“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 15: Urdhërimi për t’u Shumuar dhe për të Mbushur Tokën”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 15”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 15
Urdhërimi për t’u Shumuar dhe për të Mbushur Tokën
Çfarë shpresash ose shqetësimesh keni rreth pasjes së fëmijëve? Ndërsa e studioni materialin në vijim, lutuni që ta thelloni kuptueshmërinë tuaj për qëllimet e shenjta që përmbushen në planin e Atit Qiellor kur bashkëshortët dhe bashkëshortet zgjedhin të kenë fëmijë. Merreni parasysh se si një bashkëshort dhe bashkëshorte mund të veprojnë me besim për të respektuar urdhërimin hyjnor për t’u shumuar e për ta mbushur tokën.
Pjesa 1
Çfarë roli luan pasja e fëmijëve në planin e Atit Qiellor për shpëtimin?
Mendoni për opinione të ndryshme që keni dëgjuar të shprehen nga njerëzit rreth pasjes së fëmijëve. Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi për këndvështrimin e një nëne:
“Shumë zëra në botë sot e zhvleftësojnë rëndësinë e [pasjes së fëmijëve] ose sugjerojnë vonimin ose kufizimin e fëmijëve në familje. Vajzat e mia kohët e fundit, më treguan një koment në internet të shkruar nga një nënë e krishterë (jo e besimit tonë) me pesë fëmijë. Ajo komentoi: ‘[E rritur] në këtë kulturë, është shumë e vështirë të kesh një këndvështrim biblik mbi mëmësinë. … Fëmijët renditen shumë më poshtë për nga rëndësia sesa studimi në kolegj. Më poshtë se udhëtimi nëpër botë sigurisht. Më poshtë se mundësia për të dalë natën për të kaluar kohën. Më poshtë përmirësimit të trupit tuaj në palestër. Më poshtë çfarëdo pune që mund të keni apo shpresoni ta fitoni.” Ajo pastaj shton: “Mëmësia nuk është një hobi, ajo është një thirrje. [Fëmijët nuk koleksionohen sepse ju duken më të lezetshëm se pullat.] [Nuk është një nga ato gjëra për të bërë, që t’i ngjeshni brenda kohës suaj të zënë]. Është [gjëja] për të cilën Perëndia ju dha kohë” [Rachel Jankovic, “Motherhood Is a Calling (and Where Your Children Rank)”, 14 korrik 2011, desiringgod.org]. (“Fëmijët”, Liahona, nëntor 2011, f. 28).
Pasi Perëndia krijoi Adamin dhe Evën dhe i bashkoi ata në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës, Ai u dha atyre një urdhërim.
Profetët e ditëve të mëvonshme kanë theksuar: “Urdhërimi i parë që Perëndia i dha Adamit dhe Evës, ishte rreth potencialit të tyre si burrë e grua për të qenë prindër. Ne deklarojmë se urdhërimi i Perëndisë për fëmijët e Tij që të shumohen dhe të mbushin tokën, mbetet i vlefshëm” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org).
Mendoni rreth arsyes përse ky urdhërim kishte nevojë të ripohohej në kohën tonë. Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim se “kundërshtimi më i madh i Satanit drejtohet ndaj çdo gjëje që është më e rëndësishmja për planin e Perëndisë”. Ky kundërshtim përfshin përpjekjen që të “shkurajojë lindjen e fëmijëve – veçanërisht nga prindërit që do t’i rritin fëmijët me të vërtetën” (“E Vërteta dhe Plani”, Liahona, nëntor 2018, f. 27).
Ungjilli i Jezu Krishtit na bekon me një këndvështrim hyjnor mbi rëndësinë e fëmijëve (shih, për shembull, Psalmeve 127:3 dhe Mateu 19:13–15). Plaku Andersen dha mësim:
“Është një privilegj [kurorëzues] i një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje që janë në gjendje të lindin fëmijë, për të dhënë trupa të vdekshëm për këta fëmijë shpirtra të Perëndisë. …
Kur një bashkëshorti dhe një bashkëshorteje u lind një fëmijë, ata po plotësojnë një pjesë të planit të Atit tonë Qiellor për të sjellë fëmijë në tokë. Zoti tha: ‘Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut’ [Moisiu 1:39]. Përpara pavdekësisë duhet të ketë vdekshmëri. (“Fëmijët”, f. 28)
Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se pasja e fëmijëve është pjesë e qëllimit të vdekshmërisë:
“Qëllimi i vdekshmërisë është të bëhemi më tepër si Perëndia duke marrë trupa fizikë, duke ushtruar lirinë e zgjedhjes dhe duke marrë përsipër role që më parë u përkisnin vetëm prindërve qiellorë – rolet e bashkëshortit, bashkëshortes dhe prindit. …
… [Një] qëllim thelbësor i jetës në vdekshmëri është që ne të mund ta përsëritim atë përvojë familjare vetë, [vetëm se] këtë herë si prindër në vend që të jemi vetëm fëmijë. …
Ati Qiellor do që ne … t’i bindemi urdhërimit të Tij të parë për t’u ‘shumëz[uar e] mbush[ur] tokën’ – jo vetëm për ta përmbushur planin e Tij, por edhe për të gjetur gëzimin, të cilin plani i Tij u hartua t’ua japë bijve e bijave të Tij. (“Mundësitë dhe Përgjegjësitë e Mësuesve të SAK-ut në Shekullin e 21-të” [mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm, 26 shkurt 2016], ChurchofJesusChrist.org).
Pjesa 2
Si mund të vendosim unë dhe bashkëshorti/ja se kur të kemi fëmijë dhe sa fëmijë të kemi?
