Instituti
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 5: Të Bëhemi Populli i Besëlidhjes së Zotit


“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 5: Të Bëhemi Populli i Besëlidhjes së Zotit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 5”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

i ri duke u pagëzuar

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 5

Të Bëhemi Populli i Besëlidhjes së Zotit

Duhet një nivel i lartë mirëbesimi dhe dashurie për t’u lidhur me dikë në një marrëdhënie besëlidhëse. Dhe ai mirëbesim zhvillohet ndërsa arrini ta njihni njëri-tjetrin. Në rastin e bërjes së besëlidhjeve me Perëndinë që ju lidhin me Të, Ai ju njeh tashmë përsosurisht dhe dëshiron t’ju japë gjithçka që Ai ka – gjithçka që Ai është. Ai ju fton t’i mirëbesoni Atij dhe të hyni në shtegun e besëlidhjeve të Tij. Do të bekoheni në mënyrë të bollshme teksa e bëni këtë, pasi “udha e Tij është shtegu që të çon drejt lumturisë në këtë jetë dhe jetës së përjetshme në botën që vjen” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, ChurchofJesusChrist.org).

Pjesa 1

Kush është Jehova dhe pse mund t’i mirëbesoj Atij?

Dokumenti “Krishti i Gjallë” na mëson se “[Jezu Krishti] [është] Jehova i Madhërishëm i Dhiatës së Vjetër”. Nga erdhi emri Jehova dhe çfarë mund t’ju mësojë ai rreth Shpëtimtarit?

Pasi fëmijët e Izraelit kishin qenë në robëri në Egjipt për shumë vjet, Zoti e thirri Moisiun për “t[’i] nxjerrë [ata] … nga Egjipti” (Eksodi 3:10; shih edhe vargjet 1–9). Moisiu ndihej i papërshtatshëm për ta përmbushur këtë detyrë. Ai e pyeti Zotin për emrin e Tij në mënyrë që të mund t’u thoshte izraelitëve kush e kishte dërguar (shih Eksodi 3:11–13).

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni tek Eksodi 3:13–14 dhe merreni parasysh emrin që Zoti i zbuloi Moisiut.

Moses Seeing Jehovah [Moisiu Duke Parë Jehovën], nga Joseph Brickey

Emri Unë Jam do të thotë “Ai është” ose “Ai ekziston” dhe lidhet drejtpërsëdrejti me emrin në hebraisht Yahweh ose Jehova. Jehova nënkupton “I Pandryshueshmi” (Bible Dictionary, “Jehovah”). Nderimi që ata ndien për emrin e Jehovës, është arsyeja pse judenjtë e përmendur në rrëfimin te Dhiata e Re reaguan aq dhunshëm kur Jezu Krishti u tha: “Para se të kishte lindur Abrahami, unë jam” (Gjoni 8:58). Përdorimi i termit “Unë jam” nga Krishti është i njëjtë si termi tek Eksodi 3:14 kur Ai thotë: “UNË JAM AI QË JAM”.

Jezusi duke u sfiduar

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha për deklaratën e Shpëtimtarit:

Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Ky është një pohim aq i hapur dhe i mprehtë mbi natyrën hyjnore sa mund të ketë bërë apo mund të bëjë një person. ‘Përpara Abrahamit isha unë Jehova.’ Që do të thotë: ‘Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm, i Madhi UNË JAM. Unë jam vetekzistuesi, i Përjetshmi. Unë jam Perëndia i etërve tuaj. Emri im është: UNË JAM AI QË JAM.” (Doctrinal New Testament Commentary [1965], 1:464)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si mund të ndikojë dijenia që Jezu Krishti është Jehova i Madh, Perëndia i Dhiatës së Vjetër, Ai që ekziston dhe është i pandryshueshëm, në mirëbesimin tuaj tek Ai? Çfarë ju mësojnë këta tituj rreth aftësisë së Tij për t’ju bërë premtime dhe për t’i mbajtur ato?

Pjesa 2

Në çfarë mënyrash mund të bekohet jeta ime duke i bërë dhe duke i mbajtur besëlidhjet me Jehovën?

Ndonëse Zoti, Jehova, është i fuqishëm dhe i pandryshueshëm, Ai dhe Ati i Tij e ftojnë secilin prej nesh në një marrëdhënie besëlidhëse me Ta. Kjo marrëdhënie besëlidhëse përfshin bekime të mundshme që nuk mund të merren në asnjë mënyrë tjetër.

Mund t’ju kujtohet se një besëlidhje është një “marrëveshje e shenjtë midis Perëndisë dhe një personi ose një grupi njerëzish. Perëndia vendos kushte specifike dhe premton të na bekojë kur u bindemi atyre kushteve. Kur zgjedhim të mos i mbajmë besëlidhjet, ne nuk mund t’i marrim bekimet dhe në disa raste vuajmë një ndëshkim si pasojë e mosbindjes sonë” (Gospel Topics, “Covenant”, topics.ChurchofJesusChrist.org).

