Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 16: Pranimi me Gatishmëri i Flijimit të Madh Shlyes të Shpëtimtarit


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 16: Pranimi me Gatishmëri i Flijimit të Madh Shlyes të Shpëtimtarit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 16”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Materiali i Mësuesit për Mësimin 16

Pranimi me Gatishmëri i Flijimit të Madh Shlyes të Shpëtimtarit

Shlyerja e Jezu Krishtit është në qendër të planit të Atit Qiellor për shpëtimin. Gjatë këtij mësimi studentët mund ta thellojnë vlerësimin e tyre për çmimin që Jezu Krishti pagoi “për të shlyer për mëkatet e gjithë njerëzimit” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, ChurchofJesusChrist.org). Ata do të ftohen të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë për ta bërë pendimin një pjesë më të përqendruar te Krishti dhe më të gëzueshme të jetës së tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Për shkak të Rënies, ne kemi nevojë për Shlyerjen e Jezu Krishtit.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Kultivoni një mjedis që fton të mësuarit shpirtëror. Presidenti Bojd K. Paker dha mësim se “frymëzimi vjen më me lehtësi në mjedise paqësore” (“Reverence Invites Revelation”, Ensign, nëntor 1991, f. 21). A është mjedisi juaj i të mësuarit i mbajtur me rregull, i pastër dhe i rehatshëm? Cilat gjëra mund t’ua tërheqin vëmendjen studentëve nga procesi i të mësuarit dhe si mund t’i zvogëloni ato? A ndihen studentët të mirëpritur kur mbërrijnë? Si mund të ndihmojnë muzika e shenjtë ose figurat e lidhura me ungjillin në përgatitjen e studentëve për të mësuar?

Mund ta filloni orën mësimore duke treguar skenarin vijues:

Dritani tregon vlerësim për Shlyerjen e Jezu Krishtit, por nuk ndien gjithmonë nevojë të drejtpërdrejtë për Shpëtimtarin në jetën e tij. Ai beson se ngaqë është njeri i mirë, në përgjithësi i zbaton urdhërimet, shërben në Kishë dhe nuk është fajtor për ndonjë mëkat të madh, Shlyerja e Zotit nuk është shumë domethënëse për gjendjen e tij.

  • Si do ta përshkruanit pikëpamjen e Dritanit për Shlyerjen e Zotit? Çfarë hamendësimesh të pasakta mund të ketë Dritani lidhur me Shlyerjen e Shpëtimtarit?

  • Si mund ta ndikojë studimi për Rënien mënyrën se si ndihet Dritani rreth Shlyerjes së Jezusit?

Merreni parasysh të paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Asnjë nuk e di mjaftueshëm dhe siç duhet arsyen pse ka nevojë për Krishtin derisa të kuptojë e të pranojë doktrinën e Rënies dhe pasojat e saj mbi të gjithë njerëzimin”. (A Witness and a Warning: A Modern-Day Prophet Testifies of the Book of Mormon [1988], f. 33)

Ftojini studentët të renditin vetë ose me një partner disa pasoja të Rënies së Adamit dhe të Evës. (Studentët mund t’i referohen pjesës 1 të materialit të përgatitjes për ndihmë.) Më pas mund t’i ftoni studentët që t’i tregojnë klasës atë që gjetën. Pasi studentët të shprehen, merreni parasysh t’i ndihmoni që ta thellojnë të kuptuarit e tyre duke u bërë njërën ose më tepër nga pyetjet vijuese:

  • Përse të gjithë njerëzit, përfshirë njerëzit “e mirë” dhe “të bindur” si Dritani, kanë nevojë të drejtpërdrejtë dhe të përhershme për Shlyerjen e Zotit? (Nëse është e dobishme, lexoni vargjet te 2 Nefi 9:7–9. Studentët mund të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Vetëm nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund t’i kapërcejmë kushtet e vdekjes fizike dhe shpirtërore.)

  • Cili është kuptimi i vdekjes fizike dhe shpirtërore? (Nëse është e nevojshme, shqyrtojeni thënien nga Plaku D. Tod Kristoferson në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.) Si mendoni, përse Jakobi e përshkroi vdekjen fizike dhe shpirtërore si një “përbindësh të tmerrshëm”? (2 Nefi 9:10.)

  • Çfarë ndjenjash keni për Shpëtimtarin, duke e ditur se Ai është mënyra e vetme se si mund ta kapërceni vdekjen fizike dhe shpirtërore? (Shih Mosia 3:17.)

Jezu Krishti vuajti në Gjetseman dhe në kryq me qëllim që ne të mund të pendohemi e shëlbohemi.

