Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 11: Të Shijuarit e Bekimeve të Kishës së Zotit


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 11: Të Shijuarit e Bekimeve të Kishës së Zotit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 11”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Materiali i Mësuesit për Mësimin 11

Të Shijuarit e Bekimeve të Kishës së Zotit

Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri dhe përsëri në ditët e mëvonshme, Jezu Krishti thirri Apostuj dhe organizoi Kishën e Tij. Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë për t’i marrë parasysh bekimet që janë në dispozicion të tyre nëpërmjet Kishës së Zotit. Ata gjithashtu do të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë për ta përmirësuar përvojën e tyre vetjake dhe të të tjerëve në Kishë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Ne mund të gjejmë qëllim në Kishën e Zotit.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Tregoni respekt ndaj feve të tjera. Ndërsa i diskutoni bekimet e pashoqe të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, sigurohuni që diskutimi juaj të tregojë respekt ndaj besimeve të tjera fetare. Mund të jetë e rëndësishme të theksoni ndihmesat domethënëse dhe pozitive që fetë e tjera kanë bërë gjatë gjithë historisë dhe vazhdojnë të bëjnë në kohën tonë.

Mund ta filloni orën mësimore duke treguar skenarin vijues:

Kohët e fundit Izabela nuk vjen më në kishë. Ajo ka arritur të besojë se mund të jetë shpirtërore pa marrë pjesë në kishë. Pasi ju tregon rreth disa çasteve shpirtërore që ka pasur vetë, ajo ju pyet përse mendoni se pjesëmarrja në kishë është e rëndësishme.

  • Sa e përhapur është kjo ide mes të rinjve në moshë madhore që ju njihni?

  • Si do t’i përgjigjeshit pyetjes së Izabelës?

Pasi studentët të flasin, mund të shkruani kreun vijues në tabelë: Bekimet nga Pjesëmarrja në Kishën e Zotit. Pastaj ftojini studentët t’i renditin idetë e veta nën këtë titull.

Studentët mund të renditin disa nga bekimet vijuese: marrja dhe përdorimi i autoritetit dhe i çelësave të priftërisë, marrja e ordinancave dhe bërja e besëlidhjeve, të mësuarit e doktrinës së pastër dhe të qartë, marrja e ndihmës për t’u penduar, gjetja e mundësive për të mbledhur Izraelin, ndihma ndaj të varfërve dhe plotësimi i nevojave humanitare, pjesëmarrja në punën në tempull për të vdekurit, pasja e mundësive për t’u shërbyer të tjerëve dhe për t’u shoqëruar me ta, si dhe forcimi i familjeve.

  • Si mendoni, cilat nga këto bekime gjenden vetëm në Kishën e Zotit?

Ndërsa e zhvilloni këtë diskutim, merreni parasysh se cilat nga veprimtaritë dhe pyetjet vijuese do të ishin të dobishme për t’i vënë në dukje si bekimet e pashoqe të Kishës. (Mund të mos keni kohë të mjaftueshme për t’i diskutuar të gjitha këto tema. Gjithashtu mund të zgjidhni që të thelloheni te pjesë të ndryshme të diskutimit.)

Autoriteti dhe Çelësat e Priftërisë

Mund t’u kërkoni studentëve ta interpretojnë me role skenarin vijues në dyshe:

Miku ose mikja juaj, që po tregon interes për Kishën, thotë: “E kuptoj që kisha juaj udhëhiqet nga Apostuj. Si ndryshojnë ata nga udhëheqësit në kishat e tjera?”

Studentët mund të lexojnë së bashku tek Efesianëve 2:19–20; Mateu 10:1, 7–8; 16:19; Veprat e Apostujve 1:21–22 dhe Doktrina e Besëlidhje 107:23 për ta filluar këtë veprimtari. (Mund të doni ta vlerësoni të kuptuarit që kanë studentët për çelësat e priftërisë dhe t’i ndihmoni të kuptojnë më shumë nëse nevojitet. Shihni bisedën e Presidentit Rasëll M. Nelson “Keys of the Priesthood” [“Çelësat e Priftërisë” [Ensign, tetor 2005, f. 40–44], që përmendet te pjesa “Doni më Shumë?” në materialin e përgatitjes.)

