Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 2: Forcimi i Dëshmisë Sonë për Krishtin e Gjallë


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 2: Forcimi i Dëshmisë Sonë për Krishtin e Gjallë”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 2”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Mësimi 2 Materiali i Mësuesit

Forcimi i Dëshmisë Sonë për Krishtin e Gjallë

Më 1 janar 2000, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve botuan dëshminë e tyre për natyrën hyjnore të Jezu Krishtit në një dokument të quajtur “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org). Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësi për të shpjeguar domethënien e titullit të shenjtë Krishti dhe për të treguar se si mund të forcohet besimi i tyre nëpërmjet një studimi plot lutje të dokumentit “Krishti i Gjallë”.

Sugjerime për Mësimdhënien

Jezusi është Krishti.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Përqendrohuni te kthimi në besim, jo tek trajtimi i të gjithë materialit. Nuk është e pazakontë të ndiheni në ankth rreth shqyrtimit të të gjithë materialit në një mësim. Kur ndiheni kështu, merreni parasysh ta ristrukturoni mënyrën tuaj të të menduarit që të përqendroheni tek ajo që po përjetojnë studentët tuaj në mendjen dhe zemrën e tyre. A e kanë studentët kohën që u nevojitet për të menduar rreth domethënies të së vërtetave që po mësojnë, dhe për ta ndier atë domethënie? Mbajeni në mendje këshillën e urtë nga Presidenti Dallin H. Ouks: “Ne nuk mund t’i bëjmë me detyrim gjërat shpirtërore” (“In His Own Time, In His Own Way”, Ensign, gusht 2013, f. 24).

Ftojini studentët të përcaktojnë disa shembuj të udhëheqësve të mëdhenj moralë e shpirtërorë gjatë gjithë historisë. (Ose mund të gjeni vetë shembujt tuaj.) Diskutoni shkurtimisht se si këta njerëz kanë ndikuar në botë për mirë. Më pas mund të doni të paraqitni një figurë të Jezu Krishtit dhe pyetni:

  • Në ç’mënyrë është Jezu Krishti unik mes udhëheqësve të mëdhenj moralë e shpirtërore të botës?

Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Mateu 16:13–17 ose të shohin “Thou Art the Christ” [“Ti Je Krishti”] (01:30) dhe të kërkojnë frazat që Pjetri përdori për ta veçuar Jezusin nga të gjithë njerëzit që kanë jetuar ndonjëherë në tokë.

1:30
  • Çfarë ishte përjetësisht domethënëse te fakti që Pjetri i tha Jezusit: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë”? (Mateu 16:16.) (Mund të jetë e dobishme që t’i vini studentët të shqyrtojnë atë që mësuan në pjesën 1 të materialit të përgatitjes. Studentët mund të shprehin të vërteta si ato në vijim: Jezusi është Krishti, i vajosuri ose Mesia. Ai përfaqëson Atin dhe është e vetmja udhë që mund të shpëtohemi.)

  • Çfarë mendimesh keni për rëndësinë e marrjes dhe forcimit të dëshmisë suaj vetjake që Jezusi është Krishti? (Nëse dëshironi, mund të ftoni disa studentë të tregojnë se si e morën dëshminë e tyre që Jezusi është Krishti.)

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Përdorni ndihma për studimin. Rubrika Ndihma për Studimin, që gjendet në pjesën Shkrimet e Shenjta te Biblioteka e Ungjillit, përfshirë burime si Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe udhëzuesit e referencave për Biblën dhe Librin e Mormonit. Këto burime mbështeten te veprat standarde për t’i ndihmuar lexuesit të mësojnë rreth një teme specifike. Ndërkohë që studentët studiojnë sipas temave, ndihmojini të konceptojnë rëndësinë e të kuptuarit të kontekstit dhe përmbajtjes së fragmenteve të shkrimeve të shenjta për t’i ndihmuar ata të zbulojnë synimin e autorit të frymëzuar.

Kujtojuni studentëve se në përgatitje për orën mësimore ata u ftuan të kërkonin termin “Jezu Krisht” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe të përcaktonin emrat, titujt dhe rolet e shenjta që i janë dhënë Zotit. Jepuni studentëve pak minuta për ta shqyrtuar atë që gjetën. Studentët atëherë mund ta tregojnë atë që zbuluan, në klasë ose në grupe të vogla. Nëse mendoni se kjo mund ta zgjerojë të mësuarit e studentëve tuaj, mund të paraqitni njërën ose të dyja pyetjet vijuese dhe t’i ftoni ata t’u përgjigjen atyre:

  • Çfarë ndjenjash ju vijnë në zemër teksa mendoni për Jezu Krishtin si [vendosni emrin, titullin ose rolin]?

  • Si ndikon dijenia që Jezu Krishti është [vendosni emrin, titullin ose rolin] te besimi juaj tek Ai?

Mund t’i nxitni studentët të përzgjedhin dhe studiojnë një emër, titull ose rol të Jezu Krishtit për të cilin do të donin të mësonin më shumë.

