Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 23: Të Jetuarit me Shpresë ndërsa Përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 23: Të Jetuarit me Shpresë ndërsa Përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 23”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Materiali i Mësuesit për Mësimin 23

Të Jetuarit me Shpresë ndërsa Përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit

Jezu Krishti “një ditë … do të kthehet në tokë … [dhe] do të sundojë si Mbreti i Mbretërve dhe do të mbretërojë si Zoti i Zotërve” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, ChurchofJesusChrist.org). Në këtë mësim, studentët do të shpjegojnë se pse mund ta presin me shpresë Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Ata do të marrin parasysh edhe mënyrat se si mund të përgatitin veten dhe të tjerët për kthimin dhe mbretërimin mijëvjeçar të Shpëtimtarit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit do të shënojë fillimin e Mijëvjeçarit.

Përpara se studentët të mbërrijnë për orën mësimore, mund të shkruani sa vijon në tabelë: Disa shenja të Ardhjes së Dytë të Zotit: krishtër të rremë, profetë të rremë, luftëra, ushtima luftërash, zi buke, murtaja, tërmete, paudhësi, sëmundje shkatërruese, dhunë dhe shenja në qiej (shih te Joseph Smith – Mateu 1:22–23, 28–30, 33; Doktrina e Besëlidhje 45:26–27, 30–33, 40–42).

Për ta filluar orën mësimore, merrni parasysh të tregoni skenarin vijues:

Gjatë një mësimi për ditët e fundit, Shkolla e së Dielës e Ermalit bëri një listë me të gjitha shenjat dhe rrethanat trazuese që do t’i paraprinin Ardhjes së Dytë. Disa njerëz komentuan se sa keq janë gjërat dhe se ato vetëm sa do të vijnë e do të bëhen më keq. Ermali ndjeu shumë ankth dhe shkurajim ndërsa largohej nga kisha.

  • A jeni ndier ndonjëherë si Ermali?

  • Çfarë mund të ketë munguar në diskutimin e kësaj ore mësimore?

Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 45:34–35, 38–39, duke kërkuar këshillat e Zotit për ata që janë të trazuar nga shenjat e ardhjes së Tij. Më pas, merrni parasysh se cilën nga pyetjet vijuese mund të bëni për t’i ndihmuar studentët tuaj të ndiejnë shpresë më të madhe:

  • Cili është mesazhi i Shpëtimtarit për dishepujt që janë të trazuar prej shenjave të ardhjes së Tij? (Studentët mund të përcaktojnë një të vërtetë si kjo në vijim: Shenjat e ardhjes së Zotit u tregojnë besnikëve se Ardhja e Dytë e Tij është pranë.) Si mund të jetë kjo e vërtetë një mesazh shprese?

  • Cilat ngjarje të Rivendosjes janë shenja që Ardhja e Dytë është pranë? (Mund të shqyrtoni shembujt që gjenden te pjesa 1 e materialit të përgatitjes. Mund të shtoni edhe shenja të tjera te lista e shenjave në tabelë.) Si ndikojnë këto shenja dhe ngjarje te mënyra se si i shihni ditët e fundit?

  • Pse është e rëndësishme të përqendroheni te Jezu Krishti kur flasim për shenjat më trazuese që lidhen me Ardhjen e Dytë? (Merreni parasysh të shqyrtoni thënien nga Plaku Ronald A. Rasband në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.) Si ka ndikuar ose mund të ndikojë përqendrimi te Jezu Krishti te mënyra se si i shihni sfidat e ditëve të fundit?

Kujtojuani studentëve se Ardhja e Dytë do të shënojë fillimin e mbretërimit mijëvjeçar të paqes dhe drejtësisë së Shpëtimtarit. Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 101:26–32, 35 dhe të kërkojnë rrethanat që do të jenë të pranishme gjatë Mijëvjeçarit. Mund t’i shënoni në tabelë ato që gjejnë ata.

  • Cilën nga këto rrethana po e prisni më me padurim? Përse?

Mund të paraqitni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Asgjë nuk e nxit dëshirën time për të folur për Krishtin më shumë sesa përfytyrimi i kthimit të Tij. … Kjo përvojë mahnitëse do ta shenjojë shpirtin tonë përgjithmonë.” (Nil L. Andersen, “Ne Flasim për Krishtin”, Liahona, nëntor 2020, f. 91)

Ftojini studentët të përfytyrojnë Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit dhe Mijëvjeçarin. Ndërsa ata përfytyrojnë, ftojini t’i mbajnë shënim mendimet dhe ndjenjat e tyre si përgjigje për pyetjen vijuese:

  • Si mund t’ju ndihmojë të menduarit rreth Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit dhe Mijëvjeçarit për të jetuar me shpresë dhe paqe më të madhe?

Nëse dëshironi, mund t’u kërkoni një ose dy studentëve të tregojnë atë që kanë shkruar.

Zoti na mëson se si të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Tij.

