“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 7: Përqafimi i Drejtësisë, Mëshirës dhe Dashurisë së Perëndisë”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 7”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 7
Përqafimi i Drejtësisë, Mëshirës dhe Dashurisë të Perëndisë
Moisiu dha mësim se Jehova është “i drejtë dhe i mirë” (Ligji i Përtërirë 32:4). Ai tha edhe që Zoti është “i mëshirshëm dhe i dhembshur” (shih Eksodi 34:6). A e keni pyetur ndonjëherë veten se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të jenë të drejtë si edhe të mëshirshëm? Këto tipare hyjnore jo vetëm ju mësojnë rreth dashurisë së Perëndisë për ju, por edhe ju japin një shembull se si mund të tregoni dashuri për të tjerët.
Shënim: Në shkrimet e shenjta, titulli Perëndi mund t’i referohet ose Atit Qiellor ose Jezu Krishtit. Të dy i mishërojnë përsosurisht të gjitha tiparet hyjnore. Çfarëdo që mësojmë rreth Njërit, është njësoj e vërtetë për Tjetrin (shih Gjoni 14:9; 17:21).
Pjesa 1
Çfarë mund të më mësojë drejtësia e Perëndisë rreth dashurisë së Tij?
Disa njerëz e shohin “Perëndinë e Dhiatës së Vjetër” sikur sillet ndryshe nga “Perëndia i Dhiatës së Re”. Ata e shohin Perëndinë e Dhiatës së Vjetër, Jehovën, si hakmarrës, kërkues dhe të ashpër. Dhe ata e shohin Perëndinë e Dhiatës së Re, Jezu Krishtin, si dashamirës, falës dhe të mëshirshëm. Por siç mësuat në një mësim të mëparshëm: “[Jezu Krishti] ishte Jehova i Madhërishëm i Dhiatës së Vjetër [dhe] Mesia i Dhiatës së Re” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, ChurchofJesusChrist.org). Si mund të jetë i njëjti Perëndi korrigjues si dhe dashamirës, i zemëruar si dhe i duruar, i drejtë si dhe i mëshirshëm?
Këto tipare në dukje të kundërta janë shembuj të thellësisë dhe gjerësisë së karakterit të Perëndisë. Të kuptuarit e asaj se si Ai i mishëron të gjitha këto karakteristika na lejon t’i mirëbesojmë Atij më shumë. Mendoni për problemet të cilat mund të hasim në jetën tonë nëse kemi një këndvështrim “ose kështu ose ashtu” për tiparet hyjnore të Perëndisë, që Ai është ose i paanshëm dhe korrigjues, ose i dhembshur dhe falës. Teksa i studioni shkrimet e shenjta, mendoni rreth mënyrës se si lidhen të gjitha tiparet e Perëndisë me dashurinë e Tij të përsosur.
Le ta fillojmë me tiparin e drejtësisë. Çfarë mendimesh ju sjell kjo fjalë në mendje? Nganjëherë në shkrimet e shenjta drejtësia e Perëndisë mund të tingëllojë e ashpër. Disa rrëfime në Dhiatën e Vjetër përdorin fjalë si indinjatë dhe zemërim për të përshkruar drejtësinë e Perëndisë kundrejt të pabindurve dhe të ligjve (shih Isaia 1:4; Jeremia 32:30; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Zemërim”). Për shembull, për shkak të mosbindjes së popullit, Sodoma dhe Gomorra u shkatërruan prej zjarrit nga qielli (shih Zanafilla 19:15–25), shtëpia e Izraelit u shpërnda nga Asiria (shih 2 Mbretërve 15:27–31) dhe kombi i Judesë u zu rob nga babilonasit (shih 2 Mbretërve 24:10–16). Shkurt, të ligjtë shpesh e përjetuan peshën e drejtësisë së Perëndisë.
Kur lexojmë rreth zemërimit të Perëndisë, ne nuk duhet të hamendësojmë që ndjenjat dhe shprehjet tona të zemërimit, si njerëz të rënë, janë njësoj si zemërimi i drejtë i Perëndisë. Sikurse profeti Isaia na kujton: “‘Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia’, thotë Zoti” (Isaia 55:8).
