Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 9: Ngazëllimi nga Lindja Hyjnore e Jezu Krishtit


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 9: Ngazëllimi nga Lindja Hyjnore e Jezu Krishtit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 9”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Materiali i Mësuesit për Mësimin 9

Ngazëllimi nga Lindja Hyjnore e Jezu Krishtit

Sikurse e shpalli një engjëll, lindja e Jezu Krishtit ishte arsye për “gëzim të madh” (Lluka 2:10). Gjatë kësaj ore mësimore, studentët do të kenë mundësinë të shpjegojnë se përse prejardhja e pashoqe prindërore e Jezu Krishtit ishte thelbësore që Ai të bëhej Shpëtimtari ynë. Studentët gjithashtu do t’i ftojnë që t’i shprehin ndjenjat e tyre rreth dashurisë hyjnore të shfaqur nga denjimi i Perëndisë dhe rreth mënyrës se si ajo dashuri mund të ndikojë te zgjedhjet që bëjnë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Maria mëson se do të jetë nëna e Birit të Perëndisë.

Vizatojeni në tabelë diagramin vijues dhe ftojini disa studentë të tregojnë tiparet që trashëguan nga prindërit e tyre.

Pamja
diagrami i prejardhjes prindërore

Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Lluka 1:30–35 dhe kërkoni mënyrën se si engjëlli Gabriel e përshkroi birin që do të lindte Maria.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Shmangeni spekulimin. Përmbahuni që të mos diskutoni me studentët tema doktrinore për të cilat profetët dhe apostujt nuk kanë zgjedhur të japin mësim ose rreth të cilave nuk kanë bërë ende një deklaratë zyrtare. Për shembull, udhëheqësit e Kishës kanë paralajmëruar kundër spekulimit rreth mënyrës se si u ngjiz Shpëtimtari (shih The Teachings of Harold B. Lee, red. Clyde J. Williams [1996], f. 14). Në rrethana të tilla, është në rregull që thjesht të pranojmë se nuk e dimë ose që ai informacion nuk është zbuluar. Përqendrohuni tek ajo që dimë dhe që Fryma e Shenjtë mund ta pohojë si të vërtetë në zemrat e studentëve.

Vizatoni në tabelë diagramin shoqërues.

Pamja
diagrami i prejardhjes prindërore të Jezu Krishtit

Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë rreth domethënies së prejardhjes së pashoqe prindërore të Jezu Krishtit, merreni parasysh të bëni disa nga pyetjet vijuese:

  • Çfarë tiparesh të pashoqe trashëgoi Jezu Krishti nga Maria? Nga Ati Qiellor?

  • Si lidhet prejardhja e pashoqe prindërore e Jezu Krishtit me Shlyerjen dhe Ringjalljen e Tij? (Si pjesë të diskutimit, mund t’i shqyrtoni me studentët vargjet te Gjoni 10:17–18 dhe thënien nga Presidenti Rasëll M. Nelson në pjesën 1 të materialit të përgatitjes. Ndihmojini studentët të përcaktojnë një të vërtetë si ajo në vijim: Për shkak të prejardhjes së Tij të pashoqe prindërore, Jezu Krishti kishte fuqinë të shlyente për mëkatet tona dhe të jepte jetën e Tij dhe ta merrte atë përsëri.)

Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë më thellësisht rreth kësaj doktrine, mund t’i ftoni ata t’i mbajnë shënim mendimet dhe përshtypjet e tyre rreth këtyre pyetjeve:

  • Çfarë mund t’ju mësojë kjo natyrë e dyfishtë e Jezu Krishtit rreth aftësisë së Tij për t’u lidhur me ju në vdekshmëri?

  • Si lidhen me njëra‑tjetrën dhe me ju frazat në këtë fjali nga dokumenti “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org): “[Jezu Krishti] ishte i Parëlinduri i Atit, Biri i Vetëmlindur në mish, Shëlbuesi i botës”?

Nefi pa në vegim denjimin e Perëndisë.

Merreni parasysh t’i paraqitni figurat vijuese të Jezusit si Krijues i botës, si një foshnjë e pafuqishme dhe si një person i vetmuar në kryq. Pyetini studentët se çfarë na mësojnë këto imazhe rreth denjimit të Jezu Krishtit. Nëse nevojitet, lexoni përkufizimin e denjimit që gjendet në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.

