“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 19: Ndihma e Dhënë Zotit për Shëlbimin e të Vdekurve”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 19”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 19
Ndihma e Dhënë Zotit për Shëlbimin e të Vdekurve
Çfarë dini rreth paraardhësve tuaj? Pavarësisht nëse dini shumë ose pak, është e rëndësishme të mbani mend se ata ishin njerëz realë. Çdo njeri është një bijë ose bir i dashur i Atit Qiellor. Mendoni se sa prej paraardhësve tuaj dhe njerëzve të tjerë gjatë gjithë historisë jetuan dhe vdiqën pa një njohuri për Jezu Krishtin ose nuk e patën mundësinë që të merrnin ordinancat e ungjillit. Teksa studioni, merreni parasysh se si shërbesa e Shpëtimtarit në botën e shpirtrave ndihmoi për t’i shtrirë bekimet e ungjillit te të gjithë njerëzit. Përsiatni se çfarë mund të bëni për ta ndihmuar Shpëtimtarin në shëlbimin e të vdekurve.
Pjesa 1
Çfarë na mëson për Jezu Krishtin shërbesa e Tij në botën e shpirtrave?
Plaku Spenser J. Kondi, ndërsa shërbente si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, tha:
“Faktet e vdekjes dhe Ringjalljes së Jezusit brohoriten nga njerëzit e besimeve të krishtera si parime themelore. Megjithatë, ajo që shpirti i pavdekshëm i Jezusit bëri pas vdekjes së Tij dhe përpara Ringjalljes së Tij është një mister për të gjithë përveç shenjtorëve të ditëve të mëvonshme.” (“The Savior’s Visit to the Spirit World”, Ensign, korrik 2003, f. 32)
Bota e shpirtrave është një mister për shumë njerëz ngaqë Bibla e përmend atë pak. Gjatë shërbesës të Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti profetizoi se “të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë” (Gjoni 5:25; shih edhe vargjet 24, 26–28). Kur ishte në kryq, Jezusi i tha hajdutit të penduar pranë Tij: “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë [ose në botën e shpirtrave]” (Lluka 23:43). Pjetri më vonë dha mësim se pas vdekjes së Jezusit, Ai “shkoi t’u predikojë frymërave që ishin në burg” (1 Pjetër 3:19; 4:6).
Në vitin 1918, Presidenti Jozef F. Smith po i përsiaste këto fjalë nga Pjetri dhe po mendonte për Shlyerjen e Shpëtimtarit kur pati një vegim mbresëlënës për botën e shpirtrave (shih Doktrina e Besëlidhje 138:1–11).
Gjatë këtij vegimi, Presidenti Jozef F. Smith vrau mendjen se si Shpëtimtari mund t’ua jepte mësim ungjillin të gjithë shpirtrave të të vdekurve përderisa Ai ishte atje vetëm për një kohë kaq të shkurtër (shih Doktrina e Besëlidhje 138:25–28).
Pjesa 2
Si mund ta ndihmoj Zotin në shëlbimin e të vdekurve?
Për shkak të dashurisë dhe mëshirës së Tyre të pafundme, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti përgatitën një mënyrë që të gjithë njerëzit të marrin ordinancat thelbësore për ekzaltim – pagëzimin, konfirmimin, shugurimin në Priftërinë Melkizedeke (për burrat), dhurimin në tempull dhe vulosjen e martesës. E parë nga një këndvështrim i përjetshëm, ne shohim pasues të Shpëtimtarit në të dyja anët e velit duke punuar së bashku me Të për shpëtimin e të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor. Puna e shpëtimit për të vdekurit është një mundësi e shenjtë në të cilën mund të marrim pjesë tani dhe gjatë gjithë jetës sonë. Një mënyrë se si mund të ndihmojmë në këtë punë është nëpërmjet ordinancave me mëkëmbës, të cilat mund të kryhen vetëm në tempuj.
Nëpërmjet profetëve të Tij Zoti i fton të gjithë anëtarët e Kishës që të përgatitin historitë e tyre familjare dhe të përcaktojnë njerëzit që kanë nevojë për ordinancat shpëtuese. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Duke bërë për të tjerët atë që ata nuk mund ta bëjnë për veten e tyre, ne ndjekim shembullin e Shpëtimtarit i cili kreu Shlyerjen për të bekuar jetën e njerëzve të tjerë”. (“Personal Preparation for Temple Blessings”, Liahona, maj 2001, f. 34)
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha për punën me mëkëmbës që kryhet në tempuj:
“Përpjekjet tona në emër të të vdekurve japin dëshmi të qartë se Jezu Krishti është Shëlbuesi hyjnor i tërë njerëzimit. Hiri dhe premtimet e Tij arrijnë edhe tek ata që në jetë nuk e gjejnë Atë.” (“The Redemption of the Dead and the Testimony of Jesus”, Ensign, nëntor 2000, f. 11)
Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përcaktoi një listë të bekimeve “mahnitëse dhe befasuese” që mund t’i marrim ndërsa përfshihemi në punën për historinë familjare dhe punën në tempull:
“Kuptueshmëri më të madhe për Shpëtimtarin dhe flijimin e Tij shlyes;
Ndikim më të madh të Frymës së Shenjtë për të ndier forcë dhe drejtim për vetë jetën tonë;
Besim më të madh, në mënyrë që kthimi në besim te Shpëtimtari të bëhet i thellë dhe i qëndrueshëm;
Aftësi dhe shtysë më të madhe për të mësuar e për t’u penduar për shkak të një kuptueshmërie se cilët jemi, nga vijmë dhe një pamjeje më të qartë se ku po shkojmë;
Ndikime më të mëdha përmirësuese, shenjtëruese dhe pajtuese në zemrat tona;
Gëzim më të madh nëpërmjet një aftësie më të madhe për ta ndier dashurinë e Zotit;
Bekime më të mëdha familjare, pavarësisht nga gjendja jonë familjare e tanishme, e shkuar apo e ardhshme, apo … sa e papërsosur mund të jetë pema jonë familjare;
Dashuri dhe vlerësim më të madh për paraardhësit dhe të afërmit e gjallë, prandaj ne nuk ndihemi më të vetëm;
Fuqi më të madhe për të dalluar ato gjëra që kanë nevojë për shërim dhe si rrjedhojë, me ndihmën e Zotit, për t’u shërbyer të tjerëve;
Mbrojtje më të madhe nga tundimet dhe ndikimi në shtim e sipër i kundërshtarit; dhe
Ndihmë më të madhe për t’i shëruar zemrat e shqetësuara, të thyera apo të merakosura dhe për t’i shëruar të lënduarit.
Nëse jeni lutur për ndonjë prej këtyre bekimeve, merrni pjesë në historinë familjare dhe punën në tempull. Kur ta bëni këtë, lutjet tuaja do të marrin përgjigje. Kur kryhen ordinanca në emër të të vdekurve, fëmijët e Perëndisë në tokë shërohen.” (“Historia Familjare dhe Puna në Tempull: Vulosja dhe Shërimi”, Liahona, maj 2018, f. 47)