Instituti
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 21: Të Dëgjuarit e Zërit të Zotit në Ditët e Mëvonshme


“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 21: Të Dëgjuarit e Zërit të Zotit në Ditët e Mëvonshme”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 21”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

i ri në moshë madhore i lumtur

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 21

Të Dëgjuarit e Zërit të Zotit në Ditët e Mëvonshme

Shumë njerëz e kanë pyetur veten nëse Perëndia vazhdon të na flasë. Nganjëherë mund të pyetni veten nëse Ai do t’ju flasë juve. Me njohurinë tonë për Rivendosjen, ne mund të themi “Po” me një zë kumbues. Zoti vazhdon të na udhërrëfejë teksa mësojmë ta dëgjojmë Atë. Ndërsa e studioni këtë mësim, vëzhgoni për mënyrën se si Jozef Smithi dhe njerëz të tjerë në kohën tonë kanë mësuar ta dallojnë zërin e Shpëtimtarit. Shpenzoni pak kohë që ta rritni aftësinë tuaj për ta dëgjuar Atë në vetë jetën tuaj.

Pjesa 1

Si mund të më ndihmojë dëshmia e Profetit Jozef Smith që ta dëgjoj e ta njoh më mirë Jezu Krishtin?

Në rininë e tij Jozef Smithi ishte thellësisht i shqetësuar rreth mirëqenies së shpirtit të tij dhe se me cilën kishë duhej të bashkohej. “Ngatërresa dhe grindja midis zotërimeve të ndryshme” në komunitetin e tij e lanë të pasigurt se “kush kishte të drejtë dhe kush ishte gabim” (shih Joseph Smith – Historia 1:8–10).

I frymëzuar nga këshilla në Bibël që të “kërkojë nga Perëndia” (Jakob [Bibël] 1:5), Jozefi shkoi të lutej në një korije me pemë. Si përgjigje ai mori një vegim të lavdishëm. Jozefi tha: “Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua. … Unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin – Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith – Historia 1:16–17.)

First Vision [Vegimi i Parë], nga Walter Rane

Përveç Vegimit të Parë, Jozef Smithi i pa Atin Qiellor ose Shpëtimtarin në të paktën tetë raste të tjera (shih Sarah Jane Weaver, “President Nelson at Mission Leadership Seminar: How to Receive Divine Tutoring like the Prophet Joseph Smith”, Church News, 27 qershor 2020, thechurchnews.com). Njëri nga këto raste ishte kur Jozefi dhe Sidni Rigdoni po punonin me përkthimin e frymëzuar të Biblës (shih Doktrina e Besëlidhje 76). Një tjetër erdhi kur Shpëtimtari iu shfaq dhe u foli Jozefit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit (shih Doktrina e Besëlidhje 110).

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 76:22–24 dhe 110:2–4, duke kërkuar se çfarë mund të mësoni rreth Shpëtimtarit.

Christ Appears in the Kirtland Temple [Krishti Shfaqet në Tempullin e Kirtlandit], nga Walter Rane

Presidenti Gordon B. Hinkli tha lidhur me dëshminë e Jozef Smithit për Shpëtimtarin:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Ai ishte shërbëtori i Zotit në ditët e mëvonshme i cili u zgjodh për të dhënë dëshmi sërish për Krishtin e ringjallur.

Në një botë të pllakosur nga dyshimi për realitetin e Ringjalljes, Jozef Smithi dëshmoi në mënyrë të pagabueshme për Krishtin e ringjallur dhe të gjallë. … Profeti Jozef Smith ishte një dëshmitar i shquar i Krishtit të gjallë.” (“What Hath God Wrought through His Servant Joseph!”, Ensign, janar 1997, f. 2)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si mendoni, çfarë e bën Jozef Smithin “një dëshmitar [të] shquar [të] Krishtit të gjallë”? (I shquar do të thotë që ua kalon të gjithë të tjerëve.) Si e ka ndikuar dëshminë tuaj dëshmia e Jozefit për Shpëtimtarin? Nëse nuk ndiheni të sigurt rreth dëshmisë suaj për Jezu Krishtin, si mund të ndihmojë për ta forcuar besimin tuaj një studim plot lutje i zbulesave të Jozef Smithit? (Shih D. Todd Christofferson, “3 Ways Joseph Smith Reveals Jesus Christ to Us”, New Era, mars 2020, f. 2–5.)

Pjesa 2

Si mund ta përmirësoj aftësinë time për ta dëgjuar zërin e Zotit?

Mbani mend fjalët e para që Ati Qiellor i tha Jozefit: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith – Historia 1:17.) Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Në këto dy fjalë – ‘Dëgjojeni Atë’ – Perëndia na jep modelin për sukses, lumturi dhe gëzim në këtë jetë” (“Dëgjoje Atë”, Liahona, maj 2020, f. 89).

Nuk është gjithmonë e lehtë të dallojmë se kur po na flet Zoti. Jozef Smithit dhe udhëheqësve të tjerë të hershëm të Kishës iu desh të mësonin se si ta dallonin zërin e Tij. Por plot dashuri, Shpëtimtari i mësoi ata – dhe do të na mësojë edhe ne – kur kërkojmë ta dëgjojmë Atë.

