“Materiali i Mësuesit për Mësimin 14: Dallimi i Mrekullive të Shpëtimtarit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)
“Materiali i Mësuesit për Mësimin 14”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm
Materiali i Mësuesit për Mësimin 14
Dallimi i Mrekullive të Shpëtimtarit
Jezu Krishti deklaroi: “Unë jam një Perëndi mrekullish” (2 Nefi 27:23). Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë të tregojnë atë që mësojnë rreth Jezu Krishtit nëpërmjet mrekullive që Ai kreu gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri. Studentët do të marrin parasysh edhe atë që mund të bëjnë për t’i marrë mrekullitë e Zotit në vetë jetën e tyre dhe për t’i përcaktuar mrekullitë që kanë marrë tashmë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Jezu Krishti i shëron njerëzit fizikisht dhe shpirtërisht.
Merreni parasysh t’ia paraqitni klasës paraprakisht figurat vijuese të mrekullive që i përkasin veprimtarisë “Shënojini Mendimet Tuaja” në pjesën 1 të materialit të përgatitjes. Ndërsa fillon ora mësimore, drejtojeni vëmendjen e studentëve te figurat dhe ftoni një ose dy studentë që të japin shkurtimisht përshtypjet e tyre të përgjithshme rreth mrekullive të Jezusit.
Mund t’i ftoni studentët të shkojnë te veprimtaria “Shënojini Mendimet Tuaja” në pjesën 1 të materialit të përgatitjes dhe të rishikojnë mrekullinë që studiuan gjatë përgatitjes për orën mësimore. Nëse nuk u përgatitën, ftojini të përzgjedhin një mrekulli për ta studiuar. Jepuni studentëve pak minuta për ta rishikuar ose studiuar mrekullinë që zgjodhën dhe për të reflektuar për përgjigjet e tyre ndaj dy pyetjeve nga veprimtaria.
Pasi t’u keni dhënë studentëve kohë të mjaftueshme për të rishikuar, ftojini të formojnë grupe të vogla me studentët e tjerë që studiuan një mrekulli tjetër. Çdo anëtari ose anëtareje të grupit duhet t’i jepet mundësia për ta përmbledhur shkurtimisht mrekullinë që studioi dhe për të diskutuar përgjigjen e vet për së paku njërën nga dy pyetjet shoqëruese.
Mund të doni gjithashtu të ftoni një student ta përmbledhë ndodhinë e shërimit nga Zoti të një burri të paralizuar, që shënohet te Marku 2:5–12, i cili u diskutua në pjesën 1 të materialit të përgatitjes. Ose mund ta shihni këtë ndodhi në materialin filmik “Jesus Forgives Sins and Heals a Man Stricken with Palsy” [“Jezusi Fal Mëkatet dhe Shëron një Njeri të Goditur nga Paraliza”] (02:57).
Më pas mund të ndihmoni që studentët të kuptojnë më thellë duke bërë njërën ose të dyja pyetjet vijuese:
-
Çfarë mësojmë rreth fuqisë shëruese të Shpëtimtarit nga kjo mrekulli? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një të vërtetë të tillë si: Jezu Krishti ka fuqinë që të na shërojë shpirtërisht dhe fizikisht.)
-
Në çfarë mënyrash ju apo dikush që e njihni, keni përjetuar qoftë shërim shpirtëror apo fizik? (Merreni parasysh të ftoni një apo dy studentë përpara orës mësimore që të vijnë të përgatitur për të dhënë përgjigjet e veta për këtë pyetje. Kujtojuni atyre që nuk duhet të ndihen të detyruar që të tregojnë ndonjë gjë që është tepër personale.)
Ftojeni një student/e të lexojë me zë të lartë thënien nga Presidenti Dallin H. Ouks në pjesën 1 të materialit të përgatitjes dhe merreni parasysh të bëni një ose më shumë nga pyetjet vijuese për t’i ndihmuar studentët tuaj të mësojnë më thellësisht:
-
Si mendoni, përse një ndryshim i madh i zemrës mund të konsiderohet një mrekulli më e madhe sesa mrekullitë fizike? Përse është thelbësore që ne të shohim te Shpëtimtari për këtë mrekulli?
-
Si do t’ia shpjegonit mrekullinë e një zemre të ndryshuar dikujt që është i pasigurt se çfarë do të thotë kjo?
