Instituti
Hyrje te Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (Feja 250)


“Hyrje te Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (Feja 250)”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Hyrje”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Hyrje te Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (Feja 250)

Mirësevini te manuali “Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm”! Presidenti Rasëll M. Nelson deklaroi: “Nuk ka pasur kurrë një kohë në historinë e botës kur njohuria për Shpëtimtarin tonë të ishte më jetike personalisht dhe më me vend për çdo shpirt njerëzor” (“E Vërtetë e Kulluar, Doktrinë e Kulluar dhe Zbulesë e Kulluar”, Liahona, nëntor 2021, f. 6). Ky kurs do t’u sigurojë studentëve tuaj një mundësi të jashtëzakonshme për ta rritur besimin e tyre te Jezu Krishti, për ta thelluar kuptueshmërinë e tyre për ungjillin e Tij të përjetshëm dhe për ta rritur sigurinë e tyre te vetja për ta përdorur fuqinë dhe Shlyerjen e Tij në jetën e tyre individuale.

Cilat janë synimet e këtij kursi?

Objektivi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë “është të ndihmoj[ë] rininë dhe të rinjtë në moshë madhore që t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, të kualifikohen për bekimet e tempullit, si dhe të përgatiten vetë, të përgati[t]in familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell” (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], f. x).

Ky kurs është hartuar për t’ju ndihmuar ju dhe studentët tuaj ta përmbushni këtë objektiv me anë të

  • angazhimit në përvojat e të mësuarit që e shtojnë besimin te Jezu Krishti dhe te fuqia e Tij për t’ju forcuar, pastruar dhe përsosur nëpërmjet Shlyerjes së Tij;

  • rritjes së aftësisë suaj për të marrë zbulesë;

  • përcaktimit, shpjegimit dhe dhënies së dëshmisë për rolet hyjnore që përmbush Jezu Krishti në planin e Atit Qiellor për shëlbimin;

  • forcimit të zotimit për të qenë dishepuj besnikë të Jezu Krishtit duke i zbatuar urdhërimet e Tij dhe duke e nderuar marrëdhënien tuaj besëlidhëse me Të, si dhe

  • thellimit të dashurisë suaj për Shpëtimtarin dhe kërkimit të mënyrave për të treguar mirënjohje ndaj Tij dhe Atit tuaj Qiellor.

Çfarë strukture ka ky kurs?

Ky kurs është ndarë në gjashtë njësi me 28 mësime. Çdo njësi trajton një aspekt të rëndësishëm të misionit të Zotit në jetën para lindjes, në vdekshmëri ose pas vdekjes.

Çdo mësim është hartuar për një orë mësimore 50‑minutëshe. Për orët mësimore prej 90 minutash që bëhen një herë në javë, mësuesit mund të ndërthurin dy mësime, duke qenë se mësimet brenda çdo njësie janë të lidhura ngushtë me temën e njësisë.

Secili mësim përbëhet nga materiali i përgatitjes për orën mësimore dhe materiali i mësuesit. Këto mësime janë hartuar që të ftojnë për një përgatitje të kujdesshme, për t’i nxitur studentët që të përfshihen më thellë tek të mësuarit dhe për të bërë të ndodhin veprime që i ndihmojnë ata të bëhen më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Teksa e studioni programin mësimor, lutuni për ndihmën e Zotit që të dini se si t’i plotësoni më së miri nevojat e studentëve tuaj. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Plaku Xhefri R. Holland

“Jini të hapur – jini veçanërisht të hapur ndaj Shpirtit. Lini pak hapësirë manovrimi në planin tuaj mësimor. Nëse ju nevojitet ta shkurtoni një mësim në mënyrë që të jepni dëshminë tuaj dhe të stimuloni diskutim mbi një çështje të kohës, ju lutemi, bëjeni kur Shpirti ju nxit dhe jua dikton se është me vend. …

… Mbani mend se një student nuk është enë që duhet mbushur; një student është zjarr që duhet ndezur.” (“Engjëj dhe Habi” [fjalim i mbajtur në transmetimin e trajnimit të Seminareve dhe Instituteve të Fesë, 12 qershor 2019], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore

Materiali i përgatitjes për orën mësimore ka për qëllim të studiohet si nga ju, mësuesi, ashtu edhe studentët tuaj gjatë përgatitjes për orën mësimore. Ai përfshin mësime nga shkrimet e shenjta dhe udhëheqësit e Kishës, materiale filmike si dhe një pjesë “Doni më Shumë?” e cila siguron burime shtesë që lidhen me temën e mësimit.