  • Çfarë bekimesh mund të vijnë vetëm nëpërmjet fuqisë dhe autoritetit të priftërisë së shenjtë? (Merreni parasysh t’i shqyrtoni thëniet nga Presidenti Dallin H. Ouks dhe Plaku Robert D. Hejls në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.) Kur i keni përjetuar këto bekime?

Ordinancat dhe Besëlidhjet e Priftërisë

  • Cilat janë ndjenjat tuaja rreth marrjes së ordinancave të shenjta dhe bërjes së besëlidhjeve të shenjta me Perëndinë? (Mund t’i ftoni studentët të përsiatin bekimet që i presin teksa vazhdojnë të shkojnë përpara në shtegun e besëlidhjeve.)

Qartësia rreth Doktrinës së Zotit

  • Si mbrohemi nga “çdo erë doktrineje” (Efesianëve 4:14) teksa marrim pjesë në Kishë? (Shqyrtojini së bashku vargjet tek Efesianëve 4:11–14.) Si ju ka ndihmuar konferenca e përgjithshme të mësoni dhe ta kuptoni doktrinën e Krishtit?

Puna në Tempull

  • Si ju ka bekuar ju vetë puna në tempull dhe për historinë familjare?

Mbledhja e Izraelit

  • Në çfarë mënyrash ju ka ndihmuar Kisha e Zotit ta mblidhni Izraelin në të dyja anët e velit? Si e kanë bekuar jetën tuaj këto veprime?

Kërkojuni studentëve të zgjedhin njërin nga bekimet e renditura në tabelë që do të donin ta shijonin më plotësisht në jetën e tyre. Jepuni studentëve kohë për të bërë një plan, përfshirë renditjen e hapave që mund të hedhin për të marrë bekimet që përcaktuan.

Ne mund t’i bëjmë mikpritëse lagjet dhe degët tona.

Mund t’i pyetni studentët se çfarë do të bënin po t’u kërkohej të shërbenin në lagjen ose degën e tyre me dikë që kishte opinione shumë të ndryshme ose me të cilin apo cilën mund të jetë sfiduese të punojnë.

  • Si jeni rritur në dishepullimin tuaj teksa keni shërbyer e punuar me anëtarë të tjerë të Kishës? (Shihni thëniet e Plakut D. Tod Kristoferson te pjesa 2 e materialit të përgatitjes.)

Merreni parasysh të shqyrtoni së bashku vargjet te Moroni 6:4–5 dhe pyetini studentët a kanë pasur përvoja në kishë kur ndien se dikush i kujtoi, i ushqeu shpirtërisht ose i forcoi. Mund të mendojnë edhe rreth rasteve kur janë ndier vetëm në kishë.

Kujtojuni studentëve që gjatë përgatitjes për orën mësimore, atyre iu bë ftesë të mendonin për dikë që mund të bekohej nga shoqëria e tyre. Jepuni studentëve ca kohë për të përsiatur se çfarë mund të bëjnë për ta ndihmuar këtë person të ndiejë se e duan dhe e mirëpresin në kishë.

Për Herën Tjetër

Për t’i frymëzuar studentët të përgatiten për orën e ardhshme mësimore, merreni parasysh t’u dërgoni mesazhin vijues gjatë javës: “Si do të kishte qenë po të uleshe te këmbët e Shpëtimtarit dhe ta dëgjoje Atë të jepte mësim?” Teksa e lexoni materialin e përgatijes për mësimin 12, merreni parasysh ndikimin që po kanë mësimet e Krishtit në jetën tuaj.