Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 7: Përqafimi i Drejtësisë, Mëshirës dhe Dashurisë së Perëndisë


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 7: Përqafimi i Drejtësisë, Mëshirës dhe Dashurisë së Perëndisë”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 7”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Materiali i Mësuesit për Mësimin 7

Përqafimi i Drejtësisë, Mëshirës dhe Dashurisë të Perëndisë

Nga materiali Lectures on Faith [Leksione mbi Besimin] mësojmë se, për të ushtruar besim te Perëndia, prej nesh kërkohet të kemi “një ide të saktë për karakterin dhe cilësitë e Tij” ([1985], f. 38). Në këtë mësim, studentët do të kenë mundësinë të shpjegojnë se si tiparet e drejtësisë dhe mëshirës së Perëndisë janë shprehje të dashurisë së Tij hyjnore. Ata do të marrin parasysh gjithashtu atë që mund të bëjnë për të treguar mirënjohjen e tyre për dashurinë e përsosur të Perëndisë dhe flijimin shlyes të Shpëtimtarit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Enoku dhe Alma japin mësim rreth tipareve hyjnore të drejtësisë, mëshirës dhe dashurisë.

Mund ta filloni këtë mësim duke paraqitur deklaratën vijuese:

  • Në Dhiatën e Vjetër, Jehova administron drejtësi të ashpër dhe korrigjuese. Në Dhiatën e Re, Jezu Krishti është falës dhe i mëshirshëm. Parapëlqej të besoj te Perëndia i Dhiatës së Re më shumë se te Perëndia i Dhiatës së Vjetër.

  • Çfarë problemesh shihni te kjo deklaratë?

  • Pse është e rëndësishme që ta kuptojmë dhe pranojmë drejtësinë si edhe mëshirën si tipare hyjnore?

  • Çfarë problemesh mund t’u krijojmë vetes dhe të tjerëve nëse përqendrohemi te drejtësia dhe e shpërfillim mëshirën ose përqendrohemi te mëshira dhe e shpërfillim drejtësinë?

Merreni parasysh të shkruani në tabelë fjalët drejtësi, mëshirë dhe dashuri. Ftojini studentët të formojnë grupe të vogla. Shpjegoni se atyre do t’u jepet një fletushkë me udhëzime që do t’i ndihmojnë për ta thelluar të kuptuarit që kanë për marrëdhënien mes drejtësisë, mëshirës dhe dashurisë të Perëndisë.

Drejtësia dhe Dashuria e Perëndisë

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 7

Përpara se të nisni diskutimin tuaj në grup, lexojeni së bashku këshillën vijuese për diskutimet:

Përmirësimi i Diskutimeve Tona në Grup

Përpiquni për pjesëmarrje të ekuilibruar. Ne mësojmë më mirë kur i dëgjojmë të gjithë anëtarët e grupit, jo vetëm një ose dy. Nëse nga natyra jeni i hedhur dhe keni prirjen të flisni shumë, ju lutemi, jini i kujdesshëm që të mos i pushtoni diskutimet, të ndërpritni ose të flisni ndërkohë që është duke folur dikush tjetër. Nëse nga natyra jeni i heshtur dhe nuk keni prirjen të flisni, ju lutemi, jini i guximshëm dhe flisni në mënyrë që të tjerët të mësojnë prej jush. Lëreni mënjanë idenë që opinioni juaj nuk ka rëndësi.

Lexojeni me zë të lartë skenarin vijues:

Arbeni ndihet i mbingarkuar nga ligjet dhe urdhërimet e Perëndisë. Për një kohë të gjatë, ai është ndier sikur nuk është mjaft i mirë dhe gjithmonë jo në lartësinë e duhur. I shkurajuar nga mungesa e “përparimit” të tij, kohët e fundit ai ka bërë sërish një shkelje të rëndë. Ai ndien një humbje të Shpirtit. Ai nuk është më i denjë të ketë një rekomandim tempulli. Ai pyet veten a e do ende Perëndia, për shkak të zgjedhjeve të tij të gabuara. Ai kohët e fundit i tha shoqes së tij, Zanës: “Jeta ime është e pavlerë. Jam mjaft i sigurt që Perëndia ka hequr dorë nga unë.” Si përgjigje Zana i tha: “Mos u shqetëso për këtë. Perëndia na do në mënyrë të pakushtëzuar dhe Ai do të të shpëtojë pavarësisht nga ajo që ke bërë. Ky është qëllimi i Shlyerjes së Jezu Krishtit.”

Shqyrtojini shkurtimisht kushtet që i paraprinë Përmbytjes. Më pas shqyrtojini vargjet te Moisiu 7:28–29, 32–33, 37 dhe kërkoni atë që mësoi Enoku rreth natyrës së Perëndisë ngaqë e vëzhgoi Atë kur i shihte fëmijët e Tij të pabindur të vuanin. Pastaj diskutojini pyetjet vijuese:

  • Çfarë të vërtetash nga këto vargje mund ta ndihmonin Arbenin të kuptonte se Ati Qiellor e do edhe pse ai i ka shkelur urdhërimet? Si mund ta ndihmonte kjo njohuri Arbenin që ta përmirësonte marrëdhënien e tij me Atin Qiellor? (Mund të lexoni thënien nga Plaku Xhefri R. Holland në pjesën 1 të materialit të përgatitjes si pjesë të këtij diskutimi.)

