“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 11: Të Shijuarit e Bekimeve të Kishës së Zotit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 11”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 11
Të Shijuarit e Bekimeve të Kishës së Zotit
Në një kohë kur frekuentimi i kishave midis feve të tjera po bie në shumë vende rreth e qark botës, mund të jetë veçanërisht e rëndësishme të kërkoni ta kuptoni më thellë arsyen përse Jezu Krishti themeloi një kishë gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri dhe më pas e rivendosi atë në ditët e mëvonshme. Teksa studioni, mendoni se si Kisha e rivendosur e Zotit i ka sjellë ose mund t’i sjellë jetës suaj qëllim, forcë dhe gëzim më të madh.
Pjesa 1
Çfarë bekimesh të pashoqe mund të merren vetëm nëpërmjet anëtarësisë në Kishën e Zotit?
Apostulli Pal na mësoi se Kisha e Zotit është “ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke q[e]në Jezu Krishti vetë guri i qoshes” (Efesianëve 2:20). Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti zgjodhi dymbëdhjetë burra dhe i shuguroi që të ishin Apostujt e Tij. Ai u dha atyre autoritetin dhe çelësat e priftërisë në mënyrë që ata të mund të udhëhiqnin Kishën e Tij, të jepnin mësim ungjillin e Tij, të dëshmonin për realitetin e Tij dhe të vepronin në emrin e Tij (shih Mateu 10:1, 7–8; 16:19; Veprat e Apostujve 1:21–22; Doktrina e Besëlidhje 107:23). Mund të shihni materialin filmik “Jesus Calls Twelve Apostles to Preach and Bless Others” [“Jezusi Thërret Dymbëdhjetë Apostuj për t’u Predikuar dhe për t’i Bekuar të Tjerët”] (01:30) që të mësoni më shumë.
Pasi Jezu Krishti u ringjall, Ai vazhdoi ta udhëhiqte Kishën e Tij nëpërmjet Apostujve të Tij, të cilët mbanin çelësat e priftërisë për të drejtuar punën e shpëtimit. Sidoqoftë, shumë njerëz i kundërshtuan shërbëtorët e Tij të thirrur dhe anëtarët e Kishës filluan të bënin gabime. Pas vdekjeve të Apostujve, “njerëzit i korruptuan parimet e ungjillit dhe bënë ndryshime të paautorizuara në organizimin e Kishës dhe ordinancat e priftërisë. Për shkak të kësaj braktisjeje të shumëpërhapur, Zoti e hoqi autoritetin e priftërisë nga toka” (Gospel Topics, “Apostasy”, topics.ChurchofJesusChrist.org). Kjo njihet si Braktisja e Madhe.
Kjo gjendje braktisjeje vazhdoi derisa Ati Qiellor dhe Jezu Krishti iu shfaqën Jozef Smithit në vitin 1820 (shih Joseph Smith – Historia 1:16–20). Disa vjet pas kësaj shfaqjeje, Jezu Krishti i dërgoi lajmëtarë qiellorë Jozef Smithit, të cilët i dhanë autoritetin dhe çelësat e priftërisë (shih Joseph Smith – Historia 1:68–72; Doktrina e Besëlidhje 110:11–16; 128:19–21). Nëpërmjet këtij autoriteti hyjnor, Jezu Krishti thirri Apostuj të rinj dhe e themeloi sërish Kishën e Tij në tokë (shih Doktrina e Besëlidhje 1:30).
Sot Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve mbajnë të gjithë autoritetin dhe çelësat e nevojshëm të priftërisë për të drejtuar Kishën e Zotit. Kjo është veçanërisht domethënëse për secilin prej nesh që dëshiron të jetë më i/e mirë dhe të vijë më pranë Krishtit.
