Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 25: Përpjekja për të Qenë një Dishepull Besnik i Jezu Krishtit


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 25: Përpjekja për të Qenë një Dishepull Besnik i Jezu Krishtit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 25”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Materiali i Mësuesit për Mësimin 25

Përpjekja për të Qenë një Dishepull Besnik i Jezu Krishtit

Ia vlen çdo përpjekje për të qenë një dishepull besnik i Jezu Krishtit, pasi “udha e Tij është shtegu që të çon drejt lumturisë në këtë jetë dhe jetës së përjetshme në botën që vjen” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, ChurchofJesusChrist.org). Në këtë mësim, studentët do të përcaktojnë atë që kërkon Zoti nga dishepujt e Tij. Ata do të marrin parasysh gjithashtu atë që mund të bëjnë për t’u bërë një dishepull më i zotuar e më besnik i Jezu Krishtit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Jezu Krishti na fton të jemi dishepujt e Tij.

Merrni parasysh të paraqitni një figurë të Jezu Krishtit duke u larë këmbët Apostujve të Tij dhe kërkojini një apo dy studentëve të tregojnë se si mund të ndiheshin po t’ua lante këmbët Shpëtimtari.

Pamja
Jezusi i lan këmbët Pjetrit

Mund t’i paraqitni pyetjet vijuese dhe t’u kërkoni studentëve t’i përsiatin ato për një minutë:

  • Çfarë mund të mësoj rreth tipareve të Shpëtimtarit nga veprimet e Tij kundrejt Apostujve të Tij? Si mund t’u shëmbëllej më mirë këtyre cilësive të ngjashme me të Krishtit?

Shpjegoni se këto lloj pyetjesh janë ato të cilat mund t’ia bëjmë vetes ndërsa përpiqemi të bëhemi dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit. Një dishepull i Krishtit është dikush që e ndjek Shpëtimtarin dhe i jeton mësimet e Tij (shih te Doktrina e Besëlidhje 41:5). Pasi Shpëtimtari u lau këmbët Apostujve, Ai u mësoi atyre më shumë rreth dishepullimit.

Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Gjoni 13:14–17, 34–35; 14:15 dhe ta plotësojnë pohimin në vijim: Një dishepull i Jezu Krishtit …

Ftojini disa studentë t’i tregojnë pohimet e tyre të plotësuara, të cilat mund të përfshijnë fraza të tilla si “u shërben të tjerëve”, “i do të tjerët” dhe “i zbaton urdhërimet e Tij”. Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të bëni pyetje për ndjekjen e ecurisë si këto:

  • Kush nga shkrimet e shenjta ose nga vetë jeta juaj është shembull i këtij lloj dishepullimi? Si ka ndikuar te ju shembulli i tij ose i saj?

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Sigurojuni mundësi studentëve për të vlerësuar veten. Vlerësimi i vetes mund të jetë një mjet i dobishëm për rritje vetjake. Megjithatë, në disa raste, ai mund t’i shtyjë studentët të ndihen fajtorë ose të shkurajuar. Kujtojuni studentëve ndërsa plotësojnë vlerësimin vijues të vetes, që të jenë të duruar dhe dashamirës ndaj vetes. Zoti ka thënë: “Unë do të jem i mëshirshëm ndaj dobësisë suaj” (Doktrina e Besëlidhje 38:14).

Mund t’i paraqitni ose t’u siguroni studentëve një kopje të vlerësimit vijues të vetes.

Vlerësimi i Vetes për Dishepullimin

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 25

Merreni në shqyrtim secilin pohim dhe vlerësojeni veten duke përdorur shkallën në vijim: 1 = aspak dakord, 2 = jo dakord, 3 = as jam dakord, as nuk jam dakord, 4 = jam disi dakord dhe 5 = plotësisht dakord.

  1. Mundohem sinqerisht të jem një dishepull/e i/e Jezu Krishtit.

  2. Përpiqem t’i zbatoj urdhërimet e Shpëtimtarit çdo ditë.

  3. Përpiqem t’i dua dhe t’u shërbej atyre që kam përreth, sikurse do të bënte Jezu Krishti.

  4. Mundohem t’i sakrifikoj dëshirat e kësaj bote për ta ndjekur Shpëtimtarin.

Vlerësimi i Vetes për Dishepullimin

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 25

Pamja
fletushka Vlerësimi i Vetes për Dishepullimin

Pasi studentët të kenë pasur kohë për t’i shënuar përgjigjet e tyre, ftojini ata të kalojnë disa minuta për ta përsiatur atë që mësojnë nga ky vlerësim i vetes.

