Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 15: Afrimi më Shumë me Jezu Krishtin nëpërmjet Sakramentit


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 15: Afrimi më Shumë me Jezu Krishtin nëpërmjet Sakramentit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 15”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Materiali i Mësuesit për Mësimin 15

Afrimi më Shumë me Jezu Krishtin nëpërmjet Sakramentit

Plaku Piter M. Xhonson, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim: “Ka një ndriçim shpirtëror që shoqërohet nga sakramenti – ai është vetjak, ai është i fuqishëm dhe ai është i nevojshëm” (“Fuqi për të Mposhtur Kundërshtarin”, Liahona, nëntor 2019, f. 112). Në këtë mësim studentët do të kenë mundësinë të tregojnë se si sakramenti mund të ketë një ndikim vetjak dhe të fuqishëm në jetën e tyre. Gjithashtu ata do të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë për të ardhur në mënyrën e duhur te Shpëtimtari teksa marrin sakramentin dhe përpiqen fort që gjithmonë ta kujtojnë Atë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Jezu Krishti vendosi sakramentin si një kujtues për flijimin e Tij të madhërishëm shlyes.

Kujtojuni studentëve që natën përpara Kryqëzimit të Tij, Shpëtimtari hëngri me dishepujt e Tij vaktin e Pashkës judease. Gjatë këtij vakti, Shpëtimtari paraqiti sakramentin.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Ftojini studentët të përfytyrojnë fragmente dhe rrëfime nga shkrimet e shenjta. Kjo mund t’i ndihmojë të fitojnë kuptueshmëri dhe ndjeshmëri më të madhe për njerëzit rreth të cilëve po mësojnë. Gjithashtu mund t’i ndihmojë të ndiejnë vërtetësinë dhe rëndësinë e parimeve që po studiojnë.

Për t’i ndihmuar studentët që ta ndiejnë rëndësinë e Darkës së Fundit, ju mund të paraqitni një figurë që përshkruan ngjarjen dhe ta ftoni një student të lexojë me zë të lartë vargjet te Mateu 26:19–20, 26–30 ose shikoni pjesë të materialit filmik “The Last Supper” [“Darka e Fundit”] (nga kodi kohor 02:14 deri në 03:16). Ftojini studentët të përfytyrojnë se si mund të ketë qenë po të ishin të pranishëm kur Shpëtimtari administroi sakramentin për herë të parë. Nxitini disa studentë të tregojnë atë që menduan ose ndien.

6:1

Merreni parasysh t’i ftoni studentët të përfytyrojnë sikur nuk janë të krishterë dhe po dëshmojnë administrimin e sakramentit për herë të parë në një mbledhje të Kishës. Gjatë mbledhjes bashkësia këndon “Jezus Nazareas, Shpëtimtar, Mbret” (Himne, nr. 103) dhe buka e uji i sakramentit bekohen dhe shpërndahen. (Mund të jetë e dobishme t’i vini studentët të lexojnë fjalët e këtij himni.) Ftojini studentët të shkruajnë disa pyetje që mund të kenë rreth sakramentit nëse nuk do të ishin të krishterë.

Pasi studentët t’i kenë mbajtur shënim pyetjet e tyre, kërkojuni të formojnë grupe të vogla. Ftojini anëtarët e grupit që me radhë të bëjnë pyetje dhe t’u përgjigjen pyetjeve të tyre.

Teksa studentët diskutojnë për pyetjet e tyre, lëvizni nëpër dhomë dhe dëgjoni gjërat që po tregojnë. Nisur nga ajo që dëgjoni, përcaktoni nëse po ta bëni ndonjërën prej pyetjeve vijuese do t’i ndihmonte studentët tuaj që të mësonin më thellësisht në një diskutim në orën mësimore:

  • Çfarë përfaqësojnë emblemat e sakramentit? (Studentët mund të përcaktojnë një të vërtetë si ajo që vijon: Buka dhe vera, ose uji, përfaqësojnë trupin dhe gjakun e Jezu Krishtit dhe Shlyerjen e Tij për ne.)

  • Çfarë na mësojmë shkrimet e shenjta rreth Shpëtimtarit nëpërmjet simboleve të bukës, verës dhe ujit? Përse është domethënëse që buka të copëtohet përpara se ta hamë?

  • Përse mund të jetë domethënëse që ta hamë bukën e ta pimë ujin, dhe jo thjesht t’i shohim ato? (Nëse dëshironi mund të shqyrtoni pikat e renditura në pjesën 1 të materialit të përgatitjes për ta përmirësuar diskutimin tuaj.)

