“Materiali i Mësuesit për Mësimin 20: Gjetja e Vendit Tim në Tufën e Bariut të Mirë”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)
“Materiali i Mësuesit për Mësimin 20”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm
Materiali i Mësuesit për Mësimin 20
Gjetja e Vendit Tim në Tufën e Bariut të Mirë
Plaku Gerit W. Gong dha mësim se Bariu i Mirë “na kërkon dhe na mbledh” e “na mëson se si të japim shërbesë me dashuri” (“Bariu i Mirë, Qengji i Perëndisë”, Liahona, maj 2019, f. 97). Në këtë mësim, studentët do të diskutojnë për rëndësinë e njohurisë se Bariu i Mirë kujdeset për të gjithë njerëzit. Studentët do të mësojnë edhe për rëndësinë e zhvillimit të një zemre si të bariut që të mund të kërkojnë dhe ndihmojnë për të kthyer delet e humbura të Zotit.
Sugjerime për Mësimdhënien
Jezu Krishti është Bariu i Mirë.
Ju mund ta filloni orën mësimore duke treguar figurat shoqëruese të barinjve dhe të deleve.
Diskutoni shkurtimisht ndryshimin midis një bariu dhe një rrogëtari (shih pjesën 1 të materialit të përgatitjes).
Mund të jetë e dobishme të tregoni edhe figurën e Jezu Krishtit të paraqitur si Bariu i Mirë në fillim të materialit të përgatitjes për orën mësimore dhe të shkruani në tabelë fjalinë e paplotë vijuese: Bariu i Mirë ….
Ftojini studentët të shqyrtojnë me një partner ose në grupe të vogla vargjet te Gjoni 10:11, 14–16; Psalmeve 23:1–4; 3 Nefi 18:28–31 dhe të kërkojnë mënyra për ta plotësuar thënien në tabelë. Pasi të lini kohë për diskutime në grupe të vogla, ju mund t’i vini disa studentë të shkruajnë në tabelë thëniet e tyre të plotësuara. Thëniet e tyre mund të përfshijnë të vërteta të ngjashme me sa vijon: Bariu i Mirë jep jetën e Tij për delet e Tij. Bariu i Mirë i njeh dhe i numëron delet e Tij. Bariu i Mirë i ushqen, i udhërrëfen dhe i mbron delet e Tij.
Teksa studentët përcaktojnë të vërtetat rreth Bariut të Mirë, merreni parasysh se cilën nga pyetjet vijuese mund të bëni që të ndihmoni për ta thelluar dashurinë dhe vlerësimin e tyre për Të:
-
Përse mund të jetë e rëndësishme që të kuptojmë se Shpëtimtari i njeh dhe i numëron pasuesit e Tij? Çfarë mendimesh e ndjenjash ju kanë ardhur teksa keni përsiatur se Bariu i Mirë e ka dhënë jetën e Tij për secilin prej nesh?
Mund t’i vini studentët të përzgjedhin njërën nga frazat te Psalmeve 23:1–4 (të tilla si “kullota me bar të njomë”, “ujërave që të çlodhin”, “ma përtërin shpirtin”, “shtigjet e drejtësisë” ose “shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër”) dhe ftojini ata të tregojnë se çfarë mund të na mësojnë këto fraza rreth Bariut të Mirë.
-
Cilat janë disa mënyra se si e keni ndier dashurinë dhe interesimin e Bariut të Mirë për ju? Si ju ka ndihmuar Ai gjatë një kohe të vështirë?
Ju mund të lexoni, këndoni ose dëgjoni një variant të himnit “Zoti Ësht’ Bariu Im” (Himne, nr. 56). (Merreni parasysh të paraqitni fjalët.) Ftojini studentët të mendojnë rreth rasteve kur Zoti është kujdesur për ta.
Bariu i Mirë i fton të gjithë njerëzit në tufën e Tij.
Merreni parasysh të paraqitni një figurë të Pjetrit dhe Shpëtimtarit (shih pjesën 2 të materialit të përgatitjes) në bregdetin e Detit të Galilesë dhe ftojeni një student që të shpjegojë se çfarë po ndodh. Mund të jetë e dobishme të lexoni vargjet te Gjoni 21:15–17 dhe të diskutoni pyetjen vijuese:
-
Çfarë ju duket domethënëse rreth mesazhit të Shpëtimtarit për Pjetrin? (Ju mund të shkruani në tabelë parimin vijues: Ne e tregojmë dashurinë tonë për Shpëtimtarin duke i ushqyer delet e Tij.)
Merreni parasysh të rishikoni me studentët thënien e Presidentes Boni H. Kordën në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.
-
Si mendoni, çfarë do të thotë të keni një “zemër si të bariut”?
Merreni parasysh të tregoni skenarin vijues ose një skenar tuajin për të nxitur një diskutim në klasë:
Ftojini disa studentë të tregojnë se si do t’i përgjigjeshin Benit. Si pjesë të diskutimit, mund të bëni disa nga pyetjet vijuese:
-
Çfarë do të thotë në këtë situatë të kesh një zemër si të bariut?
-
Si mund të lidhet shëmbëlltyra e deles së humbur me këtë skenar? (Merreni parasysh të shqyrtoni vargjet te Lluka 15:4–7 dhe thënien nga Plaku Geri E. Stivenson në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)
-
Në çfarë mënyrash mund të bëhemi “dele të humbura”? Nëse u ndiet të humbur, çfarë bënë të tjerët për t’ju ndihmuar që të ktheheni? Nëse ndiheni të humbur aktualisht, çfarë dëshironi më shumë nga anëtarët e tjerë të Kishës? (Nëse do t’i ndihmonte studentët tuaj, mund t’u kërkoni atyre të krijojnë grupe të vogla dhe t’i vini të kontrollojnë në pjesën 3 të materialit të përgatitjes parime që mund ta ndihmojnë dikë të ketë një ndjesi më të madhe përkatësie në lagjen ose degën e vet.)
-
Çfarë keni mësuar rreth Shpëtimtarit teksa i keni ndihmuar njerëzit që janë të humbur ose që ndiejnë se nuk përkasin [në Kishë]?
Jepuni studentëve disa minuta për të përsiatur se çfarë mund të bëjnë për ta ndihmuar dikë që të ndihet i vlerësuar, i nevojshëm dhe i përfshirë në tufën e Zotit. Nxitini studentët t’i mbajnë shënim mbresat e tyre dhe të veprojnë sipas tyre.
Në mbyllje, ju mund të doni të shprehni ndjenjat tuaja për Bariun e Mirë ose ta ftoni një student të shprehë ndjenjat e veta për Të.
Për Herën Tjetër
Gjatë javës ju mund t’u dërgoni studentëve mesazhin vijues ose një mesazh tuajin: Merre parasysh të shohësh materialin filmik “Hear Him: Listen to the Voice of Jesus Christ” [“Dëgjojeni Atë: Vërja Veshin Zërit të Jezu Krishtit”] (01:47). Teksa studion mësimin 21, mendo se çfarë po bën ose mund të bësh çdo ditë për ta dëgjuar zërin e Zotit.