Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 6: Përdorimi i Simbolizmit për ta Kuptuar më Mirë Fuqinë Shëlbuese të Krishtit


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 6: Përdorimi i Simbolizmit për ta Kuptuar më Mirë Fuqinë Shëlbuese të Krishtit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 6”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Materiali i Mësuesit për Mësimin 6

Përdorimi i Simbolizmit për ta Kuptuar më Mirë Fuqinë Shëlbuese të Krishtit

Shkrimet e shenjta janë plot simbole për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Madje përpara lindjes së Tij, Shpëtimtari po e ndihmonte popullin e Tij që ta kuptonte se kush ishte Ai dhe përse ata kishin nevojë për Të. Ky mësim do të eksplorojë simbolet e shkrimeve të shenjta që mund ta forcojnë besimin tonë te Jezu Krishti dhe rolin e Tij si Shëlbuesi ynë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Nxitni diskutime kuptimplota. Mësuesit mund të nxitin diskutime kuptimplota kur krijojnë një mjedis ku mësohet me dashuri dhe mirëbesim në mënyrë që studentët të ndihen të sigurt që të bëjnë pyetje, të flasin rreth dyshimeve dhe gjërave që i frikësojnë, të japin përvoja vetjake dhe të shprehin dëshmitë e tyre. Për të mësuar më shumë, merrni parasysh të shihni materialin filmik “Meaningful Class Discussions” [“Diskutime Kuptimplota në Orën Mësimore”] (01:52) nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

1:53

Zoti paraqet flijimin e kafshëve për të dëshmuar për fuqinë e Tij shëlbuese.

Vizatoni ose paraqitni imazhin e një zemre (ose një simbol tjetër të zakonshëm) në tabelë. Kërkojuni studentëve të përcaktojnë gjërat që mund të simbolizojë një zemër. Vini në dukje se shkrimet e shenjta përdorin simbole për të dhënë dëshmi për Jezu Krishtin (shih 2 Nefi 11:4). Mund t’i vini studentët gjithashtu të përcaktojnë disa shembuj të simboleve që na mësojnë për Krishtin.

Shqyrtojeni shkurtimisht ose bëjeni një student ta përmbledhë kontekstin e figurës shoqëruese të Adamit dhe Evës. Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Moisiu 5:4–8 dhe të përcaktojnë simbolet në këtë figurë.

Similitude [Ngjashmëria], nga Walter Rane

Për ta thelluar të kuptuarit që studentët kanë për simbolizmin në këtë imazh, merreni parasysh të bëni pyetjet që vijojnë:

  • Çfarë të vërtetash të rëndësishme po jepeshin mësim rreth Jezu Krishtit nëpërmjet simboleve të një qengji, një altari dhe derdhjes së gjakut? (Mund të shqyrtoni thënien nga Plaku Xhefri R. Holland në pjesën 1 të materialit të përgatitjes. Ndihmojini studentët të zbulojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Flijimi i një qengji të parëlindur simbolizoi flijimin shlyes të Jezu Krishtit.)

  • Çfarë simbolesh përdorim tani për të na kujtuar Shlyerjen e Shpëtimtarit?

Shënim: Nëse studentët tuaj nuk ndihen rehat me praktikën e flijimit të kafshëve, kujtojuni atyre se shumica e njerëzve në Dhiatën e Vjetër jetonin në shoqëri blegtorale, ku ishte e zakonshme të rritnin kafshë që vriteshin për ushqim. Vini në dukje se Zoti po mbështetej te përvoja e përditshme e njerëzve për të dhënë mësime të fuqishme rreth flijimit të Tij shlyes.

Shkrimet e shenjta përmbajnë shumë simbole që dëshmojnë për misionin hyjnor të Jezu Krishtit.

Shënim: Kjo pjesë përmban dy mundësi për mësimdhënie. Vendosni se cila mundësi do të jetë më e mira për studentët tuaj. Mundësia 1 jep një përvojë më të udhërrëfyer të të mësuarit.

Mundësia 1: Simbolizmi i Pashkës

Në varësi të njohurisë së studentëve tuaj, mund të jetë e rëndësishme t’i shqyrtojnë shkurtimisht ngjarjet që çuan te Pashka dhe më pas lexojini së bashku vargjet tek Eksodi 12:3–13. Ose mund të shihni materialin filmik “The Passover” [“Pashka”] (03:08).

2:3

Për t’u dhënë studentëve mundësi që të diskutojnë kuptimin e simboleve të Pashkës, mund t’i vini të punojnë në grupe të vogla dhe të plotësojnë ose diskutojnë pjesën “Kuptime të Mundshme” të grafikut “Simbolizmi i Pashkës” që gjendet në pjesën 2 të materialit të përgatitjes. Ose mund t’i caktoni një simbol secilit grup dhe t’u kërkoni atyre të lexojnë shkrimet e shenjta mbështetëse, të shënojnë një kuptim të mundshëm për simbolin e tyre dhe më pas t’ia tregojnë klasës atë që mësuan.