Abrahami është një shembull i shkëlqyer i dikujt që bëri besëlidhjet me Zotin dhe i mbajti ato. Pavarësisht nga adhurimi i idhujve dhe shembulli i keq i shumë njerëzve përreth tij, Abrahami dëshiroi të ishte “ndjekës më i madh i drejtësisë” (Abraham 1:2). Dëshirat e Abrahamit u shpërblyen kur Jehova hyri në besëlidhje me të.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Ajo që shpesh quhet “besëlidhja e Abrahamit”, përfshin premtime që Perëndia na i ofron të gjithëve ne. Studioni vargjet tek Abraham 2:8–11 për t’u familjarizuar më shumë me pjesën e besëlidhjes së Abrahamit dhe përfytyroni se Zoti po jua thotë këto premtime edhe juve, po ashtu siç ia tha Abrahamit. Mund t’i shenjoni bekimet që gjeni.

The Lord Appearing unto Abraham [Zoti duke iu Shfaqur Abrahamit], nga Keith Larson

Besëlidhja e Abrahamit i përfshin të gjitha bekimet e përjetshme që vijnë nga ungjilli i Zotit, ordinancat e priftërisë dhe martesa çelestiale. Ky shteg fillon me një besëlidhje që bëhet në pagëzim, dhe vazhdon drejt tempullit dhe përtej tij ndërkohë që jemi të bindur ndaj besëlidhjeve që kemi bërë.

Presidenti Rasëll M. Nelson tha për besëlidhjen e Abrahamit:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Bekimet përfundimtare të besëlidhjes abrahamike jepen në tempujt e shenjtë. … Plotësimi i besëlidhjes së hershme abrahamike është i mundur vetëm për shkak të Zotit Jezu Krisht. Është Ai që ka bërë të mundur që ne të jetojmë me Perëndinë, me Të dhe me familjet tona përgjithmonë.” (Në “Dëshmitar i Veçantë i Krishtit”, Liahona, prill 2001, f. 7)

çift duke vështruar drejt tempullit

Lexojeni thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe merreni parasysh t’i shenjoni bekimet që vijnë nga ecja në shtegun e besëlidhjeve të Shpëtimtarit:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Çfarë është shtegu i besëlidhjeve? Ai është i vetmi shteg që të çon në mbretërinë çelestiale të Perëndisë. … Në udhën e shtegut të besëlidhjeve (e cila, meqë ra fjala, shtrihet përtej vdekshmërisë), ne marrim të gjitha ordinancat dhe besëlidhjet që i përkasin shpëtimit dhe ekzaltimit.

Zotimi ynë gjithëpërfshirës për besëlidhjet është të bëjmë vullnetin e Perëndisë ‘dhe të jemi të bindur ndaj urdhërimeve të tij, në të gjitha gjërat që ai do të na urdhërojë ne’ [Mosia 5:5]. …

… Besëlidhjet që Perëndia u ofron fëmijëve të Tij, bëjnë më shumë sesa të na udhërrëfejnë. Ato na lidhin me Të dhe, të lidhur me Të, ne mund t’i mundim të gjitha gjërat. …

… Perëndia mundëson një dhuratë thuajse të paimagjinueshme për t’i ndihmuar bërësit e besëlidhjeve që të jenë mbajtës të besëlidhjeve: dhuratën e Frymës së Shenjtë. Kjo dhuratë është e drejta për shoqërimin, mbrojtjen dhe udhërrëfimin e vazhdueshëm të Shpirtit të Shenjtë. …

Në shtegun e besëlidhjeve, ne gjithashtu gjejmë edhe bekimet thelbësore të faljes dhe pastrimit nga mëkati. …

Ata që e ndjekin shtegun e besëlidhjeve, gjejnë bekime të pazakonta në mbledhje të ndryshme, të caktuara në mënyrë hyjnore. … Një mbledhje [e] mirëfilltë [e] fiseve të Izraelit … tani është në vijim e sipër me mbledhjen e popullit të besëlidhjes në Kishë, në mbretërinë e Perëndisë në tokë. … Ka gjithashtu një mbledhje javore për popullin e besëlidhjes … për të marrë bukën dhe ujin e sakramentit në kujtim të Shlyerjes së Jezu Krishtit. …

Populli i besëlidhjes mblidhet gjithashtu në tempull, në shtëpinë e Zotit, për të marrë ordinancat, bekimet dhe zbulesat që janë në dispozicion vetëm atje. …

Në fund, është vetëm në ndjekjen e shtegut të besëlidhjeve që ne trashëgojmë bekimet e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, bekimet më të larta të shpëtimit dhe ekzaltimit, të cilat mund t’i japë vetëm Perëndia.” (“Arsyeja për Shtegun e Besëlidhjeve”, Liahona, maj 2021, f. 116, 118)

ikonë, veproni

Veproni

Presidenti Nelson vërejti: “Komplimenti më i madh që mund të arrihet këtu në këtë jetë, është të njihesh si mbajtës i besëlidhje[ve]” (“Besëlidhjet”, Liahona, nëntor 2011, f. 89). Përcaktoni një veprim që do të ndërmerrni duke filluar nga kjo javë, për të ecur përpara në shtegun e besëlidhjeve. Përsiatni se si Jezu Krishti – Jehova, i Pandryshueshmi – mund t’ju ndihmojë ta arrini synimin tuaj. Më pas merreni parasysh se si mund t’i ndihmoni të tjerët në shtegun e tyre.