Kujtojuni studentëve se gjatë përgatitjes për orën mësimore ata u ftuan të lexonin vargjet te Marku 14:33–37, Lluka 22:43–44 dhe Doktrina e Besëlidhje 19:18 dhe të mbanin shënim mendimet dhe ndjenjat e tyre. Jepuni studentëve kohë që t’i rishikojnë këto fragmente. Më pas vërini të formojnë grupe të vogla dhe jepuni fletushkën vijuese.

Jezu Krishti Vuajti për të Na Shpëtuar

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 16

Lexojini të gjitha pyetjet vijuese dhe përqendrohuni tek ato që grupi juaj do të donte më shumë t’i diskutonte.

  1. Çfarë mendimesh dhe ndjenjash keni për Shpëtimtarin teksa mendoni për vuajtjen e Tij në emrin tuaj? Çfarë na mëson rreth Tij gatishmëria e Tij për të vuajtur? (Merreni parasysh të lexoni vargun te 1 Nefi 19:9.)

  2. Përse e largoi Ati Qiellor Shpirtin e Tij ndërkohë që Shpëtimtari vuante në kryq? (Merreni parasysh të shqyrtoni vargun te Marku 15:34 dhe thënien nga Plaku Xhefri R. Holland në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.) Si mund të na ndihmojë ajo që të kujtojmë përvojën e Zotit në kryq kur ndihemi të vetmuar, të harruar ose të braktisur?

  3. Si mund të na ndihmojë dëshmia për Shlyerjen e Zotit kur e vëmë në dyshim vlerën tonë individuale? (Ju mund të shqyrtoni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 18:10–11.) Si mund të ndikojë përqendrimi te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij në mënyrën se si i shohim potencialin dhe të ardhmen tonë?

  4. Çfarë mesazhi i dërgojmë vetes sonë dhe Shpëtimtarit kur zgjedhim të pendohemi? Përse Zoti mund të ndiejë gëzim kur pendohemi? (Shih Doktrina e Besëlidhje 18:13.)

  5. Nëse dikush ndihet i/e pasigurt rreth realitetit të Shlyerjes së Zotit, çfarë mund të bëjë për të fituar dëshmi për të?

Jezu Krishti Vuajti për të Na Shpëtuar

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 16

fletushka e mësuesit

Në varësi të nevojave të studentëve tuaj, ju mund t’i ftoni të tregojnë atë që u la mbresë gjatë diskutimeve të tyre. Ose mund të përqendroheni te doktrina e pendimit duke paraqitur dy thëniet vijuese. Ftojini studentët të marrin parasysh se cila prej tyre lidhet më shpesh me ta teksa e kuptojnë nevojën e tyre vetjake për pendim.

  1. Pendimi ndihet si një ndëshkim për t’u shmangur.

  2. Pendimi ndihet si një dhuratë e shenjtë që duhet pranuar me gatishmëri dhe plot gëzim.

Që t’i ndihmoni studentët të reflektojnë lidhur me qëndrimin e tyre kundrejt pendimit, merreni parasysh të lexoni me zë të lartë thënien nga Presidenti Rasëll M. Nelson në pjesën 3 të materialit të përgatitjes. Më pas mund t’i ndihmoni studentët të përcaktojnë këtë të vërtetë: “Kur ndërthuret me besimin, pendimi na jep të drejtën për të përdorur fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit” (“Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 67). Më pas pyetni:

  • Në çfarë mënyrash besimi dhe pendimi na japin të drejtën për ta përdorur fuqinë e Shpëtimtarit?

  • Çfarë mund të bëjmë që ta shohim pendimin si një dhuratë të shenjtë dhe ta pranojmë atë me më shumë gatishmëri e plot gëzim?

Pasi studentët të përgjigjen, ju mund t’u jepni kohë që të shkruajnë diçka që do të bënin për ta bërë pendimin pjesë më të gëzueshme dhe më domethënëse të jetës së tyre.

Nëse ua lejon koha, mund t’i ftoni disa studentë për të treguar se si i ka ndihmuar pendimi që ta përdorin fuqinë pastruese të Shpëtimtarit. Kujtojuni studentëve që të mos zbulojnë mëkatet e së shkuarës teksa tregojnë.

Për Herën Tjetër

Që të nxitni përgatitjen e studentëve për mësimin 17, merreni parasysh t’u dërgoni studentëve mesazhin dhe figurën vijuese: Teksa studion materialin e përgatitjes për mësimin 17, përsiat për rëndësinë e varrit të zbrazët të Shpëtimtarit.

varri i zbrazët i Jezu Krishtit