Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 1: Pranimi i Ftesës së Shpëtimtarit për të Mësuar nga Ai


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 1: Pranimi i Ftesës së Shpëtimtarit për të Mësuar nga Ai”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 1”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Materiali i Mësuesit për Mësimin 1

Pranimi i Ftesës së Shpëtimtarit për të Mësuar nga Ai

Ky kurs siguron një mundësi të mrekullueshme që ju dhe studentët tuaj ta rritni besimin tuaj te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i përjetshëm. Në këtë mësim, studentët do të marrin parasysh atë që mund të bëjnë për ta pranuar më plotësisht ftesën e Shpëtimtarit që të mësojnë nga Ai. Ata do të marrin parasysh edhe rëndësinë e të mësuarit të të vërtetave shpirtërore nëpërmjet studimit dhe besimit.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Shfrytëzojeni materialin e përgatitjes për të kultivuar të mësuarit. Materiali i përgatitjes është hartuar për t’i ndihmuar mësuesit si edhe studentët që të përgatiten për të pasur përvoja lartësuese të të mësuarit së bashku. Merrini parasysh këshillat që vijojnë:

  • Nëse është e mundur, vihuni në kontakt me studentët që regjistrohen për këtë kurs, përpara ditës së tyre të parë në klasë dhe ftojini ta lexojnë materialin e përgatitjes përpara se të vijnë në klasë.

  • Për shkak se disa studentë nuk do ta kenë marrë materialin paraprakisht, tregojuni atyre se si të hyjnë te kopja digjitale ose sigurojuni atyre një kopje të shtypur në letër të materialit përpara se të filloni diskutimin tuaj në orën mësimore. Jepuni po të njëjtën ndihmë studentëve individualë që bashkohen më vonë me klasën tuaj.

  • Gjatë diskutimeve në orën mësimore, mbështetuni te përvojat e studentëve me materialin e përgatitjes. Gjithashtu kërkoni mënyra për ta përdorur materialin e përgatitjes gjatë orës mësimore për ata që nuk përgatiten paraprakisht.

  • Herë pas here ftojini studentët të tregojnë se si po bekohen me anë të studimit të materialit të përgatitjes.

Sugjerime për Mësimdhënien

Jezu Krishti i fton të gjithë njerëzit të mësojnë nga Ai.

Shënim: Qendror për misionin e institutit është kultivimi i një mjedisi ku çdo njeri ndihet në siguri, i përkrahur dhe i vlerësuar. Që të ndihmoni për të krijuar një ndjesi përkatësie, merreni parasysh të shpenzoni pak kohë në fillim të orës mësimore për t’u njohur me njëri-tjetrin. Nëse dëshironi, mund të vëzhgoni për të gjetur mënyra gjatë gjithë kursit që t’i ndihmoni studentët të ndiejnë se i mirëpresin dhe i duan në orën tuaj mësimore.

Për ta filluar orën mësimore, merrni parasysh të paraqitni një pikturë të Jezu Krishtit dhe të shprehni shkurtimisht ndjenjat tuaja rreth Tij. Mund të ftoni edhe disa studentë që të tregojnë se çfarë ndiejnë rreth Shpëtimtarit.

Lexoni me klasën te Mateu 11:28–30 dhe Doktrina e Besëlidhje 19:23 dhe pyetini studentët se çfarë iu bën përshtypje rreth këtyre ftesave dhe bekimeve të premtuara. Mund ta theksoni natyrën vetjake dhe të dashur të këtyre ftesave kur studentët përcaktojnë një të vërtetë si ajo në vijim: Jezu Krishti e fton secilin prej nesh të mësojë nga Ai dhe të përjetojë paqen e Tij.

  • Çfarë mendoni se do të thotë të mësosh nga Krishti? (Nëse nevojitet, ftojini studentët të shqyrtojnë thënien nga Plaku Kim B. Klark në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)

  • Si mendoni, përse premtimet për paqe, prehje dhe lehtësim barrësh lidhen me të mësuarit nga Jezu Krishti? Në çfarë mënyrash i keni përjetuar këto lloje bekimesh?

