Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 4: Gjetja e Qëllimit dhe Gëzimit në Krijimet e Zotit


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 4: Gjetja e Qëllimit dhe Gëzimit në Krijimet e Zotit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 4”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Materiali i Mësuesit për Mësimin 4

Gjetja e Qëllimit dhe Gëzimit në Krijimet e Zotit

“Nën drejtimin e Atit të Tij, [Jezu Krishti] ishte krijuesi i tokës” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, ChurchofJesusChrist.org). Në këtë mësim, studentët do të marrin parasysh arsyen pse Zoti e krijoi tokën dhe atë që mund të bëjnë për të gjetur gëzim më të madh te krijimet e Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Mirëbesojini përgatitjes së studentëve tuaj. Merrni parasysh mënyra për t’u dhënë zemër studentëve që ta studiojnë materialin e përgatitjes për orën mësimore. Më pas tregojeni besimin që keni te studentët tuaj, duke u mbështetur te përgatitja e tyre gjatë orës mësimore. Bërja e kësaj do t’i frymëzojë studentët të marrin përgjegjësi më të madhe për të mësuarit e tyre vetjak.

Perëndia e krijoi tokën që të bënte të ndodhte shpëtimi ynë.

Për ta filluar orën mësimore, mund të shfaqni fotografinë shoqëruese dhe të ftoni disa studentë të thonë se çfarë mendimesh, ndjenjash ose pyetjesh kanë pasur teksa kanë vështruar yjet në qiellin e natës. Ose mund të shfaqni fotografitë që studentët mund të kenë sjellë me vete ose që jua dërguan. Kërkojuni atyre të japin mendimet e tyre rreth asaj që i frymëzon ata nga fotografitë.

person duke vështruar yjet

Kujtojuni studentëve që Moisiu pati një vegim mbresëlënës në të cilin e pa shtrirjen e gjerë të krijimeve të Perëndisë. Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë më thellësisht rreth Krijuesit dhe krijimeve të Tij, ftojini të punojnë në grupe të vogla dhe jepuni fletushkën vijuese.

Moisiu Mëson të Vërteta të Rëndësishme rreth Krijimit

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 4

Lexoni skenarin vijues:

  • Albanës i pëlqen shumë shkenca. Nga studimet e veta, ajo ka mësuar shumë rreth mënyrës se si funksionon bota natyrore, por ajo nuk ka gjetur asnjë përgjigje të kënaqshme për pyetjen pse ekziston bota. Ajo ka disa pyetje rreth qëllimit që ka toka dhe jeta jonë.

  • Me çfarë sfidash mund të përballet dikush nëse nuk e kupton arsyen pse u krijua toka?

Lexoni së bashku vargjet te Moisiu 1:27–39 dhe kërkoni të vërteta që mund ta pasurojnë këndvështrimin e Albanës për Krijimin. Më pas, kërkojini secilit anëtar të grupit të zgjedhë njërën nga pikat më poshtë dhe të përdorë disa minuta që të përgatitë përgjigjen. Më pas, çdo person mund t’ia shprehë mendimet e veta grupit.

  • Çfarë mësoni nga Krijimi rreth natyrës së Krijuesit? Si ndikohet besimi juaj te Jezu Krishti nga dijenia se Ai i krijoi të gjitha gjërat?

  • Çfarë mendimesh ose ndjenjash keni kur merrni parasysh se “ne jemi arsyeja pse [Perëndia e] krijoi universin”? (Nëse dëshironi, mund të shqyrtoni thënien nga Presidenti Diter F. Uhtdorf në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)

  • Çfarë veprimesh keni ndërmarrë ose mund të ndërmerrni për t’i ndihmuar të tjerët ta arrijnë potencialin e tyre si fëmijë të Atit Qiellor? (Mund t’i ftoni anëtarët e grupit që të shënojnë çdo gjë që mund të ndiejnë nxitjen të bëjnë për dikë që e njohin.)

  • Çfarë lloj njohurie mund të fitojmë nga shkenca? Çfarë lloj njohurie mund të fitojmë nga shkrimet e shenjta? Përse na nevojiten të dyja format e njohurisë? (Nëse dëshironi, mund të shqyrtoni thëniet nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe Presidenti Dallin H. Ouks në pjesën 3 të materialit të përgatitjes.)