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, ofroi perspektivën vijuese:
“Ne lexojmë vazhdimisht në Bibël dhe në shkrimet e shenjta moderne për zemërimin e Perëndisë ndaj të ligjve dhe për veprimin e Tij sipas zemërimit të Tij kundër atyre që shkelin ligjet e Tij. Si është zemërimi provë e dashurisë së Tij? … Dashuria e Perëndisë është aq e përsosur, sa Ai me dashuri na kërkon t’u bindemi urdhërimeve të Tij, sepse Ai e di se vetëm nëpërmjet bindjes ndaj ligjeve të Tij, ne mund të bëhemi të përsosur siç është Ai. Për këtë arsye, zemërimi i Perëndisë dhe zemërata e Tij nuk janë një kundërshtim i dashurisë së Tij, por një provë e dashurisë së Tij.” (“Dashuria dhe Ligji”, Liahona, nëntor 2009, f. 27)
Koha e drejtësisë së Perëndisë është gjithashtu një shenjë e dashurisë së Tij për fëmijët e Tij. Të marrim historinë e Noeut dhe të përmbytjes, për shembull. Në kohën e Noeut “toka ishte e korruptuar përpara Perëndisë” (Moisiu 8:28). Dhuna qe përhapur gjerësisht dhe njerëzit përfshiheshin vazhdimisht në punë të liga. Për gati 120 vjet Noeu e paralajmëroi popullin se, nëse nuk pendoheshin, ata do të shkatërroheshin nga një përmbytje (shih Moisiu 8:17–30). Ata e shpërfillën lutjen plot dashuri të Perëndisë dhe gjithkush përveç Noeut dhe familjes së tij vdiq nga përmbytja (shih Zanafilla 8:15–21).
Në vështrim të parë, kjo ngjarje mund të duket thjesht administrimi i një drejtësie të sertë dhe korrigjuese. Por nga një vegim që mori profeti Enok për kohën e Noeut, ne fitojmë ide mbresëlënëse për marrëdhënien midis drejtësisë së Perëndisë dhe dashurisë së Tij.
Për këtë skenë mallëngjyese, Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:
“Ajo skenë e vetme interesante bën më shumë për të na mësuar natyrën e vërtetë të Perëndisë sesa mund të përçonte ndonjëherë çfarëdo traktati teologjik. …
Çfarë shëmbëlltyre e pashlyeshme e përfshirjes së Perëndisë në jetën tonë! … Sa e lehtë ta duash dikë që na do në mënyrë kaq të pazakontë!” (“The Grandeur of God”, Liahona, nëntor 2003, f. 72)
Teksa mendoni rreth asaj çka dashuria e Zotit do të thotë për ju, mendoni rreth mënyrës më të mirë për t’ua përshkruar të tjerëve atë dashuri. Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Ka mënyra të shumta për ta shprehur dashurinë hyjnore dhe për të folur për të. Një prej termave që e dëgjojmë shpesh sot, është që dashuria e Perëndisë është ‘e pakushtëzuar’. Teksa në njëfarë kuptimi kjo është e vërtetë, fjala përshkruese e pakushtëzuar nuk shfaqet askund në shkrimin e shenjtë. Përkundrazi, dashuria e Tij përshkruhet në shkrimin e shenjtë si ‘dashuri[a] e madhe dhe e mrekullueshme’ [Doktrina e Besëlidhje 138:3], ‘dashuria e përsosur’ [1 Gjon 4:18; Moroni 8:16], ‘dashuri[a] shëlbuese’ [Alma 5:26] dhe ‘dashuria e përjetshme’ [Jeremia 31:3]. Këta janë terma më të mirë ngaqë fjala e pakushtëzuar mund të përcjellë përshtypje të gabuara rreth dashurisë hyjnore, të tilla si: Perëndia toleron dhe shfajëson gjithçka që bëjmë, pasi dashuria e Tij është e pakushtëzuar, ose të gjithë shpëtohen në mbretërinë e Perëndisë pasi dashuria e Perëndisë është e pakushtëzuar. Dashuria e Perëndisë është e pafundme dhe ajo do të zgjatë përgjithmonë, por çfarë nënkupton kjo për secilin prej nesh, varet nga mënyra se si i përgjigjemi dashurisë së Tij.” (“Qëndroni në Dashurinë Time”, Liahona, nëntor 2016, f. 48)
Pjesa 2
Çfarë mund të më mësojë mëshira e Zotit rreth dashurisë së Tij?
