“Materiali i Mësuesit për Mësimin 8: Pranimi i Jezu Krishtit si Mesia i Premtuar”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)
“Materiali i Mësuesit për Mësimin 8”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm
Materiali i Mësuesit për Mësimin 8
Pranimi i Jezu Krishtit si Mesia i Premtuar
Jezu Krishti ishte Mesia (ose “I Vajosuri”) i Dhiatës së Re. Ai u zgjodh nga Ati Qiellor për të qenë Shpëtimtari ynë. Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë të diskutojnë se si pranimi i misionit mesianik të Jezu Krishtit, mund ta shndërrojë jetën e tyre. Studentët do të nxiten të marrin parasysh se si mund t’i ndihmojë Mesia për dhembjet ose mundimet që po përjetojnë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Jezu Krishti shpall se Ai është Mesia.
Mund ta filloni orën mësimore duke paraqitur thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Askush nuk është përjashtuar nga sëmundja dhe trishtimi. … Plagët e shpirtit nuk janë të pashembullta për të pasurit apo të varfrit, për një kulturë, një komb ose një brez. Ato u vijnë të gjithëve dhe janë pjesë e mësimit që marrim nga kjo përvojë në vdekshmëri.” (Nil L. Andersen, “Të Plagosur”, Liahona, nëntor 2018, f. 84)
Merreni parasysh ta shkruani frazën vijuese në tabelë: Plagët e shpirtit.
Ftojini studentët të tregojnë mënyra të ndryshme në të cilat ne përjetojmë plagë të shpirtit dhe shënojini përgjigjet e studentëve në tabelë. Për të bërë që kjo veprimtari të ketë më tepër lidhje me studentët tuaj, mund t’i ftoni ata t’i përcaktojnë në heshtje plagët e shpirtit të tyre ose plagët e dikujt që e duan. Nxitini studentët të marrin parasysh privatisht gjatë gjithë orës mësimore se si Zoti mund t’i ndihmojë për këto plagë.
Ftojini studentët ta përkufizojnë ose shpjegojnë titullin Mesia dhe arsyen pse Mesia i shumëpritur qe i rëndësishëm për popullin e besëlidhjes së Perëndisë në kohët e Dhiatës së Vjetër dhe Dhiatës së Re.
Vini në dukje se Isaia 61:1–3 është një profeci e mënyrës se si Mesia do të ndihmonte të shëroheshin shpirtrat e plagosur. Ftojini studentët t’i shqyrtojnë këto vargje dhe të kërkojnë fjalë dhe fraza që mund t’u ofrojnë shpresë njerëzve që po vuajnë.
Ndërkohë që studentët studiojnë, mund ta shkruani frazën vijuese në tabelë: Si e ndihmon Mesia shpirtin e plagosur. Më pas mund t’i bëni studentët t’i tregojnë fjalët ose frazat që iu duken më domethënëse dhe shkruajini ato në tabelë. Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë më thellësisht, merreni parasysh të bëni disa nga pyetjet në vijim:
-
Si i trajton kjo fjalë ose frazë plagët e shpirtit?
-
Pse është domethënëse kjo fjalë ose frazë për ju?
-
Çfarë na mëson kjo fjalë ose frazë rreth Mesias dhe misionit të Tij?
Pasi të lini kohë për diskutim kuptimplotë, mund ta paraqitni figurën shoqëruese të Jezusit në një sinagogë në Nazaret. Shqyrtojeni shkurtimit kontekstin dhe më pas ftojeni një student të tregojë se si i përdori Jezu Krishti vargjet tek Isaia 61:1–2 për të shpallur se Ai ishte Mesia i premtuar. (Nëse është e nevojshme, vërini studentët të shqyrtojnë vargjet te Lluka 4:18–22.)
Mund të paraqitni të vërtetën vijuese: Jezusi është Mesia që u dërgua për të shëruar zemërthyerit, për të çliruar të shtypurit dhe për të ngushëlluar ata që vajtojnë.
-
Si mund t’i ndihmojë Shpëtimtari ata që ndihen zemërthyer ose që janë të lënduar emocionalisht? (Merrni parasysh të lexoni thënien nga Plaku Gerit W. Gong në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)
-
Si ju ka ndihmuar ose ngushëlluar Shpëtimtari ju ose dikë që e njihni?
