“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 4: Gjetja e Qëllimit dhe Gëzimit në Krijimet e Zotit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 4”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 4
Gjetja e Qëllimit dhe Gëzimit në Krijimet e Zotit
Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Mendoni për atë që do të ndodhë nëse ne të gjithë do të shpenzonim kohë për të parë me kujdes mrekullitë e natyrës që na rrethojnë dhe do t’i përkushtoheshim të mësuarit më shumë rreth kësaj bote që Perëndia krijoi për ne!” (“God’s Love for His Children”, Ensign, maj 1988, f. 57) Teksa reflektoni për mrekullinë e krijimit, merreni parasysh atë që mund të mësoni rreth Krijuesit dhe qëllimeve të Tij për ne.
Pjesa 1
Si mund t’i sjellë kuptim më të madh jetës sime të kuptuarit e qëllimit të Krijimit?
Çfarë mendimesh dhe ndjenjash keni pasur kur keni vështruar yjet në qiellin e natës – ndoshta çudi, mahnitje, nderim ose edhe një ndjenjë se jeni pa rëndësi?
Shkenca e astronomisë na siguron një vështrim të shpejtë të madhësisë marramendëse të universit. Vetëm në galaktikën tonë ka “midis 200 dhe 400 miliardë yje. Prapëseprapë është vetëm njëra nga miliarda galaktika. … Së bashku, të gjitha galaktikat në universin e dukshëm përmbajnë rreth 30 miliardë trilionë yje. Prapëseprapë ai numër mund të jetë një pjesëz e të gjithë yjeve që ekzistojnë” (R. Val Johnson, “Worlds without Number”, Ensign, gusht 2013, f. 45).
Në një vegim mbresëlënës të Krijimit, Moisiu pa tokën tonë dhe banorët e saj dhe më pas mësoi rreth shtrirjes së pafundme të universit. Ai mësoi gjithashtu se nën drejtimin e Atit Qiellor, Jezu Krishti i krijoi të gjitha gjërat (shih Moisiu 2:1; shih edhe Mosia 3:8; Gjoni 1:1–3). Kur dëshmoi veprën e bërë nga duart e Perëndisë, Moisiu “u mahnit dhe u çudit shumë” (Moisiu 1:8) dhe pyeti: “Më trego, të lutem, përse këto gjëra janë kështu dhe me çfarë i bëre ato?” (Moisiu 1:30; shih edhe Alma 27–37.)
Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë anëtar i Presidencës së Parë, tha rreth qëllimit të Perëndisë për Krijimin:
“Perëndia Vetë tha se ne jemi arsyeja pse Ai krijoi universin! Vepra dhe lavdia e Tij – qëllimi për këtë univers madhështor – është të shpëtojë dhe ekzaltojë njerëzimin. … Ati ynë Qiellor e krijoi universin që ne të mund të arrijmë potencialin tonë si bij e bija të Tij.
Ky është një paradoks i njeriut: krahasuar me Perëndinë, njeriu është hiç; por ende është gjithçka për Perëndinë.” (“Ju Keni Rëndësi për Të”, Liahona, nëntor 2011, f. 20)
Pjesa 2
Si mund të gjej gëzim më të madh në krijimet e Zotit?
Pasi qiejt dhe toka u krijuan, Perëndia u çlodh në ditën e shtatë nga e gjithë puna e Tij dhe tha: “Të gjitha gjërat që kisha bërë, u mbaruan dhe unë, Perëndia, pashë se ato ishin të mira” (Moisiu 3:2). Më pas Ai e bekoi ditën e shtatë. Çfarë mësoni rreth Krijuesit nga fakti që Ai caktoi një kohë për ta vështruar bukurinë e Krijimit? Gjatë javës së shkuar, sa shpesh keni gjetur kohë për ta ulur ritmin dhe për të shijuar krijimet e Zotit?
Në një zbulesë për Profetin Jozef Smith, Shpëtimtari përcaktoi bekimet materiale dhe shpirtërore që u vijnë atyre që e mbajnë të shenjtë ditën e Shabatit (shih Doktrina e Besëlidhje 59:9–19). Këto bekime përfshijnë një shijim të “plotësi[së së] tokës” (Doktrina e Besëlidhje 59:16).
