Instituti
Materiali i Mësuesit për Mësimin 19: Ndihma e Dhënë Zotit për Shëlbimin e të Vdekurve


“Materiali i Mësuesit për Mësimin 19: Ndihma e Dhënë Zotit për Shëlbimin e të Vdekurve”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm (2023)

“Materiali i Mësuesit për Mësimin 19”, Materiali i Mësuesit – Jezu Krishti dhe Ungjilli i Tij i Përjetshëm

Materiali i Mësuesit për Mësimin 19

Ndihma e Dhënë Zotit për Shëlbimin e të Vdekurve

Shërbesa e Shpëtimtarit në botën e shpirtrave siguron që të gjithë njerëzit të cilët kanë jetuar dhe ende do të jetojnë në tokë, do të kenë mundësinë për ta dëgjuar ungjillin e Zotit dhe për të marrë ordinancat e shpëtimit. Në këtë mësim, studentët do të tregojnë se çfarë mund të mësojnë rreth Shpëtimtarit nga shërbesa e Tij në botën e shpirtrave. Ata gjithashtu do të ftohen të marrin pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare për ta ndihmuar Zotin në punën e Tij shpëtuese për të vdekurit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Jezu Krishti u jep shërbesë të vdekurve në botën e shpirtrave.

Për ta filluar orën mësimore, ju mund të paraqitni figurat vijuese dhe t’i ftoni studentët të shpjegojnë se çfarë ndodhi midis vdekjes dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit. (Ose mund të shqyrtoni thënien e Plakut Spenser J. Kondi në fillim të materialit të përgatitjes dhe t’i bëni studentët t’i përgjigjen të njëjtës pyetje.)

The Burial of Christ [Varrosja e Krishtit], nga Carl Heinrich Bloch
pikëpyetje
Mary and the Resurrected Lord [Maria dhe Zoti i Ringjallur], nga Harry Anderson

Përmirësimi i Mësimdhënies dhe i të Mësuarit Tonë

Sigurojuni studentëve mundësi për të ushtruar përhapjen e ungjillit. Klasat e institutit mund të sigurojnë një mjedis të sigurt për studentët për të ushtruar shpjegimin e mësimeve të Kishës së Zotit. Për shembull, nëpërmjet interpretimeve me role studentët mund të përmirësojnë aftësinë e tyre për të folur rreth ungjillit duke përdorur një gjuhë të thjeshtë dhe të qartë.

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur kanë një mundësi për t’ia shpjeguar shërbesën e Shpëtimtarit në botën e shpirtrave dikujt që nuk është i besimit tonë. Paraqitini pyetjet vijuese dhe bëjini studentët të përzgjedhin një pyetje të cilës do të donin t’i përgjigjeshin:

  • Kam dëgjuar se kisha juaj jep mësim që njerëzit shkojnë në parajsë ose në burgun e shpirtrave kur vdesin. Është kjo e njëjta gjë si qielli dhe ferri?

  • Më ishte thënë teksa rritesha që njerëzit të cilët vdesin pa e pranuar Jezu Krishtin si Shpëtimtarin e tyre, janë të humbur përgjithmonë dhe nuk mund të shkojnë në qiell. A jep kisha juaj të njëjtin mësim?

  • Kohët e fundit dëgjova se kisha juaj kryen diçka të quajtur pagëzimi për të vdekurit. Duket disi e çuditshme. Për çfarë bëhet e gjithë kjo?

Sigurojuni kohë studentëve për të shqyrtuar shkrimet e shenjta që gjenden në pjesën 1 të materialit të përgatitjes dhe për të përgatitur një përgjigje të thjeshtë, të qartë dhe nga ana doktrinore të saktë për pyetjen që përzgjodhën.

Më pas ftojini studentët të interpretojnë me role me një partner dhe t’u japin përgjigje pyetjeve që përzgjodhën. Pasi të mbarojnë, mund t’i ftoni disa studentë të tregojnë atë që mësuan nga njëri‑tjetri.

Për t’ju ndihmuar që të theksoni rëndësinë e shërbesës së Zotit në botën e shpirtrave, ju mund të bëni njërën ose më shumë nga pyetjet vijuese:

  • Çfarë keni mësuar rreth Jezu Krishtit dhe rolit të Tij në dhënien e shërbesës ndaj atyre që ndodhen në botën e shpirtrave? Shqyrtoni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 138:12–19, 23–24 dhe kërkoni fjalë që përshkruajnë se si u përgjigjën besimtarët ndaj vizitës së Shpëtimtarit. Shprehini një partneri se si mund të ishit ndier nëse do të kishit qenë të pranishëm për këtë ngjarje.