Isaia dhe Alma dëshmojnë për fuqinë e Mesias për të na ndihmuar.
Mund t’i paraqitni figurat shoqëruese të Shpëtimtarit dhe t’i ftoni studentët të tregojnë shkurtimisht mënyra të ndryshme se si vuajti Ai në vdekshmëri.
Merreni parasysh t’i vini studentët të punojnë me një partner. Një person mund të studiojë vargjet tek Isaia 53:3–6, 8, 11–12 dhe një tjetër mund të studiojë vargjet tek Alma 7:11–12. Ftojini studentët të kërkojnë dy gjëra: 1) si do të vuante Mesia dhe 2) si mund të na bekojë Ai për shkak të vuajtjes së Tij. Pasi studentët ta kenë diskutuar me partnerin e tyre atë që zbuluan, ftojini disa studentë t’ia tregojnë klasës atë që mësuan.
Ndërsa studentët tregojnë, mund të jetë e dobishme ta përmblidhni të mësuarit e tyre në një pohim të ngjashëm me sa vijon: Ngaqë Mesia i duroi hidhërimet, keqardhjet dhe shkeljet tona, Ai mund të na shërojë, të na sjellë paqe, të durojë paudhësitë tona, të na falë, të na ngushëllojë dhe të na ndihmojë. Merreni parasysh këtë pyetje për ndjekjen e ecurisë:
-
Për çfarë lloj dhembjesh dhe mundimesh të vdekshmërisë mund të na ndihmojë Shpëtimtari? (Mund të jetë e rëndësishme të shqyrtoni kuptimin e fjalës ndihmoj dhe më pas t’i lexoni me zë të lartë thëniet nga Presidentja Xhin B. Bingham dhe Presidenti Dallin H. Ouks në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)
Mund të gjeni pak kohë për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë shembuj nga jeta reale për mënyrën se si na ndihmon Shpëtimtari. Këta shembuj mund të vijnë nga shkrimet e shenjta, udhëheqësit e Kishës ose jeta e studentëve tuaj. Ju gjithashtu mund të tregoni vetë përvojën tuaj.
Studentët mund të mendojnë sërish për “plagët” që ata vetë, ose dikush që e duan, po përjetojnë. Paraqitini pyetjet vijuese dhe ftojini studentët të përsiatin për secilën pyetje. Siguroni kohë që studentët t’i shënojnë mendimet dhe mbresat e tyre.
-
Si ndikon dijenia se Shpëtimtari e kupton gjithçka që po kaloni te mënyra se si i shihni vetë dhembjet dhe mundimet tuaja?
-
Çfarë mendimesh ose ndjenjash keni për Jezu Krishtin ndërsa e merrni parasysh atë që Ai vuajti në mënyrë që të mund t’ju ndihmojë? Çfarë ju frymëzon kjo që të bëni?
-
Si mund ta bekojë kjo njohuri dikë që e dini që është i munduar? Si mund t’u tregoni atij/asaj për të?
Nëse koha e lejon, mund t’i jepni çdo studenti një pusullë ngjitëse ose një fletë të vogël letre. Ftojini të shkruajnë një përgjigje për pyetjen vijuese:
-
Mendoni për dikë që e njihni, që po ndeshet me një situatë sfiduese. Çfarë mesazhi mund t’i jepni atij/asaj rreth aftësisë së Jezu Krishtit për të na forcuar dhe shëruar?
Më pas bëjini studentët t’i vendosin letrat rreth e rrotull dhomës. Jepuni studentëve pak minuta që të ecin nëpër dhomë dhe t’i lexojnë thëniet e ndryshme.
Për Herën Tjetër
Për t’i nxitur studentët ta lexojnë materialin e përgatitjes për mësimin 9, mund t’u dërgoni atyre figurën dhe mesazhin vijues përpara orës së ardhshme mësimore: Gjeni kohë për ta studiuar materialin e përgatitjes për mësimin 9 dhe përsiatni pse lindja e Jezu Krishtit duhet të kremtohet jo vetëm në Krishtlindje por gjatë gjithë vitit.