Tregojuni studentëve se Shpëtimtari ftoi një të ri pasanik të bënte vlerësimin e vetes. Ftojeni një student ta përmbledhë historinë e këtij të riu (shih te pjesa 2 e materialit të përgatitjes) ose mund të shikoni materialin filmik “Christ and the Rich Young Ruler” [“Krishti dhe i Riu Pasanik”] (02:26).

  • Çfarë ka domethënëse te pyetja “Çfarë më mungon tjetër?” (Mateu 19:20.) Pse është e rëndësishme që të gjithë dishepujt e Jezu Krishtit ta bëjnë këtë pyetje?

Ftojini studentët të lexojnë te Marku 10:21, duke kërkuar se si i përshkroi Marku ndjenjat e Shpëtimtarit rreth këtij të riu pasanik.

Mund t’i vini studentët të shqyrtojnë thënien nga Plaku Leri R. Lorens në pjesën 2 të materialit të përgatitjes. Më pas, paraqitini pyetjet në vijim dhe ftojini studentët t’i mbajnë shënim mendimet e tyre në lidhje me pyetjen që ata mendojnë se lidhet më shumë me ta:

  • Çfarë po më pengon të përparoj shpirtërisht?

  • Si mund t’ia tregoni Zotit dëshirën tuaj për ta marrë kryqin tuaj e për ta ndjekur Atë?

  • A ka ndonjë gjë që ndieni se duhet ta sakrifikoni tani për të qenë një dishepull/e më i/e mirë i/e Jezu Krishtit?

Zoti i forcon dishepujt e Tij.

Mund të paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust dhe ftojini studentët të kërkojnë bekimet që u premtohen atyre që janë të gatshëm të paguajnë çmimin e dishepullimit.

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Shumë mendojnë se çmimi për të qenë dishepull është shumë i shtrenjtë dhe shumë i rëndë. Për disa kërkon që të heqin dorë nga shumë gjëra. Por kryqi nuk është aq i rëndë sa duket. Nëpërmjet bindjes fitojmë shumë më tepër forcë për ta mbajtur atë.

‘Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë’” (Mateu 11:28–30). (Xhejms E. Faust, “Të Jesh Dishepull”, Konferenca e përgjithshme, tetor 2006, f. 29)

Mund t’u kërkoni studentëve të punojnë me një partner ose në grupe të vogla dhe t’i vini të shqyrtojnë vargjet te Romakëve 8:16–18, 28, 35, 38–39. Ftojini ata të kërkojnë të vërteta që mund t’i ndihmojnë ndërsa përballen me sfidat e dishepullimit. (Studentët mund të përcaktojnë të vërteta si kjo në vijim: Nëse jemi dishepuj besnikë, mund të bëhemi bashkëtrashëgimtarë me Jezu Krishtin dhe të marrim lavdi bashkë me Të. Nëse e duam Perëndinë, të gjitha gjërat do të veprojnë së bashku për të mirën tonë.)

Teksa studentët i tregojnë të vërtetat që kanë zbuluar, merrni parasysh të bëni pyetjet vijuese:

  • Si mund të na ndihmojë të besuarit që mund të bëhemi bashkëtrashëgimtarë me Jezu Krishtin për të qëndruar dishepuj besnikë? (Mund të shqyrtoni vargun te 2 Nefi 9:18. Mund të jetë e rëndësishme të vini në dukje se një bashkëtrashëgimtar merr një trashëgimi të barabartë me një tjetër [shih te Doktrina e Besëlidhje 76:50, 55–59; 84:38].)

  • Si ju kanë mbështetur dashuria juaj për Perëndinë dhe dashuria e Tij për ju kur shtegu i dishepullimit ka qenë i vështirë?

Për ta përfunduar orën mësimore, mund të jepni dëshminë tuaj për parimet e dishepullimit që diskutuat si klasë. Ose mund të shikoni materialin filmik “Të Jetuarit e Ungjillit Plot Gëzim” (01:40) me Presidentin Diter F. Uhtdorf, në atë kohë një anëtar i Presidencës së Parë.

Për Herën Tjetër

Për t’i nxitur studentët të lexojnë materialin e përgatitjes për orën e ardhshme mësimore, merrni parasysh t’u dërgoni një mesazh të shkurtër rreth cilësive të ngjashme me të Krishtit, të tillë si vijon: Për ta pasuruar studimin tënd të materialit të përgatitjes për mësimin 26, mund të shikosh materialin filmik “Christlike Attributes” [“Cilësi të Ngjashme me të Krishtit”] (02:53).

Shtyp në Letër