Moisiu Mëson të Vërteta të Rëndësishme rreth Krijimit

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 4

fletushka e mësuesit

Shënim: Mund të zgjidhni që t’i vini grupet e vogla t’i raportojnë klasës. Ose në qoftë se e ndieni që diskutimet në grup e trajtuan mjaftueshëm temën, ju mund të zgjidhni thjesht të kaloni te pjesa pasuese e mësimit.

Mund ta mbyllni këtë pjesë të orës mësimore duke theksuar ose dëshmuar se nën drejtimin e Atit Qiellor, Jezu Krishti i krijoi të gjitha gjërat. Mund të shpjegoni edhe që Krijimi i tokës është një pjesë e nevojshme e planit të Atit Qiellor për të bërë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e fëmijëve të Tij.

Perëndia i vendos të gjitha gjërat në tokë për dobinë dhe kënaqësinë tonë.

Mund ta filloni këtë pjesë të orës mësimore duke pyetur:

  • Cilat janë disa nga krijimet e Zotit për të cilat ndiheni më falënderues? Si e keni shprehur mirënjohjen tuaj ndaj Perëndisë për këto krijime?

Mund t’u kujtoni më pas studentëve që Perëndia u çlodh ditën e shtatë dhe pa se “të gjitha gjërat që [Ai] kish[te] bërë … ishin të mira” (Moisiu 3:2). Më pas Ai e “beko[i] ditën e shtatë dhe e shenjtëro[i]” (Moisiu 3:3). Dhe në kohët moderne, Shpëtimtari na kujton që teksa e nderojmë ditën e Shabatit, “plotësia e tokës” do të jetë e jona (shih Doktrina e Besëlidhje 59:9–16).

Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 59:16–20 dhe ftojini studentët të kërkojnë fjalë ose fraza që përshkruajnë se si do të donte Zoti që t’i përjetonim krijimet e Tij. Pas diskutimit të domethënies së atyre fjalëve dhe frazave (veçanërisht atyre në vargun 20), mund të jetë e dobishme të paraqitni të vërtetën vijuese: Krijimet e Zotit janë për dobinë dhe kënaqësinë tonë dhe nuk duhet të keqpërdoren për qëllime të padrejta.

Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë thellësisht rreth kësaj të vërtete, ju mund të bëni disa nga pyetjet vijuese:

  • Përse mund të jetë e rëndësishme që të gjeni rregullisht kohë për të gjetur gëzim në krijimet e Zotit? (Mund të ndiqni ecurinë për ftesën “Veproni” në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.) Çfarë mund t’ju nevojitet të ndryshoni në rutinën tuaj të përditshme për t’u siguruar që të keni kohë rregullisht për të shijuar krijimet e Zotit? (Mund të jetë e dobishme që t’u jepni kohë studentëve për t’i shënuar mendimet dhe mbresat e tyre.)

  • Si keni pasur dobi ju nga gjërat e mira që vijnë nga toka? Si mund t’i tregoni Zotit më tepër mirënjohje për këto gjëra?

  • Si mendoni, përse mund t’u referohemi trupave tanë si krijimi kurorëzues i Perëndisë? (Shihni thënien nga Presidenti Gordon B. Hinkli në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.) Cilat janë disa mënyra se si mund ta respektojmë shenjtërinë e trupave tanë dhe trupave të njerëzve të tjerë? Çfarë ju ka ndihmuar të ndieni vlerësim më të madh për vetë trupin tuaj?

Mund t’u shfaqni studentëve materialin filmik “Our Home” [“Shtëpia Jonë”] (01:34) dhe t’i ftoni ata të reflektojnë për atë që mund të bëjmë për të qenë kujdestarë më të mirë të shtëpisë sonë, tokës.

1:34

Jepuni pak minuta në fund të orës mësimore dhe ftojini studentët të dëshmojnë për dashurinë e Krijuesit për çdonjërin prej nesh.

Për Herën Tjetër

Merreni parasysh t’u dërgoni mesazhin vijues studentëve përpara orës së ardhshme mësimore: A do të donit të ndienit fuqi dhe mbrojtje më të madhe në jetën tuaj? Teksa e studioni materialin e përgatitjes për mësimin 5, kërkoni bekimet e premtuara ndaj atyre që i mbajnë besnikërisht besëlidhjet e tyre me Zotin.