“Materiali i Mësuesit për Mësimin 3: Mirëbesimi te Jezu Krishti, Shpëtimtari dhe Udhëheqësi Ynë në Jetën Para Lindjes”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)
“Materiali i Mësuesit për Mësimin 3”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm
Mësimi 3 Materiali i Mësuesit
Mirëbesimi te Jezu Krishti, Shpëtimtari dhe Udhëheqësi Ynë në Jetën Para Lindjes
Në jetën para lindjes, Ati Qiellor na dha mësim për planin e Tij të shpëtimit. Atje patëm mundësinë të ngrihemi në përkrahje të planit të Tij dhe ta mbështetnim Jezu Krishtin si Shpëtimtarin tonë. Në këtë mësim, studentët do të përcaktojnë arsyet pse i mirëbesuam Jezu Krishtit që të ishte Shpëtimtari dhe udhëheqësi ynë në jetën para lindjes. Studentët do të marrin parasysh edhe se si të qëndrojnë me Të në betejën e tyre të vazhdueshme kundër Satanit dhe forcave të tij në këtë jetë.
Sugjerime për Mësimdhënien
Jezu Krishti u zgjodh për të qenë Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë që nga fillimi.
Si klasë, përdorni disa minuta për të përcaktuar të vërtetat që janë zbuluar rreth jetës sonë para lindjes. (Nëse nevojitet, vërini studentët të përzgjedhin pjesën 1 ose 2 të materialit të përgatitjes dhe ta shqyrtojnë shkurtimisht atë. Studentët mund të përcaktojnë një ose më shumë nga të vërtetat vijuese: Në Këshillin e Madh, Ati Qiellor paraqiti planin e Tij për shpëtimin në mënyrë që ne të mund të ktheheshim në praninë e Tij dhe të bëheshim si Ai. Gatishmëria e Jezu Krishtit për të qenë Shpëtimtari ynë, ishte thelbësore për suksesin e planit të Atit. Në jetën para lindjes, Jezu Krishti ishte më i madhërishmi dhe më inteligjenti nga të gjithë fëmijët e Atit Qiellor.)
Teksa zhvillohet diskutimi juaj si klasë, merrni parasysh cilën nga pyetjet vijuese mund të bëni që do të ishte më domethënësja për studentët tuaj. (Shënim: Për të nxitur përvoja të kthimit në besim, mund të jetë më mirë të bëni më pak pyetje dhe të keni diskutime më të thella rreth temave të caktuara, në vend që të përpiqeni t’i bëni të gjitha pyetjet e sugjeruara.)
-
Si mund ta bekojë njohuria për planin e shpëtimit dikë që ndien se jeta e vet është pa kuptim ose qëllim? (Mund të shqyrtoni thënien nga Plaku Robert D. Hejls në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.) Si ju ka ndihmuar njohuria e planit të shpëtimit në kohë të vështira?
-
Përse nevojitet një Shpëtimtar në planin e Atit Qiellor? (Shihni pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)
-
Duke marrë parasysh koston vetjake që pagoi Jezu Krishti për të shlyer për mëkatet tona, cilat janë mendimet ose ndjenjat tuaja rreth gatishmërisë së Tij për t’u bërë Shpëtimtari ynë? (Shih Moisiu 4:2.)
-
Çfarë mësoi Abrahami rreth gjendjes së pashembullt të Jezu Krishtit në jetën para lindjes? (Mund të jetë e dobishme të mbështeteni tek të vërtetat e dhëna mësim në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.) Si mund t’ju ndihmojë njohuria për madhështinë e Jezu Krishtit në jetën para lindjes për t’ia mirëbesuar Atij sfidat me të cilat përballeni?
Për ta përmbyllur këtë pjesë të mësimit, mund t’u kërkoni studentëve të përfytyrojnë se si ngjante që të ishin të pranishëm në Këshillin e Madh kur Ati Qiellor paraqiti planin e shpëtimit dhe Jezu Krishti u zgjodh të ishte Shpëtimtari ynë. Ftoni një ose dy studentë të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre.
Me ndihmën e Jezu Krishtit, ne mund ta fitojmë betejën me Satanin dhe pasuesit e tij.
