“Materiali i Mësuesit për Mësimin 27: Gjetja e Shpresës te Drita dhe Jeta e Botës”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)
“Materiali i Mësuesit për Mësimin 27”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm
Materiali i Mësuesit për Mësimin 27
Gjetja e Shpresës te Drita dhe Jeta e Botës
Studentët mund të ndiejnë zymti, shkurajim dhe dëshpërim për shumë arsye. Në dallim me këtë, ata mund të mbushen me fuqinë e shpresës kur përqendrohen te Drita e Botës, Jezu Krishti. Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë për ta rritur shpresën e tyre tek Ai.
Sugjerime për Mësimdhënien
Jezu Krishti deklaron se Ai është Drita dhe Jeta e Botës.
Për ta filluar mësimin, mund të paraqitni fotografinë vijuese:
-
Shkrimet e shenjta flasin për njerëz që “ecin në terr” ose “rrin[ë] në terr” (shih te Psalmeve 82:5; Doktrina e Besëlidhje 95:6, 12; Psalmeve 107:10–11; Lluka 1:79). Çfarë mendoni se mund të përfaqësojë kjo errësirë?
Lexoni me zë të lartë te Gjoni 8:12 dhe Mosia 16:9 dhe u thoni studentëve të kërkojnë se si mund të na ndihmojë Jezu Krishti ta kapërcejmë errësirën. Paraqiteni të vërtetën vijuese në tabelë: Ndërsa e ndjekim Jezu Krishtin, Ai do të jetë drita dhe jeta e jetës sonë.
-
Në çfarë mënyrash është Jezu Krishti edhe drita, edhe jeta e jetës sonë? (Nëse nevojitet, ftojini studentët të shqyrtojnë thëniet nga Presidenti Dallin H. Ouks nga pjesa 1 e materialit të përgatitjes.)
Për t’i ndihmuar studentët të gjejnë lidhje me veten në këtë mësim, mund t’i paraqitni dhe lexoni me zë të lartë pyetjet më poshtë. Ftojini studentët t’i përsiatin këto pyetje ndërkohë që shikojnë materialin filmik “The Light That Shineth in Darkness” [“Drita që Shkëlqen në Errësirë”] (02:19).
-
Si mund t’ju bekojë, forcojë dhe ndihmojë ndjekja e Jezu Krishtit si Drita dhe Jeta e Botës?
-
Kur e keni përjetuar dritën ose jetën që siguron Jezu Krishti? Çfarë ndryshimi ka sjellë ose mund të sjellë ajo në jetën tuaj?
Pasi ta shikojnë materialin filmik, ftojini studentët t’i mbajnë shënim disa nga mendimet që patën rreth pyetjeve. Mund t’i ftoni ata t’i diskutojnë përgjigjet e tyre si klasë ose në grupe të vogla.
Mund ta paraqitni figurën shoqëruese të Tempullit të Solt-Lejkut dhe të lexoni së bashku thënien nga Motra Sheron Iubank në pjesën 1 të materialit të përgatitjes. Ose mund të shfaqni fragmentin filmik përkatës (00:00–01:17) nga biseda e saj “Krishti: Drita që Shkëlqen në Errësirë” (Liahona, maj 2019, f. 73–74).
-
Cilat janë disa mënyra se si kundërshtari “përpiqet që ta zbehë dritën tonë, ta shkëputë lidhjen” ose ta ndërpresë furnizimin tonë me dritën e Shpëtimtarit? (Sheron Iubank, “Krishti: Drita që Shkëlqen në Errësirë”, f. 74)
-
Cilat janë disa mënyra se si mund të lidhemi ose të qëndrojmë të lidhur me Jezu Krishtin, burimin e vërtetë të dritës dhe jetës? (Mund t’i ftoni studentët ta mbajnë shënim atë që mund të bëjnë.)
Shpresa rritet teksa e ngulitim përqendrimin tonë te Jezu Krishti.
Paraqiteni të vërtetën vijuese nga dokumenti “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”: Jezu Krishti “është drita, jeta dhe shpresa e botës”.
