Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 13: Dhënia e Shërbesës siç e Dha Shpëtimtari


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 13: Dhënia e Shërbesës siç e Dha Shpëtimtari”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 13”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Materiali i Mësuesit për Mësimin 13

Dhënia e Shërbesës siç e Dha Shpëtimtari

Gjatë jetës së Tij, Shpëtimtari u dha shërbesë të tjerëve teksa Ai u forconte besimin, i bekonte, i shëronte, i ngushëllonte dhe i falte. Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë të shpjegojnë se ç’do të thotë të japësh shërbesë siç e dha Shpëtimtari. Ata gjithashtu do të marrin parasysh mënyrat se si mund t’u japin shërbesë siç e dha Krishti, njerëzve që ndodhen përreth tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Shpëtimtari është shembulli ynë i përsosur i mënyrës se si të japim shërbesë me dashuri.

Mund ta filloni orën mësimore duke paraqitur një figurë të Shpëtimtarit që po u lan këmbët Apostujve të Tij. Ose mund të shfaqni materialin filmik “The Last Supper” [“Darka e Fundit”] nga kodi kohor 00:00 në 00:50.

6:1
Jezusi i lan këmbët Pjetrit
  • Çfarë mund të mësojmë rreth dhënies së shërbesës nga Jezusi kur u lau këmbët Apostujve të Tij? (Merreni parasysh të shqyrtoni thënien nga Plaku Xhefri R. Holland në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)

Kujtojuni studentëve që pasi u lau këmbët Apostujve, Shpëtimtari u dha atyre një urdhërim të ri. Merreni parasysh të lexoni së bashku vargjet te Gjoni 13:34–35 dhe të paraqitni të vërtetën vijuese: Ne mund të njihemi si dishepuj të Krishtit, nëse e duam njëri-tjetrin sikurse na do Ai.

Teksa i ftoni studentët të tregojnë se çfarë mund të nënkuptojë kjo e vërtetë për vetë dishepullimin e tyre, ju mund të diskutoni për një ose më shumë nga pyetjet vijuese:

  • Si mund të ketë ndikuar te mënyra se si jepni shërbesë, dashuria për të tjerët siç na ka dashur ne Shpëtimtari?

  • Çfarë ju ka ndihmuar të jepni shërbesë me dashuri më të madhe si të Krishtit?

  • Si mund ta dimë se kush ka nevojë për ndihmën tonë dhe se çfarë mund të bëjmë? (Si pjesë të diskutimit tuaj, mund të rishikoni dhe diskutoni për thëniet nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe Presidenti Henri B. Ajring në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)

Merreni parasysh t’i ftoni disa studentë të tregojnë se si e kanë ndier dashurinë e Shpëtimtarit në jetën e tyre teksa u kanë dhënë shërbesë të tjerëve ose teksa të tjerët u kanë dhënë shërbesë atyre.

Mund të paraqitni thënien e paplotë vijuese në tabelë: Ne mund të japim shërbesë me dashuri si ajo e Krishtit teksa …

Kujtojuni studentëve se në pjesën 1 të materialit të përgatitjes atyre iu bë ftesë të studionin dhe reflektonin për shembullin që dha Shpëtimtari lidhur me dhënien e shërbesës. Organizojini studentët në grupe të vogla. Ftojini ata të rishikojnë shembujt nga shkrimet e shenjta që studiuan dhe ndonjë përshtypje që e mbajtën shënim. Paraqitni ose jepini secilit grup një kopje të pyetjeve vijuese dhe ftojini studentët t’i diskutojnë ato së bashku.

  • Çfarë ju bën më tepër përshtypje rreth mënyrës se si Shpëtimtari dha shërbesë në ndodhinë që studiuat?

  • Si mund ta ndjekim shembullin e Tij teksa u shërbejmë të tjerëve? (Si pjesë e diskutimit tuaj, ju mund të shqyrtoni së bashku thëniet nga Presidentja Xhin B. Bingham dhe Motra Sheron Iubank në pjesën 1 të materialit të përgatitjes dhe tregoni atë që ju pëlqeu prej tyre.)