Materiali i përgatitjes së orës mësimore përmban gjithashtu pyetje dhe veprimtari që i nxitin studentët ta thellojnë të mësuarit e tyre dhe të përgatiten për të marrë pjesë në diskutimet në orën mësimore. Për shembull, te materiali i përgatitjes për orën mësimore për mësimin 4, “Gjetja e Qëllimit dhe Gëzimit në Krijimet e Zotit”, studentët ftohen të bëjnë veprimtarinë vijuese:

veprimtaria e pjesës “Veproni” në mësimin 4

Përdorimi i materialit të përgatitjes do t’i ndihmojë studentët të “kërko[jnë] të mëso[jnë], madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (Doktrina e Besëlidhje 88:118). Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Të mësuarit me anë të besimit kërkon ushtrim shpirtëror, mendor e fizik dhe jo thjesht pranim pasiv. …

… Një student duhet të ushtrojë besim e të veprojë, me qëllim që të marrë njohuri për veten e vet.” (“Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 64)

Mund të kërkoni mundësi për t’ua përforcuar studentëve premtimin e Zotit që ata që e kërkojnë me zell të mësuarit shpirtëror, do ta marrin (shih te Mateu 7:7; Doktrina e Besëlidhje 42:61; 88:63).

Materiali i Mësuesit

Në hyrje të materialit të mësuesit të çdo mësimi, ju do të gjeni një përshkrim të rezultateve të synuara për studentin. Kjo hyrje pasohet nga ide të sugjeruara mësimdhënieje që japin strukturën e mësimit, mësime nga shkrimet e shenjta dhe udhëheqësit e Kishës, të vërteta për t’u theksuar, ndihma për diskutim dhe ide për zbatimin e mësimit.

Ndërsa e studioni materialin e mësuesit, kushtojini vëmendje mënyrës se si ai mbështetet te përgatitja e studentëve. Mbështetja vazhdimisht te përgatitja e studentëve do t’i ndihmojë ata ta ndiejnë rëndësinë e përgatitjes për çdo orë mësimore. (Shënim: Mbajeni në mendje që, nëse paraqitni përmbajtje shtesë gjatë orës mësimore, koha e shpenzuar për ta bërë këtë mund t’i pengojë studentët të tregojnë atë që mësuan dhe ndien ndërsa e studiuan materialin e përgatitjes.)

Pyetja e parë më poshtë nga mësimi 4, është një shembull i mënyrës se si materiali i mësuesit mbështetet te përgatitja e studentëve:

pamje e pyetjes nga mësimi 4
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për ta Dhënë Mësim Këtë Kurs

Në mënyrë të ngjashme me atë që studentët tuaj do të bëjnë përpara orës mësimore, shpenzoni ca kohë për të përsiatur teksa përgatiteni për ta dhënë mësim këtë kurs. Së pari, hidhuni një sy një apo dy mësimeve për t’u njohur me materialin e përgatitjes për orën mësimore dhe materialin e mësuesit. Vini re se si këto materiale hartohen që të përdoren së bashku teksa përgatiteni për të dhënë mësim. Pastaj, merreni parasysh të bëni pyetjet e mëposhtme:

  • Çfarë qëndrimesh ose qasjesh mund të përvetësoni për t’i përdorur këto materiale me efektshmëri me studentët tuaj?

  • Cilat janë disa mënyra se si mund t’i nxitni studentët për t’u përgatitur që të mund të kenë një përvojë më të pasur në orën mësimore?