Ndërkohë që jetonte me qira në shtëpinë e Jozef Smith Plakut, Oliver Kaudëri mësoi rreth punës së Profetit. Oliveri u lut rreth çështjes dhe u mbush me paqe rreth asaj që kishte dëgjuar.

Oliver Kaudëri duke marrë zbulesë

Edhe kur zgjodhi të udhëtonte rreth 480 km për të ndihmuar Profetin, Oliveri nuk i tregoi askujt rreth përvojës së tij ndërkohë që lutej. Pasi kaloi disa ditë si shkruesi i Jozefit për përkthimin e Librit të Mormonit, Oliveri ende kishte pyetje. Si shumë prej nesh, ai mund të ketë pyetur veten nëse mendimet dhe ndjenjat e tij ishin nga Perëndia apo ishin thjesht mendimet e tij. Jozefi mori një zbulesë për Oliverin që i mësoi atij një të vërtetë të ëmbël rreth dëgjimit të zërit të Zotit.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Studioni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 6:14–15, 22–23 dhe merreni parasysh se çfarë mund të mësoni nga përvoja e Oliverit rreth dëgjimit të Zotit. Mund të shihni edhe materialin filmik “Days of Harmony” [“Ditët në Harmoni”] nga kodi kohor 15:35 deri në 17:20.

25:2

Ashtu si Oliveri, ju mund të bëheni më të vetëdijshëm për zërin e Zotit në jetën tuaj. Por ku shkojmë ne që ta dëgjojmë Atë? Presidenti Nelson përshkroi disa prej burimeve nga të cilat mund ta dëgjojmë zërin e Zotit:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Ne mund të shkojmë te shkrimet e shenjta. … Teksa ushqehemi me bollëk përditë me fjalët e Krishtit, fjalët e Krishtit do të na thonë se si të reagojmë ndaj vështirësive me të cilat kurrë nuk menduam se do të përballeshim.

Ne gjithashtu mund ta dëgjojmë Atë në tempull. … Atje ne mësojmë se si ta hapim velin dhe të komunikojmë më qartë me qiellin. …

Ne gjithashtu e dëgjojmë Atë më qartë teksa e përpunojmë aftësinë tonë për t’i dalluar pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë. …

… Dhe, së fundi, ne e dëgjojmë Atë kur u kushtojmë vëmendje fjalëve të profetëve, shikuesve dhe zbuluesve. Apostujt e shuguruar të Jezu Krishtit gjithmonë dëshmojnë për Të.” (Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 90)

e re në moshë madhore duke përsiatur

Edhe pse mund t’i lexojmë fjalët e Shpëtimtarit dhe t’i dëgjojmë profetët e Tij, zëri i Tij nuk është shpesh një zë që e dallojmë me anë të ndjesive tona fizike. Shpëtimtari u tha Jozefit dhe Oliverit: “Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë. … Vër re, ky është shpirti i zbulesës” (Doktrina e Besëlidhje 8:2–3). Shpirti është kyçi që e çon zërin e Zotit në mendjen dhe zemrën tonë. Mendoni se çfarë mund të bëni për ta ftuar Zotin që t’ju flasë dhe çfarë mund të bëni më pas për ta dëgjuar zërin e Tij.

Motra Mishel D. Krejg, këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, ofron disa sugjerime që mund t’ju ndihmojnë ta rritni aftësinë tuaj për ta dëgjuar Zotin:

Motra Mishel D. Krejg
  1. “Jini të Qëllimshëm në Krijimin e Kohës dhe të Hapësirës për ta Dëgjuar Zërin e Perëndisë

    Teksa përdorni lirinë tuaj të zgjedhjes që të kushtoni kohë çdo ditë për t’iu afruar zërit të Perëndisë, veçanërisht në Librin e Mormonit, me kalimin e kohës, zëri i Tij do të bëhet më i qartë e më i njohur për ju. …

    Satani do të na shkëpusë nga zëri i Perëndisë duke na mbajtur jashtë atyre vendeve të qeta. …

  2. Veproni pa Vonesë

    Kur merrni nxitje dhe më pas veproni me qëllim, Zoti mund t’ju përdorë. Sa më shumë të veproni, aq më i njohur bëhet zëri i Shpirtit. …

  3. Merreni Punën Tuaj nga Zoti

    Lutja që Ati Qiellor duket se pret me padurim t’i përgjigjet, është përgjërimi ynë për t’u drejtuar te dikush që ka nevojë për ndihmën tonë. …

  4. Besoni dhe Mirëbesoni

    … Si dishepull i Tij besnik, ju mund të merrni frymëzim dhe zbulesë vetjake në përputhje me urdhërimet e Tij që janë përshtatur për ju.” (“Aftësia Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2019, f. 19, 20, 21)

e re në moshë madhore duke shkruar në ditar
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Teksa përsiatni këshillën nga Presidenti Nelson dhe Motra Krejg, mendoni për mënyrën se si Zoti ju flet më shpesh juve. Mbani shënim një përvojë që e keni pasur duke dëgjuar zërin e Zotit. Mund të dëgjoni edhe për disa shembuj të mënyrës se si udhëheqësit e Kishës e “Dëgjoj[në] Atë!” (ChurchofJesusChrist.org.)