Pamja
Christ and the Creation [Krishti dhe Krijimi], nga Robert T. Barrett
Pamja
Jezusi foshnjë i shtrirë në një grazhd
Pamja
The Crucifixion [Kryqëzimi], nga Harry Anderson

Për ta vazhduar këtë diskutim, mund t’i ndani studentët në grupe të vogla dhe t’i jepni çdo grupi një kopje të fletushkës vijuese.

Denjimi i Perëndisë

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 9

Ndajini detyrat vijuese të leximit mes grupit tuaj. Teksa lexoni, kërkoni mënyrën se si Zoti zbriti vullnetarisht nga një pozicion më i lartë në një gjendje më të ulët.

  1. Abraham 3:24–25, 27; Filipianëve 2:7–8

  2. 1 Nefi 11:14–22

  3. 1 Nefi 11:26–27, 31–33

  4. Thëniet nga Presidenti Ted R. Kelister dhe Plaku D. Tod Kristoferson në pjesën 2 të materialit të përgatitjes dhe thënien vijuese nga Motra Uendi Ulrih, ish-anëtare e këshillit të përgjithshëm konsultativ të Shoqatës së Ndihmës:

“[Shpëtimtari] u lind si një foshnjë e pafuqi[shme] në një trup të vdekshëm dhe u rrit nga [prindër] të papërsosur. Atij iu desh të mësonte se si të ecte, të fliste, të punonte dhe të ishte në harmoni me të tjerët. Ai kishte uri dhe lodhej, ndiente emocione njerëzore dhe mund të sëmurej, vuante, mund t’i rridhte gjak dhe të vdiste.” (“Nuk Është Mëkat të Jesh i Dobët”, Liahona, prill 2015, f. 23)

Pastaj diskutoni së bashku për pyetjet vijuese:

  • Çfarë na mësojnë këto lexime rreth denjimit të Jezu Krishtit?

  • Çfarë na mëson denjimi i Jezu Krishtit rreth dashurisë së Shpëtimtarit tonë dhe dashurisë së Atit tonë Qiellor për ne? Si ndikon dashuria e Tyre për ju te dashuria juaj për Ta?

Denjimi i Perëndisë

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 9

Pamja
fletushka e mësuesit

Pas një kohe të mjaftueshme për diskutim, mund të paraqitni thënien vijuese dhe të shprehni ndjenjat tuaja rreth saj: Denjimi i Jezu Krishtit demonstron dashurinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit për secilin prej nesh.

  • Çfarë mund të mësojmë nga Shpëtimtari nëpërmjet shembullit të Tij të denjimit për të ndihmuar më të voglin prej nesh? (Nëse nevojitet, studentët mund të shqyrtojnë thënien e Peshkopit Riçard C. Exhli në pjesën 2 të materialit të përgatitjes. Studentët mund të përsiatin gjithashtu për një minutë për mënyrën se si mund ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit ndërsa kërkojnë t’u japin shërbesë e t’u shërbejnë të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor.)

Kujtojuni studentëve se në pjesën 2 të materialit të përgatitjes, atyre iu bë ftesë të lexonin ose dëgjonin tekste të himneve që flasin për denjimin e Shpëtimtarit. Studentët mund të shqyrtojnë njërin nga himnet dhe më pas t’ia tregojnë klasës fjalët dhe frazat që iu bënë më tepër përshtypje nga himni. Nëse koha e lejon, mund të dëshironi të këndoni së bashku një strofë ose dy strofa nga këto himne.

Për t’i ndihmuar studentët që t’i zbatojnë ato që kanë mësuar dhe ndier gjatë orës mësimore, ftojini ata të përsiatin dhe t’i mbajnë shënim përgjigjet e tyre për pyetjen vijuese ose një pyetje që e zgjidhni vetë:

  • Çfarë mund të bëni për t’ia treguar Shpëtimtarit mirënjohjen tuaj për gatishmërinë e Tij për të denjuar që të mund t’ju shëlbonte dhe shpëtonte?

Për Herën Tjetër

Për t’u kujtuar studentëve që të studiojnë materialin e përgatitjes për orën e ardhshme mësimore, merreni parasysh t’u dërgoni mesazhin vijues ose një mesazh tuajin: “Çfarë përparësie ka pasur Shpëtimtari në jetën tuaj këtë javë? Merreni parasysh se si mund t’ju ndihmojë materiali i përgatitjes për mësimin 10 për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje.

Shtyp në Letër