“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 12: Gjetja e së Vërtetës së Pastër te Mësimet e Jezu Krishtit”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 12”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 12
Gjetja e së Vërtetës së Pastër te Mësimet e Jezu Krishtit
Të jetuarit në epokën digjitale na ka dhënë qasje të mahnitshme në sasi të pashembullta informacioni. Dhe prapëseprapë Presidenti Rasëll M. Nelson vërejti: “Një nga plagët e ditëve tona është se shumë pak njerëz e dinë se ku të drejtohen për të vërtetën” (“E Vërtetë e Kulluar, Doktrinë e Kulluar dhe Zbulesë e Kulluar”, Liahona, nëntor 2021, f. 6). Teksa mendoni rreth mesazheve dhe zërave të ndryshëm që konkurrojnë për vëmendjen tuaj, merreni parasysh se si Jezu Krishti dhe mësimet e Tij janë burimi kryesor i së vërtetës së pastër dhe kanë fuqinë ta udhërrëfejnë, forcojnë dhe shndërrojnë jetën tuaj (shih Gjoni 14:6).
Pjesa 1
Si mund të ma përmirësojnë jetën mësimet e Jezu Krishtit?
Pas Ringjalljes së Tij, Jezusi eci me dy dishepuj që po udhëtonin drejt Emausit. Ata nuk e dalluan se Ai ishte Krishti i ringjallur. Ndërsa ecnin, Jezusi dha mësim nga shkrimet e shenjta për kuptimin e misionit të Tij hyjnor. (Shih Lluka 24:13–27.)
Jezu Krishti dha mësim me “autoritet [nga Perëndia]” dhe jo si skribët dhe farisenjtë (Joseph Smith Translation, Matthew 7:37 [në Biblën në anglisht Mateu 7:29, poshtëshënimi a]). Kur Ai dha mësim në vendlindjen e Tij në Nazaret, njerëzit “habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet” (Lluka 4:32). Por ndonëse Zoti dha mësim me autoritet, disa njerëzve mësimet dhe doktrina e Tij iu dukën tepër sfiduese dhe zgjodhën të mos e ndiqnin Atë. Në një rast të tillë, Zoti i pyeti Apostujt e Tij: “A doni edhe ju të largoheni?” (Gjoni 6:67; shih edhe Gjoni 6:68–69.)
Në kohën tonë, edhe ne mund të ndihemi të sfiduar nga mësimet dhe doktrina e Jezu Krishtit. Me raste mund të ndihemi madje të tunduar të “largohe[m]i”. Për të qëndruar besnikë gjatë gjithë jetës sonë nuk do të jetë e mjaftueshme që thjesht t’i dëgjojmë fjalët e Tij.
Pasi i mësoi të vërteta të rëndësishme të ungjillit një fariseu të quajtur Nikodem, Zoti tha: “Kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë” (Gjoni 3:21; theksimi i shtuar).
Në një rast tjetër, ndërkohë që po jepte mësim në tempull, Jezusi tha: “Në qoftë se dikush don të dijë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:17; theksimi i shtuar). Më vonë, ndërsa Jezusi dha një shembull shërbimi për dishepujt e Tij duke u larë këmbët atyre, Ai tha: “ Po t’i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t’i bëni” (Gjoni 13:17; theksimi i shtuar).
Duke shpjeguar rëndësinë e të vepruarit sipas mësimeve të Jezu Krishtit, Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:
“‘Prandaj, çfarë?’ Mendoj se kjo është ajo që Shpëtimtari u përgjigj ditë pas dite si një element i pandashëm i mësimdhënies dhe predikimit të Tij. Predikimet dhe këshillimet e Tij nuk do të kishin asnjë dobi, në qoftë se jeta aktuale e dishepujve të Tij nuk ndryshonte.
‘Prandaj, çfarë?’ Ju dhe unë e dimë se shumë njerëz nuk e kanë bërë lidhjen midis asaj që ata thonë se besojnë dhe mënyrës se si e jetojnë në të vërtetë jetën e tyre.” (“Teaching, Preaching, Healing”, Ensign, janar 2003, f. 37)
Pjesa 2
Cilat mësime të Zotit janë më thelbësore për shpëtimin tim?
Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“E gjithë e vërteta ia vlen të dihet. Disa të vërteta janë më të dobishme, por ka disa të vërteta që janë shumë të vlefshme për t’u ditur.” (“Truths Most Worth Knowing” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, 6 nëntor 2011], ChurchofJesusChrist.org)
Ne mund të shohim te Shpëtimtari për udhërrëfim lidhur me atë që mund të jetë më e vlefshmja të dihet. Pas Ringjalljes së Tij, Jezu Krishti iu shfaq shumë njerëzve, përfshirë Dymbëdhjetë Apostujve të Tij. Ai i ngarkoi Të Dymbëdhjetët që t’ua predikonin ungjillin të gjithë njerëzve. Ai gjithashtu siguroi se ata që besonin tek ungjilli i Tij dhe pagëzoheshin, do të shpëtoheshin. (Shih Marku 16:15–16.)
Kur Jezu Krishti iu shfaq nefitëve, Ai u mësoi atyre kuptimin e ungjillit të Tij dhe arsyen pse ungjilli ishte thelbësor për shpëtimin e tyre.
Vëllai Daniel K. Xhud, ish-Këshilltar i Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shkollës të së Dielës, tha:
“Ndërkohë që ungjilli i Jezu Krishtit e përqafon të gjithë vërtetën, jo të gjitha të vërtetat kanë vlerë të barabartë. Shpëtimtari dha mësim me qartësi që ungjilli i Tij, së pari dhe mbi të gjitha, është flijimi i Tij shlyes. Ungjilli i Tij është gjithashtu një ftesë për të marrë bekimet e Shlyerjes nëpërmjet besimit te Krishti, pendimit, pagëzimit, marrjes së Frymës së Shenjtë dhe durimit me besnikëri deri në fund. …
… Është thelbësore që të ushqejmë ata që mësojmë dhe të udhëheqim duke u përqendruar mbi doktrinat … në vend që të shpenzojmë kohë të çmuar me tema dhe burime me më pak rëndësi.” (“Të Ushqehen nga Fjala e Mirë e Perëndisë”, Liahona, nëntor 2007, f. 93–94)
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, ofroi këshillën vijuese:
“Nëse mendoni se ungjilli nuk po funksionon aq mirë për ju, unë ju ftoj të bëni një hap pas, të shihni jetën tuaj nga një nivel më i lartë dhe ta thjeshtoni metodën tuaj të dishepullimit. Përqendrohuni te doktrinat, parimet dhe zbatimet themelore të ungjillit. Ju premtoj se Perëndia do t’ju udhërrëfejë e bekojë në shtegun tuaj drejt një jete të suksesshme dhe ungjilli sigurisht do të funksionojë më mirë për ju.” ( “Funksionon në Mënyrë të Mrekullueshme!”, Liahona, nëntor 2015, f. 22)