Në varësi të nevojave të studentëve tuaj, mund të jetë e dobishme ta shqyrtoni shkurtimisht përkufizimin për shpresën dhe thënien e dytë të Plakut Diter F. Uhtdorf në pjesën 2 të materialit të përgatitjes. Më pas, mund të pyetni:
-
Si bekohemi kur shohim drejt Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit si burimet tona themelore të shpresës? Pse është e dobishme të dimë se shpresa është gjithashtu një dhuratë?
Mund t’i ftoni studentët të mendojnë rreth dikujt që e njohin, i cili mund të ndihet i shkurajuar, i trishtuar, i vetmuar, i mbingarkuar ose i shqetësuar. Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Moroni 7:40–42 dhe Ethëri 12:4, duke kërkuar të vërtetat rreth shpresës te Krishti që mund ta ndryshojnë mënyrën se si e përjetojmë jetën.
Pasi t’u lini studentëve kohë të mjaftueshme për të studiuar, ftojini disa studentë t’i tregojnë të vërtetat që gjetën dhe mënyrën se si këto të vërteta mund ta rritin shpresën e dikujt te Krishti.
Merreni parasysh t’u kërkoni studentëve t’i referohen ndodhisë nga shkrimet e shenjta që zgjodhën të studiojnë nga pjesa 2 e materialit të përgatitjes. Jepuni atyre pak minuta për ta shqyrtuar atë që studiuan. Ndajeni klasën në grupe të vogla dhe kërkojuni studentëve ta tregojnë ndodhinë e tyre nga shkrimi i shenjtë dhe atë që mësuan nga ajo rreth shpresës te Krishti.
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë domethënien e pasjes së shpresës te Krishti, mund ta paraqitni të gjithën ose një pjesë të thënies vijuese nga Presidenti Uhtdorf, i cili në atë kohë po shërbente në Presidencën e Parë. Pasi studentët të kenë pasur një minutë kohë për ta lexuar dhe përsiatur këtë thënie, mund të ftoni një ose dy studentë që të dëshmojnë për shpresën e tyre te Jezu Krishti dhe mënyrën se si ndikon ajo te jeta e tyre.
“Me Jeremian, unë thërras: ‘Lum ai njeri … [shpresa e] të cilit është Zoti’ [Jeremia 17:7].
Me Joelin unë dëshmoj se: ‘Zoti [është] një strehë për popullin e tij dhe një fortesë për bijtë e Izraelit’ (Joel 3:16).
Me Nefin unë deklaroj: ‘Shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme’ (2 Nefi 31:20). …
Dhe të gjithëve atyre që vuajnë – të gjithë atyre që ndihen të shkurajuar, të shqetësuar apo të vetmuar – unë ju them me dashuri dhe me shqetësim të thellë për ju, kurrë mos u dorëzoni.
Kurrë mos u dorëzoni.
Kurrë mos lejoni që dëshpërimi të mposhtë shpirtin tuaj.
Përqafoni dhe mbështetuni në Shpresën e Izraelit, sepse dashuria e Birit të Perëndisë çan gjithë errësirën, zbut dhimbjen dhe gëzon çdo zemër.” (“Forca e Pafundme e Shpresës”, Liahona, nëntor 2008, f. 24)
Ftojini studentët të reflektojnë për pyetjet vijuese dhe t’i mbajnë shënim idetë, mbresat ose ndjenjat:
-
Çfarë keni mësuar sot që mund t’ju ndihmojë të gjeni shpresë gjatë kohëve të mundimit ose dëshpërimit?
-
Cilat janë gjërat e thjeshta që mund të bëni për ta rritur besimin dhe shpresën tuaj te Jezu Krishti?
Për Herën Tjetër
Për të ndihmuar që studentët të përgatiten për orën e fundit mësimore në këtë kurs, mund t’u dërgoni mesazhin vijues gjatë javës: Ndërsa studion materialin e përgatitjes për orën tonë të fundit mësimore, përsiat për atë që ke mësuar nga ky kurs. Si ka ndikuar ajo që ke mësuar te kuptueshmëria jote për Jezu Krishtin dhe te besimi yt tek Ai?