  • Si ju kanë ndihmuar përpjekjet tuaja për të dhënë shërbesë siç e dha Shpëtimtari, për t’iu afruar më shumë Atij?

Mund t’i ftoni disa studentë t’i tregojnë klasës disa pika kryesore nga diskutimi i tyre në grup. Mund t’i shtoni disa mbyllje thënies së paplotë në tabelë ndërsa studentët flasin.

Ne mund të mësojmë t’i duam dhe t’u japim shërbesë të gjithë fëmijëve të Perëndisë.

Merreni parasysh ta shqyrtoni si klasë shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë te Lluka 10:25–37. Mund t’i nxitni studentët të krahasojnë sjelljet dhe veprimet e priftit dhe të levitit me ato të samaritanit. Ftojini studentët të tregojnë atë që mësuan nga shëmbëlltyra rreth dhënies së shërbesës ndaj të tjerëve siç e dha Shpëtimtari. Për të nxitur të menduarit më thellë dhe të shprehurit, ju mund të bëni disa nga pyetjet vijuese:

  • Si mendoni, përse Shpëtimtari zgjodhi një samaritan si shembullin të cilin ne duhet ta imitojmë?

  • Si mund të krahasohet samaritani në shëmbëlltyrë me Jezu Krishtin?

  • Çfarë mund të na pengojë që t’u japim shërbesë të tjerëve ashtu siç do ta jepte Shpëtimtari? Si mund të kemi mundësi për të përdorur ndihmën e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që t’i kapërcejmë këto pengesa?

Për t’i ndihmuar studentët të marrin parasysh se si mund të japin shërbesë në mënyra të ngjashme me të Krishtit, paraqitni ose shpërndani një fletushkë me situatat vijuese (mund të krijoni edhe disa situata vetë). Mund t’i ftoni studentët të përzgjedhin disa prej tyre dhe të diskutojnë sfidat që ato përbëjnë si dhe mënyrat e ngjashme me të Krishtit se si të japin shërbesë në secilën situatë. Mund t’i vini studentët ta bëjnë këtë veprimtari si klasë ose në grupe të vogla.

  • Miku ose mikja juaj ju ka rrëfyer se ka një problem me pornografinë.

  • Ju jeni caktuar t’i jepni shërbesë dikujt që thotë se do të parapëlqente të mos i shkonit për vizitë.

  • Keni një mik që kohët e fundit shpalli se është gej dhe ndien se nuk ka më vend për të në kishë.

  • Ju punoni me dikë që kohët e fundit ka përjetuar vdekjen e një njeriu të dashur.

  • Vini re se një mik ose mike që dikur foli me besim rreth këshillës së profetit, tani flet në mënyrë kritike.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Nxitini studentët që të ndërmarrin veprime të drejta. Jepuni mundësi studentëve për të përsiatur se si mund të veprojnë me besim dhe ta vënë në zbatim atë që po mësojnë. Ndërsa i nxitni vazhdimisht studentët që të përsiatin dhe ta vënë në zbatim atë që po mësojnë, ju mund t’i ndihmoni që ta rritin aftësinë e tyre për veprime të drejta. Ndiqeni ecurinë kur të jetë e përshtatshme.

Jepuni kohë studentëve që të përsiatin e t’i mbajnë shënim mendimet e tyre rreth pyetjeve vijuese:

  • Kë ndieni përshtypjen ta ngrini moralisht, ta forconi ose inkurajoni?

  • Çfarë shërbimi si të Krishtit mund të bëni për këtë person?

Merreni parasysh të dëshmoni për rëndësinë e të vepruarit sipas përshtypjeve shpirtërore për të bekuar jetën e të tjerëve dhe për gëzimin që mund të vijë nga dhënia e shërbesës siç e dha Shpëtimtari.

Për Herën Tjetër

Gjatë javës, merreni parasysh t’u dërgoni studentëve mesazhin vijues ose një mesazh tuajin: Ndërsa studion materialin e përgatitjes për mësimin 14, merr parasysh se cila mund të jetë mrekullia më e madhe që mund të përjetosh.