  • Çfarë mund të bëni për t’i përfshirë studentët që mund të mos e kenë studiuar materialin e përgatitjes?

Si mund të përgatitem me efektshmëri për të dhënë mësim?

Ati Qiellor do t’ju ndihmojë ndërsa përgatiteni dhe u jepni mësim fëmijëve të Tij. Përpjekjet tuaja për t’i studiuar plot zell shkrimet e shenjta dhe për ta jetuar ungjillin, do t’ju ndihmojnë që të kualifikoheni për udhërrëfimin e Shpirtit (shih te Doktrina e Besëlidhje 11:21).

Mund t’ju duket e dobishme t’i bëni vetes një ose më shumë nga pyetjet vijuese ndërsa përgatiteni për të mësuar me studentët tuaj e për t’u dhënë mësim atyre:

  • A jam lutur për të marrë udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë dhe për t’i kuptuar nevojat e studentëve të mi? Si mund ta dalloj se çfarë është më domethënëse për ta?

  • A ndihem i/e bazuar mjaftueshëm te shkrimet e shenjta, materiali i përgatitjes për orën mësimore dhe materiali i mësuesit? A ka ndonjë gjë që kam nevojë ta përshtat për t’i përmbushur nevojat e studentëve të mi?

  • Si mund t’i ndihmoj studentët e mi të përqendrohen te Shpëtimtari dhe të mësojnë nga Fryma e Shenjtë në këtë mësim?

  • Si mund ta ndihmoj secilin prej studentëve të mi që të përfshihet plotësisht? Si mund të sigurohem që ata ta kenë kohën që iu nevojitet gjatë orës mësimore, për të bërë plane vetjake për ta zbatuar atë që po mësojnë?

  • Si mund të krijoj një mjedis të mësuari ku studentët të ndihen të vlerësuar, të pranuar dhe të sigurt për t’i treguar njëri-tjetrit dhe mësuar nga njëri-tjetri? (Shih te Doktrina e Besëlidhje 88:78, 122.)

Si mund t’i përshtat mësimet për njerëzit me aftësi të kufizuar?

Ndërsa përgatiteni që të jepni mësim, jini të vëmendshëm ndaj studentëve që kanë nevoja të veçanta. Përshtatini veprimtaritë dhe pritshmëritë që t’i përfshini këta studentë dhe t’i ndihmoni që t’ia dalin mbanë. Për më shumë informacion, drejtojuni burimeve te faqja Disabilities [Për Personat me Aftësi të Kufizuara] te disabilities.ChurchofJesusChrist.org.

Çfarë pritet prej studentëve që të marrin kredite?

Për të marrë kredite për diplomimin nga instituti, studentëve u kërkohet

  1. ta studiojnë materialin e përgatitjes për të paktën 75 përqind të mësimeve,

  2. të marrin pjesë në 75 përqind të orëve mësimore dhe

  3. të plotësojnë njërën nga përvojat vijuese të të mësuarit: të mbajnë një ditar studimi; të shkruajnë përgjigjet për tri pyetje ese; të hartojnë e të plotësojnë një projekt të të mësuarit (me miratimin e mësuesit) për veten e tyre që lidhet me përmbajtjen e kursit ose të mbajnë shënim përgjigjet për të gjitha pyetjet dhe veprimtaritë në materialin e përgatitjes. (Shënim: Nuk nevojitet që studentët t’jua dorëzojnë juve përgjigjet e tyre; në fund të semestrit, ata thjesht nevojitet t’ju tregojnë se çfarë plotësuan.) Gjeni më shumë hollësi te faqja Ngrijeni Përvojën e të Mësuarit për Institutin.

ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Merreni parasysh llojin e përvojës së të mësuarit që shpresoni se do të kenë studentët tuaj në këtë kurs. Renditni disa nga mendimet tuaja rreth mënyrës se si planifikoni t’i ndihmoni studentët që të kenë një përvojë domethënëse të të mësuarit.