Nga të gjitha mrekullitë në tokë, ne jemi krijimi më i shkëlqyeshëm i Perëndisë. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti “zbritën për të organizuar njeriun sipas shëmbëlltyrës së tyre … mashkull[in] dhe fem[rën]” (Abraham 4:26–27). Presidenti Gordon B. Hinkli dëshmoi:
“Trupat tanë janë të shenjtë. Ata u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ata janë të mrekullueshëm, krijimi kurorëzues i Hyjnisë.” (“Be Ye Clean”, Ensign, maj 1996, f. 48)
Marrja e një trupi është qendrore për përparimin tonë të përjetshëm (shih Doktrina e Besëlidhje 93:33–34). Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Trupat tanë fizikë bëjnë të mundur një llojshmëri, thellësi dhe fuqi përvoje që thjesht nuk mund të fitohet në ekzistencën tonë para lindjes”. (“Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Liahona, maj 2013, f. 41)
Në kundërshtim me Shpëtimtarin, Satani e shtrembëron qëllimin hyjnor të trupave tanë dhe na josh që t’i keqpërdorim ata. Presidentja Suzan W. Taner, ish-Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, dha mësim:
“[Satani] tundon shumë vetë për ta njollosur këtë dhuratë të madhe të trupit nëpërmjet padëlirësisë, jomodestisë, vetëkënaqësisë dhe varësive. Ai i josh disa që ta përbuzin trupin e tyre; disa i tundon që ta adhurojnë trupin e tyre. Në të dy rastet, ai e josh botën që ta shohë trupin thjesht si një objekt. …
Trupi ynë është tempulli ynë. Fakti që kemi një trup, na bën të jemi jo më pak, por më shumë si Ati Qiellor. … E respektofshim shenjtërinë e trupit gjatë jetës së vdekshme në mënyrë që Zoti të mund ta shenjtërojë dhe ekzaltojë atë përjetësisht.” (“Shenjtëria e Trupit”, Përmbledhja Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 21)
Pjesa 3
Si mund ta thelloj të kuptuarit tim për krijimet e Zotit me anë të studimit të shkrimeve të shenjta dhe shkencës?
Një mënyrë se si mësojmë rreth krijimeve të Perëndisë, është nëpërmjet shkencës. Për shembull, kemi mësuar shumë rreth funksioneve të trupit njerëzor nëpërmjet kërkimeve mjekësore, rreth shumëllojshmërisë biologjike nëpërmjet ekologjisë, rreth modeleve të motit nëpërmjet meteorologjisë dhe shumë më tepër se kaq.
Mund të ketë periudha kur mësoni diçka nga shkenca që duket se është në kundërshtim me shkrimet e shenjta. Kur hasni diçka që duket se është një konflikt, perspektiva vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson mund të jetë e dobishme:
“Nuk ka konflikt midis shkencës dhe fesë. Konflikti lind vetëm nga një njohuri e paplotë ose për shkencën ose për fenë, ose për të dyja. …
… E gjithë e vërteta është pjesë e ungjillit të Jezu Krishtit. Qoftë nëse e vërteta vjen nga një laborator shkencor apo prej një zbulese nga Zoti, ato përputhen.” (“Church Leaders Gather at BYU’s Life Sciences Building for Dedication”, Church News, 17 prill 2015, ChurchofJesusChrist.org).
Ndërkohë që shkenca mund të na ndihmojë të shpjegojmë se si ndodhin proceset në natyrë, ungjilli i Zotit përqendrohet tek arsyeja pse. Shkenca dhe feja shpesh trajtojnë grupe të ndryshme pyetjesh. Profetët në shkrimet e shenjta po theksojnë kryesisht atë që nevojitet të kuptojmë rreth Krijimit dhe qëllimeve të Tij. (Shih “Science and Our Search for Truth”, New Era, korrik 2016, f. 26–29.) Duke trajtuar kufizimet e njohurisë shkencore, Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim:
“Metodat e shkencës na çojnë drejt asaj që ne e quajmë e vërtetë shkencore. Por ‘e vërteta shkencore’ nuk është tërësia e jetës. Ata që nuk mësojnë ‘me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit’ (Doktrina e Besëlidhje 88:118), e kufizojnë kuptueshmërinë e tyre për të vërtetën në atë që mund ta vërtetojnë nëpërmjet mjeteve shkencore. …
Ne gjejmë gëzim të vërtetë dhe afatgjatë duke arritur të dimë dhe të veprojmë sipas së vërtetës se kush jemi, cili është kuptimi i jetës në vdekshmëri dhe ku do të shkojmë kur vdesim. Ato të vërteta nuk mund të mësohen me anë të metodave shkencore ose laike.” (“E Vërteta dhe Plani”, Liahona, nëntor 2018, f. 25)
Kur e ndërthurim të mësuarit tonë shpirtëror dhe shkencor rreth Krijimit, ai mund ta thellojë të kuptuarit që kemi për Perëndinë, edhe nëse kemi ende pyetje pa përgjigje. Teksa mendoni rreth vetë pyetjeve tuaja, mbajeni mend se gjatë Mijëvjeçarit të gjitha gjërat do të zbulohen, përfshirë “gjëra që janë lart dhe gjëra që janë poshtë, gjëra që janë brenda në tokë e mbi tokë dhe në qiell” (Doktrina e Besëlidhje 101:34).