Teksa studentët japin idetë e tyre rreth simboleve të Pashkës, merreni parasysh të bëni pyetje që ndjekin ecurinë, të cilat mund t’i ndihmojnë ata ta vënë në zbatim kuptimin e simboleve në jetën e tyre. Këto pyetje që ndjekin ecurinë, mund të fillojnë me fjalët në vijim:

  • Çfarë na mëson ky simbol rreth …

  • Si mund të zbatohet kuptimi i këtij simboli …

  • Kur e keni parë …

Pas diskutimit tuaj, merreni parasysh t’i ftoni studentët të shënojnë atë që kanë mësuar ose ndier rreth Shpëtimtarit, ose rreth marrëdhënies me Të, nga simbolet e Pashkës. Mund të ftoni edhe studentë që janë të gatshëm ta tregojnë atë që shkruan.

Si Referencë për Mësuesin

Simbolizmi i Pashkës

Vargu

Simboli

Kuptime të Mundshme

Shkrime të Shenjta Mbështetëse*

Vargu

3

Simboli

Çdo shtëpi flijoi një qengj

Kuptime të Mundshme

Fuqia shëlbuese e Jezu Krishtit është për të gjithë.

Shkrime të Shenjta Mbështetëse*

2 Nefi 26:25–28, 33

Vargu

5

Simboli

Qengj mashkull pa të meta

Kuptime të Mundshme

Shpëtimtari ishte Qengji i Perëndisë, i përsosur dhe pa mëkat.

Shkrime të Shenjta Mbështetëse*

Gjoni 1:29; Hebrenjve 5:8–9

Vargu

7

Simboli

Shtalka e derës së çdo shtëpie u lye me gjak

Kuptime të Mundshme

Nëpërmjet besëlidhjes ne mund të vëmë në zbatim gjakun e Krishtit për të mposhtur vdekjen shpirtërore. Gjaku i Krishtit na shëlbon dhe na mbron.

Shkrime të Shenjta Mbështetëse*

Mosia 4:2; Alma 5:21

Vargu

8

Simboli

Bukë e ndorme (bukë e bërë pa maja, gjë që shkakton që buka të prishet dhe të myket)

Kuptime të Mundshme

Jezusi është Buka e Jetës. Ai nuk ka asnjë papastërti.

Shkrime të Shenjta Mbështetëse*

Gjoni 6:35, 48, 57–58; 1 Korintasve 5:7–8

Vargu

8

Simboli

Barishtet e hidhura

Kuptime të Mundshme

Ne jetojmë në një botë të rënë dhe i nënshtrohemi hidhësisë së mëkatit.

Shkrime të Shenjta Mbështetëse*

Alma 41:11; Doktrina e Besëlidhje 19:18

Vargu

11

Simboli

Ijengjeshur, sandalembathur, me bastun në dorë, ngrënie me nxitim

Kuptime të Mundshme

Fuqia shëlbuese e Krishtit duhet të vihet në zbatim pa vonesë.

Shkrime të Shenjta Mbështetëse*

Alma 34:32–33

  • Shënim: Fragmentet mbështetëse kanë për qëllim të hedhin më shumë dritë rreth simboleve të përdorura në Pashkë dhe nuk kanë për qëllim të japin interpretime përfundimtare për to.

Mundësia 2: Simbolet e Krishtit në Dhiatën e Vjetër

Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien nga Plaku Brus R. Mek-Konki te pjesa 3 e materialit të përgatitjes. Më pas pyetni:

  • Si e ka forcuar, ose si mund ta forcojë, kërkimi për simbolet e Jezu Krishtit, besimin tuaj tek Ai?

Dëshmoni që ne mund të mësojmë më shumë rreth Jezu Krishtit kur arrijmë të dallojmë figurat, modelet dhe simbolet që dëshmojnë për Të.

Shqyrtojini katër fragmentet e Dhiatës së Vjetër të renditura në pjesën 3 të materialit të përgatitjes. Ftojini studentët të formojnë grupe të vogla me studentë të tjerë që duan të diskutojnë të njëjtin fragment që ata dëshirojnë ta diskutojnë më shumë. Më pas ftojeni secilin grup ta lexojë së bashku fragmentin e zgjedhur dhe të diskutojë pyetjet për studim që gjenden në pjesën 3.

Pasi të lejoni kohë të mjaftueshme për diskutim kuptimplotë, ftojini disa studentë të tregojnë atë që mësuan ose ndien rreth Jezu Krishtit si rrjedhojë e diskutimit të tyre në grup të vogël.

Për Herën Tjetër

Përpara orës së ardhshme mësimore, mund t’u dërgoni mesazh studentëve dhe t’i pyetni: A e keni pyetur ndonjëherë veten se si ta pajtoni drejtësinë e Perëndisë me dashurinë dhe mëshirën e Tij? Teksa lexoni materialin e përgatitjes për mësimin 7, merreni parasysh marrëdhënien midis tipareve hyjnore të drejtësisë, mëshirës dhe dashurisë.