  • Në ç’mënyrë drejtësia e Perëndisë, e manifestuar nganjëherë me zemërimin ose zemëratën e Tij, është provë e dashurisë së Tij? (Merreni parasysh ta lexoni së bashku thënien nga Presidenti Dallin H. Ouks në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.) Nëse Perëndia nuk do të ishte i drejtë, si mund ta dobësonte kjo gjë besimin tonë tek Ai?

  • Çfarë mund të jetë mashtruese rreth këndvështrimit të Zanës për dashurinë e Perëndisë? (Mund të jetë e dobishme të lexoni thënien e Plakut D. Tod Kristoferson në pjesën 1.) Cilat mund të jenë disa mënyra më të mira për ta përshkruar dashurinë e Perëndisë? Në çfarë mënyrash e keni përjetuar dashurinë e Perëndisë?

Drejtësia dhe Dashuria e Perëndisë

Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm – Mësimi 7

Pamja
fletushka e mësuesit

Pasi të lejoni kohë të mjaftueshme për diskutimin në grup, mund t’i ftoni studentët të tregojnë të vërteta ose ide që e ndien se ishin veçanërisht të rëndësishme për diskutimin e tyre në grup.

Mund të vazhdoni t’i diskutoni pikëpamjet e Arbenit dhe Zanës rreth Perëndisë duke i përmendur shkurtimisht zgjedhjet që bëri Koriantoni ndërkohë që shërbente në mision (shih Alma 39:1–5). Shqyrtojini vargjet tek Alma 42:15, 22, 24–25 për të mësuar se çfarë i dha mësim Alma Koriantonit rreth drejtësisë, mëshirës dhe Jezu Krishtit.

  • Si mund ta ndihmojë Arbenin të kuptuarit e saktë të Shlyerjes së Jezu Krishtit që ta ristrukturojë mënyrën se si ai i sheh papërshtatshmëritë, gabimet dhe mëkatet e veta? Si mund të ndryshonin qëndrimi dhe veprimet e Arbenit po të mësonte se çfarë do të thotë të jesh i “penduar [i] vërtetë”? (Shih Alma 42:24.)

  • Çfarë do të thoshit ju se është mashtruese rreth këndvështrimit të Zanës për Shlyerjen e Jezu Krishtit? Çfarë do të rregullonit në pikëpamjen e saj për ta bërë më të përputhshme me mësimet e Almës?

  • Si mund të ndryshonte jeta e Arbenit nëse ai do të përqendrohej më pak te dështimet e veta dhe më shumë te dëshira e Shpëtimtarit për të dhënë mundësi të dyta? (Nëse dëshironi, mund të shqyrtoni thëniet nga Presidenti Diter F. Uhtdorf dhe Plaku Lin G. Robins në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.) Si e ka bekuar jetën tuaj përqendrimi te durimi dhe mëshira e Shpëtimtarit?

Për ta përfunduar orën mësimore, mund të paraqitni të vërtetat vijuese me pyetjet që lidhen me to. Ftojini studentët të zgjedhin njërën nga këto të vërteta dhe më pas të shënojnë mendimet dhe ndjenjat e tyre si përgjigje ndaj pyetjeve:

  • Perëndia ndien keqardhje të thellë kur vuajmë për shkak të mosbindjes sonë. (Shih Moisiu 7:37.)

  • Çfarë mendimesh ose ndjenjash keni kur mendoni për faktin që Ati Qiellor qan kur ju vuani për shkak të mosbindjes suaj? Çfarë mund të bëni për ta treguar mirënjohjen tuaj për shqetësimin dhe dashurinë e Tij të përsosur?

  • Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti i përmbushi kërkesat e drejtësisë në mënyrë që ne të mund të pendohemi dhe të marrim mëshirë. (Shih Alma 42:24.)

  • Çfarë mendimesh ose ndjenjash keni kur mendoni rreth përmbushjes së kërkesave të drejtësisë nga Jezu Krishti në mënyrë që ju të mund të pendoheni dhe të merrni mëshirë? Çfarë mund të bëni për ta treguar mirënjohjen tuaj për flijimin shlyes që Ai bëri për ju?

Për Herën Tjetër

Gjatë javës, merreni parasysh t’u dërgoni studentëve mesazhin vijues, ose një mesazh që e krijoni vetë: Teksa e lexoni materialin e përgatitjes për mësimin 8, mendoni për mënyrat e ndryshme në të cilat Jezu Krishti mund t’ju vijë në ndihmë (ndihmojë ose përkrahë) ju dhe njerëzit që i doni. Merreni parasysh të shihni materialin e shkurtër filmik “Succor His People” [“E Ndihmon Popullin e Tij”] (00:42) me Plakun Xhefri R. Holland.

Shtyp në Letër