Paraqiteni imazhin shoqërues të Luftës në Qiell. Ftojini studentët të tregojnë se si mund të ndryshojë ky imazh nga ajo që ne dimë nga zbulesa moderne rreth Luftës në Qiell. (Nxitini studentët të mbështeten te Moisiu 4:1–4, Zbulesa 12:7–11 dhe thënia nga Presidenti Gordon B. Hinkli te pjesa 3 e materialit të përgatitjes.)
Teksa studentët japin idetë e tyre, merreni parasysh të bëni pyetjet vijuese:
-
Pse u rebelua Satani? Cilat ishin taktikat e tij gjatë Luftës në Qiell? (Shih Moisiu 4:1, 3–4; Zbulesa 12:7–9.) Si i përdor ai këto taktika në kohën tonë?
-
Sipas vargut te Zbulesa 12:11, si e fituam betejën kundër Satanit dhe ndjekësve të tij në jetën para lindjes? (Diskutimi juaj mund të zgjerohet po të shqyrtoni thënien nga Vëllai Ahmad S. Korbit në materialin e përgatitjes. Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese dhe shkruajeni atë në tabelë: Sikurse bëmë në jetën para lindjes, ne mund ta mposhtim fuqinë e Satanit nëpërmjet besimit te Shlyerja e Shpëtimtarit dhe te dëshmia jonë për Të.)
-
Si ju ka ndihmuar dëshmia juaj për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij në betejën kundër Satanit dhe tundimeve të tij? Çfarë mund të bëni për ta shtuar mirëbesimin tuaj tek aftësia e Shpëtimtarit për t’ju ndihmuar që ta mposhtni fuqinë e Satanit?
Për ta përfunduar orën mësimore, nëse dëshironi, mund të paraqitni dhe lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Jorg Klebingat, i Të Shtatëdhjetëve:
“[Gjatë Luftës në Qiell,] ata prej nesh që ishin të armatosur me besim në Shlyerjen e ardhshme të Jezu Krishtit, ata që kishin marrë energji nga dëshmitë për rolin e Tij hyjnor, ata që zotëronin njohuri shpirtërore dhe guximin për ta përdorur atë në mbrojtje të emrit të Tij të shenjtë, luftuan në rreshtat e parë të kësaj lufte fjalësh. Gjoni dha mësim se ata shpirtra guximtarë dhe të tjerë, e kanë mposhtur Luciferin ‘me anë të gjakut të Qengjit dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre’ (Zbulesa 12:11; theksimi i shtuar).
Po, premtimi për një Shpëtimtar dhe një Gjetseman e Kalvar të larë me gjak e fitoi luftën para lindjes. Por guximi dhe dëshmia jonë para lindjes në tokë, gatishmëria jonë për t’ua shpjeguar, për t’i bërë të arsyetojnë dhe për t’i bindur shpirtrat e tjerë ndihmuan për ta frenuar baticën e mashtrimeve të përhapej pa asnjë kundërshtim!
Pasi kishim përfunduar me sukses një periudhë shërbimi para lindjes në mbrojtje të Tij, ne u bëmë dëshmitarë të emrit të Tij të shenjtë. Njëmend, pasi na kishte provuar në betejë dhe në këtë mënyrë u sigurua për zemrën dhe guximin tonë, Zoti më vonë tha për ne, pjesëtarët e shtëpisë së Izraelit: ‘Dëshmitarët e mi jeni ju’ (Isaia 43:10). Le t’i bëjmë vetes pyetjen: ‘A është kjo deklaratë ende e vërtetë për ne sot?’” (Jörg Klebingat, “Defending the Faith”, Ensign, shtator 2017, f. 49–50)
Ftojini studentët të reflektojnë për thënien e Plakut Klebingat dhe të përcaktojnë atë që mund të bëjnë për të qëndruar përkrah Jezu Krishtit në kohën tonë. Mund t’i ftoni që të shënojnë mendimet dhe mbresat e tyre.
Për Herën Tjetër
Gjatë javës, nëse dëshironi, mund t’u dërgoni studentëve ftesën vijuese: Ndërsa e lexoni materialin e përgatitjes për mësimin 4 dhe i përsiatni mrekullitë e Krijimit, merreni parasysh të më dërgoni, ose të sillni në klasë, një figurë të krijimeve të Perëndisë që i gjeni veçanërisht frymëzuese.