Na bën të ndihemi mirë që Perëndia na bekon kur bindemi. Por është e vështirë të na duhet të përjetojmë pasojat e zgjedhjeve tona jo të mira. Dhe kur pasojat janë të rënda, kjo mund të jetë tmerruese. Në kohë të tilla, mund t’i përgjërohemi Zotit për mëshirë.
Sidoqoftë, në shumë raste të tjera, ata që mëkatojnë, nuk e kuptojnë nevojën për mëshirën e Perëndisë. Merreni parasysh rastin e Koriantonin, djalit të Alma të Riut. Pasi e braktisi misionin e vet dhe kreu disa mëkate të rënda, Koriantonit i dukej se ishte “e padrejtë” që një mëkatar të ndëshkohej dhe të përjetonte mjerimin (shih Alma 42:1).
Jezu Krishti, me dashuri të thellë personale për ju dhe çdokënd, qëndron mes nesh dhe drejtësisë që na pret (shih Mosia 15:9). Ai tashmë e pagoi çmimin torturues për mëkatet tona. Dhe Ai dëshiron që t’u japë mëshirë të penduarve (shih Doktrina e Besëlidhje 19:16–18). Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë këshilltar në Presidencën e Parë, dha mësim:
“Ne nuk mund ta fitojmë udhën tonë drejt qiellit; kërkesat e drejtësisë qëndrojnë si pengesë, të cilën ne jemi të pafuqishëm ta kapërcejmë vetë.
Por jo gjithçka humbet. …
Mëkatet tona, edhe sikur të mund të jenë të kuqe flakë, mund të bëhen të bardha si bora. Ngaqë Shpëtimtari ynë i dashur ‘e dha veten si çmim për të gjithë’ [1 Timoteut 2:6], një hyrje për në mbretërinë e Tij të amshuar sigurohet për ne.” (“Dhurata e Hirit”, Liahona, maj 2015, f. 108)
Mendoni përsëri rreth vegimit të Enokut për Përmbytjen. Enoku mësoi se në botën e shpirtrave, madje edhe të pabindurit që vdiqën nga Përmbytja, mund të dalin përfundimisht e të qëndrojnë “në të djathtën e Perëndisë“ nëse ushtrojnë besim te Jezu Krishti dhe pendohen për mëkatet e tyre (Moisiu 7:57; shih edhe Moisiu 7:38, 55–56; Doktrina e Besëlidhje 138:6–8, 28–37).
Plaku Lin G. Robins, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim se si hiri i Zotit na jep shumë mundësi për të ndryshuar:
“Ne qëndrojmë plot habi përpara hirit të Shpëtimtarit kur na jep mundësi të dyta për ta mposhtur mëkatin ose dështimet e zemrës.
Askush nuk është nga ana jonë më shumë sesa Shpëtimtari. …
Duke e ditur që shtegu i ngushtë e i ngushtuar do të ishte plot me sprova dhe që dështimet do të ishin një dukuri e përditshme për ne, Shpëtimtari pagoi një çmim të pafundmë për të na dhënë aq mundësi sa do të na duheshin për ta kaluar me sukses provën tonë në vdekshmëri. …
Për shkak se nuk duam të mbarojmë derisa të bëhemi siç është Shpëtimtari, nevojitet të vazhdojmë të ngrihemi sa herë që rrëzohemi, me një dëshirë për të vazhduar rritjen dhe përparimin pavarësisht nga dobësitë tona.” (“Deri Shtatëdhjetë Herë Shtatë”, Liahona, maj 2018, f. 22, 23)