dytë” [Abraham 3:26]. Kjo do të thotë që, nëpërmjet zgjedhjeve tona, ne do t’i tregonim Perëndisë (dhe vetes sonë) zotimin dhe aftësinë tonë për ta jetuar ligjin e Tij çelestial, ndërkohë që ishim jashtë pranisë së Tij dhe në një trup fizik me të gjitha fuqitë, orekset dhe pasionet e tij. A mund ta frenonim mishin me qëllim që të bëhej një mjet, në vend që të bëhej zotëruesi i shpirtit? A mund të na mirëbesoheshin, si në kohë ashtu edhe në përjetësi, fuqitë e perëndishme, përfshirë fuqinë e krijimit të jetës? A do ta mposhtnim ne si individë ligësinë? Ata që e bënin, do të “[kishin] lavdi të shtuar mbi kokat e tyre përherë e përgjithmonë” [Abraham 3:26] – një aspekt shumë i rëndësishëm i asaj lavdie do të ishte një trup fizik i ringjallur, i pavdekshëm dhe i përlëvduar. S’është çudi që ne “lëshuam britma gëzimi” për këto mundësi dhe premtime të mrekullueshme [Jobit 38:7]. (“Përse Martesa, Përse Familja”, Liahona, maj 2015, f. 51)
Për shkak të Jezu Krishtit, një ditë ne mund të marrim një trup të pavdekshëm, të përsosur si ai që ka Ati ynë në Qiell (shih Doktrina e Besëlidhje 130:22). Ky është i vetmi lloj trupi në të cilin mund të “marrim një plotësi të gëzimit” (Doktrina e Besëlidhje 93:33–34; 138:17). Profeti Jozef Smith gjithashtu dha mësim se lumturia e vërtetë përfshin pasjen e një trupi fizik:
Ne erdhëm në këtë botë që të mund të kemi një trup dhe ta paraqesim atë të dëlirë përpara Perëndisë në mbretërinë çelestiale. Parimi i madh i lumturisë qëndron në pasjen e një trupi. Djalli nuk ka trup, dhe ky është dënimi i tij. (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 221)
Sikurse u vu në dukje më herët në thënien e lexuar nga proklamata mbi familjen, marrja e përvojës tokësore është gjithashtu e rëndësishme në përparimin drejt përsosjes dhe bërjes si Perëndia. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si trupat tanë fizikë e përforcojnë përvojën tonë në vdekshmëri:
Trupat tanë fizikë bëjnë të mundur një llojshmëri, thellësi dhe fuqi përvoje që thjesht nuk mund të fitohet në ekzistencën tonë para lindjes. Kështu, marrëdhëniet tona me njerëz të tjerë, zotësia jonë për të njohur dhe vepruar në përputhje me të vërtetën dhe aftësia jonë për t’iu bindur parimeve e ordinancave të ungjillit të Jezu Krishtit, përforcohen nëpërmjet trupave tanë fizikë. Në shkollën e vdekshmërisë, ne përjetojmë dhembshuri, dashuri, mirësi, lumturi, hidhërim, zhgënjim, dhembje dhe madje sfidat e kufizimeve trupore në mënyra që na përgatisin për përjetësinë. E thënë thjesht, ka mësime që duhet t’i mësojmë dhe përvoja që duhet t’i kemi, siç i përshkruajnë shkrimet e shenjta, “sipas mishit” (1 Nefi 19:6; Alma 7:12–13). (“Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Liahona, maj 2013, f. 41)
Pjesa 2
Përse është e vështirë t’i zotëroj disa nga dëshirat dhe orekset e mia fizike?
Ati ynë Qiellor ka vënë orekse të caktuara në trupat tanë për të siguruar vazhdimësinë e jetës dhe për të ndihmuar të përmbushet plani i Tij. Pjesa e vënies sonë në provë në vdekshmëri “është të vendosim a mund të zotërohen orekset e trupit [tonë] nga shpirti që banon në të” (Russell M. Nelson, “Your Body: A Magnificent Gift to Cherish”, New Era, gusht 2019, f. 5).
Secili prej nesh ndikohet nga njeriu i natyrshëm. (Vini në dukje se njeri i natyrshëm është një term që u referohet edhe burrave, edhe grave.) Kjo është pjesa e vdekshme e qenies sonë e cila lejon që orekset tona fizike dhe dëshirat tona tokësore të dalin jashtë kontrollit dhe t’i mposhtin dëshirat dhe përpjekjet tona për t’u bërë si Perëndia (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Njeri i Natyrshëm”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Plaku Bednar e shtoi më tej kuptueshmërinë tonë për njeriun e natyrshëm kur dha mësim:
Në njëfarë shkalle, njeriu i natyrshëm, … është gjallë dhe mirë brenda çdonjërit prej nesh (shih Mosia 3:19). Burri apo gruaja e natyrshme është i/e papenduar, është prej mishi dhe epshor/e (shih Mosia 16:5; Alma 42:10; Moisiu 5:13), është tolerues/e dhe i/e ekzagjeruar, dhe është krenar/e dhe egoist/e. …
Si bij dhe bija të Perëndisë, ne kemi trashëguar aftësi hyjnore prej Tij. Por tani ne jetojmë në një botë të rënë. Vetë elementet me të cilat trupat tanë u krijuan, janë për nga natyra të rëna dhe gjithmonë të ndjeshëm ndaj ndikimit të mëkatit, korrupsionit dhe vdekjes. Si rrjedhojë, Rënia e Adamit dhe pasojat e saj shpirtërore dhe trupore na prekin më drejtpërdrejt te trupat tanë fizikë. (“Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, f. 42–43)
Pjesa 3
Si mund të më ndihmojë Jezu Krishti që ta mposht njeriun e natyrshëm?
Gjatë predikimit të mbretit Beniamin për popullin e tij, ai tregoi se çfarë i tha një engjëll rreth shërbesës dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit (shih Mosia 3:5–19).
Lexojini thëniet vijuese nga Plaku Bednar dhe Peshkopi Zherald Kosé i Peshkopatës Kryesuese dhe merreni parasysh se si mund t’ju ndihmojë Jezu Krishti që ta mposhtni njeriun e natyrshëm dhe të bëheni më shumë si Ai:
Çdo oreks, dëshirë, prirje dhe shtysë e njeriut të natyrshëm mund të mposhtet nga Shlyerja e Jezu Krishtit dhe nëpërmjet saj. Jemi këtu në tokë për të zhvilluar cilësi të perëndishme dhe për t’i frenuar të gjitha pasionet e mishit. (“Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, f. 43)
Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti jo vetëm që na i pastron mëkatet, por Ai na siguron edhe fuqinë aftësuese nëpërmjet së cilës dishepujt e Tij mund të “zhvesh[in] njeriun e natyrshëm” [Mosia 3:19], të përparojnë “rresht pas rreshti” [2 Nefi 28:30], dhe të rriten në shenjtëri, që një ditë ata të mund të bëhen qenie të përkryera sipas imazhit të Krishtit [shih Moroni 10:32–33], të kualifikuar për të jetuar sërish me Perëndinë dhe të trashëgojnë të gjitha bekimet e mbretërisë së qiellit. (“Një Dëshmitar i Gjallë i Krishtit të Gjallë”, Liahona, maj 2020, f. 40)