Instituti
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 3: Mirëbesimi te Jezu Krishti, Shpëtimtari dhe Udhëheqësi Ynë në Jetën Para Lindjes


“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 3: Mirëbesimi te Jezu Krishti, Shpëtimtari dhe Udhëheqësi Ynë në Jetën Para Lindjes”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 3”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Jezusi duke dhënë mësim në Këshillin e Madh

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 3

Mirëbesimi te Jezu Krishti, Shpëtimtari dhe Udhëheqësi Ynë në Jetën Para Lindjes

Ndonëse nuk ju kujtohet, përvoja juaj me Jezu Krishtin filloi shumë kohë përpara se të lindeshit. Ajo marrëdhënie dhe njohuri për planin e Atit Qiellor mund t’i japë qëllim dhe kuptim jetës suaj në tokë. Njësia 2 do t’ju ndihmojë ta kuptoni më mirë rolin kyç të Shpëtimtarit në Këshillin e Madh në Qiell, në planin e Atit për lumturinë, në Krijimin dhe në rrëfime të tjera të treguara në Dhiatën e Vjetër. Teksa e studioni materialin nga ky mësim, mendoni rreth mënyrës se si këto të vërteta mund ta ndërtojnë mirëbesimin tuaj te Jezu Krishti.

Pjesa 1

Si mund t’i sjellë plani i shpëtimit qëllim dhe paqe jetës sime?

A keni humbur ndonjëherë në pyll, në një turmë të madhe apo në një qytet të madh? Çfarë përvoje patët?

alpiniste që ka humbur

Ashtu siç mund të keni humbur në pyll ose në një qytet të madh, ju mund të jeni ndier ose mund të ndiheni një ditë të humbur për sa i përket kuptimit dhe qëllimit të jetës suaj. Teksa i merrni parasysh këto ndjenja, përsiatini fjalët vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Robert D. Hejls

“Shpesh kam përsiatur për mungesën e shpresës së fëmijëve të Perëndisë që enden në botën e errët dhe të zymtë, pa e ditur se kush janë, nga erdhën, përse janë këtu në tokë ose ku do të shkojnë pas jetës së tyre në vdekshmëri.

Ne nuk kemi nevojë të endemi. Perëndia ka zbuluar të vërteta të përjetshme për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. …

… Plani i shpëtimit është një nga thesaret më të mëdha të diturisë së dhënë ndonjëherë njerëzimit, sepse ai shpjegon qëllimin e përjetshëm të jetës.” (“The Plan of Salvation: A Sacred Treasure of Knowledge to Guide Us”, Ensign, tetor 2015, f. 25–26)

Ati ynë Qiellor e paraqiti planin e Tij për shpëtimin në Këshillin e Madh në Qiell. Atje mësuam se po ta ndiqnim planin e Tij, do të bëheshim si Ai, do të ktheheshim në praninë e Tij dhe do të fitonim jetën e përjetshme, e cila “është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 14:7).

Gjithashtu mësuam se plani i Atit do të kërkonte një Shpëtimtar, i cili do ta bënte të mundur që ne ta mposhtnim vdekjen fizike dhe shpirtërore. Ati Qiellor e zgjodhi Jezusin që të ishte ai Shpëtimtar (shih Abraham 3:27).

Presidenti Tomas S. Monson dëshmoi:

Presidenti Tomas S. Monson

“Thelbësor për planin [e shpëtimit] është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Pa flijimin e Tij shlyes, të gjithë do të humbnin.” (“Shtegu i Përsosur drejt Lumturisë”, Liahona, nëntor 2016, f. 80)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si i ka sjellë kuptim ose qëllim jetës suaj njohuria për planin e shpëtimit? Nëse ndiheni të pasigurt rreth qëllimit të jetës suaj, si mund të ndihmojë studimi i planit të shpëtimit dhe rolit të Shpëtimtarit në të?

Pjesa 2

Pse e pranuam Jezu Krishtin që të ishte Shpëtimtari ynë në jetën para lindjes?

Perla me Vlerë të Madhe jep një rrëfim interesant rreth Abrahamit që mësoi për planetët dhe yjet. Abrahami tha që ylli qeverisës dhe më i ndritshëm quhet Kolob dhe është më i afërti me praninë e Perëndisë (shih Abraham 3:2–17).

Abrahami gjithashtu mësoi se ashtu siç ka dallime midis yjeve, ka dallime midis fëmijëve shpirtërorë të Perëndisë. Disa shpirtra janë “më inteligjent[ë]” se të tjerët, ndërsa Perëndia është “më inteligjent sesa të gjithë ata” (Abraham 3:18–19). (Shënim: Inteligjenca në këtë fragment i referohet dritës dhe së vërtetës që ka marrë një individ [shih Doktrina e Besëlidhje 93:28, 36].)

Në këtë kontekst, ku Kolobi përfaqëson Jezu Krishtin (shih Abraham 3:3, 16), çfarë na mëson kjo rreth Tij?