Mund të shkruani frazën Ungjill = Lajm i Mirë në tabelë. Pastaj ftojini studentët të lexojnë te 3 Nefi 27:13–16, 20–21 dhe diskutojini pyetjet vijuese me një partner ose në grupe të vogla.

  • Sipas Shpëtimtarit, cilat janë të vërtetat thelbësore të ungjillit të Tij? Përse këto të vërteta janë lajme kaq të mira? (Mund të shqyrtoni thënien nga Plaku Xhefri R. Holland në pjesën 1 të materialit të përgatitjes.)

  • Në çfarë mënyrash ju ka ndihmuar të mësuarit dhe të jetuarit e ungjillit që të mësoni nga Shpëtimtari dhe të bëheni më shumë si Ai?

Zoti na dha mësim se si të mësojmë të vërtetën shpirtërore.

Për t’i ndihmuar studentët ta përsiatin rëndësinë e mënyrës se si mund të mësojmë të vërtetën shpirtërore rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij, mund të paraqitni skenarin vijues:

Kloi, një shoqe e juaja, i merr vendimet duke u bazuar te shkenca. Ajo duket se ka nevojë t’i vërtetojë gjërat përpara se t’i besojë ato. Ngaqë e di se besoni te Jezu Krishti, ajo pyet se si mund ta dijë ajo që Ai është real. Si do t’i përgjigjeshit?

Mund t’i ftoni studentët t’ia thonë përgjigjen e tyre një partneri dhe më pas të diskutojnë si klasë kufizimet e mbështetjes te një metodë shkencore për të mësuar nga Shpëtimtari. (Mund t’u tregoni thënien nga Plaku Pol V. Xhonson në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.) Për ta thelluar diskutimin tuaj merrni parasysh të bëni një ose më shumë nga pyetjet vijuese:

  • Cila është mënyra e Zotit për të mësuar të vërtetën shpirtërore? (Merreni parasysh të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 88:118.)

  • Çfarë do të thotë të mësoni me anë të besimit? (Mund të jetë e dobishme të shqyrtoni thënien nga Presidenti Rasëll M. Nelson në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.) (Gjithashtu mund t’i ndihmoni studentët që të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me këtë: Nëse synojmë ta mësojmë ungjillin duke vepruar me besim, besimi ynë te Jezu Krisht do të rritet.)

  • Cilët janë disa shembuj të njerëzve në shkrimet e shenjta ose të njerëzve që i njihni, të cilët mësuan nëpërmjet veprimit me besim? Përdorni një minutë dhe mendoni për një rast kur mësuat diçka rreth Jezu Krishtit ngaqë vepruat me besim. Çfarë mësuat rreth Tij?

Mund t’u jepni studentëve pak minuta për të përsiatur dhe për të shënuar atë që dëshirojnë të mësojnë më shumë rreth Shpëtimtarit gjatë këtij kursi dhe mënyrën se si mund ta përmirësojnë aftësinë e tyre për të mësuar nga Ai. Nxitini që t’i shkruajnë synimet e tyre. Kërkoni mundësi për t’i bërë studentët t’i shqyrtojnë synimet e tyre në javët e ardhshme.

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Komunikoni me studentët jashtë klasës. Për t’i vlerësuar studentët dhe për t’i frymëzuar që ta studiojnë materialin e përgatitjes, ju mund të gjeni mënyra për të komunikuar me ta nëpërmjet dërgimit të mesazheve. Mund të përdorni sugjerimet në pjesën e quajtur “Për Herën Tjetër” ose hartoni mesazhin tuaj.

Për Herën Tjetër

Nxitini studentët teksa studiojnë për orën e ardhshme mësimore, që të kërkojnë atë që emrat dhe titujt e ndryshëm të Jezu Krishtit na mësojnë rreth Tij. Ose mund t’i ftoni studentët të përsiatin përse i referohemi Shpëtimtarit si “Krishti i gjallë”.