Ftojini studentët të shqyrtojnë shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave te Mateu 25:1–13 ose të shikojnë materialin filmik “They That Are Wise” [“Ata që Janë të Mençur”] (nga kodi kohor 00:00 në 05:46). Nëse është e nevojshme, ndihmojini studentët të kuptojnë se virgjëreshat përfaqësojnë anëtarët e Kishës (shih Dallin H. Oaks, “Preparation for the Second Coming”, Liahona, maj 2004, f. 8).

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Mirëbesojuni studentëve tuaj. Kur studentët punojnë në grupe të vogla, mirëbesoni se ata mund të bëjnë bashkëbisedime të frymëzuara pa mbikëqyrjen tuaj. Pas diskutimeve në grupe të vogla, dalloni se sa nevojë kanë studentët që ta ndiqni ecurinë e tyre. Për shembull, në vend që t’i vini studentët që thjesht ta përsëritin atë për të cilën biseduan, kërkoni mënyra për t’i zhvilluar diskutimet e tyre në grupe të vogla.

Për t’i ndihmuar studentët të mendohen thellë rreth domethënies së shëmbëlltyrës, mund t’i vini ata të formojnë grupe të vogla diskutimi (me dy deri në tre veta). Jepini secilit grup cilëndo nga fletushkat “Virgjëreshat Budallaçka” ose “Virgjëreshat e Mençura”. Bëjuani të ditur studentëve se pas diskutimit të tyre, ata do të bashkohen me një grup që diskutoi temën tjetër, dhe do t’ia tregojnë njëri-tjetrit atë që mësuan.

Virgjëreshat Budallaçka

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 23

  1. Diskutoni së bashku për pyetjet vijuese:

    • Çfarë mund të përfaqësojnë llambat dhe vaji në shëmbëlltyrë? (Mund të shqyrtoni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 45:56–57 dhe thënien nga Presidenti Rasëll M. Nelson në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)

    • Çfarë mund të jetë domethënëse te frazat “dhëndri po vononte” (Mateu 25:5) dhe “nga mesnata u dëgjua një britmë” (vargu 6)?

    • Pse pesë nga virgjëreshat u përshkruan si budallaçka? (Ju mund të diskutoni se çfarë na mësojnë rreth përgatitjes së këtyre virgjëreshave frazat “Nuk ju njoh” [vargu 12] dhe “Nuk njihni” [Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 25:11 [te Mateu 25:12, poshtëshënimi a, në Biblën në anglisht].)

  2. Përcaktoni një ose dy shembuj të zakonshëm të mënyrës se si ne si anëtarë të Kishës, mund të zgjedhim të jemi si virgjëreshat budallaçka. Jini i/e përgatitur t’ia tregoni shembujt tuaj një grupi që diskutoi për virgjëreshat e mençura.

Virgjëreshat Budallaçka

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 23

Pamja
fletushka e mësuesit

Virgjëreshat e Mençura

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 23

  1. Diskutoni së bashku për pyetjet vijuese:

    • Çfarë mund të përfaqësojnë llambat dhe vaji në shëmbëlltyrë? (Mund të shqyrtoni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 45:56–57 dhe thënien nga Presidenti Rasëll M. Nelson në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)

    • Pse pesë nga virgjëreshat u përshkruan si të mençura?

    • Pse virgjëreshat e mençura nuk e ndanë vajin e tyre me virgjëreshat budallaçka?

  2. Përcaktoni një ose dy shembuj të mënyrës se si ne, si anëtarë të Kishës, mund të zgjedhim të jemi si virgjëreshat e mençura ndërsa përgatitemi për Ardhjen e Dytë. Jini i/e përgatitur t’ia tregoni shembujt tuaj një grupi që diskutoi për virgjëreshat budallaçka.

Virgjëreshat e Mençura

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 23

Pamja
fletushka e mësuesit

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i diskutuar temat e tyre, ftojeni secilin grup të bashkohet me një grup që diskutoi temën tjetër për të treguar shembujt që përcaktoi ai.

Pasi t’u lini studentëve kohë të mjaftueshme për t’i përfunduar diskutimet e tyre të dyta në grup, mund të ftoni një ose dy studentë të tregojnë atë që mësuan. Mund të shkruani ose paraqitni një të vërtetë që përcaktojnë ata, si kjo në vijim: Unë mund të përgatitem për Ardhjen e Dytë të Zotit duke e forcuar dëshminë time dhe duke e marrë Frymën e Shenjtë si udhërrëfyesin tim.

Për ta përfunduar orën mësimore, jepuni studentëve kohë për t’i mbajtur shënim mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth mënyrës se si ta përgatitin më së miri veten dhe të tjerët për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.

Për Herën Tjetër

Gjatë javës, merrni parasysh t’u dërgoni studentëve mesazhin vijues ose një mesazh tuajin: Ndërsa studion mësimin 24 rreth Gjykimit të Fundit, merr parasysh atë që mund të bësh për ta bërë këtë ngjarje një kohë të lavdishme.

Shtyp në Letër