Kolobi i vizatuar
ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni tek Abraham 3:22–24 dhe kërkoni atë që mund të mësojmë rreth marrëdhënies sonë me Jezu Krishtin në jetën para lindjes. (Shënim: Fjala inteligjencat në këtë fragment u referohet fëmijëve shpirtërorë të Atit Qiellor.)

Këshilli i Madh

Abrahami mësoi se afërsia e Kolobit me Perëndinë e bënte atë “më [të] madhi[n e] të gjithë [yjeve] … sepse është më i afërti me [Të]” (Abraham 3:16). Kështu ndodh dhe me ne, si fëmijë të Perëndisë. Inteligjenca, drita dhe lavdia jonë do të varen nga afërsia jonë me Krijuesin, Jezu Krishtin, i cili është “më i afërti me fronin e Perëndisë” dhe i “vënë … për të qeverisur të gjithë ata që i përkasin të njëjtit rend” (Abraham 3:2, 3).

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si mund t’ju frymëzojë dijenia për madhështinë e Jezu Krishtit në jetën para lindjes që t’i mirëbesoni Atij dhe të afroheni më pranë Tij?

Pjesa 3

Si mund të më ndihmojë Jezu Krishti që t’i mposht ndikimet e liga përreth meje?

Nganjëherë, mund të ndiheni të dërrmuar nga kundërshtimi i Satanit teksa përpiqeni ta ndiqni Jezu Krishtin dhe ta jetoni ungjillin e Tij. Mund të jetë e dobishme të mbani mend se kjo nuk është e hera e parë që e keni dëshmuar ose përjetuar ndikimin e lig të Satanit.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Moisiu 4:1–4 dhe kërkoni ndryshimin midis Satanit dhe Shpëtimtarit.

Rebelimi i Satanit filloi me atë që në librin e Zbulesës quhet Lufta në Qiell (shih Zbulesa 12:7). Lufta u zhvillua midis atyre që qëndronin në krah të Atit Qiellor e Jezu Krishtit, dhe atyre që ishin kundër Tyre dhe zgjodhën të ndiqnin Satanin.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Zbulesa 12:7–11 dhe merreni parasysh ta shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta se si e mposhtët Satanin dhe ndjekësit e tij në jetën para lindjes. (Shënim: Adami quhej Mikael në jetën para lindjes [shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mikael”, ChurchofJesusChrist.org].) Si mund të gjejë zbatim ajo që shenjuat ose menduat, teksa lexuat për betejën e vazhdueshme me Satanin këtu në tokë?

Presidenti Gordon B. Hinkli tha për këtë konflikt:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Ajo luftë, aq e hidhur, aq e fortë, nuk ka pushuar kurrë. Është lufta midis të vërtetës dhe të gabuarës, midis lirisë së zgjedhjes dhe detyrimit, midis ndjekësve të Krishtit dhe atyre që e kanë mohuar Atë. …

… Ajo zhvillohet në vetë jetën tonë, ditë pas dite, në shtëpitë tona, në punën tonë, në shoqërinë tonë të shkollës. … Ne të gjithë jemi të përfshirë në të – fëmijët, rinia ose personat në moshë madhore, secili prej nesh.” (“An Unending Conflict, a Victory Assured”, Ensign, qershor 2007, f. 6, 9)

Vëllai Ahmad S. Korbit, i Presidencës së Përgjithshme të Të Rinjve, ofroi një mesazh shprese në betejën tonë të vazhdueshme me ligësinë:

Vëllai Ahmad S. Korbit

“Satani e mashtroi dinakërisht një të tretën e fëmijëve shpirtërorë të Atit Qiellor që ta linin atë të triumfonte në vend të Perëndisë. Por ju jo! Apostulli Gjon pa se ju e mposhtët Satanin ‘me anë të fjalës së dëshmisë [suaj]’ [Zbulesa 12:11]. …

… Dijenia se e mposhtët Satanin me anë të fjalës së dëshmisë suaj më përpara, do t’ju ndihmojë të jepni dashuri, shpërndani dhe ftoni tani dhe gjithmonë – për t’i ftuar të tjerët të vijnë e të shohin, të vijnë e të ndihmojnë dhe të vijnë e të kenë përkatësi, ndërkohë që po e njëjta luftë vijon furishëm.” (“Ju Mund ta Mblidhni Izraelin!”, Liahona, maj 2021, f. 61)

ikonë, veproni

Veproni

Merreni parasysh me lutje se si forcimi i besimit tuaj te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij mund t’ju ndihmojë ta mposhtni Satanin dhe “t’u bë[ni] ballë” tundimeve të tij (Alma 37:33). Mund të përcaktoni edhe një veprim që keni ndërmarrë (ose mund të ndërmerrni), që t’ju ndihmojë ta mposhtni ndikimin e Satanit në jetën tuaj.