Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 17: Gjetja e Shpresës në Fitoren e Jezu Krishtit mbi Vdekjen


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 17: Gjetja e Shpresës në Fitoren e Jezu Krishtit mbi Vdekjen”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 17”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Materiali i Mësuesit për Mësimin 17

Gjetja e Shpresës në Fitoren e Jezu Krishtit mbi Vdekjen

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim: “Ringjallja së vdekuri është shtylla siguruese, vetjake e besimit tonë. Ajo i shton domethënie doktrinës sonë, shtysë sjelljes sonë dhe shpresë të ardhmes sonë” (“Çfarë Ka Bërë Shpëtimtari Ynë për Ne?”, Liahona, maj 2021, f. 75). Gjatë këtij mësimi, studentët do të diskutojnë për realitetin e Ringjalljes së Zotit dhe do të tregojnë se si u jep ajo shpresë kur përballen me sfidat që vijnë ngaqë kemi një trup të vdekshëm.

Sugjerime për Mësimdhënien

Shumë dëshmitarë okularë dëshmojnë për Ringjalljen e Jezu Krishtit.

Mund ta filloni orën mësimore duke i ftuar studentët të shkruajnë pak fjali rreth arsyes përse Ringjallja e Jezu Krishtit është personalisht e rëndësishme për ta. Më pas jepuni kohë që disa të flasin [për të] në grupe të vogla ose si klasë. Mund të bëni një ose më shumë nga pyetjet vijuese për të vlerësuar atë që studentët mund të kenë nevojë të diskutojnë më në hollësi gjatë mësimit:

Merreni parasysh të paraqitni një figurë të Krishtit të ringjallur që i shfaqet Maries te varri. Lexoni së bashku vargjet te Gjoni 20:14–18 dhe vërini studentët të përfytyrojnë se si mund të jetë ndier Maria kur pa Zotin e ringjallur. Ftojini studentët të shprehin mendimet, ndjenjat ose mbresat e tyre.

Kujtojuni studentëve se në pjesën 1 të materialit të përgatitjes atyre iu bë ftesë të përzgjidhnin një rrëfim të një dëshmitari okular për Krishtin e ringjallur dhe t’i mbanin shënim mendimet dhe ndjenjat e tyre rreth kësaj ngjarjeje. Jepuni studentëve kohë që ta shqyrtojnë fragmentin e tyre ose të përzgjedhin një fragment nëse nevojitet. Më pas vërini të formojnë grupe të vogla dhe ftojini të tregojnë atë që mësuan nga rrëfimet që studiuan. Më pas mund të pyetni:

  • Si mund të ndikojnë këto rrëfime për Ringjalljen në besimin e dikujt te Jezu Krishti?

Mund të paraqitni situatën vijuese: Merreni parasysh se si mund t’i përgjigjeshit një miku ose mikeje që tha: “Unë besoj se Jezu Krishti ishte një mësues dhe udhëheqës i madh fetar. Unë i pranoj mësimet e Tij rreth etikës, por nuk besoj se Ringjallja ka ndodhur në të vërtetë.”

Si pjesë të diskutimit tuaj, mund të bëni disa prej pyetjeve vijuese:

  • Si mund t’i ishte përgjigjur kësaj thënieje Apostulli Pal? (Nëse dëshironi mund të shqyrtoni vargjet te 1 Korintasve 15:14, 17–22. Studentët mund të përcaktojnë të vërteta të ngjashme me sa vijojnë: Ringjallja është thelbësore për ungjillin e Zotit. Për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, çdo njeri do të ringjallet.)

  • Përse është Ringjallja e Jezu Krishtit qendrore në ungjillin e Tij? Çfarë të vërtetash rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij vërtetohen ngaqë Ai u ringjall? (Nëse dëshironi mund të shqyrtoni thënien e Plakut D. Tod Kristoferson në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)

  • Çfarë mendimesh dhe ndjenjash keni kur e dini se për shkak të Jezu Krishtit të gjithë njerëzit – përfshirë ju – do të ringjallen? (Nëse dëshironi, edhe ju mund të shprehni ndjenjat tuaja për këtë pyetje.)

Pali jep mësim se ne mund të gëzohemi për shkak të fitores së Jezu Krishtit mbi vdekjen.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Trajtojini temat vetjake me kujdes e dhembshuri. Kur flisni për tema që mund të shkaktojnë emocione të forta, jini të ndjeshëm ndaj situatave dhe ndjenjave të studentëve tuaj. Mësoni rreth jetës së studentëve tuaj që të mund të dini se si t’u qaseni më së miri temave të ndjeshme. Gjatë orës mësimore vëzhgojini shprehjet e studentëve dhe merrni parasysh se si mund t’i ndikojë studentët diskutimi në klasë.