Merreni parasysh t’i ftoni studentët të përsiatin për domethënien e emblemave të sakramentit dhe mënyrën se si ato mund të na ndihmojnë për të na kujtuar natyrën vetjake të flijimit të Shpëtimtarit.

Ne afrohemi më shumë me Shpëtimtarin teksa e marrim mendueshëm sakramentin.

Paraqitni skenarin vijues.

Edhe pse Xhulia nuk dëshiron ta bëjë këtë gjë, ajo ndihet shpesh e mërzitur gjatë shpërndarjes së sakramentit. Ajo e di që ai është i rëndësishëm, por e ka të vështirë ta ndiejë atë gjë. Kur sakramenti po i shpërndahet bashkësisë, ajo shpesh e gjen veten duke menduar për gjëra të tilla si detyrat në punë dhe në shkollë, jeta e saj shoqërore dhe gjërat që do të bëjë pas kishës. Nganjëherë ajo shikon në telefon mediat shoqërore.

  • Si do ta përshkruani qasjen e Xhulias ndaj sakramentit? Çfarë mundësish dhe bekimesh mund të jetë duke i humbur Xhulia për shkak të qasjes së saj ndaj sakramentit?

  • Si mendoni se mund të ndryshojë përvoja e Xhulias nëse Vetë Shpëtimtari do t’ia shërbente asaj bukën dhe ujin?

Ftojini disa studentë të shqyrtojnë në heshtje vargjet te 3 Nefi 18:7, 10–12; 20:8–9, disa të lexojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79 dhe të tjerë të studiojnë thënien nga Motra Sheril A. Esplin në pjesën 2 të materialit të përgatitjes. Ftojini studentët të kërkojnë parime, qëndrime dhe bekime të ndryshme që lidhen me sakramentin. Ju ose ata mund t’i shkruajnë gjetjet e tyre në tabelë.

Ndërsa studentët tregojnë atë që gjetën, gjithashtu mund t’i ftoni të tregojnë përvoja ose shembuj vetjakë që lidhen me idetë e tyre. Gjithashtu mund të tregojnë shembuj ose përvoja nga njerëzit me të cilët folën në përgatitje për orën mësimore (shih “Diskutoni në Përgatitje për Orën Mësimore” në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)

Teksa studentët diskutojnë se çfarë do të thotë që gjithmonë ta kujtojnë Shpëtimtarin, ju mund të pyetni:

  • Si mund të ndikojë në jetën tonë të përditshme të kujtuarit gjithmonë të Shpëtimtarit? Si mund ta bëni këtë më mirë gjatë gjithë javës?

Merreni parasysh t’u jepni kohë studentëve që të përsiatin dhe shkruajnë rreth vetë pjesëmarrjes së tyre në sakrament. Mund të marrin parasysh se si ta përmirësojnë përvojën e tyre gjatë sakramentit dhe përpjekjet e tyre që “gjithmonë ta kujtojnë atë” (Doktrina e Besëlidhje 20:77).

Në qoftë se studentët kanë pyetje rreth të qenit të denjë për të marrë sakramentin, ose në qoftë se ndiheni të frymëzuar që ta diskutoni këtë temë si klasë, referojuni pjesës 3 të materialit të përgatitjes. Mund të pyesni:

  • Përse është e rëndësishme që ne ta “shqyrtoj[m]ë” veten tonë teksa përgatitemi për të marrë sakramentin? (Shih 1 Korintasve 11:27–29.)

  • Cilat janë ndjenjat tuaja rreth thënies së Plakut Xhon H. Groberg rreth të qenit të denjë për të marrë sakramentin (nga pjesa 3 e materialit të përgatitjes)? Si mund t’u japë shpresë kjo këshillë njerëzve që po ndeshen me dobësi, mëkate ose sfida të tjera?

Për ta përfunduar orën mësimore, studentët tuaj ose ju mund të jepni dëshmi për mënyrën se si ordinanca e sakramentit na ndihmon të vijmë te Shpëtimtari. Ose studentët mund të tregojnë atë që ndien dhe mësuan nga mësimi.

Për Herën Tjetër

Që të nxitni përgatitje për orën e ardhshme mësimore, merreni parasysh të dërgoni mesazhin vijues (ose një mesazh tuajin) gjatë javës: Ndërsa studion materialin e përgatitjes, merr parasysh arsyen përse Shlyerja e Jezu Krishtit është ngjarja më e rëndësishme nga të gjitha ngjarjet në historinë njerëzore.

Mund të dërgoni edhe një hallkë lidhëse të materialit filmik “Për Shkak të Tij: Material Filmik i Pashkës” (02:36).

2:36