-
Çfarë gjërash mund të bëjnë njerëzit për t’i treguar Zotit që e dëshirojnë këtë mrekulli? Çfarë veprimi specifik mund të ndërmerrni për t’i treguar Zotit se dëshironi t’jua ndryshojë më shumë zemrën? (Mund t’ju nevojitet t’i kujtoni studentët se një ndryshim i zemrës është një proces, jo një ngjarje. Mund të jetë e dobishme që t’u jepni kohë studentëve për t’i mbajtur shënim mendimet dhe përshtypjet e tyre.)
Mrekullitë ndodhin sipas besimit tonë dhe vullnetit të Perëndisë.
Kujtojuni studentëve se njëra mrekulli që kreu Shpëtimtari gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, ishte shërimi i një lebrosi. Ftojeni një student/e të tregojë shkurtimisht se si mund të ketë qenë jeta e një personi me lebër në kohët e Dhiatës së Re dhe si do ta kishte ndryshuar jetën e tij ose të saj të qenit i/e shëruar.
Lexoni së bashku te Marku 1:40–42 dhe ftojini studentët të kërkojnë se si iu drejtua lebrosi Zotit për një mrekulli.
-
Çfarë mund të mësojmë nga kjo ndodhi rreth mënyrës se si t’i drejtohemi Zotit kur jemi duke kërkuar një mrekulli? (Mund të doni të shqyrtoni thënien nga Plaku Horhe F. Zebalos në pjesën 2 të materialit të përgatitjes. Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim si ky: Teksa e ushtrojmë besimin tonë te Jezu Krishti, Ai mund të kryejë mrekulli në jetën tonë sipas vullnetit të Tij.)
-
Si mund të zhvillojmë besimin për t’i mirëbesuar vullnetit të Zotit kur jemi duke kërkuar një mrekulli? (Merreni parasysh t’i shqyrtoni thëniet nga udhëheqësit e Kishës në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)
Mund të jetë e dobishme t’i ftoni disa studentë përpara orës mësimore që t’i rishikojnë ndodhitë e treguara nga Presidenti Ouks ose Plaku Dejvid A. Bednar që gjenden poshtë pyetjes: “Si mund të zhvilloj besimin për t’i mirëbesuar vullnetit të Zotit kur jam duke kërkuar një mrekulli?” në pjesën “Doni më Shumë?” të materialit të përgatitjes. Gjatë orës mësimore, mund t’i ftoni këta studentë të tregojnë njërën nga ndodhitë dhe atë që mësuan prej saj rreth mrekullive dhe mirëbesimit te vullneti i Zotit.
Merreni parasysh të lexoni thënien nga Plaku Ronald A. Rasband në pjesën 3 të materialit të përgatitjes. Ftojini studentët të japin shembuj të mrekullive të vogla e të thjeshta që kanë dëshmuar. (Studentët mund të përmendin mrekulli të tilla si marrja e zbulesës, mposhtja e një zakoni të dëmshëm, marrja e fuqisë për ta falur dikë, të forcuarit kur përballen me fatkeqësinë, përjetimi i një aftësie më të madhe për të përfunduar një detyrë të vështirë e kështu me radhë.)
-
Çfarë na zbulon mbizotërimi i këtyre “mrekullive të vogla” rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Për t’i ndihmuar studentët ta vënë në zbatim atë që kanë mësuar nga ky mësim, merreni parasysh t’u jepni atyre kohë për të përsiatur dhe për t’i mbajtur shënim mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth pyetjes vijuese:
-
Çfarë mund të bëj për të qenë më i/e vetëdijshëm/me dhe më i/e hapur ndaj mrekullive të Zotit në jetën time?
Merreni parasysh të jepni dëshmi që Jezu Krishti është një Perëndi mrekullish ose mund të ftoni një apo më shumë studentë që ta bëjnë këtë.
Për Herën Tjetër
Për t’i nxitur studentët të përgatiten për orën e ardhshme mësimore, merreni parasysh t’u dërgoni figurën dhe mesazhin vijues: “Cila ishte përvoja jote më e fundit me sakramentin?” Ndërsa e studioni materialin e përgatitjes për mësimin 15, reflektoni për arsyen pse Jezu Krishti dëshiron që ju të merrni pjesë çdo javë në këtë ordinancë të shenjtë.