Tregoni historinë vijuese rreth Alisës, bijës së Plakut Pol V. Xhonson, të Të Shtatëdhjetëve:

Plaku Pol V. Xhonson

“Afërsisht një vit më parë, vajza jonë, Alisa, vdiq. Ajo kishte vuajtur nga kanceri për pothuaj tetë vjet, me disa operacione, shumë lloje mjekimesh, mrekulli emocionuese dhe zhgënjime të mëdha. Ne e pamë gjendjen e saj fizike të përkeqësohej teksa ajo iu afrua fundit të jetës së saj në vdekshmëri. Ishte torturuese të shihje atë që po i ndodhte vajzës sonë të dashur – asaj foshnjeje të vogël me sy të shndritshëm, që ishte rritur për t’u bërë një grua, bashkëshorte dhe nënë e talentuar, e mrekullueshme. Mendova se do të më copëtohej zemra.” (“Dhe Vdekja Nuk Do Të Jetë Më”, Liahona, maj 2016, f. 121)

  • A keni përjetuar ju ose dikush që ju njihni ndjenja të ngjashme? Nëse po, cilat ishin rrethanat?

Ftojini studentët të shqyrtojnë thënien nga Plaku Xhonson në pjesën 3 të materialit të përgatitjes dhe vargjet te 1 Korintasve 15:52–55. Mund të sugjeroni që të kërkoni mësime të cilat mund të sjellin ngushëllim e shpresë. Më pas mund të pyetni:

  • Si mund t’iu sjellë doktrina e Ringjalljes ngushëllim e shpresë njerëzve që po ndeshen me sëmundje ligështuese, dëmtime jetëndryshuese, anomali që nga lindja ose vdekjen e një njeriu të dashur? (Studentët mund të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Ne do të ringjallemi me trupa të paprishshëm dhe të pavdekshëm.)

  • Kur ju ka ndihmuar juve ose dikë që njihni të kuptuarit e realitetit të Ringjalljes?

Merreni parasysh që të tregoni përvojën e Alisës:

Plaku Pol V. Xhonson

“Alisa hulumtoi mbi përqindjet e të mbijetuarve për personat me llojin e kancerit që ajo kishte dhe shifrat nuk ishin kaq inkurajuese. Ajo shkroi: ‘Por ka një kurë, prandaj nuk jam e frikësuar. Jezusi e ka mjekuar tashmë kancerin tim dhe tuajin. … Unë do të bëhem më mirë. Jam e lumtur që e di këtë.’

Ne mund ta zëvendësojmë fjalën kancer me çdo sëmundje tjetër fizike, mendore apo emocionale që mund të hasim. Për shkak të Ringjalljes, edhe ato janë mjekuar tashmë.” (“Dhe Vdekja Nuk Do Të Jetë Më”, Liahona, maj 2016, f. 122)

  • Çfarë mund të mësojmë nga përvojat e Alisës dhe Plakut Xhonson?

Merreni parasysh të këndoni himnin “Ai Ësht’ Ngritur!” (Himne, nr. 118) ose të shikoni materialin filmik “Ai Jeton – Festojeni Pashkën Sepse Jezu Krishti Jeton” (02:26).

2:26

Më pas paraqitni pyetjet vijuese ose disa pyetje që e ndjeni se mund të jenë më domethënëse për studentët tuaj, dhe ftojini studentët t’i përsiatin e mbajnë shënim mendimet, ndjenjat dhe mbresat e tyre.

  • Si ju ka sjellë ose si mund t’ju sjellë Ringjallja e Shpëtimtarit paqe dhe shpresë teksa jeni përballuar me sfidat e vdekshmërisë?

  • Si mund ta përdorni atë që keni mësuar rreth Ringjalljes për ta forcuar dëshminë tuaj ose dëshminë e dikujt tjetër?

Pas një kohe të mjaftueshme për të shkruar e reflektuar, nxitini disa studentë të tregojnë se çfarë shkruan.

Për Herën Tjetër

Për të nxitur përgatitje për orën e ardhshme mësimore, mund t’u dërgoni studentëve mesazhin vijues: Teksa studion materialin e përgatitjes për mësimin 18, mendo rreth rolit që luan hiri [i Zotit] në jetën tënde.