  • Çfarë keni mësuar rreth dëshirave dhe karakterit të Jezu Krishtit nëpërmjet shërbesës së Tij në botën e shpirtrave? (Mund të shqyrtoni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 138:29–35. Përgjigjet mund të përfshijnë të vërteta të ngjashme me sa vijojnë: Shërbesa e Jezu Krishtit në botën e shpirtrave demonstron dashurinë e Tij dhe dëshirën e Tij për t’u ofruar shpëtim të gjithë njerëzve. Shpëtimtari na lejon ne të gjithëve që të ndihmojmë në punën e Tij të madhe për të vdekurit.)

  • Çfarë mendimesh ose ndjenjash keni për Shpëtimtarin teksa merrni parasysh se shërbesa e Tij i përfshin të gjithë njerëzit – përfshirë paraardhësit tuaj që kanë vdekur pa ungjillin?

Ne mund ta ndihmojmë Shpëtimtarin për të shëlbuar të vdekurit.

Merreni parasysh të paraqitni figurën shoqëruese të Shpëtimtarit dhe këtë thënie nga dokumenti “Krishti i Gjallë”: “Ai dha jetën e Tij për të shlyer për mëkatet e gjithë njerëzimit. Ai ishte mishërimi i një dhurate madhështore [me mëkëmbës], për të gjithë ata që do të jetonin ndonjëherë në tokë” (“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, ChurchofJesusChrist.org). Sigurohuni që studentët e kuptojnë se fraza me mëkëmbës do të thotë të veprosh për një person tjetër ose në vend të një personi tjetër.

Christ Praying in the Garden of Gethsemane [Krishti duke u Lutur në Kopshtin e Gjetsemanit], nga Hermann Clementz

Më pas tregoni figurën vijuese dhe pyetni:

  • Në çfarë mënyrash puna jonë për të vdekurit mund të ndjekë modelin e Shpëtimtarit? (Shqyrtojeni me studentët thënien e Presidentit Rasëll M. Nelson në pjesën 2 të materialit të përgatitjes.)

pagëzim që kryhet në tempull

Nisur nga përgjigjet e studentëve, ju mund të paraqitni një parim të ngjashëm me sa vijon: Teksa marrim pjesë në punën për historinë familjare dhe punën në tempull, ne ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke bërë për të tjerët diçka që nuk mund ta bëjnë dot vetë.

  • Si e ka forcuar ose si mund ta forcojë bërja e punës në tempull dhe për historinë familjare dëshminë tuaj për Shlyerjen e Jezu Krishtit?

Ftojini studentët të shqyrtojnë thënien nga Plaku Dejll G. Renland në pjesën 2 të materialit të përgatitjes dhe të përcaktojnë bekimet që i kanë përjetuar ose do të donin t’i përjetonin duke bërë punë në tempull dhe për historinë familjare. Më pas jepuni studentëve mundësinë të tregojnë si klasë ose në grupe të vogla për mënyrën se si ata ose dikush që e njohin është bekuar duke bërë punë për të vdekurit.

Paraqiteni thënien vijuese nga Presidenti Nelson:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Ju ftoj që me lutje të mendoni se çfarë lloj sakrifice – dhe mundësisht sakrifice të kohës suaj – mund të bëni për të kryer më shumë punë në tempull dhe për historinë familjare”. (Russell M. Nelson, në “Make Sacrifices for Family History, President Russell M. Nelson Challenges”, 12 shkurt 2017, ChurchofJesusChrist.org)

Jepuni studentëve kohë për të menduar e shkruar përgjigjen ndaj ftesës së Presidentit Nelson. Ata mund të përdorin një pjesë të kohës së mbetur për të hapur programin FamilySearch dhe për të kërkuar një emër që mund ta çojnë në tempull. Nxitini studentët që e kanë përdorur programin FamilySearch t’i ndihmojnë ata persona që nuk kanë njohuri për këtë program.

Ose mund t’i ftoni studentët për të shqyrtuar idetë në artikullin “Family History Is for Everyone” [“Historia Familjare Është për Çdo Njeri”] (ChurchofJesusChrist.org) të përmendur në pjesën “Doni më Shumë?” të materialit të përgatitjes.

Për Herën Tjetër

Që të nxitni përgatitjen e studentëve për orën e ardhshme mësimore, merreni parasysh të dërgoni mesazhin vijues ose një mesazh tuajin: Ndërsa studion mësimin 20, merr parasysh se çfarë idesh shpirtërore mund të fitosh nga fjalët bari, rrogëtar, vathë, dele të tjera, kullota me bar të njomë dhe dele të humbura.