Çiftet e martuara përballen me pyetje të rëndësishme lidhur me atë se kur duhet të kenë dhe sa fëmijë të kenë.
Plaku Andersen foli mbi rëndësinë e këshillimit me Zotin për marrjen e këtyre vendimeve:
“Kur ta kesh një fëmijë dhe sa fëmijë të kesh, janë vendime personale që merren midis një bashkëshorti e bashkëshorte[je] dhe Zotit. Këto janë vendime të shenjta – vendime që duhet të merren me lutje të sinqertë dhe të veprohet me besim të madh. …
Vëllezër dhe motra, ne nuk duhet të jemi gjykues me njëri‑tjetrin në këtë përgjegjësi të shenjtë dhe private. (“Fëmijët”, f. 28, 30)
Disa njerëz që dëshirojnë me të drejtë të kenë fëmijë, mund të mos e kenë mundësinë në këtë jetë. Lidhur me këtë, Plaku Andersen dha mësim:
“Lindja e fëmijëve mund të jetë … një temë zemërndrydhëse për çifte të drejtë që martohen dhe shohin se nuk mund të kenë fëmijët, që ata i prisnin me aq ankth, ose për një bashkëshort dhe një bashkëshorte, që planifikojnë të kenë një familje të madhe, por janë bekuar me një familje më të vogël.
Ne nuk mund t’i shpjegojmë gjithmonë vështirësitë e vdekshmërisë sonë. Ndonjëherë jeta duket shumë e padrejtë – veçanërisht kur dëshira jonë më e madhe është të bëjmë saktësisht atë që Zoti ka urdhëruar. Si shërbëtor i Zotit unë ju siguroj ju se ky premtim është i sigurt: ‘Anëtarët besnikë, rrethanat e të cilëve nuk i lejojnë ata të marrin bekimet e martesës së përjetshme dhe të prindëri[mit] në këtë jetë, do të marrin të gjitha bekimet e premtuara në përjetësitë, [kur] ata t’i mbajnë besëlidhjet që kanë bërë me Perëndinë” [Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 38.1.4, ChurchofJesusChrist.org]. (“Fëmijët”, f. 30)
Pjesa 3
Si mund të ndikojë në zgjedhjet tona të kuptuarit e shenjtërisë së jetës në planin e Perëndisë?
Nëpërmjet profetëve të gjallë, Zoti ka theksuar shenjtërinë e jetës njerëzore dhe atë që të gjithë fëmijët, përfshirë ata që nuk kanë lindur, kanë të drejtë të kenë:
“Ne pohojmë shenjtërinë e jetës dhe rëndësinë e saj në planin e përjetshëm të Perëndisë. …
… Fëmijët kanë të drejtën të linden nga prindër brenda lidhjeve të martesës dhe të rriten nga një atë dhe një nënë të cilët i nderojnë me besnikëri të plotë besëlidhjet e martesës.” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”)
Në lidhje me shenjtërinë e jetës, Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Askush nuk mund të mbajë në krahë një foshnjë të pafajshme, të shohë ata sy të mrekullueshëm, të ndiejë gishtat e vegjël dhe të puthë atë faqe të bebes pa një nderim të thelluar për jetën dhe për Krijuesin tonë. Jeta vjen nga jeta. Nuk është rastësi. Është një dhuratë nga Perëndia. (“Abortion: An Assault on the Defenseless”, Ensign, tetor 2008, f. 37)
Deklaratat në proklamatën e familjes flasin kundër praktikave të ndryshme të pranuara gjerësisht sot, të tilla si aborti dhe lindja e fëmijëve jashtë martesës. Në lidhje me abortin, në shumë pjesë të botës, kjo praktikë konsiderohet e pranueshme dhe çdo vit kryhen miliona aborte.
Udhëheqësit e Kishës kanë dhënë udhëzimin vijues për abortin:
“Zoti urdhëroi: ‘Mos vrit, as mos bëj diçka të ngjashme’ (Doktrina e Besëlidhje 59:6). Kisha është kundër abortit me dëshirë, për voli vetjake ose shoqërore. Anëtarët nuk duhet t’i nënshtrohen, të kryejnë, organizojnë për kryerjen, të paguajnë, të japin pëlqimin ose të nxitin një abort. Të vetmet përjashtime të mundshme janë kur:
Shtatzënësia ndodhi si pasojë e një përdhunimi me forcë ose incesti.
Një mjek kompetent përcakton që jeta ose shëndeti i nënës është në rrezik të rëndë.
Një mjek kompetent përcakton se fetusi ka defekte të rënda që nuk do ta lejojnë foshnjën të jetojë pas lindjes.
Edhe këto përjashtime nuk e justifikojnë abortin automatikisht. Aborti është një çështje shumë e rëndë dhe duhet të merret në konsideratë vetëm pasi njerëzit përgjegjës të jenë këshilluar me peshkopët e tyre dhe të kenë marrë miratim hyjnor nëpërmjet lutjes.” (Manuali i Përgjithshëm, 38.6.1)
Disa prindër të pamartuar zgjedhin abortin sepse nuk ndihen të aftë për t’i siguruar fëmijës së tyre “marrëdhënien e sigurt, edukuese dhe të qëndrueshme” që ai ose ajo ka nevojë. Në këto rrethana, birësimi mund të jetë “një vendim vetëmohues e i dashur që bekon fëmijën, prindërit biologjikë dhe prindërit birësues në këtë jetë dhe gjatë gjithë përjetësive” (Deklaratë e Presidencës së Parë, 4 tetor 2006, siç citohet në Ensign, tetor 2008, f. 37).