Duke folur për rëndësinë e frekuentimit të kishës për të gjithë “njerëz[it] … me mendje fetare”, Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, vërejti: “Frekuentimi dhe aktivizimi në një kishë na ndihmojnë të bëhemi njerëz më të mirë dhe të jemi ndikim më i mirë në jetën e të tjerëve” (“Nevoja për një Kishë”, Liahona, nëntor 2021, f. 24). Më pas ai tha:
“Ne, natyrisht, pohojmë se shkrimet e shenjta, të lashta dhe moderne, japin mësim qartësisht për origjinën dhe nevojën për një kishë të drejtuar nga dhe me autoritetin e Zotit tonë, Jezu Krishtit. Ne gjithashtu dëshmojmë se Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit është vendosur për të dhënë mësim plotësinë e doktrinës së Tij dhe për të drejtuar me autoritetin e Tij të priftërisë kryerjen e ordinancave të nevojshme për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë [shih Gjoni 3:5]. Anëtarët që heqin dorë nga frekuentimi i Kishës dhe mbështeten vetëm te shpirtshmëria individuale, e shkëputin veten nga këto gjëra thelbësore të ungjillit: fuqia dhe bekimet e priftërisë, plotësia e doktrinës së rivendosur dhe shtysat e mundësitë për ta vënë në zbatim atë doktrinë. Ata e humbasin mundësinë për t’u kualifikuar për një vazhdim në përjetësi të familjes së tyre.” (“Nevoja për një Kishë”, Liahona, nëntor 2021, f. 25)
Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, gjithashtu dha mësim:
“Nëse fuqia e priftërisë nuk do të ishte në tokë, kundërshtari do të kishte lirinë të endej kudo e të mbretëronte pa kontroll. Nuk do të kishte dhuratë të Frymës së Shenjtë që të na drejtonte dhe të na e ndriçonte mendjen; as profetë që të flisnin në emër të Zotit; as tempuj ku mund të bënim besëlidhjet e shenjta dhe të përjetshme; as autoritet për të bekuar apo pagëzuar, për të shëruar apo ngushëlluar.” (“Blessings of the Priesthood”, Ensign, nëntor 1995, f. 32)
Pjesa 2
Si mund të më bekojë mua dhe të tjerët pjesëmarrja aktivisht në Kishë?
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim këtë rreth bekimeve të pjesëmarrjes në Kishë:
“Është e rëndësishme të dihet se qëllimi kryesor i Perëndisë është përparimi ynë. … Kjo kërkon më tepër sesa thjesht të jesh i sjellshëm ose të ndihesh shpirtëror. Ajo kërkon besim te Jezu Krishti, pendim, pagëzim nga uji e nga Fryma dhe durim deri në fund me besim. Një person nuk mund ta arrijë plotësisht këtë [duke qenë] i veçuar, ndaj një arsye madhore pse Zoti ka një kishë, është që të krijojë një komunitet shenjtorësh që do ta mbështetin njëri‑tjetrin në ‘shteg[un e] ngushtë dhe të ngushtuar që të çon në jetën e përjetshme’ [2 Nefi 31:18].” (“Përse Kisha”, Liahona, nëntor 2015, f. 108)
Apostulli Pal dha mësim se si të qenit pjesë e një komuniteti shenjtorësh na forcon dhe mund të na sjellë më pranë Jezu Krishtit.
Plaku Kristoferson shpjegoi gjithashtu që përvojat me anëtarët e tjerë të Kishës na sigurojnë mundësi të nevojshme për ta vënë në zbatim ungjillin e Zotit:
“Si trupi i Krishtit, anëtarët e Kishës i japin shërbesë njëri-tjetrit në realitetin e jetës së përditshme. Të gjithë ne jemi të papërkryer; ne mund të fyejmë dhe të fyhemi. Ne shpesh e vëmë në provë njëri-tjetrin me huqet tona. Në trupin e Krishtit, ne duhet të shkojmë përtej koncepteve dhe fjalëve të bukura dhe të kemi një njohuri të vërtetë nga përvoja ndërsa mësojmë të ‘jeto[jmë] së bashku në dashuri’ [Doktrina e Besëlidhje 42:45].” (“Përse Kisha”, Liahona, nëntor 2015, f. 108)
Pjesa 3
Çfarë mund të bëj për ta ndihmuar lagjen ose degën time që të bëhet një vend më mikpritës për të gjithë njerëzit?
Mendoni rreth mënyrës se si ndihet dikush po të trajtohet me ngrohtësi dhe çiltërsi kur frekuenton kishën. Kur e keni ndihmuar dikë në lagjen ose degën tuaj të ndihet në atë mënyrë?
Merreni parasysh shembullin vijues të shoqërimit të treguar nga Motra Karol M. Stivens, ish-këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës:
“[Maria] ka shumë miq të cilët janë më pak aktivë ose të cilët nuk e kanë dëgjuar ende mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Çdo ditë, ajo ushtron besimin e saj dhe lutet që të dijë se kush ka nevojë për ndihmën e saj dhe pastaj vepron në përputhje me nxitjen që merr. Ajo bën telefonata, shpreh dashurinë e saj dhe u thotë miqve të saj: ‘Ne kemi nevojë për ju’. Çdo javë, ajo bën mbrëmjen familjare të shtëpisë në apartamentin e saj dhe fton fqinjët, anëtarët dhe misionarët që të vijnë – dhe i ushqen ata. Ajo i fton që të vijnë në kishë, i kërkon me sy ata dhe ulet pranë tyre kur vijnë.” (“Kemi Arsye të Madhe për t’u Gëzuar”, Liahona, nëntor 2013, f. 116)