Apostujt e Zotit janë dëshmitarë të veçantë se Ai është Krishti.

Merreni parasysh t’i ftoni studentët të tregojnë se sa mbizotërues është besimi te Jezu Krishti mes bashkëmoshatarëve të tyre. Nëse dëshironi, mund t’i ftoni ata të tregojnë edhe atë që kanë dëgjuar kohët e fundit rreth Shpëtimtarit në mediat shoqërore ose në materiale të përhapura argëtuese.

Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 107:23 dhe merreni parasysh të shkruani pohimin vijues në tabelë: Jezu Krishti ka thirrur Apostuj që të jenë dëshmitarë të veçantë të Tij në të gjithë botën. Më pas pyetni:

  • Sipas pikëpamjes suaj, përse dëshmitë e Apostujve të thirrur të Zotit mund të jenë veçanërisht të rëndësishme në kohën tonë?

  • Si e kanë forcuar dëshminë tuaj për Jezu Krishtin këta dëshmitarë të veçantë? (Mund të jetë e dobishme t’i ftoni disa studentë të tregojnë atë që mësuan ose ndien teksa panë një ose më shumë nga materialet filmike me titullin “Special Witnesses of Christ” [“Dëshmitarë të Veçantë të Krishtit”] nga pjesa 2 e materialit të përgatitjes. Mund të shihni një nga materialet e tyre të parapëlqyera filmike së bashku si klasë.)

Kujtojuni studentëve se më 1 janar 2000, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhanë dëshminë e tyre për Shpëtimtarin te dokumenti “Krishti i Gjallë”. Jepuni studentëve një kopje të dokumentit ose ftojini ta hapin atë në pajisjet e tyre elektronike. Nëse dëshironi, mund të shfaqni materialin filmik “Excerpts from ‘The Living Christ: The Testimony of the Apostles’” [“Pjesë të Shkëputura nga ‘Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve’”] (02:45) në përgatitje për diskutimin tuaj rreth këtij dokumenti historik.

2:45

Për t’i ndihmuar studentët ta thellojnë vlerësimin e tyre për dokumentin “Krishti i Gjallë”, bëjini të marrin pjesë në veprimtarinë vijuese. Ftojini të punojnë me një partner dhe jepini çdo studenti njërën nga fletushkat më poshtë. Sigurohuni që studentët të kenë kohë të mjaftueshme për ta shqyrtuar dhe për t’ia treguar njëri-tjetrit atë që gjejnë te dokumenti “Krishti i Gjallë”.

Mesazhe për Kohën Tonë te Dokumenti “Krishti i Gjallë”

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 2

Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Plaku Robert D. Hejls

“‘Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve’ u përgatit përpara kohës kur neve do të na nevojitej më tepër”. (“Konferenca e Përgjithshme: Forcimi i Besimit dhe i Dëshmisë”, Liahona, nëntor 2013, f. 7)

Shqyrtojeni dokumentin “Krishti i Gjallë” për mesazhet që ndieni se janë më të nevojshmet në kohën tonë. Jini të përgatitur t’ia tregoni atë që gjeni partnerit tuaj të studimit.

Mesazhe për Kohën Tonë te Dokumenti “Krishti i Gjallë”

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 2

fletushka e mësuesit

Të Flasim më Shumë për Jezu Krishtin

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 2

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

Plaku Nil L. Andersen

“Kur bota flet më pak për Jezu Krishtin, le të flasim ne më shumë për Të. Kur bindjet tona të vërteta si dishepuj të Tij zbulohen, shumë përreth nesh do të jenë të përgatitur të dëgjojnë.” (“Ne Flasim për Krishtin”, Liahona, nëntor 2020, f. 90)

Shqyrtojeni dokumentin “Krishti i Gjallë” për mesazhe që e ndieni se do të ishin veçanërisht të rëndësishme t’i përhapni në një botë që po flet më pak për Jezu Krishtin. Jini të përgatitur t’ia tregoni atë që gjeni partnerit tuaj të studimit.

Të Flasim më Shumë për Jezu Krishtin

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 2

fletushka e mësuesit

Për ta përfunduar orën mësimore, ftojini studentët të tregojnë se si besimi i tyre te Jezu Krishti është forcuar ose mund të forcohet me anë të studimit të dokumentit “Krishti i Gjallë”. Jepuni kohë atyre të vendosin një synim rreth asaj që do të bëjnë për ta rritur dëshminë e tyre për Jezu Krishtin nëpërmjet studimit të mëtejshëm ose të mësuarit përmendsh të këtij dokumenti të frymëzuar.

Për Herën Tjetër

Merreni parasysh t’u dërgoni studentëve tuaj përpara orës së ardhshme mësimore mendimin vijues ose një mendim tjetër që e ndieni se do të jetë një shkëndijë për interesimin e tyre: Teksa e studioni materialin e përgatitjes për mësimin 3, merrni parasysh arsyen pse zgjodhët ta ndiqnit Jezu Krishtin në jetën para lindjes.